Arhiva DitoreOct 28, 2014

0 1818

Definicioni i Ashurasë:

Është dita e dhjetë e muajit Muharrem, për çdo vit.

Falje për vitin e kaluar

Nga Ebi Katade (Zoti qoftë i kënaqur me të!) është transmetuar se është pyetur Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) për agjërimin e ditës së ashures, dhe ka thënë: “Unë, me të vërtetë, e llogaris falje nga Allahu për vitin e kaluar.”

Gradat e agjërimit të ditës së Ashurasë – Më e larta është agjërimi një ditë para saj dhe një ditë pas saj. – Pastaj vijon agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë. – Pastaj vjen vetëm agjërimi i ditës së dhjetë.

Shkaku i agjërimit të ditës së Ashurasë Është falënderim për Zotin e Madhëruar që e shpëtoi Musain (alejhi selam) dhe popullin e tij nga Faraoni dhe ithtarët e tij, e kjo ka ndodhur në ditën e dhjetë të muajit Muharrem.

Dobitë e agjërimit të kësaj dite:

  1. Agjërimi i ditës së Ashurasë është synet dhe i preferuar, me që është praktikuar, gjithashtu, nga Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).
  2. Këtë ditë e kanë agjëruar edhe shokët e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) si dhe Musai (alejhi selam) para tyre, në shenjë falënderimi, ndaj madhërisë së Zotit.
  3. Edhe historikisht kjo ditë ka vlerë madhështore.
  4. Preferohet agjërimi i një dite para ose pas saj; d.m.th.: (9-10 ose 10-11 Muharrem) për t’u dalluar nga hebrenjtë, sepse këtë e ka urdhëruar Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).
  5. Në të shihet qartë se llogaritja e kohës tek popujt e kaluar, ishte me anë të hënës e jo me muaj gregorian, sepse Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) na ka lajmëruar që dita e dhjetë e muajit Muharrem është e njëjta ditë që Allahu i Lartësuar e shkatërroi popullin e Faraonit dhe e shpëtoi Musain me ithtarët e tij.
  6. Kjo është çka u përmend në Synet, sa i përket kësaj dite, e çdo gjë tjetër që bëhet në të, është risi (bidat) dhe në kundërshtim me udhëzimin e Muhamedit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

Kjo është prej mirësisë së Allahut të lartësuar ndaj nesh, sepse na e mundësoi që nëpërmjet agjërimit të një dite, të na falen mëkatet e një viti të plotë; e Allahu është pronar i mirësisë së madhe. Kështu që shpejto, o vëlla, dhe shfrytëzoje këtë mirësi!

Filloje vitin tënd të ri me adhurim dhe punë të mbara, sepse punët e mira i shlyejnë ato të ligat (të këqijat).

Perktheu dhe pershrtati: Hoxhe Fidan Musliu

0 2191

             Hutbeja e parë[1]

            Hamdin ia kushtojmë Allahut për mirësitë që na i ka dhuruar, të cilat nuk numërohen dot; Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Cili është i Vetëm dhe pa ortak dhe dëshmoj se zotëriu dhe pejgamberi ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. E dërgoi Allahu me udhëzim dhe fe të vërtetë, e bëri sihariqtar, paralajmërues, thirrës për tek Zoti dhe pishtar ndriçues. O Allah, lavdëroje dhe shpëtojë robin dhe të dërguarin tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, po njashtu edhe të gjithë ata që besuan në kumtesën e tij dhe vepruan me të deri në ditën e gjykimit. Më tej:

            Me të vërtetë, prej mirësive më madhështore për Umetin e Muhamedit, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, është mirësia e Islamit.

            Allahu e dërgoi tek ne një pejgamber nga mesi ynë, origjinën e të cilit e dimë mirëfilli, loze pas loze, denbabaden prej farës më të mirë.

            “Allahu i begatoi besimtarët me dhuratë të madhe, meqë nga mesi i tyre u dërgoi Profet i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata dhe ua mëson Kur’anin e diturinë e hollë. Ata, më parë, me të vërtetë, ishin në rrugë krejtësisht të gabuar.”[2]

            Me të Allahu i nxorri nga errësirat në dritë, prej përgjumjes e dremitjes në zgjim e kthjelltësi, nga padituria në dituri e njohje, nga përçarja në unitet, nga armiqësia në vëllazëri, nga poshtërsia në krenari, nga urrejtja në afërsi vëllazërore, nga lojërat e dëfrimet në seriozitet dhe punë, nga skllavëria në liri, nga shkatrrimi në shpëtim dhe nga buza e humnerës së zjarrit në kopshtet e xhenetit!

            Ua zgjodhi atyre një fe të fortë e fisnike, ligj të kompletuar, gjithpërfshirës, të përkryer dhe të mjaftueshëm sa i përket besimeve që përmban, koncepteve, adhurimeve, ritualeve, raporteve ndërnjerëzore, ekonominë, sjelljeve, moraleve, lutjeve dhe politikave. Andaj u dorëzuan të dëshpëruar armiqtë e Islamit që ta arrijnë, ta devijojnë apo mangësojnë.

            “Sot, dëshprohen ata, që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju prishin dispozitat e fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por druani (vetëm) prej Meje! Sot ua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe ua plotësova dhuntinë Time ndaj jush. Jam i kënaqur që feja islame të jetë fé e juaja.”[3]

             U plotësuan fjalët e Zotit tënd, që janë kulmi, i së vërtetës dhe i drejtësisë; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë. Nëse i përulesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë; ata do të të shmangin nga rruga e Zotit. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.”[4]

            “E ai që kërkon tjetër fe përveç islamit, nuk do t’i pranohet, dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.”[5]

            Allahu i ka bërë detyrë vetvetës ta ruajë dhe mbrojë këtë fe nga tekat dhe qejfet e njerëzve të devijuar, devijimet dhe shtrembërimet e të humburve e falsikatorëve, skajshmërive të ekstremistëve, pra armiqtë e Islamit s’kanë kurrfarë mundësie ta prekin me dorë atë. Ne, me të vërtetë, kemi shpallë Kur’anin dhe, Ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë (origjinalitetin e tij).”[6]

            Po sikur atë ditë që ka zbritur, është edhe sot, pas kësaj një mijë e katërqind vitesh, e armiqtë s’arrin t’i bëjnë gjë, e kështu do të jetë gjithherë, inshaAllah!

            Po gjithashtu, Allahu i ka bërë detyrë vetës gjithkë që e praktikon me fjalët, veprat dhe bindjet e tij këtë fe, ta ruajë, forcojë, ndihmojë dhe t’i japë fitore dhe t’ua prishë kurthet armiqëve të tyre.

            “Allahu, u ka premtuar disave prej jush, që kanë besuar dhe që punojnë vepra të mira – se do t’i bëjë sundimtarë në Tokë, ashtu, si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur, dhe që do t’ua shndërrojë atyre – pas frikës, sigurinë. Ata, më adhurojnë Mua, e nuk më bëjnë shok asgjë. E, kush bën mohim pas kësaj, ata janë ngatërrestarë të vërtetë.”[7]

            Me të vërtetë, kjo fe ka armiq dhe hasëm, të cilët u paraqitën që në ditën e parë kur u zbrit shpallja dhe u shfaqë kumtesa pejgamberike, po edhe më pas në gjeneratat e dalluara islame, pra në çdo kohë e në çdo vend.

            “Si për ty ashtu edhe për çdo profet, Ne kemi krijuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhinëve, të cilët i flasin njëri-tjetrit fjalë të zbukuruara për t’i mashtruar. E, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin atë; andaj, lëri ata dhe atë, që trillojnë ata!”[8]

            Ata, armiqtë, përpiqen në vazhdimësi që t’i ndalin muslimanët nga feja e tyre, t’u fusin dyshime në akiden e tyre dhe në rregullin e Zotit të tyre, orvaten prore t’i hallakasin ndërmjet veti, e t’iu fusin përçarje, t’ia sakatojnë unitetin, e t’ua dobësojnë forcat dhe vendosmëritë.

            As hebrenjt, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, për deri sa të mos pranosh besimin e tyre. Thuaju: “Vetëm drejtimi i Allahut është i drejtë!” E, në qoftë se pas asaj diturie që të ka zbritur ty, ti ndjek dëshirën e atyre, atëherë prej dënimit të Perëndisë ti nuk do të kishe kurrfarë mbrojtësi as kurrfarë ndihmëtari.”[9]

            Gjithsecili që i është kushtuar kësaj feje duke iu përmbajtur dispozitave dhe porosive të saj, gjithherë i janë vërsulur armiqtë, ngase çdo njeri që ka mirësi e begati rrezikohet nga xhelozia e ziliqarëve, e ju o muslimanë në këto toka (Gadishulli arabik, gjegjësisht Arabia Saudite) jeni në vende më të ruajtura, pra edhe për ju kanë zili, për shkak të mirësive të shumta që i keni; besimi në Allahun, veprimi sipas sunetit të të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, sigurimi, stabiliteti, rahatia, shëndeti, e madje ndonjëri prej jush e lë të hapur derën e shtëpisë natë e ditë, e nuk frikësohet prej askujt përveç Allahut, sikurse edhe udhëton gjithkah do me pasurinë e tij, e flen në shkretëtirë e s’i ka frikë kujt përpos Allahut.

            Porse ju e dini se si ishte gjendja më parë: frikë, uri, hajni, grabitje, derdhje gjaku e kaos.

            E, Allahu i Madhërishëm e ndrroi atë gjendje, nga frika në siguri, nga uria në ngopje, nga kaosi në drejtësi e rend; E gjithë kjo me mirësinë e Allahut, -subhanehu ue te’ala!-, e pastaj me mirësinë e këtij pushteti i cili e bëri kushtetutë Kuranin, e sistem të vetin Islamin, pra gjykojnë me atë që e ka zbritur Allahu, punojnë me Sheriatin e Allahut, i përmbahen ritualeve të fjalës së dëlirësisë, vërtetësisë dhe tevhidit: La ilahe ilAllah, Muhammed resulullah; Morali i tij është drejtësia, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja; I frikësohen dhe i druhen Allahut, e kështu u përhap siguria dhe Allahu ia hapi thesaret e tokës e u shtuan të mirat, e si rrjedhim vendit dhe popullit tonë iu dha një pozitë e lartë e veçanëri domethënëse në botë, e na vien të gjitha frytet e çdo gjëje në botë, nga të gjitha anët e globit.

            E gjithë kjo është prej mirësive të Allahut për ne, andaj duhet ta falënderojmë Allahun, sikurse duhet edhe t’i ruajmë e mos t’i humbasim këto begati. Pra t’i kemi frikë Allahut se si sillemi e veprojmë me këto mirësi, o ju besimtarë, druajini Allahut, pra t’ia japim hakun këtyre të mirave të Zotit.

            Prej dënimit të Allahut për këtë umet është që në krye të udhëheqësisë së tyre të vijnë njerëzit më të këqinjë dhe më mendjelehtë, gjykojnë në ta me ligje të tjera, e jo me ligjin e Allahut, i ndalojnë njerëzit nga ritualet që i ka ligjësuar Allahu për robërit e Vet, ua vjedhin pasuritë e as që mbajnë drejtësi mes popullatës.

            E më e rëndë se kjo është ajo që bëjnë disa udhëheqës duke akuzuar dinin e Allahut, e duke e refuzuar Sunetin e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e nuk marrin porositë e imamëve të udhëzimit dhe devoshmërisë.

            Ndaj, o muslimanë, keni kujdes nga armiqtë e juaj dhe armiqtë e fesë suaj.

            “E ti, mos mendo, kurrsesi, që Allahu nuk vëren atë që punojnë zullumqarët! Ai, vetëm ua shtyen (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të mbeten të hapur.”[10]

           

            Hutbeja e dytë

            Ç’ka duan prej Umetit?!

            Ju këshilloj juve, sikurse edhe vetvetën, t’i keni frikë Allahut, të Lartit! Dijeni se armiqtë tuaj dhe armiqtë e fesë suaj shpezojnë e harxhojnë gjithçka që posedojnë që t’ju ndalin juve dhe t’ju largojnë nga feja juaj dhe rruga e Zotit tuaj; Armiku i dukshëm e i qartë është i njohur, duhet të ruhemi prej tij. Por edhe më i rrezikshëm se ai është hipokriti që pretendon Islamin, ky armik i Islamit është ai që po tallet me fenë, e po e refuzon Sunetin e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-. E, të vërtetën e ka thënë Allahu:

            “Tregoju atyre për njeriun, të cilit Ne ia kemi dhënë argumentet Tona, e i cili është zhveshur prej tyre, e djalli e ka bërë për vete, dhe, ai është bërë i humbur. Sikur të donim Ne, do ta ngritnim atë (në shkallën e të mirëve) me argumentet Tona, por ai iu kthye tokës (kësaj jete) dhe ndoqi epshin e vet. Shembulli tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjekë, ai e qet gjuhën, nëse largohesh, ai, përsëri e qet gjuhën. Ky është shembull i njerëzve, që i konsiderojnë gënjeshtra argumentet Tona. E, tregoju këto ngjarje, që të mendojnë ata.”[11]

Shejh Abdullah bin Muhamed bin Zahim[12]

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

[1] E mbajtur më 01.05.1410 (nëntor 1989), në xhaminë e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem-.

[2] Kurani, Ali-Imran:164

[3] Kurani, El-Maide: 3

[4] Kurani, El-En’am: 115-116

[5] Kurani, Ali-Imran: 85

[6] Kurani, El-Hixhër: 9

[7] Kurani, En-Nur: 55

[8] Kurani, El-En’am: 112

[9] Kurani, El-Bekare: 120

[10] Kurani, Ibrahim: 42

[11] Kurani, El-E’araf: 175-176

[12] Abdullah bin Muhamed bin Zahim, Khutabul-xhumei vel-e’ajad, vëll. 1, f. 19-24

0 1464

Allahu, subhanehu u e te’ala, e bëri obligim agjërimin e Ramazanit, për të arritur devotshmërinë dhe për të realizuar atë.

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të arrini devotshmërinë.” (El Bekare, 183)

Komentuesi i njohur  Reshid Rida thotë se pjesa e ajetit “që të mund të arrini devotshmërinë” paraqet shkakun e detyrimit të agjërimit nëpërmjet dobisë së tij më të madhe dhe nëpërmjet urtësisë së tij kulmore. Qëllimi i agjërimit është që njerëzit të forcojnë devotshmërinë e tyre duke i braktisur nevojat të lejuara dhe të pranishme duke e zbatuar urdhrin e Allahut si dhe duke pritur shpërblim vetëm prej Tij, azze ue xhel-le. (Tefsirul Menar, 2/145)

Gjithashtu agjërimi e nxit njeriun në sinqeritet ndaj Allahut, të Vetmit, përmirëson dhe forcon imanin. Ebu Hurejreja, radijallahu anhu, transmeton se i dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është e tij, dhe e mira shumëfishohet dhjetë deri shtatëqind fish. Allahu te’ala thotë: Përveç  agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, njeriu ka lënë epshin, ushqimin dhe pijen për shkakun Tim…”  (Buhari dhe Muslim)

Ibën Rexhepi, duke e komentuar këtë hadith shkruan: Kur ndonjë dëshirë të zjarrte, që kemi mundësi ta plotësojmë, në një vend ku s’na sheh askush përveç Allahut, e lëmë për hir të Allahut, vepra e tillë është argument për besim të paluhatshëm. Agjëruesi e di se ka Zot i cili e mbikëqyr edhe kur është vet, e di se Allahu ia ka ndaluar tu afrohet  disa gjërave dhe ai i nënshtrohet Allahut dhe e zbaton urdhrin e Tij, largohet prej ndalesave. Nxitësi i tij është frika prej dënimit të Allahut dhe shpresa në shpërblimin e Tij. Ky shpërblim i Allahut është mënyra se si Allahu e falënderon robin e tij për këtë sakrificë. (Letaiful Me’arif, 161)

Shkurtimisht agjërimi është shkak i fuqishëm për arritjen e devotshmërisë, argument i fuqishëm i imanit dhe rrugë për të arritur shkallën e bamirësisë dhe vetëdijes për mbikëqyrjen e Allahut në vetmi dhe para njerëzve.

m-r. Talha Kurtishi

0 1010

Nuk është e fshehtë për asnjërin se Allahu i Madhëruar nuk sjell adhurim dhe nuk e obligon për robërit e Tij se është i nevojshëm, Ai është i Pasuri i Lartësuari, por i ka sjell për urtësi dhe kuptime madhështore, qëllime të çmuara, që tek vet njeriu kthehen me dobi në fenë dhe jetën e kësaj bote.

Nëse qëllimi i parë  i adhurimit është nënshtrimi, bindja, adhurimi dhe pajtimi, themeli i islamit nuk përqendrohet pos duke shfaqur nënshtrimin ndaj Allahut, kjo nuk nënkupton se adhurimet janë të zbrazëta nga urtësitë dhe të mos hulumton myslimani për kuptimet dhe fshehtësitë pas urdhrave dhe ndalesave.

Agjërimi, si edhe adhurimet tjera ka kuptimet dhe fshehtësitë madhështore të cilat mund ti hasim dhe ti vërtetojmë urtësitë e ligjshmërisë së këtij adhurimi hyjnor.

Kuptimi i parë në të cilin marrin pjesë të gjitha adhurimet është se agjërimi  është edukim i adhurimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut të Madhëruar. Kur të perëndon dielli agjëruesi han  dhe pinë në respekt të urdhrit të Allahut, e kur lind agimi abstenon nga ushqimi, pija dhe gjërave tjera që prishin agjërimin, ai pra e adhuron Allahun në fillim të agjërimit dhe në mbarim të agjërimit, nëse e urdhëron Zoti të ushqehet në kohë të caktuar ushqehet, dhe nëse e urdhëron për të kundërtën e saj në kohë tjetër ai është respektues, pra çështja nuk është çështje shijimi e disponimi, por është respektim, nënshtrim dhe dëgjueshmëri ndaj urdhrit të Allahut.

Agjërimi po ashtu edukon tek njeriun  mbikëqyrjen e Allahut, synimin e sinqertë të veprave, largimin nga hipokrizia dhe shtirja, është adhurim mes robit dhe Zotit, për atë edhe është thënë se agjërimi është adhurim i fshehtë, ngase mundet që njeriu të mos agjërojë e të konsumojë ushqime duke mos e vërejtur askush nga njerëzit,  bile vetëm me ndryshim të nijetit dhe ndërprerje i prishet agjërimi edhe nëse nuk ushqehet me asgjë prej gjërave që prishin agjërimin gjatë tërë ditës, pengimi i tij për gjithë këtë përkundër se ai mund të arrijë fshehurazi tek këto gjëra, është argument për ndenjën e mbikëqyrjes së Allahut në fshehtësitë dhe vetminë e tij, për këtë kuptim Allahu e ka veçuar agjërimin nga të gjitha llojet e adhurimit, dhe nuk ka përcaktuar shpërblim të caktuar, i dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ç’do vepër e birit të Ademit shumëfishohet, një e mirë me dhjet të mira e deri në shtatëqind fish, Allahu aze ue xhel ka thënë: “Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe unë shpërblej për të,  largohet nga epshi dhe ushqimi për Mua.” Transmeton Muslimi.

Agjërimi edukon njeriun që të mediton në botën e ahiretit, në pritjen (e shpërblimit) çfarë ka te Allahu, kur agjëruesi pengohet nga disa epshe dhe dëshira të shpirtit, mendon për shpërblimin e Allahut aze ue xhel, kjo gjë vendoset në shpirt me besim në botën e ahiretit, ndërlidhja me te, ngritja nga kënaqësitë afatshkurta të kësaj bote që shpijnë në dëshirë për përqendrim në tokë dhe qëndrim të përhershëm në të.

Agjërimi të edukon në durim, në forcën e vullnetit dhe vendosmërisë, durimi nuk duket qartë në adhurimet tjera ashtu siç shihet tek agjërimi, qëllimi i agjërimit është pengimi i vetes nga  epshet, për atë konsiderohet edhe gjysma e durimit, Allahu i Madhëruar thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë”. Zumer, 10.

Agjërimi është edukim për shoqërinë, zhvillimin e një ndjenjë të unitetit dhe solidaritetit midis myslimanëve, agjëruesi kur sheh njerëzit përreth tij që të gjithë agjërues, ai ndjen lidhje dhe përputhje më këtë shoqëri, që të gjithë janë me agjërim, që të gjithë ndjejnë urinë për hir të Allahut, që të gjithë fillojnë me agjërim dhe së bashku ndërprenë agjërimin pa asnjë dallim apo privilegji. Nuk veçohet askush për shkak pasurisë, meritës apo pozitës së tij, më i ndershmi tek Allahu është më i devotshmi, më i miri është më i pastërti (nga gjynahet).

Sa madhështor që është portreti që flet për unitetin e shoqërisë nën hijen e adhurimit të Allahut xhele ue ala.

Agjërimi ngushton qarkullimin e gjakut, shuan zjarrin e epsheve, pakon mundësitë e devijimeve të shejtanit ndaj njeriut, ngase shejtani qarkullon tek biri i Ademit nëpër damarët e gjakut, për atë i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë, siç është shënuar në Sahih: “Agjërimi është mburojë”. Pra mburojë që mbron njeriun nga epshet dhe mëkatet, për atë i Dërguari salallahu alejhi ue selem  ka urdhëruar atë i cili i është shtuar epshi për martesë e nuk ka mundësi, të agjërojë, e bëri mbrojtje nga kjo dëshirë dhe zbutje të vështirësisë.

Nga kuptimet e agjërimit është të kujton të uriturit dhe nevojtarët, të ndien dhembjen dhe lodhjen e tyre, ngase ai që nuk ndien uri dhe etje mund që të mos ndien dhimbjen e dikujt tjetër nga të varfrit dhe nevojtarët, dhe nëse ne kemi me çfarë të ushqehemi, dikush tjetër mund të mos gjejë asgjë.

Këto ishin disa koncepte të këtij adhurimi madhështor, që Allahu aze ue xhel i ka përmbledhur në fjalën e Tij: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm”. Bekare 183.

Pra urtësia për të cilën është ligjësuar agjërimi  është realizimi i devotshmërisë ndaj Allahut aze ue xhel, ky është fryti i agjërimit, nëse agjërimi nuk është për ne rrugë për të arritur devotshmërinë atëherë është humbur qëllimi dhe kuptimi për të cilin është ligjësuar, nuk është pra qëllimi thjesht pengimi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime pa pasur gjurmë ky agjërim në jetën e njeriut dhe moralin e tij, për atë i dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush nuk le gënjeshtrën dhe veprën me gënjeshtër, Allahu nuk ka nevojë që ai të le ushqimin dhe pijen”. Dhe ka thënë: “Sa agjërues, hisja e tij nga agjërimi mbetet uria e etja”.

Xhabiri radijallahu anhu ka thënë: “Nëse agjëron le të agjëroje edhe veshi, shikimi, gjuha jote nga gënjeshtra dhe mëkati, braktise dëmtimin e fqinjit,  të jesh i qetë dhe dinjitoz, mos e bë ditën e agjërimit  të njëjtë me ditët jashtë agjërimit”.

Myslimani duhet ti ngjall këto kuptime kur ai zbaton adhurimin e agjërimit, në mënyrë që të mos del adhurimi nga koncepti i saj, dhe të mos shndërrohet në zakon (adet) që e kryen për t’iu adaptuar mjedisit apo shoqërisë.

Përktheu: Shpend ZENELI

Islamweb.com

0 4301

Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili i krijoi robërit e Tij që ta adhurojnë. Dhe i urdhëroi që ta përmendin Atë shumë në të gjitha kohërat dhe i ndaloi prej çdo gjëje që i largon prej përmendjes së Tij dhe namazit. Dëshmoj se adhurimi nuk i takon askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij dhe se namazi ishte porosia e fundit e tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

 O ju njerëz frikojuni Allahut dhe dijeni se prej gjërave që më së shumti e largon njeriun prej përmendjes së Allahut dhe i preokupon robërit prej adhurimeve është dëgjimi i muzikës dhe i instrumenteve muzikore. Kohëve të fundit muzika dhe instrumentet muzikore i kanë pushtuar shumicën e shtëpive muslimane dhe kanë arritur që të depërtojnë edhe në ato shtëpi ku armiku asnjëherë nuk ka ëndërruar se do të hyn. Plot prej burrave edhe grave me besim të dobët dhe me vetëdije të ulët fetare janë sprovuar me muzikën dhe instrumentet muzikore dhe pas hapave të tyre kanë ecur edhe të rinjtë e këtij Umeti prej djemve dhe vajzave të cilët kohën e tyre e kalojnë në dëgjimin e muzikës prej radiove dhe kasetave. Kësaj dukurie negative i bashkëngjiten edhe gazetat dhe revistat e ndryshme të cilat nëpër faqet e tyre i përhapin fotot dhe emrat e këngëtarëve dhe këngëtareve me qëllim që njerëzit t’i njohin më mirë dhe më lehtë ta shesin mallin e tyre të helmuar dhe të pisët. Kjo ka bërë që një numër i madh i të rinjve musliman t’i njohin të gjithë emrat e këngëtarëve dhe të këngëve të tyre, t’i njohin imtësitë e jetës private të tyre dhe të familjeve të tyre, mirëpo nëse i pyet rreth kuptimit të shehadetit (fjalës la ilahe il-lAllah) dhe kohërave të namazit do të thonë nuk dimë asgjë rreth tyre. Prej nga ta dinë dhe si ta dinë kur ambiciet e tyre janë të drejtuara kah mjetet e informimit dhe programet e tyre, ku pjesën më të madhe të programit të tyre e përfshin muzika dhe veglat muzikore dhe emisionet për këngëtarët dhe këngëtaret.

O ju robërit e Allahut, kush ka qenë në dyshim rreth ndalesës së muzikës dhe instrumenteve muzikore, le ta largon dyshimin e tij me bindje prej fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kanë ardhur shumë citate prej Kurani dhe Suneti të cilat aludojnë në ndalesën e muzikës dhe kërcënimin e atij që e lejon dhe vazhdon në të. Besimtarit apo besimtares i mjafton edhe po të ishte vetëm se një ajet apo hadith që t’i largohet këtij mëkati e mos të flasim për gjithë ato citate që kanë ardhur rreth ndalesës së muzikës: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur. Ahzab 36.

Allahu, azze ue xhel, i paralajmëron njerëzit nga rreziku i mëkatit të muzikës dhe instrumenteve të tij dhe ua tërheq vërejtjen atyre që ja dhënë pas dëgjimit të tij dhe përdorimit të mjeteve të tij se do t’i dënon rreptë nëse ata e vazhdojnë  këtë rrugë dhe tha: “Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm“.  Llukman 6-7.

Shumica e komentuesve të Kuranit janë të  mendimit se thënia në ajet: “tregime të kota” e ka për qëllim muzikën dhe Abdullah ibën Mesudi,Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është betuar tri herë se ajeti e ka për qëllim muzikën.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i cili kishte thënë: “Do të ketë njerëz prej Umetit tim që do ta lejojnë kurvërinë, mëndafshinalkoolin dhe instrumentet muzikore”.  

Ky hadith është argument i qartë dhe i prerë i cili aludon në ndalimin e të gjitha llojeve të instrumenteve muzikore dhe i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, e qortoi lejimin e instrumenteve muzikore dhe ndalesën e lejimin të tyre e bëri paralel me ndalesën e lejimit të mëndafshit, imoralitetit dhe alkoolit.

O ju robërit e Allahut, pasojat e dëgjimit të muzikës janë të shumta dhe të rrezikshme. Prej pasojave veçohet se muzika e shkatërron zemrën dhe ia mbjell cilësitë e hipokrizisë, ashtu siç thanë shumica e selefit. Prej pasojave veçohet se dëgjimi i muzikës e largon prej zemrës dashurinë ndaj Kuranit. Nuk ka mundësi asnjëherë që të bashkohet në një zemër dashuria ndaj Kuranit dhe dashuria ndaj muzikës, për arsye se Kurani është shpallje nga Allahu kurse muzika është shpallje nga shejtani dhe çdo herë që janë bashkuar në një zemër shpallja e Allahut dhe shpallja e shejtanit vetëm se e ka nxjerr njëra tjetrën prej asaj zemre. Prej rreziqeve që i sjell dëgjimi i muzikës njeriut janë zemërimi i Allahut ndaj robit për arsye se muzika e largon prej përmendjes së Allahut dhe adhurimit të Tij dhe poashtu është shkak për zbritjen e shumë ndëshkimeve në dynja dhe ahiret.

Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Atë që ne dhe të tjerët me sytë e tona e kemi vërejtur dhe e njohëm me prova është se në çdo popull kur janë paraqitur dhe përhapur muzika dhe instrumentet muzikore dhe njerëzit janë preokupuar me to, Allahu ua ka dërguar atij populli armikun që i ka sunduar, janë sprovuar me thatësira dhe varfëri dhe me udhëheqësi të keqe e të padrejtë”.

Prej rrezikut të dëgjimit të muzikës është edhe afrimi i shejtanëve. Shejtanët janë shokët e këngëtarëve dhe atyre që i dëgjojnë dhe çdo gjë që i afron shejtanët i largon melekët, për arsye se ata janë dy të kundërta që asnjëherë nuk munden të bashkohen. Shtëpisë ku në të dëgjohet muzika i afrohen shejtanët dhe i largohen melekët dhe paramendoni se si është gjendja e banorëve të saj të cilët jetojnë së bashku me shejtanët?!

Prej rreziqeve që i sjell muzika është edhe inkurajimi i njeriut për të shkuar pas imoralitetit. Këngëtarët i nxisin njerëzit t’i dëgjojnë këngët të cilat fokusohen në portretizimin e bukurisë femërore, tregimet romantike pasionante, poezitë kushtuar dashurisë dhe të dashuruarve, përshkrimi i belit, trupit, gushës, faqeve, syve e buzëve, duke ndezur imagjinatën dhe pasionin e mendjes dhe shpirtit.

O ju robërit e Allahut, pastroni shtëpitë e juaja prej këtyre fëlliqësirave dhe largoni prej tyre ato zëra të mallkuara dhe zëvendësoni ato me përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit.

O ti që shet kaseta apo disqe që në to janë të incizuara kënga dhe muzikë, dije se mallin që e shet është haram dhe ti je shkak për përhapjen e degjenerimit dhe fitimi i jot është haram. Pendohu tek Allahu me sinqeritet dhe zëvendësoje shitjen e këtyre kasetave dhe disqeve me shitjen e kasetave që në to janë të incizuara Kuran dhe ligjërata të dobishme dhe dije se: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.  Talak 2-3. Dhe poashtu dije se ai që e le një vepër për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë.

O ju musliman, ne nuk jemi përgjegjës për radiot dhe kanalet televizive të jomuslimanëve që e përhapin degjenerimin për arsye se pas kufrit më nuk ka mëkat dhe prej tyre nuk pritet më asnjë mirësi, mirëpo ne jemi përgjegjës për muslimanët dhe fenë tyre dhe nderin e tyre. A nuk kanë aspak turp ata që këndojnë dhe e përhapin muzikën në mesin e muslimanëve? A nuk kanë aspak turp ata që i dëgjojnë ato muzika dhe i shkatërrojnë zemrat e tyre? A nuk kanë turp aspak ata musliman që gratë e tyre i lejojnë të dalin para ekraneve të këndojnë e të zhvishen para burrave të huaj? A nuk kanë turp ata musliman që nëpër dasmat e tyre shpenzojnë të holla për muzikë kurse muslimanët vuajnë prej varfërisë? A nuk kanë turp ata musliman që shkojnë nëpër dasma apo koncerte me muzikë dhe vallëzojnë së bashku burra e gra? A mendojnë ata se Allahu nuk i sheh? A mendojnë ata se Allahu është neglizhent dhe nuk do t’i dënon?  Pasha Allahun jo. Allahu e di shumë mirë se ata çka veprojnë dhe padyshim se ata do të shpërblehen për veprat e tyre në dynja dhe ahiret.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Elif, Lâm, Mîm. Këto janë vargje të Librit plot Urtësi, udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët, që kryejnë namazin, japin zeqatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër. Këta janë udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm këta janë të shpëtuar. Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm”. Llukman 1-7.

                                            Nga arabishtja: Irfan JAHIU    

NA NDIQNI NË