Arhiva MujoreSeptember 2014

0 2005

Pyetje: Çfarë rëndësie dhe vlere ka Mekja për botën islame apo muslimanët në përgjithësi?

Përgjigje:

Allahu e bëri Meken vend dhuntie dhe sigurie për njerëzit. Aty tubohen haxhilerët dhe dijetarët për t’i kryer obligimet e tyre në mënyrën më të qetë dhe më të mirë të mundshme, duke shpresuar shpërblimin nga ana e Allahut dhe duke iu frikësuar dënimit të Allahut.

Gjithashtu, aty muslimanët e njohin njëri tjetrin, këshillojnë njëri tjetrin, diskutojnë gjëra të rëndësishme në lidhje me fenë, jetën dhe dynjanë e tyre.

Njashtu, muslimanët në Meke shtojnë faljen e namazit dhe kryerjen e veprave të mira.

Vetëm prej Allahut vjen suksesi, përshëndetjet ia dërgojmë të dërguarit tonë, Muhamedit,- salallahu alejhi ue selem!,- familjes dhe shokëve të tij.

Komisioni i përhershëm i fetvave: Abduallah Ibn Ku’udi Abdullah el Gudejani Abdurrezak el Afifi Abdulaziz Ibn Bazi

Nga arabishtja: Suad Shabani

 

0 5086

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij.

Drejtësia absolute është cilësi e Allahut dhe kjo cilësi e Allahut nuk është e ngjashme me drejtësinë e cila u përshkruhet njerëzve sepse asgjë nuk është si Allahu në qenie e as në cilësi.

Besimi i pastër në Allahun, i përbërë nga fjalë dhe vepra, tek besimtari nuk le vend për dyshime e as për mendime të këqija për Allahun e posaçërisht ato që kanë të bëjnë me drejtësinë e Allahut.

Allahu, subhanehu ue teala, për padrejtësinë, gjë kjo të cilën ia ka ndaluar Vetes dhe tjerëve, thotë:

“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El Kehf, 49)

 

“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (El Fusilet, 46)

“Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.” (En Nisa, 40)

“Thuaju: “Kënaqësitë e kësaj jete janë të vogla. Jeta tjetër është më e mirë për ata që e kanë frikë Allahun e s’bëjnë gjynahe. Juve nuk do t’ju bëhet asnjë fije padrejtësi.” (En Nisa, 77)

“Këto janë vargjet e Allahut, që t’i lexojmë ty me të vërtetën dhe Allahu nuk i dëshiron askujt padrejtësi.” (Ali Imran, 108)

Për bamirësit thotë se ata nuk kanë shkak për t‘u frikësuar Ditën e gjykimit: “Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.” (Ta Ha, 112)

dhe Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit (Ali Imran, 185)

Në një hadith kudsij të cilin e transmeton Muslimi (nr. 2577) prej Ebu Dherrit, radijallahu anhu, Allahu, subhanehu ue teala, thotë: Padrejtësinë (zullumin) ia kam ndaluar vetes dhe ua kam ndaluar juve.”

Në këtë nuk janë të njëjtë besimtarët dhe mohuesit e fesë. Drejtësia hyjnore shihet në faktin se Allahu nuk do t’i konsiderojë të njëjtë mohuesit e fesë me besimtarët në Ditën e Gjykimit. Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” (Sad, 28)

Dënimi i mosbesimtarëve ditën e gjykimit për rebelimin kundër Zotit dhe shpërblimi i besimtarëve që jetuan dhe punuan besnik Allahut dhe të dërguarve është manifestim i drejtësisë së plotë dhe të përkryer nga i Lartësuari. Nuk mund të jenë të njëjtë ata të cilët pranuan udhëzimin e Allahut dhe e zbatuan atë që Allahu e kërkoi prej tyre me mohuesit, të cilit ia kthyen shpinën udhëzimit hyjnor dhe vrapuan pas epsheve të kësaj bote kalimtare.

Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (El Hashr, 20)

Sigurisht se ka dallim mes shpërblimit për të mirën dhe për ate që është e keqe: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai), dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit…” (El Lejl, 5-10)

Në dy ajetet e fundit Allahu përmend besimin dhe veprat e mira që janë shkak për lehtësimin dhe vështirësimin. Nëse ai njeri beson dhe bën vepra të mira Allahu do t’i lehtëson veprat e mira dhe e kundërta; përgënjeshtrimi dhe mëkatet janë shkak për vështirësimin e veprave të mira.

Kur ju goditi fatkeqësia, ndërkohë ju i kishit goditur më parë armiqtë tuaj dyfish, ju thatë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush”. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë. (Ali Imran, 165)

Nëse ne mëndojmë se Allahu duhet në mënyrë të njëjtë t’i shpërblen besimtarët dhe mosbesimtaret atëherë ne jemi të padrejtit, sepse veprat e këqija i barazojmë me veprat e mira dhe kështu i vendosim gjërat në vendin e gabuar, gjë kjo e cila është definicioni i padrejtësisë. (Vendosja e gjërave në vendet që nuk ju përkasin).

A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” (Sad, 28)

“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’I bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” (El Xhathije, 21)

Këto ajete na flasin qartë se barazimi mes këtyre dy llojeve të ndryshme është vepër e shëmtuar dhe gjykim i gabuar dhe si i tillë nuk lejohet t’i atribuohet Allahut, subhanehu ue teala. Ky pohim është paragjykim i gabuar për Allahun, subhanehu ue teala.

Disa njerëz nga mosbesimtarët, në këtë kohë dhe në kohërat e ndryshme, konsiderohen si mirëbërës dhe përmirësues dhe për ta disa njerëz shpresojnë se do të shpërblehen nga Allahu, subhanehu ue teala. A thua vallë mundet të konsiderohet si mirëbërës ai njeri i cili mohon dhe refuzon shpalljen e Allahut i cili e krijoi dhe ia nënshtroi tokën dhe qiejt dhe pastaj pretendon se është kah bën vepra të mira. Esenca e gjitha veprave të mira është besimi në Allahun, subhanehu ue teala, dhe besimi në Pejgamberët. Për këtë shkak Allahu nuk i pranon veprat e njeriut i cili tregohet kryelart dhe mohues ndaj Krijuesit, qoftë i lartësuar Ai. Bamirësia e vërtetë është besimi në Allahu.

Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. (El Bekare, 220)

Ata thonë: Ne jemi vetëm përmirësues! Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.” (El Bekare 11-12)

Përmirësuesi i vërtetë është ai i cili beson në Allahu, subhanehu ue teala, në pejgamberin e Tij dhe i thërret njerëzit të pasojnë rrugën e Islamit. Për këto njerëz Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Ne nuk humbim shpërblimin mirëbërësve.” (El A’raf, 170).

Vepra e cila nuk është në pajtim më ligjin e Allahut dhe nuk bëhet sinqerisht për Të nuk është vepër e mirë dhe ai që i bën këto vepra pa besim në Allahun nuk do të hyj në xhenet sepse nuk e ka zbatuar obligimin e parë për të cilin është krijuar, besimin në Allahun.

Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56)

Allahun e lusim që të na ndihmon. Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

0 2086

Nëse do të pyesësh për kuptimin e fjalës, vetëdija për mbikëqyrjen hyjnore (El Murakabe) atëherë dije se ajo është vigjilenca e zemrës për afërsinë e Allahut, i Cili na shikon dhe i mbikëqyr, veprat tona dhe gjendjen tonë.

Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: “Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit), dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.” (Esh Shuara, 217-219)

Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (El Hadid, 4)

Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!” (Ali Imran, 5)

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, kur është pyetur për kuptimin e Ihsanit (bamirësisë), është përgjigjur: “Ihsan është të adhurosh Allahun sikur e sheh Atë, edhe pse ti Atë nuk e sheh Ai të sheh ty…

Duke bërë tavaf rreth Qabes, Urve ibën Zubejr, radijallahu anhu, kërkoi diçka prej Ibën Omerit, radijallahu anhu, i cili heshti. Pasi mbaruan tavafin Ibën Omeri, radijallahu anhu, i kërkoi falje dhe tha isha në tavaf dhe e paramendova veten në prani të Allahut i Cili shikonte se çfarë po bëj.

Ky është kuptimi i pjesës “ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë”.

Pyetja është: si të bëhemi ma vigjilent dhe më të vetëdijshëm për faktin se Allahu na sheh, e di se çfarë bëjmë në vetmi dhe kur jemi në prani të njerëzve, se Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell. Ai që e arrin këtë shkallë është më pranë Allahut.

Nëse e ke të vështirë ta adhurosh Allahun sikur je duke e parë Atë, atëherë mundohu që ta bindësh veten se Ai të sheh, turpërohu prej gjendjes tënde. Mos e bë Allahun, sikur është ai që më pak meriton të ruhemi prej Tij.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem,  është pyetur për shpalosjen e avretit dhe kë thënë: Allahu më shumë se tjerët meriton që ne të turpërohemi prej Tij.

Kur njëri deshi që të blej një dele prej bariut i cili ishte një rob dhe nuk kishte të drejtë të shiste delet, u mundua ta bind atë duke i thënë: thuaj i pronarit se atë e ka ngrënë ujku. Bariu me plot bindje tha: Po, Allahu, ku do e lësh Allahun. Njeriu, duke qarë, shkoi te pronari i bariut e bleu atë dhe e liroi.

Nëse vetmohesh ndonjëherë mos thuaj jam vetëm por thuaj është edhe Mbikëqyrësi.

Për asnjë çast mos mendo se Allahu nuk sheh apo diçka mund ti fshihet Atij.

Kur disa të prishur u munduan ta bindin një grua beduine që të kryen një vepër të paturpshme than Nuk na sheh askush përveç yjeve. Ajo u përgjigj po Krijuesi i yjeve dhe Ai që zbukuroi qiellin dhe që drejton gjithësinë a nuk na sheh Ai?

I lumtur është ai që i rregullon  raportet e tij me Allahun, subhanehu ue te’ala, sepse ai që e arrin këtë sukses do ti rregullojë raportet e tij me njerëzit.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ki frikë prej Allahut ku do që të jesh, pas mëkatit bëje një vepër të mirë që e fshin atë. Ndaj njerëzve sillu me moral të mirë.”

Edhe aty ku nuk ka njerëz dije se Allahu të sheh, prandaj ushtroje veten që të jesh i vetëdijshëm për mbikëqyrjen e Allahut. Dija e Allahut është absolute dhe asgjë nuk mund ti fshihet Atij.

Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, na porosit se si duhet të veprojmë pas mëkatit të bërë dhe thotë: “Nuk ka njeri që bën një mëkat, pastaj çohet, pastrohet dhe falet duke kërkuar falje për mëkatet e që të mos i falet mëkati. Pastaj e lexoi ajetin: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran, 135)

 Allahun e lus në na mbron prej haramit, të na largon prej haramit të cilin kemi mundësi ta bëjmë kur jemi të vetmuar Amin.

Përktheu: Talha Kurtishi

0 1698

Pyetje: A lejohet qe haxhiu t’i bëjë disa rrotullime në sa’j në këmbë(duke ecë) dhe disa t’i bëjë i hipur në diçka, si shkak i lodhjes gjatë rrotullimeve?

Përgjigje:

Po, një gjë e tillë lejohet. Argument është rasti kur pejgamberi alejhi selam ia lejoi Umu Selemes të rrotullohet hypur mbi diçka.

Sepse, Umu Seleme iu ankua pejgamberit alejhi selam se ishte lodhur, dhe pejgamberi alejhi selam ia lejoi t’i kryej rrotullimet tjera ashtu siç kërkoi Umu Seleme.

Shejh Muhamed Ibn Salih el Uthejmin,- Allahu e mëshiroftë.

Nga arabishtja: Suad Shabani

0 3238

Ditët kalojnë njëra pas tjetrës, jetës pak nga pak i afrohet fundi e koha ec së bashku me ne pa mos u ndalur asnjë çast. Dhe ja, kur sheh, fëmija është rritur, i riu është kërrusur nga pleqëria e plakun e ka mbuluar dheu. Jeta vërtet nuk është e amshuar, por një hije që kalon, një huazim që duhet kthyer. Ditët e saja harxhohen, lulet e saja

 thahen, gëzimi i saj harrohet e mbetet vetëm vepra e njeriut, e mira dhe e keqja e tij. Pastaj, njeriu kthehet tek All-llahu për të dhënë llogari për punët e tij të mira apo të këqija.

Nuk është e drejtë që t’i harxhosh ditët tua të cilat janë të pakthyeshme, në diçka që do të sjell keqardhje e pendim. Pra, shfrytëzoi këto orë të pakta në përulje ndaj Allahut [subhanehu ve teala] se kjo është një thesar i çmuar, vlera e të cilit nuk mund të caktohet me pasuri. Njerëzit kanë harruar, nuk e dinë realitetin e kësaj bote dhe qëllimin e ekzistimit të tyre. Janë habitur dhe kanë humbur rrugën në këtë labirint.

Shpirtrat e tyre nuk zgjohen përderisa t’i rrëmbej Meleku i Vdekjes, e atëherë fillojnë të mendojnë, mirëpo, atëherë i kaplon dhimbja, keqardhja e pendimi ua shtrydh zemrat e tyre. Përkujtojnë jetën e kaluar në punë që s’ju bëjnë dobi. Fillojnë të këlthasin por këlthitja s’u ndihmon. Atëherë kuptojnë se jetën e tyre nuk e kanë shfrytëzuar.

Na lejoni t’i bëjmë vend të vërtetës në shpirtrat tanë, na lejoni ta njohim jetën e vërtetë se jeta që nuk është në rrugën hyjnore, jeta e cila nuk lidhet me Zotin e jetës, jeta e zhveshur nga rregullat islame është jetë e kotë. Pronari i saj gjen në vetvete vuajtje, në shpirtin e tij uri për shkak se ai jeton duke mos e jetuar të vërtetën dhe pa e ditur qëllimin e tij.

Njihe Zotin tënd do ta njohësh vetveten, do ta gjesh gëzimin, do të udhëzohesh drejt qëllimit tënd, e pa këtë jeta jote është si fatamorganë, shkëlqen në nxehtësinë e madhe të diellit dhe të duket se është diçka që të bën dobi dhe kënaqësi porse në realitet ajo s’është gjë, ajo është Fatamorganë.

Marrë nga libri “ Mevakif ve iber” Dr. Sulejman ibën Omer El Eshkar

Përktheu:Agim Bekiri

Publikimi i parë: 3.7.2001

0 1215

Ai që jeton në Siri, që e viziton atë apo që ndjek lajmet rreth saj nuk mund ti ik përshtypjes së bëhet fjalë për një vend me qytetërim të lashtë, i vetëdijshëm për vlerën e tij, i madh në krenarinë dhe trimërinë e tij, i lirë në mendimin e tij dhe në shprehjen e lojalitetit.


  Ndoshta pushtetmbajtësi arriti, që më dorën e hekurt e sistemit të sigurisë,  për një kohë ti hesht zërat e lirisë, por ai assesi nuk duhet ta mashtron veten apo ti mashtron masat, se ka arritur të mposht vendin, ta shndërrojë në një vend që madhëron kasapët dhe shtypësit.  

Kur sundimtari mundohet ta fsheh diellin me dorën e tij, ai vetëm se e mashtron vetveten. Edhe atëherë kur gjen përkrahës që i përsërisin fjalët e tyre ata duhet ta dinë se këta përkrahës e janë në dijeni për realitetin e sundimtarit dhe fort mirë e dinë edhe realitetin e popullit, kërkesat dhe aspiratat e tij.

Në fillim populli duke pëshpëritur pyet deri kur sunduesi do të vazhdon me kokëfortësinë e tij në lajthitje dhe me tiraninë e tij që nëpërkëmb të drejtën e popullit për një jetë fisnike. Pas një kohë pëshpëritjet bëhen biseda publike që tanimë haptazi përsëriten në minbere, në faqet e internetit, në Fejsbuk, dërgohen kërkesa të përbashkëta që këmbëngulin në ndryshime. Në atë moment sunduesi shpreh gatishmërinë për zgjidhjen e problemeve (zgjidhje të përkohshme). Vijnë urdhrat për uljen e çmimit të naftës, për shpërndarjen e ndihmave për familjet e varfra, jepen premtime për liri të shprehjes. Këto veprime vetëm se e vërtetojnë faktin se sunduesi nuk e ka kuptuar popullin.

Po është e vërtetë se çmimi i naftës është problem i popullit por problem janë edhe çmimet e qindra produkteve tjera. Ai e di që, edhe pse vendi i tij është vend i naftës , fitimet e saj transferohen në llogari bankare në vendet e huaja. Kështu sunduesi, familja e tij dhe paria e tij bëhen miliarderë, në kohë kur populli i tij jeton nën kufirin e varfërisë. Popullit nuk i lejohet të arrij tek asnjë të drejtë prej të drejtave që i takojnë. Proceduara të komplikuara për ceremoni dasmore, për hapjen e dyqanit, për marrjen e pasaportës.  Procedurën e komplikojnë edhe kërkesat për ryshfet. Nëse mendojmë se problemi do të zgjidhet vetëm me uljen e ­çmimit të naftës atëherë  bëhet fjalë për mjekim që bazohet në diagnozë të gabuar. Problemin nuk do ta zgjidh as shpërndarja e 1700 lirave siriane që u dedikohen disa familjeve. Populli nuk është lypës që ka ardhur në portën e sundimtarit, ai është pronari i vërtetë i tokës dhe i pasurive të saja. Ai ka të drejtë të përfitojë prej pasurive të vendit dhe ajo e drejtë nuk është ekskluzive për kryetarin, familjen e tij dhe parinë e prishur e cila i ka lidhur interesat e saja për interesat e kryetarit. Kjo rrjedhojë e ndodhive shkakton shpërnguljen e mijërave, milionave në vendet fqinje, bile edhe në kontinentet e botës, në kërkim të jetës fisnike.  Qindra mijëra migruan që të jetojnë nën qiej të ndryshëm të botës duke kërkuar krenari, liri dhe të drejtën e shprehjes…

Situata kërkon që të luftohet korrupsioni dhe korruptuesit…korrupsioni u përhap dhe tanimë dihen korruptuesit dhe prishësit.

Shërbimi ushtarak për shumicën e popullit është krenari që nuk duhet të privohet prej askujt. Nëse roli i ushtrisë njolloset atëherë kush do ti mbron kufijtë e vendit, kush do ta çliron Golanin. Detyra e ushtrisë nuk është që vetëm të mbron pallatin e kryetarit dhe pallatet që degëzohen prej tij në skajet e ndryshme të vendit. Turpi është ende më i madh kur ushtria shndërrohet në mjet për shtetrrethimin e qyteteve, për “pastrimin” e tyre, për bombardimin e civilëve dhe për frikësimin e grave dhe fëmijëve.  Nuk është punë e ushtrisë të hap burgje për fisnikët si puna e Hejthem Malihit, Tal Meluhit, Gasan Nexharin, të kryen masakra në burgun e Sajdanaja, të ushtron dhunë ndaj kërkuesve të lirisë në Dir’a, Damask, Hama, Haleb, Homs, Ladhikije, Banijas, Dir Zur dhe Kamishli…nëse kjo është detyra e ushtrisë atëherë injorancë është që hidhërimin e popullit ta trajtosh me shkurtimin  e kohës së caktuar të shërbimit ushtarak.

Populli është i vetëdishëm se jeton nën ankthin e frikës, në të cilën nuk dihet nocioni i medieve të lira, nuk lejohen tubimet publike dhe për çdo gjë madje edhe për “frymëmarrje të lirë” duhet leje paraprake.

Populli e di se rrafshnalta e Golanit, që u okupua prej Izraelit dhe u fshi nga harta e Sirisë, u shit nga sistemi dhe kryetari nuk bëri asgjë për ta rikthyer këtë pjesë të tokës siriane. Përkundrazi ushtria u shndërrua në njësi sigurimi që kujdeset për sigurinë okupuesve.  Pushteti ishte i sigurt ngase aeroplanët e Izraelit goditën disa objekte në Dir Zur, u kryen atentate ndaj Imad Mugnije në Damask dhe ndaj Muhamed Sulejmanit në Tarsus, por, “armiku”, assesi nuk e kishte ndërmend të fluturon mbi pallatin e kryetarit apo të kryej sulme ndaj tij.

Pushteti e di se qytetari nuk ka gjumë të qetë ngase në çdo mbrëmje mund ti vijnë vizitorë të panjohur që i dërgojnë në destinacione po ashtu të panjohura.  Aty do të shijon forma të ndryshme të torturës, në zandanët e pushtetit prej të cilave nuk do të del me muaj, vite…ndoshta edhe asnjëherë.

Pas kësaj që u tha kryetari e merr guximin dhe parisë së tij i thotë: vendi është i sigurt dhe stabil, kërkesat për liri dhe të drejta janë fitne, shkaktojnë gjakderdhje dhe i shërbejnë Izraelit.

Zgjidhja e problemeve duhet të bëhet jo me uljen e çmimit të naftës etj. Zgjidhja e tyre fillon me rritjen e të drejtave dhe të lirive, me gjykimin e të korruptuarve nga paria e pushtetarit, me anulimin e gjendjes së jashtëzakonshme, me ndryshime kushtetuese në veçanti të nenit nr. 8, të lirohen të burgosurit mëkati i vetëm i të cilëve ishte mospajtimi me pushtetit, të mundësohen kushte që pushtetin ta marrin ata që e meritojnë…

Populli e ka kuptuar politikën e kryetarit, kur kryetari do të thotë: Tani ju kuptova populli im.

 

Përktheu: Talha Kurtishi

 

0 2650

“Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi, e krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur, lexo se Zoti yt është më Bujari, i cili i mësoi penën, i mësoi njeriut atë që nuk dinte.” (El Alak,1-5)

Pas këtyre fjalëve madhështore do të qasemi që ti prekim disa veti të cilat kanë të bëjnë me realitetin aktual tek ne si shoqëri, herë, herë edhe si individ. Gjithnjë duke tërhequr vërejtjen se nuk i dedikohet askujt tendencialisht, nga qe, sot, gjërat lehtë po personalizohen nga individ të ndryshëm. Qëllimi i këtij bashkëbisedimi është që ti mbledhim bashkëpunimet dhe idetë dhe ta hedhim hapin së bashku në binarët e drejt dhe ta sfidojmë çdo pengese e cila po ngritët e po pengon arritjen e realizimit të qëllimeve tona si komunitet, që po na bëhen qoftë nga qeveritarët qoftë nga të tjerët që janë në ndonjë vend me pozitë.

Skepticizmi, është rezultat i dijes, aq sa dija është rrjedhojë e kureshtjes, dyshimit, dëshirës për më shumë njohuri dhe njëherësh ndjenjës sesa pak di. Sepse njeriu i kënaqur me atë që di aktualisht i ngjan atij që me paragjykim nuk pranon asnjë njohuri tjetër, vendos të mbetet i pandryshuar dhe padashur, përfundimisht i paditur.

Në kohë kyçe, kur sistemet ndërrohen, krijohen edhe situata në të cilat njerëz, më shumë se kurrë më parë, përpiqen të ndryshojnë sipas rrethanave. Të shtyrë nga instinkti natyral për të mbijetuar, secili priret të përshtatet ta gjejë vendin e vet duke filluar me marrjen e njohurive të reja.

Dija ndihmon karakterin, dhe anasjelltas. Ato gjithashtu ngjajnë sepse të dyja zhvillohen gradualisht, dhe harresën kanë si çmim. Harresa, në këtë rast, është çlirimi nga njohuritë e fituara më parë. Ashtu si njeriu mëson çdo ditë, edhe çmësimi a heqja dorë nga idetë e vjetra bëhet diçka e përditshme. Andaj me veshje jo të zakonshme të çmësimit vjen ndryshimi, prandaj duket i vështirë dhe shpesh jo i mirëseardhur. Sepse nuk është lehtë për njeriun të pranojë se ka punuar kot, dhe t’i kthejë shpinën kohës, mundit, ëndrrave, netëve pa gjumë, ditëve të stërngarkuara nëpër të cilat kaloi për të mësuar bazat e njohurive a ideve (të cilës do lëmi), tashmë pronë e mendësisë së vjetruara. Vështirësitë zbuten kur ndryshimi ngrihet mbi paragjykimin, kur njerëzit dhe gjërat, dita – ditës, gjejnë vendin, sipas vlerës që kanë, e shpesh herë sipas mundësive.

Lidhur me këtë shihet se prijës dhe bartësi i barrës më të rëndë për shpërndarjen e dijës dhe për nxitjen e nxënies së saj qenka mësimdhënësi. Lind pyetja: Për ç’far qëllimi kërkon falje peshku për dijetarin e mësuesin?

Përgjigja na thotë se dobia e tyre përfshinë çdo gjë, deri edhe peshkun. Dijetarët dhe mësimdhënësit nëpërmjet dijës, bëjnë të njohur se çfarë është e lejuar e çfarë nuk është e lejuar, si dhe këshillojnë se si duhet sjellë me të gjitha krijesat, deri edhe me kafshën e therur (kurbanin) dhe me peshkun. E tërë kjo kërkon njohuri, maturi, pjekuri, strategji dhe durim, sidomos me krijesën njeri, ngaqë njeriu është i obliguar për mësim të dijës, por, ja që si qenie në përgjithësi sikur janë të ndarë në grupime në kuadër të poleve të ndryshme, dhe secili e ka mënyrën e veçante të joshjes dhe të bashkëpunimit.

Teoritë e ndryshme të nxënies së dijes

Përderisa ka shumë teori të nxënies që vlejnë për nxënien e të rriturve, përfshirë nxënien e vetëdrejtuar, nxënien transformuese, nxënien joformale, nxënien joformale apo të rastit, nxënien e bazuar në kontekst, teorinë e botëkuptimit kritik, teorinë e botëkuptimit post-modern dhe teorinë për femrat si përvetësuese të diturive, ai/ajo që ka rolin e mësimdhënësit (jo mësuesit-vlerësuesit ) duhet të jetë i vetëdijshëm në raport me gjendjen dhe padrejtësinë e tyre të cilën po e përjetojnë si gjini. Kërkohet që brenda këtyre teorive të ndryshme, të kenë kujdes ata /ato mësimdhënës se çfarë gjuhe përdorin ndaj tyre dhe se si reagojnë ndaj gjërave të cilat shpeshherë nuk arrijnë ti kuptojnë drejtë dhe i keqkuptojnë në këtë rast, edhe pse janë mësimdhënës / mësimdhënëse. Ose me ketë, pse janë mësimdhënës në rol, të reagojnë me ndonjë formë a mënyrë aspak të drejtë karshi tyre. S’do të thotë se vetëm mësimdhënësit mund të kenë të drejtë ose të jenë të saktë, edhe ata/ato mund të gabojnë ose edhe të mos dinë, kështu që nuk është turp nëse nuk dinë e të mësojnë nga të tjerët që mendohet se dinë më pak se ata/ato.

Kalimthi do ti preki disa gjëra rreth pozitës së femrës brenda në shoqëri. Mbi të nxënit e dijës te femrat rezultojnë të rëndësishme tri supozime të studiuara:

Femrat kanë nivel dukshëm më të lartë të dyshimit në vete në krahasim me meshkujt. Kjo shpjegohet me faktin se kur femrat janë të suksesshme, ato zakonisht ua lënë njerëzve të tjerë meritën e suksesit të tyre, ndërkaq kur ato dështojnë atëherë ato e fajësojnë vetën e tyre. Fakt tjetër i kësaj është se, si gjini e ka shtypur koha dhe sistemet nëpër të cilat ka kaluar, sa që e ka bërë që të jetë gjithnjë nën presion, edhe pse këtë realitet ia veshin vetëm femrave besimtare-islame. Realiteti i këtillë është te të gjitha femrat në botë. Për ta demantuar këtë nga ne, mësimdhënësit duhet ta sjellin modelin dhe mënyrën më të mirë të mundshme.

Fjala (zëri) i femrave shpesh nuk dëgjohet si pjesë e dialogut dominues. Ato shpesh nuk lejohen as të flasin. Diskursi i tyre nuk paraqet pjesë të rëndësishme të diskurseve dominuese të shoqërisë. Edhe kjo i vishet vetëm femrave të cilat i përkasin besimit fetar Islam. Në këtë rast mësimdhënësit obligohen që t’u sigurojnë një ambient të sigurt për të mundësuar përfshirjen e pjesëtareve të gjinisë femërore.

Femrat nuk ndihen rehat të nxjerrin ide favorizuese nga teoritë ose modelet e suksesshme, gjë që shkakton izolimin e tyre nga idetë e përparuara. Vlerësimi i koncepteve të reja dhe i përvojave të tyre personale në kuptimin tërësor, ndihmon që fjala e tyre të dëgjohet, sepse femrat janë nxënës të ndërlidhur. Kështu u thuhet femrave ose kështu thuhet për femrat të cilat i takojnë besimit Islam. Andaj mësimdhënësit duhet të jenë të ndjeshëm ndaj kësaj dhe ta demantojnë edhe këtë shpifje. Duhet të ndërlidhen metodat e përvetësimit për të ardhur në shprehje edhe idetë e reja dhe me vlerë si dhe të vihen në pasqyrë reflektuese që të binden të gjithë se femra ka vendin më meritor që i takon njeriut në islam.

 Duke mos dashur që të lihet hapsirë se kjo temë shtjellon çështjen e pozitës së femrës ose paska kahje feministe, dua të rikthehem në fillim; sa po e vlerësojmë mësim-nxënien dhe sa po i kushtohet mësimdhënies.

Disa bashkë/mendime për ata/ato që janë në rol mësimdhënësi

Mësimdhënësve iu rekomandohet që t’i shmangen leksioneve të gjata e të thata, periudhave të qëndrimit në leksione pa shembuj konkret për një kohë të gjatë dhe kufizimit për bashkëdyzenim të njohurive të ndryshme. Shmangia e përvojave të këqija në edukim tradicional. Të bëhet braktisja e të jetuarit për autoritet. Të jetë preokupim që gjërat të cilat mësohen brenda mësonjëtoreve të zbatohen edhe jashtë tyre duke qenë me ndikim pozitiv.

Këto bashkë/mendime për vetë faktin se po shihet qartë se të rriturit po rrezikojnë të humbasin rastet e organizimit të mbajtjes së orëve mësimore. Në raste të tilla kërkohet që të forcohet vetëbesimi i tyre, të joshen me ligjërata të cilat i bëjnë të jenë stabil në jetë dhe të rehatshëm në praktikë. Assesi të mos kërkohet llogari prej tyre, ngaqë ndjeshmëritë janë bërë më të mëdha se sa që paramendoheshin, sigurisht që kjo po i bënë njerëz jo stabil në jetë.

Të krijohen situata dhe komoditete në të cilat ata mund të nxënë mirë dhe mjaftueshëm nga bashkëbisedimi me mësimdhënësit e tyre.

Të rriturit sjellin mjaftë përvoja jetësore, e që kjo mund të paraqes një përparësi të jashtëzakonshme të cilën jo vetëm që duhet pranuar por të njëjtën duhet lavdëruar dhe shfrytëzuar me efektivitet. Shembull mund ta shkoqisim rastin kur Omeri (radiaAllahu anhu) rrëfen për idhullin e tij të cilin e kishte ndërtuar nga hurmat e që e ngrënë gjatë një udhëtimi të tij-periudhë kjo e para islamit të tij. Pastaj edhe shembulli i Ebu Sufjanit, etj.

Nëse mësimdhënësi me nxënësin në qendër inkurajon nxënësin që të merr përgjegjësi për zhvillimin e tyre mendor dhe shkathtësinë e cila u ndihmon atyre në nxënie dhe në përdorimin e ideve apo koncepteve të reja,se si të nxënë dije të ndryshme, se si ti shfrytëzojnë resurset në dispozicion dhe si të reflektojnë mbi nxënien e dijës i bën ata që ta largojnë mosbesimin nga vetja dhe të jenë më përgjegjës në jetë.

Të fundit dhe me përgjegjësi e themi se timonieri për nxënie të dijës qenka mësimdhënësi, si dhe mësimdhënësi duhet të jetë i vetëdijshëm se është në shërbim të njerëzimit e jo njerëzimi në shërbim të tij.

0 1308

Emri i plotë: Quhet Muhammed ibën Muslim ibën Ubejdullah ibën Abdullah ibën Harith ibën Zehre Ebu Bekr El Kureshi, Ez Zuhri, El Medeni dijetari i Medinës që banoi edhe në tokat Shamit.


Ka lindur në vitin 56 H (në disa burime përmenden vitet 50 H dhe 51 H) në Medine. Fakti që ka lindur në periudhën e artë të dijës i ndihmoi të përfiton nga shumë as’habë dhe shumë tabi’inë.

Prej tyre do t’i përmendim:

Ibën Umerin, Enes ibën Malikun, Sehl ibën Sa’din, Es Saib Ibën Jezidi, Ebu Tufejl ibën Vathile, të gjithë shokë të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Ka përfituar edhe prej Se’id ibën El Musejjebit të cilin e ka shoqëruar tetë vite, si dhe prej Alkame ibën Vekkasit, Urve ibën Zubejrit, Ebu Idris El Haulanit, Salim Ibën Abdullahit, Ebu Seleme ibën Abdur Rahmanit, Ubejdullah ibën Abdil-lah ibën Utbe, El Kasim ibën Muhammedit, El Harixhe ibën Zejdit dhe shumë tjerë.

Lëvdatat e dijetarëve për të:

El Lejth ibën Sa’di: Nuk kam parë dijetarë më të përkryer se Ibën Shihabi. Kur lexonte hadithe do thoshe nuk din asgjë përveç haditheve, e njëjta ndodhte dhe kur fliste për arabët dhe fiset tyre, për Kur’anin dhe këshillat.

Sufjan ibën Ujejne: Ibën Zuhriu ishte më i dituri i Medinës.

Omer ibën Abdul Aziz: Askush nuk i recitonte hadithet si Zuhriu.

Amër ibën Dinari: Dirhemët nuk kishin vlerë për të.

Ahmed ibën Hanbel: Senedet dhe hadithet e Zuhriut janë më të mirët.

Jahja ibën Se’id: Nuk ka mbetur dijetar me dije sa e kishte Zuhriu.

Ejjub Es Sihtijani: Nuk kam parë njeri më të ditur se Zuhriu. I thanë as Hasan El Basriun? Tha: Më i dituri është Zuhriu. Të njëjtën fjalë tre herë e ka përsëritur edhe Shuajb ibën Ebi Hamze.

Ishte det i dijës tha Se’id ibën Abdul Azizi.

Malik ibën Enes: Ibën Shihabi nuk kishte konkurrent në dije.

Ali ibën El Medini: Katër veta jepnin fetva: El Hakemi, Hammadi, Katadeja dhe Zuhriu. Zuhriu ishte më i dituri prej tyre.

Dijen e Se’id ibën El Musejjebit, Urves dhe Ubejdullah ibën Abdullah e tuboi Ibën Shihabi.

Malik ibën Enes: Kur vinte Ibën Shihabi në Medine grumbulloheshim para shtëpisë së tij.

Salih ibën Kejsani rrëfen: Kërkonim dije unë dhe Zuhriu dhe ai më tha: eja t’i shënojmë hadithet e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem dhe ashtu e bëmë. Kur më tha t’i shënojmë fjalët e as’habëve unë nuk pranova, ndërkohë që ai vazhdoi punën. Ai korri sukses e unë humba.

Malik ibën Enes: Ishte më bujari në mesin tonë.

Disa fjalë të Zuhriut:

Ka thënë:

“Të kapurit për sunet është shpëtim.”

“Përsëritja e hadithit është më vështirë se bartja e gurëve.”

“Shejtanët kanë hise në tubimin që zgjatë.”

“Njerëzit nuk do të pranojnë fjalën dijetarit që nuk punon me dijen e tij si dhe punën e atij që nuk din.”

“Besimi në kaderin është boshti i besimit në Allahun. Ai që njëson Allahun dhe nuk beson në kader e ka anuluar besimin e tij.”

“Transmetimi i hadithit pa sened është sikur hipja mbi kulm pa shkallë.”

“Senedi (transmetimi i hadithit duke i përmendur zinxhirin e transmetuesve) është veçori dalluese e Ummetit Islam.”

Nga ky det i dijës përfituan shumë dijetarë si:

El Ata ibën Ebi Rebah, Umer ibën Abdul Aziz, Amër ibën Dinar, Katade ibën Di’ame, Zejd ibën Eslem, Ejjub Es Sihtijani, Ebu Zinadi, Ibën Xhurejxh, El Euzai, Malik ibën Enes, Sufjan ibën Ujejne, Ibën Is’hak dhe shumë tjerë.

Ndërroi jetë në vitin 123 H (në disa burime në vitin 124 H ose 125 H) Allahu e mëshiroftë me mëshirën e tij të gjerë.

Përktheu Talha Kurtishi

0 2895

Ngjarjet e fundit në Kosovë me jehonën të cilën e krijuan na mësuan apo më mirë të them na imponuan kuptimin ndryshe të krimit, terrorit, shpërlarjes së parave, etj. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi, nuk kishim pasur për ta ditur se pasuria e hoxhës quhet ‘shpërlarje e parasë’, ndërsa pasuria (e majme) pushtetarëve quhet ‘fitim hallall’. Tani e tutje nuk bën të habitemi nëse Qeveria e Kosovës (MASHT) do të formojë komisione për të ndërhyrë edhe në tekstet (juridike) e kode penale për të dhënë shpjegimet ‘e drejta’ të këtyre emërtimeve, përndryshe studentët shumë lehtë mund të dështojnë në provime, si pasojë e mosnjohjes së këtyre definicioneve. Megjithatë, lutemi që kjo të mos ndodhë.

A kemi menduar ndonjëherë pse shkalla e varfërisë në Kosovë është shumë e lartë, pse janë analfabetë 4.18 përqind në popullsinë mbi 15 vjeç, ndërsa në mesin e grave 5.07 për qind, pse në çdo 50 të punësuar nuk punësohet një me aftësi të kufizuara (ashtu siç e parasheh ligji), pse privilegjohet komuniteti serb në krahasim me komunitetet tjera, pse presidenten ia zgjedh Amerika, e jo ata vetë, pse e ndajnë qytetin në veri dhe jug, pse janë i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e ka fituar liberalizimin e vizave, pse edhe tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk po arrijnë ta formojnë qeverinë, pse nuk po i gjejnë të zhdukurit, pse veteranët e luftës jetojnë në mjerim, dhe shumë e shumë pse të tjera. Sado që është e madhe shumëllojshmëria e pse-ve, sepse-të kanë një emërues të përbashkët, e ai gjendet në pjesë e parë të titullit.

Por, kush fshihet pas një rinie, të cilën sot e ke më respektuese të prindërve se sa më herët, sot e ke më larg nga dukuritë degjeneruese të shoqërisë kosovare, sot e ke më të përkushtuar për mësim e dije, sot e ke më bamirëse se shumë të pasur të tjerë, sot e ke më afër nevojave të hallexhinjve, sot e ke më të familjarizuar, sot e ke më respektuese të të moshuarve në mesin e tyre dhe shumë aspekte pozitive të cilët ata i transmetojnë aty ku janë. E gjithë përgjigja gjendet në pjesën e dytë të titullit.

Tani për aktorët kryesorë që urdhëruan arrestimin, unë nuk di si të lutem: “O Zot, fali sepse ata nuk e dinë se ç’bëjnë!”, apo “O Zot, mos i fal, se ata e dinë se ç’bëjnë!”

Hoxhë Valdet Kamberi

0 2057

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër musliman, 

Allahu, azze ue xhel, na njoftoi se Kuranin e zbriti për të përsiatur dhe për të vepruar me të: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!”. Muhamed 24. Prandaj, duke iu bazuar këtij ajeti Kuranor në vazhdim  me lejen e Allahut do të përsiasim një ajet prej ajeteve të Kuranit me qëllim që të nxjerrim mësime të dobishme prej tij.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”. Fusilet 30-32.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur e komenton thënien e Allahut: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë”, thotë: “Allahu në ajet i ka për qëllim ata që i vepruan veprat me sinqeritet për Allah dhe adhurimet ia përkushtuan vetëm se Atij sipas ligjeve të cilat i caktoi vet Ai”.

Zuhriju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur ishte në mimber, lexoi këtë ajet e pastaj tha: Përqendrohuni në rrugë të drejtë duke e adhuruar Allahun me sinqeritet dhe mos i bëni dredhitë e dhelprës”.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Sufjan ibën Abdullah Thekafijut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili kishte thënë: “O i Dërguar i Allahut, më thuaj në Islam një fjalë që të mos pyes për të askënd pas teje?” Pejgamberi, alejhi salatu ue selam,tha:”Thuaj besova Allahun pastaj ndiq rrugën e drejtë”.

Robi nuk mund të jetë i përqendruar në rrugë të drejtë derisa veprat, thëniet dhe dëshirat e tij nuk janë në përputhshmëri me atë çka e ligjësoi Allahu dhe me atë çka erdhi Muhamedi, alejhi salatu ue selam. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty“. Hud 112. Allahu në ajet thotë përqendrohu në rrugë të drejtë “ashtu siç je i urdhëruar”, dhe nuk thotë përqendrohu sipas dëshirave të tua. Pra, i udhëzuar realisht konsiderohet ai që ndjehet krenar në vete dhe ecën ballëlart në rrugën e drejtë: “A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?”. Mulk 22.

Thënia e Allahut: “do t’u zbresin engjëjt” komentohet se njerëzve do tu zbresin melekët para vdekjes dhe atyre që ishin të përqendruar në fe do tu thonë : “mos u frikësoni” prej asaj çka do t’ju paraprijë prej çështjeve të ahiretit. Ahiretin e paraprijnë shumë tmerre dhe gjendje të vështira duke filluar këtu prej varrit dhe errësirës së tij, vetmisë së tij, shtrëngimit të tij, sprovës në të, pastaj fryrjes në Sur, vendqëndrimet e Ditës së Kiametit, kalimi nëpër Sirat, matja e veprave në Peshore, etj. Të gjitha këto tmerre e frika dhe gjendje të vështira Allahu do t’ua lehtëson atyre që ishin të përqendruar në fenë e Tij.

Thënia e Allahut: “dhe mos u pikëlloni” komentohet mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja, prej familjes, fëmijëve, pasurisë, se Ne do të jemi kujdestar i tyre.

Pastaj Allahu i përgëzon me shkuarjen e sherrit dhe ardhjen e mirësisë duke iu thënë: “Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij e shënon një hadith nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët prezantojnë në momentin e vdekjes dhe nëse njeriu ka qenë i mirë, thonë: ”Dil o ti shpirt i mirë, ke qenë në trup të mirë. Dil falënderues dhe gëzoju aromës, bukurisë dhe Zotit Mirënjohës e jo Zemërues”.

Ibën Ebi Hatim, Allahu e mëshiroftë,  transmeton nga një prej selefit se filloi ta lexon suren Fusilet prej fillimit deri sa kur arriti tek ajeti “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt“, u ndal dhe tha: Na është përcjellur se Allahu kur do ta ringjall besimtarin prej varrit të tij do ta takon me dy melekët që e shoqëronin në dynja dhe do t’i thonë mos u friko dhe mos u pikëllo. Allahu atë ditë do ta siguron prej frikës dhe do t’ia kënaq syrin, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë të frikësuar.

Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Kur vjen meleku i vdekjes që t’ia merr shpirtin besimtarit i thotë: Zoti yt të dërgon selam”.

Muhamed ibën Kab thotë: “Meleku i vdekjes i thotë besimtarit: O ti mik i Allahut  paqja e Allahut qoftë mbi ty, Allahu ty të dërgon selam, e pastaj lexoi ajetin: “të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”. Nahl 32.

Zejd ibën Eslem thotë: “E përgëzojnë melekët në momentin e vdekjes së tij, në varrin e tij  dhe në momentin kur do të ringjallet”. Ibën Kethiri thotë se kjo thënie është shumë më e mirë, i bashkon të gjitha thëniet dhe kjo është realiteti.

Thënia e Allahut: “ Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër” komentohet se melekët do tu thonë besimtarëve në momentin e vdekjes: Ne ishin miqtë dhe shokët e juaj në dunja që ju përkrahnim dhe kujdeseshim për ju me urdhrin e Allahut dhe poashtu do të jemi me ju në ahiret, do t’jua largojmë vetminë e varrit dhe ditës kur fryhet në Sur, do t’ju mbrojmë ditën e Ringjalljes dhe Llogarisë, do t’jua lehtësojmë kalimin e urës së Siratit dhe do t’ju dërgojmë e shoqërojmë deri në xhenetin e Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë, do të jenë larg nga Xhehenemi. Ata nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar”. Enbija 101-103.

Thënia e Allahut: ” Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni” komentohet se besimtarët në xhenet do të kenë çdo gjë që e dëshirojnë shpirtrat e tyre dhe u kënaqen sytë e tyre edhe atë sa herë që e kërkojnë do tu sjellët para duarve të tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “(Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni. Ju që keni besuar shpalljet Tona dhe keni qenë myslimanë,  hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja, ku do t’ju shërbehet me pjata dhe gota prej ari. Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë”. Zuhruf 68-71.

Dhe thënia e Allahut: “dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”, ky ajet komentohet, se të gjitha begatitë që do t’i fitoni në xhenet janë dhuratë dhe begati prej Zotit i cili i fali mëkatet e juaja, ishte i mëshirshëm dhe i butë ndaj jush, i fali gjynahet e juaja dhe i mbuloi ato.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu, azze ue xhel, thotë:”Kam përgatitur për robërit e drejtë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që e ka paramenduar zemra e njeriut”. Ebu Hurejra thotë: Për këtë çështje mundeni të lexoni edhe në Kuran: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”. Sexhde 17.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë,

Prej ajeteve fisnike të cilat i përsiatëm mund t’i nxjerrim disa dobi:

  1. Besimi dhe përqendrimi në fe janë dy shkaqe për hyrjen në xhenet.

  1. Melekët e përgëzojnë besimtarin në momentin e vdekjes, në varrin e tij, në Ditën e Kiametit dhe para dyerve të xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar(në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” Rad 23-24.

  1. Punëtori duhet të përgëzohet me shpërblimin që e meriton, për shkak se kjo ia shton më tepër aktivitetin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin)“. Bekare 223.

  1. Besimtarët futen në xhenet me meritën dhe mëshirën e Allahut, e jo si rezultat i veprave të tyre.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, të thotë: “Askënd nuk e fusin në Xhenet punët e veta”. Shokët e pyetën: “As edhe ti, o i Dërguari i Allahut?!” Ai u përgjigj: “Jo, as mua, pos në qoftë se Allahu më dhuron Mirësinë dhe Mëshirën e Tij”.

  1. Besimtarët kur do të hyjnë në xhenet do të marrin prej begative të tij çka tu dëshirojnë shpirtrat dhe çka do t’i kënaq sytë e tyre, madje do tu jepet edhe një tepricë e ajo është shikimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë”. Kaf 35 dhe “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër”. Junus 26.

E lus Allahun të mw bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

  Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NA NDIQNI NË