Arhiva DitoreNov 4, 2014

0 1714

Pas njësimit të Allahut, namazi është shtylla e dytë e Islamit, megjithatë nuk shohim se asaj i kushtohet rëndësia dhe kujdesi i duhur në davet. Kjo, sepse ai është një adhurim që njerëzit e kanë zakon ta kryejnë dhe se është nga çështjet e njohura të Fesë. Atë gjithsesi e di çdo musliman, prandaj disa njerëz tregohen të shkujdesur para tij, ndërsa në fakt kjo është një mangësi e madhe. Rëndësia dhe pozita e namazit në Fe është e madhe dhe kërkon kujdes, pasi shokët e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, asnjë prej veprave nuk e shikonin si dalje prej Fesë përveç lënies së namazit, pavarësisht e ka lënë me mohim apo me pavëmendje dhe përtaci. Ky është mendimi i vërtetë. Dijetarët e mëvonshëm nuk janë dakord për lënien e tij me përtaci, a del nga feja lënësi apo jo? Mirëpo, që të gjithë janë dakord se kush e lë namazin duke e mohuar, ai ka dalë nga Feja.

Mjafton që gjëja e parë nga veprat, për çka do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit është namazi, nëse me namazin është mirë dhe në rregull, atëherë i shikohen edhe veprat tjera; por nëse te namazi gjendjen e ka të prishur dhe të mangët, atëherë veprat e tjera as që shikohen.

Nga gjërat që aludojnë në rëndësinë dhe pozitën e madhe që ka namazi në Islam është edhe ajo se Allahu ia shpalli Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem pa ndërmjetës duke e ngritur në qiellin e shtatë në natën e Israsë dhe Miraxhit.

Kur Pejgamberi ynë, u ngrit deri tek Allahu mbi qiellin e shtatë, iu bënë farz Umetit pesëdhjetë namaze që t’i falë brenda një natë e një ditë. Zbriti dhe e takoi Musain, alejhi selam, – siç shënohet në Sahih Muslim – “Zbrita deri tek Musai, sal-lallahu alejhi ue selem dhe më tha: Me çka e detyroi Zoti Umetin tënd? Me pesëdhjetë namaze – i thashë. Kthehu te Zoti yt dhe kërkoji pakësim sepse Umeti yt nuk do ketë mundësi ta bëjë atë, unë jam sprovuar me bijtë e Israilit dhe i kam parë ata. Tha: U ktheva te Zoti dhe i thashë: O Zot! Lehtësoje për Umetin tim! M’i hoqi pesë dhe u ktheva te Musai, e i thashë: M’i hoqi pesë. E ai tha: Umeti yt vërtetë nuk ka mundësi t’i bëjë ato, kthehu te Zoti dhe kërko pakësim! Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem vazhdon: Vazhdova të kthehem mes  Zotit tim dhe Musait derisa më tha: O Muhamed! I keni pesë namaze brenda çdo ditë e natë, çdo namaz shpërblehet me dhjetë, ato janë pra pesëdhjetë… pastaj, zbrita derisa arrita te Musai, sal-lallahu alejhi ue selem  dhe i tregova, e ai më tha: Kthehu te Zoti dhe kërko pakësim. Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: U ktheva tek Zoti aq sa u turpërova prej Tij”.

Mbetën pesë namaze me numër por me shpërblime tek Allahu pesëdhjetë. Shkaku i atij lehtësimi dhe asaj mirësie nga Allahu i Lartësuar ishte reagimi i Musait,sal-lallahu alejhi ue selem. Shikoje pra ndikimin dhe rëndësinë e përvojës, prandaj duhet nderuar njerëzit me përvojë.

Këtë që përmendëm është vetëm pak nga ajo që shpjegon një pjesë të pozitës së namazit në Islam, sepse të flasësh për vlerën e tij nuk ka hapësirë këtu. Megjithëkëtë, mund të gjesh njerëz që thirren si muslimanë ndërsa janë të pavëmendshëm me çështjen e namazit, e braktisin atë në tërësi, e kryejnë me mangësi apo nuk kujdesen për ta falur me xhemat. Shumë prej tyre nuk e falin namazin e sabahut me xhemat, duke i dhënë përparësi rehatisë, relaksimit dhe gjumit para kënaqësisë së Zotit. Vërtet, befasohesh në disa vende nëse shkon ta falësh sabahun nga numri i vogël i njerëzve, fillon të supozosh se këtyre njerëzve nuk u paskan lindur meshkuj përveçse pak! Shumë shpejt, ky supozim bie në ujë, kur të afrohet koha e fillimit të mësimit nëpër shkolla dhe i sheh rrugët plot me meshkuj.

Ai që beson sa i lartë është namazi dhe njihet me një pjesë të fryteve të tij nuk do ta anashkalonte deri kaq! Prandaj, është vërtetuar fjala e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem lidhur me dyfytyrëshat: “Pasha Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im, sikur të ishte që ndonjëri prej tyre do të merrte një supë të yndyrshme apo dy këmbë dele do ta falte jacinë me xhemat!” E çfarë të themi për atë që beson vlerën dhe veçoritë e namazit?

Namazi lë gjurmë në shumë gjëra në jetën e myslimanit, nëse e kryen atë siç e ka urdhëruar Allahu. Nga ato gjurmë po veçojmë:

1 – Namazi është strehë e myslimanit në raste fatkeqësish dhe brengash

Në raste vështirësish, ankthesh dhe problemesh, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ngrihej me shpejtësi në namaz dhe i thoshte Bilalit: “Na qetëso me namaz o Bilal, sepse Allahu na ka thënë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz” (Bekare 45).

Kur neve na godasin probleme, vështirësi e ankthe a shkojmë me shpejtësi në namaz? Shumë prej nesh, njerëzit e goditur nga një fatkeqësi i porosisim të bëjnë sabër – që nuk është gabim – mirëpo pse nuk e porosisim të falë namaz? Thuaji vëllait tënd që ka problem: Çohu, fali për Allahun dy reqate dhe lute të ta lehtësojë fatkeqësinë!

Secilin prej nesh e godasin fatkeqësi; sëmundje, gjynahe, problem me ndonjë të largët apo ndonjë të afërm, problem me bashkëshortin/en, tjetër me fëmijën, tjetër me komshiun… por a çohemi me shpejtësi për të falë namaz kur kemi ato vështirësi dhe ato probleme? Pak prej nesh e bëjnë atë! A nuk duhet të kemi turp nga vetja, kur meditojmë çështjen e Pejgamberit sesi ai ngrihej me shpejtësi të bëjë namazin dhe pastaj ta krahasojmë me vetveten?!

A nuk është çudi që, personi i goditur me brengë, mërzi a fatkeqësi, të dembeloset nga namazi dhe ta vonojë, madje të mos e falë në kohë, por vetëm kaza!? Allahu thotë “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz” megjithatë dikush mendon se belaja apo fatkeqësia që e ka goditur i krijon atij arsye për ta vonuar namazin nga koha e caktuar, mirëpo sikur ai të logjikonte do ta kuptonte se namazi është shoqëria dhe lumturia, me të shërohet nga brenga dhe mërzitë, në të gjen shpëtimin nga ankthi që ke!?

Në Sahih Muslim shënohet se Ibrahimi, sal-lallahu alejhi ue selem shkoi në vendin e një tirani dhe me vete kishte Sarën, që ishte më e bukura ndër njerëz, të cilës i tha: “Ky tiran po ta dijë se ti je gruaja ime, do të të merr me forcë nga unë, prandaj nëse të pyet, thuaji që je motra ime, sepse ti je motra ime në Islam, meqë nuk di të ketë musliman tjetër në tokë përveç meje dhe teje”. Kur hyri në tokën e tij, disa njerëz të atij tiranit i thanë zotërisë: Në tokën tënde ka ardhur një grua që nuk guxon të jetë e tjetërkujt përveçse e jotja. Ai dërgoi njerëz dhe e çuan Sarën tek ai ndërsa Ibrahimi, sal-lallahu alejhi ue selem, filloi të falë namaz.

Kur ajo hyri, tirani nuk mundi të përmbahet dhe deshi ta prekë me dorë, por ajo e kapi dhe ia shtrëngoi dorën, e ky i tha: Ma lësho dorën për hir të Allahut se nuk të bëj keq! Ia lëshoi dorën, por ky e përsëriti gjestin dhe ajo ia shtrëngoi dorën edhe më shumë sesa herën e parë dhe ai i tha njëjtë sikurse herën e parë. Ajo ia lëshoi dorën, por ky sërish deshi ta prekë me dorë dhe ajo ia shtrëngoi dorën edhe më shumë sesa dy herët e para, dhe ky i tha: Për hir të Allahut, lëshoma dorën se pasha Allahun nuk do të të bëj keq! Ashtu bëri, ia lëshoi dorën ndërsa ky e thirri personin që ia solli dhe i tha: Ti në fakt më paske sjell dreq dhe jo njeri, dëboje nga toka ime dhe jepja dhuratë Haxheren. Kur e pa Ibrahimi, sal-lallahu alejhi ue selem Sarën duke u kthyer, e përfundoi namazin dhe e pyeti: Hë, ç’u bë? –Hair, e zmbrapsi Allahu dorën e të prishurit dhe të dha një shërbëtor!, i tha Sara.

Po pra, me namaz zgjidhen komplikimet, problemet dhe largohen ankthet. Një dijetar dëfton: ishim një grup studentësh, analizonim një çështje me rëndësi për Umetin dhe çështja u ashpërsua dhe kriza u rritë saqë disa filluan të qajnë nga mundimet e kësaj çështje. Njëri prej të pranishmëve tha: Çohuni të falim namaz! Kur përfunduam me namazin dhe iu rikthyem çështjes, pengesa e madhe që ishte u zvogëlua brenda disa minutash dhe të gjithë u pajtuan për një zgjidhje, e pëlqyen që të gjithë dhe u solidarizuan me të. I ndihmoi Allahu këta, sepse: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz”.

2 – Namazi ndalon nga shthurja dhe e shëmtuara

Në suren Ankebut, Allahu ka thënë: “Vërtetë namazi të ndalon nga shthurja dhe e shëmtuara” (45). Kjo fjali, me këtë formulim në arabisht, aludon në përqendrim dhe vazhdimësi. Namazi ka rol në ndalimin e njeriut nga gjërat e këqija dhe gjynahet, mirëpo si do ta pajtojmë këtë kuptim me atë që shohim nga disa njerëz që falen por bëjnë gjëra të shëmtuara dhe gjynahe?

Disa dijetarë thonë: Nëse dëshiron të dish a e ke falur namazin të plotë apo jo, shiko veten se sa i kundërshton urdhrat e Allahut, aq gabime që bën aq cungohet namazi yt. Aq të plotë që e falë namazin duke përkryer pjesët e namazit, detyrat, të pëlqyerat dhe përuljen në namaz aq edhe namazi të ndalon nga gjynahet, shthurja dhe të shëmtuarat. Namazi i plotë doemos do të ndalojë nga shthurja dhe e shëmtuara, aq sa është i cunguar aq bën gjynahe.

Cungimi ndodhë në përuljen në namaz në veçanti. Mund të shohësh dy persona që falen në një saf, njëri afër tjetrit, njëri i përulur përgjëron Zotin e tij ndërsa tjetri i pavëmendshëm në namaz, prandaj njeriu prej namazit fiton vetëm aq sa ka qenë i vëmendshëm në namaz, dikush fiton të gjitha shpërblimet e namazit, dikush gjysmën, tjetri një të katërtën ndërsa dikush asgjë.

Le të meditojmë për ata që e falin namazin e jacisë dhe pastaj shkojnë për të shikuar në televizion ato çfarë Allahu ka ndaluar. Ata nuk e kanë falur namazin të plotë, sepse sikur ta falnin të plotë, do t’i ndalonte ai namaz nga rënia në këtë gjë të shëmtuar. Ibën Abasi ka thënë: Nga namazi nuk ke fituar asgjë përveç asaj sa ke qenë i vëmendshëm. Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Robi e kryen namazin ndërsa mund të mos ketë fituar përveçse gjysmën, një të tretën, një të katërtën – derisa tha – një të dhjetën”. Pra, nëse namazin e falë siç është urdhëruar, ai do ta largojë nga shthurja dhe e shëmtuara, e nëse nuk e largon atëherë shihet se ai nuk e ka falur si duhet.

Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, e kishte marrë në punë një person dhe ai i kishte thënë: Pse më more mua? –Sepse të kam parë që namazin e falë mirë dhe i përulur. Përderisa hakun ndaj Allahut e kryen si është më mirë, atëherë sigurisht edhe detyrat tjera do t’i kryesh mirë – i tha Omeri.

Kështu pra, përgjegjësi në çështjet e myslimanëve nuk guxojnë të marrin përveçse ata që falen, të cilët e falin namazin me kohë dhe të plotë siç është përshkruar në Fe sepse ai është amanet, e kush e tradhton amanetin e namazit, ai të tjerat ka për t’i tradhtuar edhe më kollaj. E kush kujdeset për namazin, të tjerat ka për t’i ruajtur edhe më shumë.

3 –Namazi na mëson moralin dhe edukatën e lartë

Ai na mëson tubimin për hair, ndërvarësinë e solidaritetin, dhembshurinë e ndjeshmërinë, saktësinë në kohë dhe kujdesin për të, duke filluar nga namazi i sabahut dhe duke përfunduar me namazin e jacisë por edhe në kohën ndërmjet tyre. Namazi na pastron nga papastërtitë e brendshme, siç janë urrejtja, zilia si dhe gabimet e tjera të zemrës. Namazi na mëson sabrin në raste vështirësish dhe sprovash, prandaj e kemi të ligjësuar ta falim në shtëpi e në udhëtim, në paqe e në luftë.

Për shkak të rëndësisë që ka namazi në përvetësimin e edukatës dhe moralit, prindërit janë urdhëruar t’i rrahin fëmijët për të falë namaz, kur ata arrijnë moshën dhjetëvjeçare. Fjala e fundit që shprehu Vula e pejgambereve ishte: “Namazin, namazin dhe ata që i keni nën zotërimin tuaj”.

Namazi është nur, jetë dhe relaksim. Allahu thotë: “Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes” (Fet’h 29). Ndaj, në fytyrat e atyre që falen mund të shohësh nurin dhe çeljen ndërsa në fytyrat e dyfytyrëshave do të gjesh terrin dhe mjegullën.

Hajt pra, le të kujdesemi për të, t’ia japim kujdesin që meriton dhe t’i edukojmë gjeneratat ta madhërojnë?!

E lus Allahun që të më japi sukses mua dhe juve në këtë. Allahu është më i Dijshmi dhe më i Urti. Lavdërimi dhe paqja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Nga arabishtja: Omer Berisha

0 980

Allahu i Lartësuar, thotë: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë.” (Et Teube, 55)

Ibën Kajjim, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk do të gjesh gjë më të lodhshme dhe brengë më të madhe se dynjaja. Megjithatë njeriu vazhdon të lodhët duke kërkuar dynjanë. Dënimi i përmendur në ajetin e ka kuptimin dhimbjes, gazepit dhe lodhjes…në dynja nuk ka dënim më të madh se sa shkapërderdhja e punës dhe ndarja e zemrës. Frika prej varfërisë (pa marrë parasysh pasurinë që e ke) vazhdon të qëndron pranë teje, nëse nuk e kupton vlerën e vërtetë e këtij vendbanimi të përkohshëm. Po të mos ishit të dehur “kërkuesit e dynjasë” do të kërkonin shpëtim nga ky azab.  (Igathetu Lehfan, 1/59)

Ai që ka ahiretin si pikësynim  do të shpëton nga gjitha këto vështirësi. Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, transmeton: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: Ai që ka për qëllim ahiretin, Allahu do ti bashkon forcat e tij, do e mbush zemrën e tij me pasuri dhe do ti vjen dynjaja e nënshtruar. (Ahmedi)

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, pohon se ai që e çon amanetin në vend (duke iu nënshtruar Allahut) duke e kundërshtuar pasionin e tij Allahu do ta forcon atë, do ta mbron familjen dhe pasurinë e tij. Ai që i nënshtrohet epshit të tij do të dënohet me të kundërtën që e ka synuar, do ta nënçmon familja e tij dhe do të humbet ajo që ka poseduar prej pasurisë. Pastaj e rrëfeu këtë ndodhi. Disa kalifë të dinastisë Abasite e kanë pyetur një dijetar për atë që ka parë. Ai është përgjigjur e kam arritur kohën e Omer ibn Abdul Azizit, Allahu e mëshiroftë. Ishte në shtratin e vdekjes ndërsa njëri prej të pranishmëve i tha: O prijës i besimtarëve i ke lënë fëmijët tuaj pa asgjë pas vdekjes tënde. Tha: thirri fëmijët e mi. Ishin mbi dhjetë djem në mesin e tyre asnjë që ka arritur moshën e pjekurisë. Me sy të përlotur u tha: Bijtë e mi, pasha Allahun, nuk ua kam ndaluar ndonjë të drejtë që e keni, nuk e merrja pasurinë e njerëzve për t’ua dhënë juve. Ju jeni nga njëri prej dy llojeve të njerëzve, njeri i mirë të cilin e merr nën mbrojtje Allahu ose jo i mirë të cilit nuk dua ti lë pas vete pasuri me të cilën do të harxhon në mëkate. Tani shkoni. Dijetari pastaj shtoi i kam parë pas disa vite njëri prej tyre i ngarkonte njëqind deve me gjërat që i nevojitshin ushtrisë myslimane.

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, shtoi: Ky (Omer Omer ibn Abdul Azizi) ishte sundimtari i myslimanëve i cili në lindje kishte arritur të pushton tokën e Turqve ndërsa në perëndim kishte arritur të pushtojë Andaluzinë, kishte pushtuar Qipron dhe frontet e Shamit në veri deri në pjesët më jugore të Jemenit. Ky fëmijëve të tij nuk u ka lënë trashëgimi që nuk kalonte shumën e njëzet dirhemëve. Tregimet e dëgjuara dhe ndodhitë e dëshmuara lidhur me këtë temë janë të shumta dhe të mjaftueshme që të merr mësim ai që ka mend. (Mexhmu’ul fetava, 28/247-250)

Përshtati Mr. Sc. Talha Kurtishi

0 1308

Në vitin 1842 francezi Lion Rush, i maskuar me rrobat e haxhiut muslimanë, vizitoi Egjiptin dhe Hixhazin. Qëllimi i kësaj vizite të fshehur ishte të arrijë në pajtim të dijetarëve me tekstin e fetvasë që e kishte sjellë prej Algjerisë, sipas të cilës xhihadi kundër francezëve është prej “hedhjes së vetës në shkaterrim” dhe si konkludim bindja ndaj pushtetit francez është i shkallës së emergjencës (الضرورة). Sipas fetvasë në fjalë rezistenca që e udhëhiqte Emir Abdul Kadir Xhezairiu ishte e paligjshme/jo legjitime.

 (Libri Rihlat ila Shibhi Xheziretil Arab 1/249) Në përpilimin e fetvasë në fjalë së bashku me Rushin, pjesëmarrës ishin edhe disa udhëheqës të tarikateve sufiste.

Por dijetarët e Az’harit nuk u pajtuan me fetvanë në fjalë dhe bënë mirë. (Tarihul Xhezair, fq. 284) Vepra e tyre do të ishte me e plotë dhe më e bukur po të kishin vepruar si veproi Shejhul Islami Ibn Tejmije me çifutët. Një grup çifutësh kishin nxjerr një letër të falsifikuar sipas të cilës i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i kishte liruar çifutët e Hjaberit nga pagesa e Xhizjes . Kjo letër disi i mashtroi ata që nuk kishin njohuri mbi Sunetin , derisa letra në fjalë nuk i ra në dorë Ibn Tejmijes. Ai, Allahu e mëshiroftë, pështiu mbi letrën dhe e vërtetoi falsifikimin nga dhjetë aspekte të argumentimit. (Zadul Mead, 3/152).

Francezët e kuptuan se fetvaja është një armë efikase që ndikon te muslimanët, e përiluan një fetva në mënyrën e tyre franceze dhe u munduan ta legjitimojnë me vërtetimin e saj te dijetarët e Az’harit dhe Hixhazit.  Dështuan dhe nuk ja arritën.

Por sot nuk ka nevojë për lodhje të madhe, mjafton një takim i shkurtër dhe arrihet qëllimi. Shikoni si Shejhu i Az’harit (në të kaluarën) e përkrahi që muslimanet të heqin hixhabet e tyre në Francë.

Ashtu si fetvaja bëhet armë në dorën e armikut pushtues e njëjta është edhe armë në dorën e muslimanëve. Të tilla janë fetvatë e dijetarëve  të Andaluzisë kundër krishterëve që zhvilluan kryqëzatat. Ibn Rushdi (gjyshi-vdiq në vitin 520H) dha fetva se xhihadi për banorët e Andaluzisë është më me vlerë se sa Haxhillëku farz, për të cilin, sipas mendimit të tij, në atë kohë nuk janë plotësuar kushtet. Në atë kohë arritja e sigurt në Meke ishte e pamundshme. Ibn Munasif (vdiq në vitin 620H) shkroi librin El Inxhad fil Xhihad në të cilin i përfshiu gjitha kaptinat e xhihadit duke i treguar në hollësi farzet dhe sunetet e tij, adabet dhe dispozitat …  (Xhuhud ulemail Endeleus fis Sirai mean mesara, fq. 150-159)

Kur u ndërlikua çështja e tatarëve në vitin 702H dhe u parashtrua pyetja si të luftojmë kundër tyre kur ata e manifestojnë islamin dhe nuk na sulmojnë, Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, publikoi fetva  se ata janë një kategori e havarixhëve kundër të cilëve lufta është obligim. Ai shtoi se lufta është obligim edhe kundër çdo sekti që është distancuar nga ndonjë prej dispozitave të dukshme islame.

Njerëzve u thoshte: nëse më shihni në anën e tyre dhe mbi kokën time kam Mus’hafin me mbytni. Pas kësaj fjalie dhe fetvasë së tij, njerëzit u  trimëruan përmblodhën veten dhe luftuan kundër tatarëve (El Bidaje ven Nihaje, 14/25).

Situata e sotme na imponon që çështjet e drejta në të cilat e vërteta është më e qartë se sa dielli në mes të ditës, ti ndihmojmë, të mos de-motivojmë dhe ulim moralin e njerëzve me fetva të tilla që shndërrohen në arma të drejtuara kundër neve. Allahu është Ndihmësi më i mirë.

Përshtati: Mr. Sc. Talha Kurtishi

0 1258

   – Tregon Nafiu se dikush e pyeti ibn Omerin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për një çështje kurse ai e uli kokën dhe nuk ju përgjigj. Me këtë njerëzit menduan se ai nuk e ka dëgjuar pyetjen mirë, atëherë pyetësi tha:   Allahu të mëshiroftë a nuk e dëgjove pyetjen time? –Tha:   Po, porse ju mendoni se Allahu nuk do të më llogarit për çdo gjë për të cilën më pyetni e unë përgjigjem. Tani të lutem më lerë të qetë, të kujtohem një kohë që të kem mundësi të përgjigjem, e në qoftë se kam mundësi të jap përgjigje mirë, e në qoftë se jo të tregoj se nuk e di.[1]

   – Tregon Maliku nga Nafiu i cili thotë: Gjatë kohës së Haxhillëkut ibn Abasi dhe ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, qëndronin secili në vendin e vet. Kështu që unë një ditë shkoja tek njëri e një ditë tek tjetri. E vërejta se ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i jepte fetva çdonjërit që e pyeste kurse ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ma shumë i kthente ata të cilët e pyesnin pa përgjigje.[2]

   – Shuajb ibn ebu Hamza tregon se Zuhriu ka thënë: Na është transmetuar se Zejd ibn Thabiti, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur pyetej për diçka, pyeste: A ka ndodhur kjo? Në qoftë se kishte ndodhur atëherë përgjigjej me atë çfarë e dinte, e në qoftë se i thonin se nuk ka ndodhur, thoshte: Lëreni deri sa të ndodh.[3]

   – Gjithashtu transmetohet për Zejd ibn Thabitin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se kur e pyeste dikush për diçka, ai thoshte: Për Allahun a ka ndodhur kjo? Në qoftë se i thonin po, atëherë jepte përgjigje, e në qoftë se i thonin jo, atëherë nuk fliste asgjë.[4]

   – Sahnuni ka thënë: Ata të cilët ishin para jush, kur ndonjëri prej tyre dëshironte të flet për diçka e cila do ti bënte dobi tjerëve e frenonte veten dhe nuk fliste, nga shkaku mos ti rritet mendja, mirëpo kur i pëlqente heshtja fliste. Dhe thoshte: Ai i cili është më i guximshëm për të dhënë fetva, ishte ai i cili kishte më pak dituri.[5]

   – Është pyetur Sahnuni: Ai i lejohet dijetarit të thotë: Nuk e di për atë të cilën e di? Tha: Për çështjet të cilat janë të prera në Kuran dhe në sunet jo, mirëpo për çështjet analogjike po, sepse nuk është i sigurt a ja ka qëlluar apo jo.[6]

   – Gjithashtu tregohet se halifeja Zijadetullah ka dërguar dikë ta pyet Sahnunin për një çështje, e ai nuk i është përgjigjur. Atëherë Muhamed ibn Abdusi i thotë:

   Dil prej këtij vendi,  sepse dje pas namazit dole bashkë më kadiun e sot nuk ju dhe përgjigje?! – ai tha:

   A dëshiron ti jap përgjigje atij i cili do të bëhet fekih duke i marrë fjalët e mia dhe të dikujt tjetër, sikur të kishte pyetur me qëllim të kuptimit të çështjes fetarisht, do ti përgjigjesha.[7]

   – Abdu Ez’heri ka thënë: E kam dëgjuar Darimiun duke thënë: Erdhi tek unë Sixheziu i cili kishte shkruar prej Jezid ibn Harunit dhe Xhafer ibn Aunit e më tha:

   O Ebu Seid! Me vinë disa njerëz e më parashtrojnë pyetje e unë frikohem ti lë pa përgjigje. – i thashë:

   Pse? – më tha:

   Sepse i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:” Kush pyetet për ndonjë dituri e ai këtë e fsheh, ky person do të lidhet me mbulojë prej zjarri.[8] – më tha:

   I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë për diçka të cilën e di, kurse ti nuk ke përgjegjësi për atë të cilën nuk e din.[9]

   – Nga Ejubi transmetohet se e ka dëgjuar Kasimin në Mina duke e pyetur të tjerët, e ai thoshte: Nuk e di. Kurse kur filluan të insistojnë me të madhe, atëherë u thoshte: Vallahi nuk dimë për çdo gjë që na pyesni, sikur ta dimë përgjigjen nuk do ta fshihnim prej jush, sepse kjo nuk na lejohet.

   – Gjithashtu Jahja ibn Seid thoshte: E kam dëgjuar Kasimin duke thënë: Ne nuk e dimë çdo gjë që na pyesni, për njeriun është më mirë të jeton i paditur pasi ta njoh të vërtetën e Allahut mbi vete, se sa të flas pa dituri.[10]

[1] Sifetu Safve 1/566

[2] Sijeru Alamu Nubela 3/222

[3] Sijeru Alamu Nubela 2/438

[4] Sijeru Alamu Nubela 2/438

[5] Sijeru Alamu Nubela 12/66

[6] Sijeru Alamu Nubela 12/65

[7] Sijeru Alamu Nubela 12/66

[8] Ebu Davudi 3658, Albani e ka klasifiku si hadith sahih me nr.3106

[9] Sijeru Alamu Nubela 13/322

[10] Sifetu Safve 2/89

NA NDIQNI NË