Arhiva DitoreNov 24, 2014

0 6719

Njëzet e dy pyetje dhe përgjigje që më kanë çuditur dhe më kanë shtangur me shkathtësinë dhe mprehtësinë e personit që përgjigjet, andaj po ua sjell këtë temë.

Ka qenë një musliman shok me një të krishter. Ky i fundit (krishteri) insistoi që shokun e tij musliman ta marrë në kishë për të prezantuar në ligjëratën priftit dhe pastaj te japë mendimin e tij.

Muslimani pranoi dhe shkuan.

Prifti e njohu dhe tha: A ka në mesin tuaj muslimanë?

U ngrit muslimani dhe i tha: Unë. Si e dite?
Prifti tha: Ke shenja në fytyrë, nga të rënat (shpesh) në sexhde.

Muslimani buzëqeshi.

Prifti i tha: Dua t’i bëj 22 pyetje?
1- Kush është një, që nuk e ka të dytin?
2- Kush janë dy, që nuk e kanë të tretin?
3- Kush janë tre, që nuk e kanë të katërtin?
4- Kush janë katër, që nuk e kanë të pestin?
5- Kush janë pesë, që nuk e kanë të gjashtin?
6- Kush janë gjashtë, që nuk e kanë të shtatin?
7- Kush janë shtatë, që nuk kanë të tetin?
8- Kush janë tetë, që nuk kanë të nëntin?
9- Kush janë nëntë, që nuk e kanë të dhjetin?
10- Kush janë dhjetë, që pranojnë shtesë?
11- Kush janë njëmbëdhjetë, që nuk kanë të dymbëdhjetën?
12- Kush janë dymbëdhjetë, që nuk e kanë të  trembëdhjetën?
13- Kush janë trembëdhjetë, që nuk e kanë të katërmbëdhjetën?
14- Çfarë është ajo gjë që frymon dhe nuk ka shpirt?
15- Cili është varri që ka udhëtuar me pronarin e tij?
16- Kush janë ata që kanë gënjyer dhe kanë hy në Xhennet?
17- Çfarë është ajo që e ka krijuar Allahu dhe e ka mohuar?
18- Kush janë ata që i ka krijuar Allahu pa babë dhe nënë?
19- Kush është ajo krijesë prej zjarri, kush e shkatërroi me zjarr, dhe kush e ruajti me zjarr?
20- Kush është ajo që është krijuar nga guri, është shkatërruar me gurë, dhe është ruajtur me guri?
21- Çfarë është ajo gjë që e ka krijuar Allahu dhe e ka llogaritur madhështore?
22- Cila është ajo pemë që i ka dymbëdhjetë degë, e në çdo degë tridhjetë fletë, në çdo fletë pesë fryte, tri prej tyre me hije e dy me diell?

Buzëqeshi muslimani, me buzëqeshjen e atij që është i bindur në Allahun dhe tha:

Bismilahi-Rrahmani-Rrahim
Përgjigjet:
1- Allahu i Lartësuar është Një, që nuk e ka të dytin.
2- Dy që nuk e kanë të tretin, janë: Nata dhe dita. “ …natën dhe ditën i kemi bërë dy argumente..” (Isra, 12)
3- Tre që nuk kanë të katërtin, arsyet e Musaut me Hidrin: Shpimi i anijes, mbytja e fëmisë dhe drejtimi i murit.
4- Katër që nuk e kanë të pestin: Kur’ani, Inxhili, Tevrati dhe Zeburi.
5- Pesë që nuk e kanë të gjashtin: Pesë kohët e namazit.
6- Gjashtë që nuk e kanë të shtatin: Ditët në të cilat Allahu e ka krijuar gjithësinë.
7- Shtatë që nuk e kanë të tetën: Shtatë palë qiej. “… I cili krijoi shtatë qiej në kate dhe nuk sheh kurrfarë kontrastesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit…” (Mulk, 3)
8- Tetë që nuk e kanë të nëntin: Bartësit e arshit të Allahut. “…Atë ditë e bartin fronin e Allahut tetë engjuj…” (Hakkah, 17)
9- Nëntë që nuk e kanë të dhjetin, janë mrekullitë e Musaut: Shkopi, dora ndriçuese, përmbysjet, thatësira, bretkosat, gjaku, karkalecat, rriqrat, dhe çarja e detit.
10- Dhjetë që pranojnë shtesë: Punët e mira, ai që bënë një të mirë shpërblehet me dhjetë, e Allahu ia shumëfishon atij që do.
11- Njëmbëdhjetë që nuk e kanë të dymbëdhjetën: Vëllezërit e Jusufit.
12- Dymbëdhjetë që nuk e kanë të trembëdhjetin: Janë mrekullia e Musaut, kur i ra me shkop gurit dhe shpërthyen dymbëdhjetë burime uji. “Dhe kur Musa, për popullin e vet u lut për ujë, e Ne i thamë: “Bjeri me shkopin tënd gurit! Prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime…” (Bekare, 60)
13- Trembëdhjetë që nuk e kanë të katërmbëdhjetin: Vëllezërit e Jusufit, babai dhe nëna e tij.
14- Ajo që frymon dhe nuk ka shpirt: Mëngjesi.  “…dhe agimi kur frymon…” (Tekvir, 18)
15- Ndërsa varri që ka udhëtuar me pronarin: Balena kur e ka gëlltitur Junusin.
16- Ata që kanë gënjyer dhe kanë hyrë në Xhennet: Janë vëllezërit e Jusufit.
17- Ajo që e ka krijuar Allahu, dhe e ka mohuar: Zëri i gomarit, “me të vërtetë zëri më i pakëndshëm është zëri i gomarit.” (Lukman)
18- Ata që i ka krijuar Allahu pa babë dhe nënë janë: Ademi , melaiket dhe dashi i kurbanit.
19- Krijesa nga zjarri: Është djalli, ai që është shkatërruar me zjarr është Ebu Xhehli, ndërsa atë që (Allahu) e ka ruajtur nga zjarri është Ibrahimi.
20- Ajo që është krijuar nga guri janë Deveja e Salihut. Ata që u dënuan me gurë janë poseduesit e Elefantit (As’habul Fil). Ndërsa ata që u ruajtën në gurë janë banorët e shpellës (as’habul-kehf).
21- Ajo që e ka krijuar Allahu dhe e ka llogaritur madhështore është: Dredhia e grave.
22- E, pema është: Dymbedhjetë muajte e vitit, degët janë ditët e muajit, pesë frytet janë pesë namazet ditore. 3 me hije janë sabahu, akshami dhe jacia, e dy me diell janë dreka dhe ikindia.

Kështu u përgjigj muslimani. Prifti dhe të pranishmit u çuditën.

Por, Prifti u befasua prej një pyetje të vetme nga djaloshi musliman, e ajo është: Kush është çelësi i Xhennetit?
Prifti nuk mundi të përgjigjet, por u detyrua të përgjigjet pas një insistimi nga të pranishmit.

 

Përktheu: Valdet Kamberi

www.albislam.com

0 1457

Gjatë thirrjes së tij, i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, përjetoi sprova të shumta. Megjithatë konsideroj se më e madhja dhe më e ashpra ishte ajo që preki nderin e familjes së tij në ndodhinë që quhet “Shpifja”. Kjo ndodhi e lëkundi shtëpinë e Resulullahut, madje e lëkundi edhe Medinën në tërësi. Duke iu referuar ndodhisë në fjalë Allahu, subhanehu ue teala, thotë:  “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh.” (En Nur, 11)

Ajo që më së shumti e tërhoqi vëmendjen tonë është pjesa e ajetit “Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.” pas të cilës në shesh del pyetja si mundet që ndodhia e shpifjes të jetë hair për muslimanët?

E dimë se sa u përket mynafikëve kjo ndodhi vetëm se e ka shtuar të keqen e tyre dhe këtë qartë e pohon ajeti “Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh.”

Gjithashtu jemi të vetëdijshëm për vuajtjet e Aishes, radijallahu anha, pas përhapjes së fjalës së shëmtuar, për vuajtjet e Resulullahut, Ebu Bekrit, nënës së Aishes, sahabëve në përgjithësi, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, vuajtje kjo e cila zgjati një muaj.

Pjesa e ajetit e cituar më lartë na largon prej hapësirës së vuajtjes në një tjetër hapësirë, më të gjerë, duke na e ndaluar kuptimin e parë që e cyt shejtani kur ballafaqohemi me ndonjë të pakëndshme duke e paraqitur si diçka të keqe. Me përforcim gjuhësor Allahu, subhanehu ue teala, na tregon se një ndodhi kaq e vështirë me gjithë elementet e këqija që e përcjellin është hair (e mirë) për besimtarët.

Ajeti në fjalë është ndoshta shprehja më elokuente për cilësinë e optimizmit me të cilën duhet të stoliset besimtari dhe në të njëjtën kohë skicon metodologjinë islame në komentimin e ndodhive dhe në bashkëveprim me ndodhitë. Kjo metodologji mbështetet në besimin në Allahun, subhanehu ue teala, dhe në caktimin e Tij.

Virtyti i optimizmit nuk ka për detyrë kthimin mbrapa na kohë për të ndryshuar ecurinë e ndodhive. Përkundrazi njeriu u referohet të kaluarave për të fshirë gjurmët e këqija që ato ndodhi kanë lënë në shpirtin e tij, për të meremetuar vetëdijen dhe mënyrën e të menduarit, duke i drejtuar drejt horizonteve të reja.

Në këtë metodologji optimiste duhet të dallojmë mes asaj që ka ndodh dhe asaj që nuk ka ndodh.

Rregulli madhështor mbi të cilin ndërtohet kjo metodologji është dallimi mes kaderit (caktimit)  kosmologjik dhe kaderit fetar. Kaderi kosmologjik është ajo që Allahu ka caktuar qe të ndodh pa marr parasysh a bëhet fjalë për diçka që Allahu e do ose nuk e do. Në anën tjetër kaderi fetar është ajo të cilin Allahu e do dhe është i kënaqur me të.

Ndodhia e shpifjes është caktim kosmologjik dhe nuk është caktim fetar. Allahu nuk e do dhe nuk është i kënaqur me atë që ka ndodh, atëherë pse e ka caktuar? Nuk ka dyshim se urtësitë e caktimit të kësaj ndodhie janë të mëdha, dhe mu për këtë shkak Allahu thekson nevojën që besimtarët të dinë se kjo ndodhi është hair për të.

Le të jetë kjo një parim i përgjithshëm që çdoherë kur besimtarët ballafaqohen me kaderin hyjnor kosmologjik në atë moment të kujtojnë ajetin “Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.” (En Nur, 11) si dhe të ngjashmin në kuptim: “…është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (En Nisa, 19)

Besimtari duhet të vetëdijesohet për mirësinë e  sprovës që i ka ndodhur me optimizëm se pas saj, me lejen e Allahut, do të vijon një hair i përgjithshëm, nëse i ndërmarrim angazhimet që shpien drejt tij.

Nga kjo mirësi, sipas kontekstit të ajetit, janë privuar mynafikët dhe për të qenë sprova hair që ngjall optimizëm të bazuar duhet njeriu të mos njolloset me mëkatim. Shejhul Islam Ibën Tejmije qartëson  se ai që mëkaton nuk meriton të shpreson në hair derisa të mos pendohet sinqerisht.

Po njeriu duhet të pajtohet me caktimin e Allahut dhe me bindje të jetë optimist së sprova padyshim është hair për të, dhe nga pikënisja e bindjes së tij të paluhatshme dhe optimizmit të saktë të ndërmerr vepra që janë në pajtim me vullnetin e Allahut për ti mënjanuar gjurmët e atij kaderi të papëlqyer.

Prej mjeteve që e ndihmojnë njeriun që ti realizon këto qëndrime dhe të zvogëlojë hidhëtinë e sprovave është madhërimi i Allahut në zemrën e besimtarit. Ky madhërim e lehtëson mënyrën se si bashkëveprojmë me këto sprova, si e vjelim të mirën dhe e pengojmë të keqen duke e fituar mbështetjen dhe udhëzimin e Allahut, subhanehu ue teala, drejtë urtësisë dhe asaj që është e saktë. Kështu do të ndërpriten rrugët e çdo cytjeje.

Mr. Talha Kurtishi

www.albislam.com

0 1725

Të ushqyerit me dyshim në kohën e lindjes së sabahut

Ai i cili zgjohet gjatë natës dhe dyshon se a ka lindur sabahu, a duhet të mos ushqehet apo ende vazhdon të llogarit se është natë e mund të ushqehet?

Sipas konsensusit të dijetarëve ai e llogarit veten në kohë të natës dhe mund të ushqehet, e që këtu mund të jenë dy gjendje:

E para: Të mos jetë e qartë për të nata apo lindja e sabahut.

Sikur të zgjohet në mesin e natës dhe nuk e di se a ka lindur sabahu a jo, dhe kështu që ai pi ujë dhe ushqehet, pastaj kthehet dhe vazhdon gjumin, e zgjohet pas namazit të sabahut, apo kur njerëzit vetëm se janë në namaz të sabahut, e nuk e di se kur u zgjua dhe ishte ushqyer, a është ushqyer pas të lind sabahu e që në këtë rast ai të llogaritet se e ka prishur agjërimin, apo është ushqyer para sabahut e të llogaritet agjërueshëm?

Sipas konsensusit të dijetarëve është se ai duhet ta llogarit veten se është ushqyer gjatë natës dhe i lejohet atij të ushqyerit, edhe nëse atij nuk i është e qartë asgjë, agjërimi i tij është në rregull.

Argument për këtë është se në origjinë është vazhdimi i natës derisa të sigurohet se sabahu ka lind, Allahu neve na ka urdhëruar që të bazohemi në atë që jemi të bindur, dhe atë se sipas bindjes veprojmë dhe dyshimit nuk i vihet re, dhe prej rregullave të fesë është “Bindja (ajo që është e sigurt) nuk largohet me dyshim” e nga ky rregull kanë nxjerrë fjalën: “Në origjinë është të mbetet ashtu siç ka qenë”, pra në origjinë të mbetet nata dhe gjykojmë se atij i lejohet ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime derisa të sigurohet se ka lindur sabahu, nëse tek ai nuk është e qartë asgjë, fle e pastaj zgjohet, në këtë rast themi: në origjinë dhe në përgjithësi ai llogaritet të jetë në natë derisa të sigurohet se nuk ka qenë ashtu, atëherë kërkohet nga ai të kompensojë.

E dyta: Të jetë e qartë për të nata apo dita. Këtu i kemi dy raste:

Rasti i parë: Të han dhe të pi,  e më pas i bëhet e qartë se sabahu nuk ka lindur ende, për shembull, nëse njeriu zgjohet dhe ushqehet duke menduar se ende është natë e pastaj ka shikuar orën apo ka dëgjuar ezanin e parë, e i bëhet e qartë se sabahu nuk ka lindur, në këtë rast sipas konsensusit të dijetarëve të ushqyerit dhe agjërimi i tij është i saktë, ngase është ushqyer në kohë që është e lejuar fetarisht.

Rasti i dytë: Të bëhet e qartë për të se sabahu ka lindur. Shumica e dijetarëve thonë se ai duhet të kompenson atë ditë, se Allahu i Madhëruar ia ka obliguar atij të abstenon që nga lindja e sabahut e deri në perëndim të diellit, e ky në fakt nuk ka abstenuar që nga lindja e sabahut, për atë detyrohet të kompensojë. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve, Allahu i mëshiroftë, sepse ai ishte neglizhent dhe si pasojë e neglizhencës së tij detyrohet të kompensojë.

Tema e shtatë nga: KAPITULLI MBI AGJËRIMIN E MUAJIT TË RAMAZANIT

Përktheu: Shpend Zeneli

Marrë nga libri: “Zadul Mustekni” me shpjegim të Shejh Muhamed Muhtar Shenkiti

0 1566

A e din cila datë është sot?
Sot është data… pse a ka ndonjë problem?
A e din pas sa ditëve do të jetë dita e parë e Ramazanit?
Mendoj do të jetë me…
Qëndro me mua disa minuta dhe merr një fletë të bardhë e një laps dhe përgjigju pyetjeve në vijim:

1- Sa ditë ke agjëruar për Allahun (azze ue xhel-le) pas Ramazanit?
2- Sa herë ke bërë hatme Kur’anin pas Ramazanit?
3- Sa namaze të sabahut ke falë dhe sa të kanë ikur pas Ramazanit?
4- Sa herë ke ndërtuar për veten shtëpi në Xhennet duke falur 12 rekatet sunnet pas Ramazanit?
5- Sa herë ke hapur një libër të Tefsirit (komentimit të Kur’anit), apo je ndalur për ta medituar ndonjë ajet?
6- Sa herë ke dhënë sadaka-lëmoshë pas Ramazanit?
7- Sa herë ke hy në xhami ditën e xhuma një orë para imamit, apo dy – pas Ramazanit?
8- Sa herë e ke vizituar farefisin tënd pas Ramazanit?
9- Sa libra ke lexuar pas Ramazanit?
10- Sa herë ke falur namaz nate pas Ramazanit?
11- Sa herë ke fjetur pasi e ke falur namazin e vitrit pas Ramazanit?
12- Sa herë je ulur në xhami ta përmendësh Allahun derisa të lindë dielli – pas Ramazanit?

Shkruaj përgjigjet dhe pasi të përfundosh shiko në fletën tënde mirë, se ti do të shikosh të ngjashme si kjo kur do të shfaqet në Ditën e Gjykimit.  Çka do të thuash?
A do të thuash: a) “Qoftë Lartësuar Allahu, i cili na ka udhëzuar në këtë, ne nuk do të ishim të udhëzuar sikur Allahu të mos na kishte udhëzuar.” (A’raf, 43)
b) “Ku është ai fat të isha përgatitur në jetën time!” (Faxhr, 24)

Mirë. Ktheje fletën në anën tjetër dhe përgjigju në pyetjet e radhës:

1- Sa herë ke përgojuar pas Ramazanit?
2- Sa herë je hidhëruar dhe nuk je përmbajtur?
3- Sa herë e ke fyer dikë?
4- Sa herë ke lënë namazin e sabahut, pas Ramazanit?
5- Sa herë ke hidhëruar prindërit e tu, pas Ramazanit?
6- Sa herë ke qenë i vrazhdë në kritika ndaj të tjerëve?
7- Sa herë ke hyrë në polemika që nuk ke pasë dobi prej tyre?
8- Sa herë ke harruar dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes?
9- Sa ndeshje sportive dhe filma serik ke përcjell?

Shkruaj përgjigjet dhe shiko në fletë dhe krahaso mes dy anëve të fletës, dhe ndalu një moment… Nëse vërtetë je mospërfillës dhe neglizhent në nënshtrimin ndaj Allahut, dhe je i dhënë pas mëkateve, ma jep besën se edhe unë do ta jap besën që do ta thërrasim njëri-tjetrin që ta shfrytëzojmë kohën që na ka mbetur deri në Ramazan, me adhurim dhe vepra të mira, njëkohësisht pakësim të mëkateve ashtu që të vij muaji dhe ne jemi duke vazhduar në adhurime, me shpresë se do të jemi prej atyre që lirohen nga zjarri i Xhehnemit në natën e parë prej netëve të Ramazanit.
Shmangu nga “do ta bëje” dhe fillo me adhurime të lehta që mundesh t’i ruash e më pas vazhdo t’i shtosh ngadalë pasi të jesh i sigurt në kryerjen e tyre.

Fillo të agjërosh një ditë në javë pastaj shtoi ngadalë, Mundohu që një herë në javë të japësh nga-pak lëmoshë. Vizito të afërmit e tu apo telefonoji të paktën, mos i harro namazet vullnetare gjatë natës, qoftë edhe vetëm dy rekate. Mos e privo veten nga shikimi në mus’haf qoftë duke lexuar edhe vetëm dy ajete.

Allahu na mundësoftë ta arrijmë Ramazanin duke bërë adhurime.

Përktheu: Valdet Kamberi

www.albislam.com

NA NDIQNI NË