Arhiva DitoreOct 26, 2014

0 1873

Ibën Mesudi, radijallahu anhu, ka thënë:Jeni ne vendkalimin e ditëve dhe netëve, brenda exhelit që ju shkurtohet dita ditës dhe me vete e merr edhe regjistrin e veprave.

E vdekja, ajo vjen befas. Kush ka mbjell mirësi atij i afrohet koha kur do të korrë atë që e shpreson (xhenetin) ndërsa ai që ka mbjell dyshim i afrohet korrja e pendimit. Çdo mbjellës do të korrë çfarë ka mbjellë. Lakmia nuk e shpejton atë që është e ngadaltë sikur nuk arrihet ajo që nuk të është shkruar.

Dhe ka thënë: Fjalët më të sakta janë Libri i Allahut, lidhja më e fortë është fjala e devotshmërisë, mileti më i mirë është mileti i Ibrahimit, tradita më e mirë është Suneti i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, udhëzimi më i i mirë është udhëzimi i të Dërguarve të Allahut. Biseda më e mirë është përmendja e Allahut, tregimet më të mirë janë tregimet e Kuranit, veprat më të mira janë ato që kanë fundin e mirë dhe veprat më të këqija janë të shpikurat në fe. Ajo që është pak dhe të mjafton është më e mirë se ajo që tepron dhe të bën të pavëmendshëm. Shpirtin që do ta shpëtosh është më i mirë se sa sundimi të cilin nuk e përthekon. Arsyetimi më i keq është në çastin e vdekjes, pendimi më i madh është në Ditën e gjykimit. Devijimi më i keq është ai pas udhëzimit, pasuria më e mirë është pasuria e shpirtit dhe nozulli më i mirë është devotshmëria. Gjëja më e dobishme për zemrën është bindja dhe frika prej mosbesimit. Verbërimi më i keq është verbërimi i zemrës. Alkooli është mbledhësi i mëkatit dhe litari i shejtanit.  Rinia është një periudhë që i ngjan çmendurisë dhe vajtimi pas të vdekurve është vepër e injorancës.

Tha: Prej njerëzve ka që vijnë në fund të xhumasë, që pak e përmendin Allahun. Prej gabimeve më të mëdha është gënjeshtra. Ai që mbron nderin atë do ta mbrojë Allahu, ai që shuan hidhërimin Allahu e shpërblen, ai që kërkon falje Allahu e fal atë. Kush duron gjatë sprovave do ta merr shpërblimin e Allahut dhe fitimi më i keq është fitimi prej kamatës. Ushqimi më i keq është malli i jetimit ndërsa vdekja më e ndershme është ajo e shehidëve. Mendjemadhin e mposht Allahu, Ai që bën mëkat i bindet shejtanit.

Bartësi i Kuranit duhet të merret me Kuranin natën kur njerëzit flenë, ditën kur njerëzit angazhohen. Ai duhet të jetë i urtë, i butë, i qetë, nuk duhet të jetë i ashpër, i rënd dhe zhurmues.

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Subhanallah, nefsi i njeriut e ka mendjemadhësinë e Iblisit, zilinë e Kabilit, rebelizmin e Adit, teprimin e Themudit, guximin e Nemrudit, arrogancën e Faraonit, hilen e atyre që bën dredhinë e shtunës, poshtërsinë e Karunit… Por njeriu duke e luftuar veten e pastron nga këto vese, dhe e bën atë një mall të çmueshëm të cilin me xhenetin e Tij e blen Allahu, subhanehu ue teala. Allahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet.

Allahut i kërkojmë falje në fillim dhe në fund.

0 1379

Ajo është hëna e Ramazanit.
Frekuencat e tij arrijnë në të gjithë botën.
Nxënia e saj është shumë e lehtë.
Resiveri: zemra e besimtarit.
Kanalet e hapura: dyert e xhenetit dhe të xhamive.
Kanalet e bllokuara: dyert e xhehenemit dhe djajtë.
Repriza: agjërimi, leximi i kuranit dhe namazi i natës.
Ekskluzive: Nata e Kadrit.
Harta: arrin në çdo zemër të muslimanëve dhe besimtarëve.
Vërejtje: kujdes nga gjërat e pahijshme në pritjen e hënës së re dhe largohu nga ato si: mëkatet, gabimet dhe morali i keq.
Kjo hënë është për të gjithë muslimanët mëshirë mbi ta.

Përshtati: Valdet Kamberi

0 2690
1. Muajin e parë të vitit hënor, i Dërguari e quajti ‘muaji i Allahut Muharem’. Ai është njëri prej 4 muajve të shenjtë “Me të vërtetë, numri i muajve te Perëndia është dymbëdhjetë… Katër prej tyre janë të shenjtë” (Teube:36)
2. Muaji Muharem (i ndaluar) u quajt me këtë emër për shkak shenjtërisë së tij (sepse në të nuk inicohet lufta). Më herët është quajtur ‘i shurdhër’ (sepse nuk dëghohej zëri i armëve) për shkak shenjtërisë së madhe.
3. Thotë Hasen El-Basriu: Allahu hapi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me muaj të shenjtë. Pas Ramazanit, nuk ka ndonjë muaj më të vlefshëm se sa muaji i Allahut Muahrem.
4. Allahu ndaloi padrejtsinë e njerëzve ndaj vetvetes gjatë muajve të shenjtë “E, në këta, mos i bëni vetes zullum!” Ndalimi i padrejtësisë dhe mëkateve gjatë këtyre muajve është më i theksuar.
5. Katade thotë: padrejtësia në muajt e shenjtë është mëkat më i madh se sa jashtë tyre, edhe pse padrejtësia është gjë e keqe në çdo situatë, mirëpo Allahu madhëron disa çështje ashtu si do Ai.”
6. Pjesa më e mirë e muajit Muharem është 10 ditëshi i tij i parë. Ebu Othman En-Nehdij thotë: të parët madhëronin 3 dhjetëshe. Dhjetëshin e fundit të ramazanit, dhjetëshin e parë të dhul hixhes dhe muharemit.
7. Preferohet të shpeshtohet agjërimi gjatë muajit muharem duke u mbështetur në hadithin “agjërimi më i mirë pas ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut Muahrem.” Pra, agjërimi më i mirë vullnetar është agjërimi në këtë muaj.
8. Muaji i Allahut Muharem. Emërtimi në këtë formë, duke ia bashkëngjitur Allahut, flet për fisnikërinë dhe vlerën e tij ngase Allahu nuk ia bashkëngjet Vetes përpos krijesat më të veçanta sikur “deveja e Allahut”, “Shtëpia ime” etj.
9. Një nga veprat shumë të preferuara gjatë këtij muaji është agjërimi i Ditës së Ashurasë. Me të shlyhen mëkatet e vitit të shkuar siç shënon Muslimi. Madje edhe nëse agjëron gjysmën e ditës, një punë e vogël me një shpërblim të madh.
10. Preferohet që së bashku me Ashuranë, të agjërohet dita e nëntë, për të kundërshtuar çifutët dhe të krishterët, siç ka thënë i Dërguari: “Nëse jam gjallë vitin e ardhshëm, do ta agjërojë edhe ditën e nëntë.” (Muslimi)
Muhamed. b. Salih El-Munexhid
Përktheu: Agim Bekiri

0 1693

Të gjithë jemi të vetëdijshëm çfarë po ndodhë në shtetin tonë të ri të Kosovës. Ndodhitë dhe çudirat tek ne nuk kanë të sosur por ajo që kam për qëllim në këtë temë janë pakënaqësitë dhe kërkesat e besimtarëve që po i shprehin nëpër rrugë duke kërkuar ndërtimin sa më të shpejtë të Qendrës Islame dëshirë kjo dhe kërkesë e kahmotshme e besimtarëve me në krye institucionin e tyre që i përfaqëson, pra Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës.

Në Xhumanë e kaluar me datën 24/06/2011 edhe pse nuk ishte rasti i parë që besimtarët shprehën pakënaqësinë e tyre mirëpo atë ditë protesta pati një jehonë më ndryshe nga herët e tjera dhe në bazë të shumë analizave rezultoi se ishte protestë e cila morri një notë më të veçantë dhe u pa me sy më ndryshe nga të gjithë njerëzit. Si qeveria nga njëra anë, ashtu edhe nga Bashkësia Islame nga ana tjetër me demantimin e tij që i bëri zotëri m-r. Naim Tërnava (Myftiu i Kosovës) njërit nga përfaqësuesit të policisë së Kosovës ku ky i fundit pretendonte se protestat e as kërkesat nuk ishin formë që i përkrahte Bashkësia Islame ku edhe e futi veten në kurth duke menduar se me atë fjalë do të dilte fitimtarë (ashtu si ishin mësuar që ta përdornin atë fjalë edhe herëve tjera karshi individëve mysliman) edhe tha se ishte në kontakt me Bashkësinë Islame por një gjë të tillë ja mohoi zotëri Tërnava. Në këtë fjali Myftiu ndër të tjera pohoi se kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa i kishte premtuar një vend për ndërtimin e Xhamisë Qendër apo thënë ndryshe Qendrës Islame e cila do t’i përmbush nevoja e besimtarëve për kryerjen e obligimeve fetare.

Në atë fjalim Myftiu shprehi edhe realitetin tjetër të pamohueshëm i cili ishte fakti se Bashkësia Islame i përkrah kërkesat e besimtarëve për ndërtim të Qendrës Islame. Fjalë kjo shumë e rëndësishme në rastin e duhur sepse shpesh mediat dhe qarqet e ndryshme shtetërore ishin mësuar duke thënë se këto protesta dhe ato të kaluarat deri më tani janë punë individuale të cilat nuk i përkrah Bashkësia Islame e Kosovës dhe kështu ua ulnin vlerën e shpesh edhe ju jepnin kahje ekstremiste dhe kështu dilnin nga beteja pa ferrë në këmbë duke e bërë vet fajin e pastaj kur tjetri kërkonte të drejtën e tij jo vetëm që nuk i merrej parasysh por edhe akuzohej (siç ishte rasti i protestave për shkak të ndalimit të shamisë nëpër institucionet shkollore)

Pas pak ditësh dëgjojmë se disa besimtarë nga vullneti i madh dhe dëshira për ndërtim të asaj Qendre Islame dalin vet dhe në të njëjtin vend ku tha Myftiu se do të dhurohej për Xhami ata fillojnë dhe hapin themelet për ndërtimin e kësaj Qendre, vepër kjo e cila më shumë ishte gjest simbolik se sa punë me standarde të kërkuara inxhinierike për një Qendër të tillë.

Po ashtu këto ditë sikur janë stepur dhe nuk po u shiten pallavrat dhe arsyetimet shumë njerëzve të ndryshëm të cilët deri dje kishin forma dhe arsyetime për ta vonuar ndërtimin e kësaj Qendre Islame.

Duke mos dashur të thellohem në cekjen e ndodhive të këtyre ditëve (pasi ato janë të ditura për secilin) në lidhje me këto ngjarje të fundit do të kisha cekur disa dukuri të cilat po vërehet, disa dobi por edhe disa këshilla rreth këtyre ngjarjeve.

Prej tyre janë:

1-Vonimi i ndërtimit të Qendrës Islame ka qenë më i dobishëm për besimtarët se sa sikur tu jepej e gatshme dhe tu falej në duart e veta ngase kjo dhuratë do të ishte shkak të mos ja dinin vlerën asaj. Ndërsa marrja me djersë do të jetë fillimisht vetëdijesim për secilin mysliman se punët tua nuk i kryejnë të tjerët edhe pse e kanë obligim karshi qytetarëve (kam për qëllim komunën dhe shtetin).

2-Zoti nuk  ndryshon gjendjen e një populli derisa ata nuk e ndryshojnë veten e tyre, kështu thotë Allahu në Kuran, pra derisa ne nuk shkojmë kah ndryshimi i gjendjes sonë kah më e mira atëherë secili le ta dijë se mrekullitë nuk zbresin nga qielli e të na e ndryshojnë këtë gjendje.

3-Kjo Qendër Islame sikur i ka bashkuar myslimanët, pa marrë parasysh bindjet e tyre të caktuar në disa pika të fesë,  duke u interesuar të gjithë për ndërtimin e saj dhe duke qëndruar të gjithë afër dhe në ndihmë të njëri tjetrit. E inshallah kjo Qendër do të jetë edhe shkak për bashkim të rreshtave të myslimanëve në të ardhmen në kënaqësinë e Allahut dhe në pasimin e rrugës së Tij dhe të Synetit e udhëzimit të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem.

4-Protestat i treguan gjithë Kosovës dhe mbarë botës se myslimanët e këtij vendi dinë të organizohen dhe t’i dalin ndihmë të drejtave të tyre, edhe pse këto mësime të organizimit janë vetëm në fazat fillestare të tyre të cilat shpresojmë të arrijnë standarde më të mira në të ardhmen.

5-Qeveria e Kosovës tash e mbas do t’i sheh më ndryshe myslimanët dhe do të merret më seriozisht me ta duke mos i anashkaluar ashtu siç ka vepruar tash e dymbëdhjetë vite.

6-Gjithashtu Bashkësinë Islame të Kosovës do ta shikojë me një sy më real ngase deri sot mund të kenë menduar se Bashkësia Islame është vetëm një institucion i cili ju shkon gjithmonë për shtati dhe nuk ka guximin të flasë atë që është për tu folur.

7- Bashkësia Islame e R. së Kosovës është keqkuptuar nga disa punëtore të qeverisë duke menduar se është institucion i cili vetëm heshtë dhe i rrah shuplakat sipas dëshirës së tyre duke mos e ditur se kjo Bashkësi e ka pasur rolin kryesorë dhe të gjitha meritat karshi çdo besimtari të gjitha feve që jetojnë në Kosovë. Ka qenë Bashkësi që e ka ndërtuar këtë shtet nuk ka lejuar që të futen përçarjet mes besimtarëve të feve të ndryshme shpesh ka heshtur për të drejtat dhe nevojat e saj vetëm për hir të stabilitetit në vend, për hir të ndërtimit të shtetit dhe forcimit të tij. Është ndërtuar katedralja në qendër të Prishtinës kurse  B.I.K. ka heshtur duke mos kërkuar edhe për vete diç të tillë edhe pse ka pasur nevojë më shumë për një Qendër Islame se çdo bashkësi tjetër fetare për qendrat e tyre.  Të gjitha këto raste që i përmenda dhe shumë e shumë të tjera që nuk i kam përmendur por janë të ditura për të gjithë sikur dikujt i bënë zarar dhe i krijuan komoditetin se ky institucion do të heshtë edhe kësaj radhe, mirëpo kishin gabuar. Me deklaratën e Myftiut Tërnava u kuptua se ne nuk duam ta prishim atë që kemi ndërtuar vet me duart tona në këtë shtet por as nuk jemi budallenj që dikush të na mashtroj para syve. Dhe vërtetë ne si myslimanë duke pasur parasysh parimet e fesë sonë ne jemi të obliguar që ta ndërtojmë shtetin tonë, jemi të obliguar që ta vendosim secili nga një gurë në kalanë tonë të re dhe të sapo formuar por edhe nuk jemi të atillë që të diskriminohemi.

8-Bashkësia Islame është e fundit të cilës do t’i miratohet kërkesa e saj për lëshimin e vendit dhe lejes për ndërtim të Qendrës Islame. Kjo pasi u janë plotësuar kërkesat e tyre si ortodoksëve serbë ashtu edhe katolikëve. Andaj BIK-ut i takon merita dhe myslimanët duhet falënderuar nga qeveria që me numër dhe nevoja aq të mëdha që kishin prapë kanë pritur të fundit që tu jepet vendi për ndërtim të Qendrës së tyre.  Nuk ka qenë e drejtë e policisë që të sillen keq bile as nuk ishte e hijshme që të vijë puna deri tek protestat por duhej të falënderoheshin myslimanët të cilët krijuan stabilitet dhe nuk e prishën qetësinë atëherë kur të tjerëve ju ndërtoheshin objektet e tyre e jo të deklaronte policia se këta besimtarë janë në kundërshtim me ligjin, neni kaq e kaq ku e di unë, se e paskan penguar komunikacionin, por kishin harruar se vet shteti ishte që kishte penguar të drejtat e këtyre myslimanëve edhe atëherë kur ata ishin të fundit në listë.

9-Organizimi i protestave nga shoqëria civile dhe nga organizatat joqeveritare ka qenë formë e shkëlqyer e organizimit (edhe pse ka disa vërejtje por shpresojmë të evitohen) me të cilat është dëshmuar se myslimanët mund t’i dalin zot vetes edhe vet duke mos pritur që Bashkësia Islame e Kosovës të merret me gjëra të tilla, bile organizimi nga B.I.K-u nuk do të ishte i hijshëm e as frytdhënës. Kjo për arsye se kur del populli vet me dëshirën e tij në rrugë dhe në mënyrë individuale kërkon të drejtën e vet atëherë i jep të kuptojë tjetrit se unë dal edhe vet për të drejtat e mia e nuk pres vetëm nga Bashkësia Islame që të merret ajo me ju mirëpo nëse e kërkon nevoja vije edhe vet. Nga ky aspekt e konsideroj të frytshëm këtë organizim të shoqërisë civile pa pjesëmarrjen zyrtare të Bashkësisë Islame.

10-Nuk dua të lë pa përmendur faktin se ndërtimi i Qendrës Islame në Prishtinë nuk do të thotë zgjidhje e të gjitha problemeve të myslimanëve. Kjo leje është zgjidhje e vetëm një problemi të vogël të cilin ne e kemi dhe e një nevoje elementare që na mungon. Zgjidhja e kësaj kërkese pason me kërkesa tjera fondamentale, siç janë: liria e veshjes së hixhabit për femra në shkollat e tyre, uniformë kjo e cila është obligim fetar rreth të cilit nuk duhet të diskutohet, është problemi i lejimit të mësim-besimit nëpër shkollat, është krijimi i një afërsie më të madhe mes qeverisë dhe Islamit dhe mos-luftimi i tij për të fituar pikë nga të tjerët, heqjen e shpenzimeve nga objektet fetare si pagesa e rrymës, interesimi dhe mirëmbajtja e objekteve fetare, financimi i tyre, e shumë probleme tjera. Shpresoj që të gjitha të zgjidhen një nga një dhe në mënyrën më të lehtë të mundshme ku edhe shpresoj që qeveritarët të jenë më të mençur, më të urtë dhe më largpamës karshi këtyre gjërave!

11-Protestat nuk janë formë e mirë e as zgjedhje Islame përmes të cilave duhet t’i zgjidhim problemet porse nga ana tjetër nuk jam i sigurt a do të funksiononte ndonjë formë tjetër për momentin në vendin tonë i cili është i stërmbushur me pakënaqësi nga individët dhe grupet e caktuara, duke filluar nga familjet e dëshmorëve, veteranët e UÇK-së, familjet e të pagjeturve, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës e shumë kategori tjera të njerëzve të cilët shpesh pasi po mbështeten për muri dhe nuk kanë nga t’ia mbajnë atëherë i futen protestave apo grevave të urisë. Pra nuk e di çfarë të them për këtë formë të organizimit mirëpo e di një gjë, se njeriu kur nuk ka nga t’ia mbajë bën çmos, e Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, edhe pse nuk e parapëlqente shërimin e varrës me djegie të trupit përmes hekurit të skuqur në zjarr prapë ai thoshte: “ILAQI I FUNDIT (kur nuk ka ilaç tjetër) ËSHTË DJEGJA E VARRËS ME HEKUR TË SKUQUR”.

12-Këto protesta të mos jenë shkak për krijimin e armiqësisë mes ndonjë besimtari dhe shtetit tonë, as të mos jenë shkak për destabilizim të vendit. Apo të ndërmarrjes së ndonjë ofensive armiqësore dhe të çmendur të ndonjë individi të papërgjegjshëm. Kjo për arsye se njeriu duhet të shprehë pakënaqësi për personin përgjegjës i cili i ka në dorë këto punë dhe të lutet për të që Zoti ta udhëzojë kah e mira dhe e mbara e jo të armiqësohet dhe kështu të dalë nga binarët e shëndoshë të kërkuara fetarisht. As të mos jetë shkaktarë i destabilizimit të tërë vendit për shkak të një personi apo disa personave që cilët ndoshta mund të jenë të këqij por nuk na ka faj shteti jonë, Kosova jonë për të cilën kemi kontribuar të gjithë që ta sjellim në ditë më të mira, jemi munduar dhe kemi sakrifikuar për pavarësinë e saj, dikush me fjalë, tjetri me të holla e i treti me pushkë, andaj të mbledhim mendjen dhe të jemi faktorë stabiliteti dhe avancimi të shtetit tonë, t’ia japim hakun dhe t’i kryejmë obligimet që i kemi karshi vatanit tonë kurse të drejtat që dikush na i merr dhe mundohet të mos na i jep, ai herët apo vonë do të paguaj për to në këtë botë ose tek e fundit ne kemi besim në Ditën e Gjykimit atëherë ku ai nuk ka nga t’i ikë asaj Dite.

Profeti, sa-lallahu alejhi ue selem, na mëson duke thënë: “Jepjani të drejtat e tyre udhëheqësve që i keni e nëse ata nuk ua japin të drejtat e juaja atëherë kërkoni prej Allahut ato të drejta” dmth. në një formë apo tjetrën do të vijë dita kur do të jepen të drejtat e tua, edhe pse kjo nuk do të thotë heshtje ndaj tyre dhe mos-kërkim i asnjë të drejtë në ditët tona. Pra lypet e drejta por me format legjitime sipas fesë sonë duke e zgjedhur mënyrën më pak apo aspak të dëmshme për askënd.

13-Kjo Xhami e cila patjetër do të ndërtohet herët apo vonë e shoh të arsyeshme që ta quanim me emrin “Qendra Islame” e jo me emrin “Xhamia e madhe” ngase një emër i tillë veçse është i njohur për besimtarët e Kosovës pra me emër të tillë quhet njëra nga xhamitë e Prishtinë. Si dhe xhami në ditët tona nënkupton vendin ku falen myslimanët ndërsa fjala “Qendër” është më e gjërë dhe gjithëpërfshirëse se fjala “Xhami”. Kështu që besimtarët mendoj se do të ishte mirë të e quanin fillimisht me emrin që e propozova unë derisa të vijë dita që atë objekt ta emërtojë me emrin që e sheh të arsyeshëm personat përgjegjës për të.

14-Do t’i bëja apel Bashkësisë Islame të Kosovës që vendi i cili supozohet se do tu jepet për ndërtim të Qendrës Islame të ketë kujdes nëse në të ka ndonjë objekt publik, qoftë ajo shkollë apo çerdhe të mundohet të bëjë një zgjidhje sa më të mirë me atë objekt duke u munduar të mos e dëmtojë së paku moralisht. Nëse mund të mos e prishë të mos e prishë, mirëpo nëse duhet patjetër që të prishet atëherë të kërkojë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, bile t’ia kushtëzojë, që në pjesën e kërkesës për ndërtimin e Qendrës Islame të futet edhe kërkesa që ai objekt i cili prishet në atë vend  të ndërtohet në një vend tjetër sa më shpejtë. Bile do të kisha shkuar edhe më larg që Bashkësia Islame e Kosovës objektin që do të rrënohet ta ndërtojë me buxhetin e vet në vend tjetër. Ky gjest  do të jetë sa më afër parimeve Islame të cilat na mësojnë që të mos i dëmtojmë të tjerët për interesat tona si dhe parimi tjetër i cili na mëson se vlera e diturisë është e madhe në Islam dhe ne e çmojmë atë dhe i duam tempujt e ngritur për dije.

Kështu ne nuk prishim objektet e të tjerëve për ato të tonat ashtu si nuk lejojmë që dikush të prishë objektet tona për interesa të të tjerëve.

15- Çdo nismë për interesat e myslimanëve apo çdo lëvizje që bëhet është obligim i secilit besimtarë që paraprakisht të konsultohet me hoxhallarë e dijetarë të fesë dhe tu qëndrojë besnik këshillave të tyre e jo secili individ të ndërmarrë në mënyrë private lloj-lloj aksionesh e qëndrimesh dhe kështu të bëhet shkaktarë për keqësim dhe pengim të nismave të hajrit. I vetmi burim i cili ka të drejt të flasë dhe të pyetet rreth këtyre gjërave janë hoxhallarët e askush tjetër.

NA NDIQNI NË