Arhiva DitoreOct 2, 2014

0 17511

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.

Vëllezër besimtar,

Prej çështjeve të cilëve Islami u kushton rëndësi të veçantë është edhe çështja e familjes, brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Duke e pasur parasysh se bazamenti i çdo familjeje është burri dhe gruaja, Allahu për ta vendosi ligje, caktoi kufi dhe rregulla, u detyroi detyra dhe na bëri me dije se përmbajtja dhe veprimi me këto ligje dhe rregulla prej anës së bashkëshortëve është shkak i formimit të një familjeje të shëndoshë e të lumtur, e si shkak i përmirësimit të tyre më vonë do të vjen edhe deri tek formimi i një shoqërie të shëndoshë e të lumtur. Në këtë hutbe me lejen e Allahut do ta paraqes një udhëtregues nëpërmjet të cilës bashkëshortët do të kenë mundësi që të udhëzohen se si ta formojnë dhe përmirësojmë jetën e tyre bashkëshortore.

Fillimisht bashkëshortët duhet ta dinë se Allahu, azze ue xhel, gruan e krijoi prej burrit, që ky i fundit të gjen prehje tek ajo dhe me të, të plotësohet begatia dhe të arrihet lumturia. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra”. Nisa 1. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Allahu prej Ademit krijoi bashkëshorten e tij, e cila është Hava, alejha selam, e krijoi nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit, kur Ademi ishte duke fjetur. Kur Ademit i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij të cilën e pëlqeu shumë dhe tek e cila ai gjeti prehje tek ajo dhe ajo gjeti prehje tek ai”.

Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm, sepse ato janë të krijuara nga brinjët. Pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj . Po deshe ta drejtosh, ai do të thyhet, e po e le ashtu siç është, do të ngele i lakuar. Prandaj dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm”.

 

Bashkëshortët po ashtu duhet ta dijë se Allahu gruan e krijoi të jetë prehje dhe qetësi për burrin e saj. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademit), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo”. Earaf 189. Sikurse njeriu që shtëpinë e tij e merr si vendstrehim dhe mburojë që e mbron prej të nxehtit dhe të ftohtit e kështu me radhë, po ashtu gruaja për burrin e saj është vendstrehim ku e gjen kënaqësinë dhe qetësinë shpirtërore dhe në afërsinë e saj gjen shoqëri dhe miqësi. Pra ata dy janë mbulesë dhe mburojë për njëri tjetrin ashtu siç na rrëfen edhe Allahu, azze ue xhel: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato”. Bekare 187.

Burri duhet ta dinë se gruaja duhet fisnikëruar e nderuar dhe se nuk lejohet nënçmimi dhe ofendimi i saj. Allahu burrin e ka urdhëruar që gruan e tij ta strehon aty ku banon ai vet, ta ushqen me atë çka ushqehet vet dhe ta vesh e mbath nga pasuria e tij. Allahu, azze ue xhel,thotë: “le të banojnë aty ku banoni edhe ju”. Talak 6. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, kur u pyet prej Muavije ibën Hide se çfarë të drejtë mund të kërkon gruaja prej burrit të saj, u përgjigj: “Ta ushqejë ashtu siç e ushqen veten, ta veshë ashtu siç e veshë veten, të mos e godas në fytyrë, të mos e nënçmojë dhe të mos largohet prej saj përveç brenda shtëpisë (të mos ik)”.

Gjithashtu në jetën e tyre bashkëshortore duhet të mbisundon toleranca e ndërsjellë, dashuria e mëshira. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. Rum 21.

Prej shenjave që e udhëzojnë çiftin bashkëshortor drejt përmirësimit të jetës së tyre bashkëshortore është respektimi i detyrimeve dhe të drejtave që i kanë mes veti. Këto detyrime dhe të drejta janë të bazuara mbi atë që e njohin  njerëzit prej moralit të mirë dhe cilësive të bukura në adetet dhe traditat e tyre edhe atë në çdo kohë dhe çdo vend. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë”. Bekare 228 dhe “Jetoni e silluni mirë me to!”. Nisa 19. Hind bint Utbeh, gruaja e Ebu Sufjanit erdhi te i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, Ebu Sufjani është shumë koprrac. Ajo që ai ma jep, nuk mjafton për mua dhe fëmijën tim, kështu që unë pa dijen e tij marr prej pasurisë së tij. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha: “Merre aq sa ke nevojë për ty dhe fëmijën tënd”.

Allahu, në Kuran, na sqaron se gruaja ka të drejta që duhet burri t’i respekton, mirëpo ka edhe detyra që ajo duhet t’i zbaton dhe se burri ka një shkallë mbi të. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato”. Bekare 228. Këtë gradë Allahu e sqaroi në një ajet tjetër ku tha: “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre”. Nisa 34.

Edhe pse detyrimet dhe të drejtat bazohen mbi adetet dhe traditat e mira që njihen në shoqëri, prapë se prapë kanë ardhur citate të cilat kërkojnë vëmendje prej burrit dhe gruas dhe nuk lejohet neglizhenca e tyre.  Prej tyre:

  1. Gruaja është e detyruar ta respekton burrin e saj deri sa ai nuk thirr në mëkat ndaj Allahut.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu”. Nisa 34.

 

Imamët, Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton se Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nëse një burrë e thirr gruan e tij në shtrat dhe ajo refuzon dhe ai fle i hidhëruar, atë grua do ta mallkojnë melaqet deri në agim!”.

 

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Po ta kisha urdhëruar dikë që ti bëj sexhde dikujt, do ta kisha urdhëruar gruan që ti bëj sexhde burrit të saj!”.

 Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nëse gruaja i falë pesë kohët e namazit, e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan moralin e saj dhe i nënshtrohet burrit të saj, atëherë asaj do ti thuhet që të hyj në Xhenet nga cila derë që dëshiron!”

  1. Gruaja është e detyruar që burrin e saj ta dashuron, ta respekton, të sillet butë me të, t’i ndihmon në nevojat e tij, t’i shërben në shtëpinë e tij dhe t’i edukon fëmijët e tij.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith prej Abdullah ibën Amrit se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Dynjaja është kënaqësi, ndërsa kënaqësia më e madhe në këtë dynja është gruaja e mirë”.

 

Cilësitë e gruas së mirë janë përshkruar në një hadith tjetër të cilin e shënon Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, prej Ebu Hurejrës i cili thotë se është pyetur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam: Cilat gra janë më të mira? Përgjigja e tij, alejhi salatu ue selam, ishte: “Gruaja më e mirë është ajo e cila të gëzon kur të shikon, e cila të dëgjon kur diçka e urdhëron dhe e cila e ruan autoritetin tënd, moralin e vet dhe pasurinë tënde kur mungon!”.

 

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të,  transmeton nga i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, se ka thënë: “Gruas nuk i është lejuar të agjërojë nafile në prezencën e burrit të saj, pa lejen e tij dhe i është ndaluar të lëshoj dikë në shtëpi pa lejen e burrit”.

 

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Burri ka të drejtë që të kënaqet me gruan e tij për çdo ditë dhe e drejta e tij është detyrim që duhet të kryhet menjëherë dhe nuk mund ta ndalon këtë detyrim një adhurim vullnetar apo një detyrim që nuk është kusht të kryhet menjëherë”.

Shembullin më të mirë na jep Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila i vononte ditët e agjërimit të cilat i kishin mbetur pa agjëruar prej muajit Ramazan deri sa vinte muaji Shaban dhe këtë e arsyetoi duke thënë se: “Kam qenë e nxënë prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ose me të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam“.

  1. Gruaja duhet ta mbron veten e saj dhe nderin e saj dhe t’i largohet çdo gjëje që nxit dyshime tek burri i saj.

Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në hutben e tij të lamtumirës kishte thënë : “O njerëz! Njësoj siç keni të drejta mbi gratë tuaja, edhe ato kanë të drejta mbi ju. E drejta juaj mbi to është që të mos ju tradhtojnë, të mos e marrin në shtëpi pa lejen tuaj ndonjë njeri që s`ju pëlqen dhe të mos bëjnë gjëra të pamoralshme”.

  1. Nuk i lejohet gruas të del jashtë shtëpisë pa lejen e burrit edhe po të ishte dalja e saj për në xhami.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e përcjell një hadith nga Muhamedi, alejhi salatu ue selam, se ka thënë: “Nëse gratë e juaja nga ju kërkojnë natën leje për shkuarje në xhami, atëherë lejoni ato që të shkojnë”.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut që na bëri prej muslimanëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër musliman,

 

Burri poashtu duhet t’i kushton vëmendje disa detyrave që bien mbi të dhe të mos i neglizhon ato. Prej tyre:

  1. Dhënia e mehrit.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimi”. Nisa 4.

  1. Shpenzimi për të dhe përkujdesja, e cila përfshin të gjitha ato që gruaja ka nevojë si ushqim, veshje, banesë, ilaçe etj, madje edhe nëse ajo është e pasur ose e pavarur nga kjo ndihmë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë.” Talak 7.

 

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha Sadit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Dhe për çdo gjë që do të shpenzosh duke kërkuar me të vetëm Fytyrën e Allahut, do të marrësh shpërblimin madje edhe  kafshatën që i vë në gojë edhe gruas tënde”.

 

  1. Burrit nuk i lejohet që ta godas gruan në fytyrë dhe nuk lejohet nënçmimi i saj qoftë me fjalë apo me vepër.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gratë e ndara në periudhën e pritjes, le të banojnë aty ku banoni edhe ju, sipas mundësive tuaja dhe mos u bini në qafë për t’i detyruar (të largohen)“. Talak 6.

 

  1. Burri duhet që gruan ta fisnikëron, ta lavdëron për punët që i kryen në shtëpi, ta lavdëron për edukimin e fëmijëve dhe për gjërat e tjera dhe ta fal atëherë kur gabon.

Ibën Abas,  Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Më të mirët ndër jush janë ata të cilët janë më të mirët ndaj grave të tyre, ndërsa unë jam më i miri ndaj grave të mia!”.

 

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Besimtari nuk e urren besimtaren. Nëse nuk i pëlqen një sjellje e saj, mund t’i pëlqejë një tjetër sjellje”.

  1. Burri duhet që t’ia mbron gruas fenë, ta nxit në veprimin e punëve të mira, t’ia mëson asaj atë çka i bën dobi, ta urdhëron në faljen e namazit në kohët e tij, ta urdhëron në veshjen e hixhabit, ta mëson për moralin e mirë dhe edukatën e lartë, t’ia mëson e shpjegon adhurimet që duhet gruaja t’ia kryen Zotit të saj, etj.

Allahu i tha të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë!”. Taha 132, dhe “Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet. Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet”. Merjem 54-55.

 

Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. Tehrim 6.

Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Edukoni familjen e juaj dhe mësojuani atyre të mirën”.

Detyrat dhe të drejtat mes burrit dhe gruas janë të shumta, disa prej tyre janë të pëlqyera e disa detyruese, mirëpo ajo çka është me rëndësi të ceket është se çdo njëri prej tyre duhet që t’ia jep hakun tjetrit dhe mos të kërkon për shembull gruaja që të jetë e barabartë me burrin në të drejtat e tij dhe as burri mos ta shfrytëzon atë përparësi në udhëheqje dhe përgjegjësi që ia ka dhanë Allahu ndaj gruas e t’i bën padrejtësi dhe ta rrah pa të drejtë. Allahu, azze ue xhel, thotë: ““Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë”.Bekare 228.

E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

  1. EMIN IBËN ABDULLAH ESH SHAKAUI       

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

0 8001

Rinia janë udhëheqësit e të nesërmes dhe shpresa e të ardhmes. Mbi supet e tyre ngrihen qytetërimi dhe historia e lavdishme. Tek ata varen shpresat, ëndrrat dhe zemrat. Rinia është pasuria e një populli dhe fshehtësia e forcës së tij. Nëse doni të dini të ardhmen e një populli, mos pyetni për pasurinë që ka, por shiko të rinjtë e tij.

 Nëse ata kanë vlera e moral dije se ardhmëria e atij populli premton gjitha të mirat. Nëse rinia është e degjeneruar, pa vlera, që bie në gjëra të ulëta ashtu sikur insektet mbi ngordhësirë, atëherë atë popull e pret shkatërrimi.

Problemet e rinisë mund të analizohen nga shumë aspekte. Unë do të mundohem që nga pikëpamja islame të vë në pah rëndësinë e rinisë edhe atë duke përmend tekste të sheriatit ose fragmente nga historia islame.

Fillimi dhe mbarimi i fazës rinore:

Faza e rinisë fillon prej kohës së pubertetit d.m.th. prej moshës 15 vjeçare, përafërsisht, dhe zgjatë deri në moshën dyzetvjeçare përafërsisht, sepse në këtë moshë njeriu arrin pjekurinë maksimale. Semantika e fjalës “shab” ( i ri) aludon në dy gjëra: zhvillim dhe elan. Në Kuran e gjejmë se të dyzetat janë kulmi i pjekurisë:

وَوَصَّيْنَا الإِنسَانَ بِوَالِدَيْهِ إِحْسَاناً حَمَلَتْهُ أُمُّهُ كُرْهاً وَوَضَعَتْهُ كُرْهاً وَحَمْلُهُ وَفِصَالُهُ ثَلاثُونَ شَهْراً حَتَّى إِذَا بَلَغَ أَشُدَّهُ وَبَلَغَ أَرْبَعِينَ سَنَةً قَالَ رَبِّ أَوْزِعْنِي أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ الَّتِي أَنْعَمْتَ عَلَيَّ وَعَلَى وَالِدَيَّ وَأَنْ أَعْمَلَ صَالِحاً تَرْضَاهُ وَأَصْلِحْ لِي فِي ذُرِّيَّتِي إِنِّي تُبْتُ إِلَيْكَ وَإِنِّي مِنْ الْمُسْلِمِينَ

Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa ta arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mij, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët.” (Ahkaf:15)

Rëndësia e kësaj faze të jetës së njeriut:

Kjo fazë e jetës është më e rëndësishmja. Rëndësia e saj del në shesh si vijon:

  1. Është faza e fuqisë dhe produktivitetit: njeriu, në jetën e tij kalon nëpër faza të ndryshme për nga aspekti i fuqisë dhe dobësisë. Në këtë botë vjen i vogël dhe i dobët, nuk di asgjë, pastaj rritet pak nga pak, i forcohet trupi, i zhvillohen shqisat dhe i pjekët logjika derisa të arrijë pjekurinë maksimale. Allahu na tregoi në Kuran për këto faza:

والله أخرجكم من بطون إمهاتكم لا تعلمون شيئاً وجعل الكم السمع والأبصار والأفئدة لعلكم تشكرون

Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahël:78)

Mirëpo kjo fazë, siç e dimë, nuk zgjat përherë. Përsëri pas kësaj faze kthehet dobësia:

الله الذي خلقكم من ضعف ثم جعل من بعد ضعف قوة ثم جعل من بعد قوة ضعفاً وشيبة

All-llahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri.” (Rum: 54)

  1. Njeriu në këtë fazë arrin kulminacionin – në suazat e së mundurës – për sa i përket percepcionit të tij mendor. Prej gjërave që flasin se kjo është faza më e mirë e jetës së njeriut është fakti se Allahu kur do t’i shpërblejë ata që do meritojnë xhenetin do t’i bëjë të gjithë në moshën 33 vjeçare.
  2. Nëse e marrim mesataren e jetës së njerëzve mes 60 dhe 70 viteve d.m.th. 65 vite siç ka thënë i Dërguari, atëherë themi se faza më e gjatë e jetës së njeriut është faza e rinisë dhe jeta e një njeriu që do jetojë 65 vjet është: 40 %
faza vitet përqindja
prej deri
Fëmijëria lindjes 14 22
Rinia 15 40 40
Fillimi i pleqërisë 41 50 15
Pleqëria 51 vdekje 23

Prej asaj që u tha më lartë kuptuam rëndësinë e kësaj faze të jetës. Duke pasur parasysh këtë, Islami i ka kushtuar rrëndësi të veçantë kësaj faze duke e udhëzuar kah ndërtimi dhe mirësia dhe duke e ruajtur nga shkatërrimi dhe e keqja.

Nëse meditojmë Kuranin dhe Sunetin e të Dërguarit, do të shohim rëndësinë që i është kushtuar rinisë, qoftë duke i lavdëruar dhe duke përmend të arriturat e tyre apo duke i udhëzuar dhe orientuar kah e mira.

Në suren Junus: 7, Allahu i madhëruar tregon se mbështetësit e Musait në thirrjen e tij që sfidoi tiranin e asaj kohe, faraonin ishin një grup të rinjsh.

Në suren Kehf 9-26,  Allahu na rrëfeu tregimin e banorëve të shpellës. Është një rrëfim i mrekullueshëm ku tregohet për një grup të rinjsh, të cilët ishin arratisur nga qyteti i tyre për të ruajtur besimin. Allahu thotë: “Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen.” (Kehf:13)

Pasuesit e Muhamedit, shumica e tyre ishin në moshën e rinisë, Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Abdullah ibën Mesudi, e tjerë.

Faza e rinisë është një begati që duhet të shfrytëzohet. Të rinjtë janë ata që mund të bartin detyra të rënda, të ballafaqohen me sfida të ndryshme, të durojnë dhe të sakrifikojnë për ideale. I Dërguari ka thënë:

لا تزول قدما عبد يوم القيامة حتى يسأل عن أربع .. عن عمره فيما أفناه ، وعن شبابه فيما أبلاه ، وعن ماله من أين اكتسبه وفيما أنفقه ، وعن علمه ماذا عمل به ( رواه الترمذي).

Nuk do lëviz askush ditën e Kiametit derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën si e ka harxhuar, për rininë si e ka vjetruar, për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar dhe për punën e tij – ç‘bëri.”

اغتنم خمسا قبل خمس : شبابك قبل هرمك ، وصحتك قبل سقمك ، وغناك قبل فقرك ، وفراغك قبل شغلك ، وحياتك قبل موتك .

Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë tënde para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të zihesh dhe jetën para vdekjes

Përvetësimi i vlerave në rini:

S’ka dyshim se të rinjtë janë më të prirë për të ndryshuar veten se të moshuarit. Është me rëndësi që gjatë kësaj faze, pra fazës së rinisë, të përvetësohen vlerat dhe personaliteti të ndërtohet në mënyrë të shëndoshë. Një prej grupeve që do gjejnë shpëtimin duke u vendosur nën hijen e Allahut, atë ditë kur nuk do ketë hije tjetër pos hijes së Allahut është “i riu i cili rritet duke adhuruar Allahun.” (Buhariu)

Prej vlerave më të larta që duhet t’i përvetësojë një besimtarë janë robëria ndaj Allahut (elubudije) dhe morali.

-Robëria ndaj Allahut (elubudije) ngrihet mbi dy shtylla: dashurinë dhe përkuljen ndaj Allahut. Pra, adhurimi nuk është thjeshtë zbatim i urdhrave por në vete mban edhe dashurinë e thelle ndaj Krijuesit. Sipas definicionit më të plotë, adhurimi përfshin të gjitha aspektet e jetës “është çdo fjalë apo vepër, qoftë e hapur ose e fshehtë, që e do Allahu.”

Adhurimi është thelbi i dëshmisë “la ilahe il-lallah” (nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut). Kjo ka qenë motoja e çdo profeti. Po qe se shfletojmë Kuranin do vërejmë se secili pejgamber erdhi në tokë me këtë moto: “o populli im adhuroni vetëm Allahun se s’ka zot tjetër përpos Tij

Në historinë islame përmendet rasti i Ribij ibën Amirit, të cilin i Dërguari e çoi të bisedojë me kryekomandantin e ushtrisë persiane Rustumin. Kur ai pyeti se çka solli Muhamedi, Ribiju përgjigjet: qëllimi i ardhjes së tij është për t’i larguar njerëzit nga adhurimi i njerëzve dhe për t’i mësuar të adhurojnë vetëm Allahun. Kjo është liria e vërtetë e njeriut. Të lirohet nga çdo varësi, nga çdo përkulje përpara krijesave dhe të bëhet rob i Allahut.

Pra, vlerën më të madhe që duhet të përvetësojë një i ri është të shpreh me fjalë dhe me vepra robërinë e tij ndaj Krijuesit. Sa më shumë që largohet nga kjo vlerë aq më i varur bëhet ndaj krijesave. Kjo varësi është lajthitje dhe quhet idhujtari sipas konceptit të besimit islam. Nëse Allahu nuk është synimi, i dashuri më i madh i dikujt, atëherë ai me siguri do ketë një synim tjetër qoftë ajo pasuria, fama apo dynjaja në përgjithësi.

Disa prej porosive që i Dërguari ua jepte të rinjve:

O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: kujdesu për fenë e Allahut, Allahu do kujdeset për ty. Kujdesu për fenë e Allahut, Allahu të gjendet në çdo rast. Kur të kërkosh kërko prej Allahut, kur të kesh nevojë për ndihmë kërkoje prej Allahut. Dije se sikur tërë bota të tubohej për të të bërë një të mirë, nuk munden përpos nëse e ka shkruar Allahu. Nëse e tërë bota tubohet për të të bërë një dëm, nuk do munden përpos nëse e ka shkruar Allahu. Lapsat janë ngritë kurse letrat janë tharë” (Tirmidhiu, sahih)

Të rinj, kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, sepse kjo ia ruan shikimin dhe nderin, ai që nuk mund të martohet le të agjërojë sepse kjo i dobëson epshin” (Buhariu)

Ke frikë Allahun kudo që je, pas ndonjë gabimi bën një vepër të mirë sepse e mira e fshin të keqen dhe me njerëzit sillu mirë.” (Sahih Xhami)

Morali islam si vlerë:

Prej synimeve madhore të sheriatit është përsosja e virtyteve të moralit. I Dërguari thotë: “jam dërguar që t’i përsos virtytet e moralit.” (Hejthemiu, sahih)

Ç’do të thotë të kesh moral të lartë? Të jesh i turpshëm, të mos i dëmtosh të tjerët, i përkushtuar ndaj adhurimit, të kesh gjuhë të pastër, të flasësh pak, të punosh shumë, të kesh pak gabime, të mos zhytesh shumë në gjëra të lejuara, të jesh bamirës, t’i mbash lidhjet me akrabanë, të kesh respekt ndaj të tjerëve, të jesh durimtar, të mos kundërshtosh pa vend, të jesh i dhembshur, i butë, i ndershëm, të mos mallkosh, të mos shash, të mos bartësh fjalët, të mos përgojosh, të mos shpejtosh, të mos kesh mllef, të mos jesh koprrac, të mos jesh ziliqar, të jesh i buzëqeshur, fytyrëçelur, të duash për Allah, të urresh për Allah, të pajtohesh për Allah, të hidhërohesh për Allah.

Literatura e konsultuar:

  1. Kurani i madhërishëm
  2. Komentar i dyzet haditheve të Neveviut, Uthejmin
  3. Shebab sahabe, Muhamed Duvejsh
  4. Le ta dijë rinia, Abdullah Ulvan
  5. Mekanetu shebab fil islam, Sulejman Id
  6. Elkijem bejnel Islami vel garb, Mani ibën Muhamed

NA NDIQNI NË