Arhiva DitoreJan 11, 2015

0 1508

Lavdërimi i takon Allahut i cili ka thënë: “E, për atë që i pat frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhennete.”[1]Allahu dërgoftë lavdërimet dhe bekimet e Tij mbi të Dërguarin e Ti, i cili ka thënë: “Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”[2] Dhe Allahu qoftë i kenaqur me sahabët, të cilët kur e dëgjuan këtë hadith qanë.

Është e drejtë për ne që të kemi frikë nga ajo ditë me të cilën të gjithë ne do të ballafaqohemi. Dita e Rringjalljes është ditë e shqetësimit dhe e keqardhjes së thellë. Është ajo ditë e gjatë dhe kërcënuese në të cilën i gjithë njerëzimi do të qëndrojë para Zotit të tyre. Në atë ditë, frika do ta bëj gruan shtazënë të abortojë barrën! Njerëzit do të jenë sikurse të ishin të dehur, megjithëse ata nuk do të jenë të dehur, porse ashpërsia e dënimit të Allahut do t’i bëjë ata në asi gjendje. Në atë ditë, frika do t’i bëjë të zbardhohen flokët në kokat e fëmijëve të vegjël.

Ne duhet seriozisht të fillojmë të përgatitemi për atë ditë, meqenëse ajo është udhëkryq në udhëtimin e gjatë të ekzistencës sonë. Nga atje, ne do të drejtohemi ose për Xhenet ose për Xhehenem. Ata të cilët hyjnë në Xhenet do të jetojnë aty përjetësisht në lumturi dhe kënaqësi të pasosur, ndërsa ata të cilët hyjnë në Xhehenem do të ballafaqohen me tortura, sikurse njashtu, banorët e Xhehenemit do të kuptojnë për fatkeqësinë e tyre se ata do të kenë jetë të përhershme aty.

Megjithatë, ne duhet të kemi mendim të mirë për Zotin tonë. Mëshira e Tij është me të vërtetë e gjerë për ata të cilët besojnë sinqerisht në Të dhe e adhurojnë sinqerisht, sikurse njashtu mëshira e Tij gjithmonë e paraprinë hidhërimin e Tij.

Pejgamberi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë se: “Allahu është më i Mëshirshëm ndaj nesh, se sa një nënë e përkushtuar që është ndaj fëmijës së saj të porsalindur.”[3]

Frika që e kemi nga Dita e Ringjalljes duhet të na motivojë të jemi më të përkushtuar në ibadet dhe më të gatshëm për t’u angazhuar në vepra të mira. Duhet të falemi dhe të agjërojmë më shpesh dhe të ripërtërijmë përpjekjet tona për të bërë Haxhin. Duhet të sillemi mirë me familjarët tanë dhe të shfaqim dashamirësi ndaj prindërve tanë. Ekzsitojnë mënyra të ndryshme për të bërë mirë.

E njëjta frikë duhet të na ndihmojë që të largohemi nga gjunahet dhe nga mosrrespektimi i Allahut. Kjo frikë, pastaj do të ketë vërtetë efekt pozitiv tek ne. Nuk është frikë negative që na bën joaktivl dhe të pashpresë në mëshirën e Allahut.

Aktivitetet që do t’i përmendim në vijim janë shumë të dobishme për të ndihmuar muslimanin të përgatitet për atë ditë të vështirë,  “Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e All-llahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre..”[4]

  1. Duhet të lexojmë Kuranin dhe të meditojmë në domethëniet e tij. Duhet t’i kemi parasysh vendimet e tij dhe të çmojmë të mirën të cilën na e premton si dhe paralajmërimet të cilat na i jep!
  2. Duhet të lexojmë rreth jetës së Pejgamberit, -sal-lallahu alejhi ue selem!-. Duhet të mësojmë se si ai e ka udhëhequr vetveten në nënshtrueshmëri ndaj Allahut dhe si është përmbajtur nga teprimi në kënaqësitë e dunjasë.
  3. Gjithashtu, duhet të lexojmë biografitë e sahabëve dhe të atyre që pasuan pas tyre dhe të shikojmë se si ata janë orvatur të fitojnë suksesin që i premtohet në ahiret.
  4. Duhet të meditojmë  pashmangshmërinë e vdekjes. Duhet të jemi të vetëdijshëm për gjykimet që pasojnë në varr si dhe gjatë rringjalljes. Duhet të përfytyrojmë veten duke qëndruar para Allahut, më të Saktin dhe më të Drejtin e gjykuesve. Duhet të mendojmë për urën të cilën duhet ta kalojmë në mënyrë që të arrijmë shpëtimin, urë prej të cilës shumë do të rrëshqasin dhe do të bien në shkatërrim. Duhet të mendojmë për lumturinë që do ta shijojnë njerëzit e Xhenetit, si dhe të mendojmë për vuajtjen dhe pikëllimin e banorëve të zjarrit.

Kemi nevojë të mbajmë në mend gjithmonë se vdekja mund të na vijë në çdo moment. Si duam ta takojmë Zotin tonë?! A duam ta takojmë në gjendje mirësie dhe nënshtrimi apo ta takojmë gjersa jemi të angazhuar në mëkate? Ibn Umeri rrëfen se Pejgamberi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, një herë e vendosi dorën e tij në shpatullën e tij dhe i tha: “Ji në këtë botë sikur të ishe një udhëtar ose një i huaj duke kaluar.” Për këtë shkak, Ibn ‘Umeri shpesh thoshte: “Kur të ngrysesh mos e prit agimin e kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Përfito nga shëndeti yt para se të sëmuresh dhe përfito nga jeta jote para se të vdesësh”[5]

  1. Ne kemi nevojë të bëjmë studime serioze në rrugën e kërkimit të dijës islame. Kur ne mësojmë sa më shumë njohuri për fenë tonë, jemi më të vetëdijshëm për Allahun dhe më të frikësuar prej Allahut. Allahu thotë: “Në të vërtetënga robëriteTij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët” (Fatir, 28)
  2. Duhet të shoqërohemi me njerëz të devotshëm, veçanërisht ata të cilët kanë dituri islame dhe ata të cilët janë të angazhuar në thirrjen e të tjerëve në Islam. Gjithashtu, duhet t’i shmangemi shoqërisë së njerëzve mëkatarë dhe të pandershëm. Shoqëria e mirë na ndihmon t’i pastrojmë zemrat tona. Gjithashtu, gjejmë përkrahje tek këta njerëz për përpjekjet e tona për të bërë atë që është e drejtë. Dhe anasjelltas, shoqëria e keqe na i ngurtëson zemrat. Njerëzit e pamoralshëm na nxisin të bëjmë vepra imorale. Gjithashtu, kur zemrat tona ngurtësohen, ne largohemi nga Allahu dhe lidhemi më shumë me gjërat e dunjasë.
  3. Duhet të mbajmë në mend gjithmonë se kjo botë është vendbanim i përkohshëm. Ata të cilët kënaqen me kënaqësitë e kësaj bote nuk do të jenë në gjëndje t’i marrin ato kënaqësi me vete. Ata kanë për t’i marrë me vete vetëm veprat e tyre. Allahu thotë: “Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë All-llahu është i mëshirshëm ndaj robërve.”[6]

Pa marrë parasysh se sa e mrekullueshme mund të na duket kjo botë, në të vërtetë është mjaft e pavlerë. Pa marrë parasysh se sa e përhershme që mund të duket tani, ajo është e shkurtër sikur një natë që duhet të përfundojë me agimin tjeter. Jeta jonë e kësaj bote do të përfundojë në varr.

Pejgamberi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë: “Jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është sikur ndonjëri prej jush të fus gishtin e tij në oqean dhe ta nxjerrë prap, e mëpastaj të krahasojë ujin që mbetet në gishtin e tij dhe ujin që mbetet në oqean.”[7]

  1. Së fundi, duhet të kalojmë më shumë kohë në lutje të sinqerta drejtuar Zotit tonë. Duhet t’i lutemi Atij që të na e bëj ahiretin më të dashur për neve dhe të jemi më pak të dhënë pas dunjasë. Duhet t’i lutemi Atij që të na e dhurojë Xhenetin dhe kënaqësitë e tij,  sikurse edhe të na ruajë nga hidhërimi i Tij. Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe i përgjigjet lutjeve tona.

Përktheu nga anglishtja: Nazlije Maliqi

[1] Kurani, Err-Rrahman: 46

[2] Shënon Buhariu në “Sahih” (4621, 6486, 7295) dhe Muslimi në “Sahih” (2359)

[3]  Shënon Buhariu në “Sahih” (5999) dhe Muslimi në “Sahih” (2754)

[4] Kurani, Gafir: 16

[5] Shënon Buhariu në “Sahih” (6416)

[6] Kurani, Ali-Imran: 30

[7] Shënon Muslimi në “Sahih” (2858)

0 1931

Prej shkaqeve kryesore që e pengojnë njeriun nga namazi i natës, janë këto:

            E para, haja e tepërt; Nëse njeriu han pak, atëherë trupi i tij përforcohet për namaz të natës, ngase gjallërimin e natës nuk e arrin askush përpos atij që është i vendosur t’i bëjë ballë urisë. Kësisoj ka pasë thënë Sufjan Eth-Thevri, -rahimehullah!-: “Me haje të pakët do të arrish të qëndrosh natën zgjuar!”. I Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka preferuar të hamë pak: “Njeriu nuk ka mbushur enë më të keqe se sa barku i tij; I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata, aq sa të mbajë drejtë korrizin. E, nëse ai gjithsesi do të bëjë të vetën, atëherë le të veproj kësisoj: një të tretën (e barkut të tij ta lëjë) për hajën e tij, një të tretën për pijën e tij dhe një të tretën për frymëmarrje!”.[1] Nivelet e të ushqyerit janë tri: I pari është niveli i nevojshmërisë; I dyti, i mjaftueshmërisë, dhe; I treti, i tepricës. E, i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, na e bëri të qartë se i mjaftojnë njeriut disa kafshata sa për të mos rënë fuqia e korrizi i tij, e kësisoj të dobësohet; E, po qe se e tejkalon këtë masë, pra më shumë se sa veçse disa kafshata, atëherë të lëjë një të tretën për ujë, e pjesën tjetër për frymëmarrje. Ibën Kajjimi, -rahimehullah!-, ka thënë: “Kjo është realisht më e dobishmja për trupin dhe zemrën, ngase po qe se e stërmbush barkun me ushqim, atëherë ngushtohet vendi për ujë, e kur të merr mëpastaj ujë, do të ngushtohet edhe më shumë për frymëmarrje, e që krejt kjo i shkakton mundim dhe lodhje, po sikur të bartë diçka të rëndë. Gjithashtu kjo i shkakton ngurrtësim zemrës, dembelim gjymtërëve për të bërë vepra të mira dhe i jep stimul për epshe. Pra mbushja e barkut me ushqim është e dëmshme për trupin dhe zemrën, po madje është e dëmshme edhe për fenë, dunjanë dhe ahiretin!”

            E dyta, lodhja e trupit gjatë ditës me punë të mundimshme, të cilat mëpastaj e tërheqin gjumin.

            E treta, braktisja e gjumit pasdreke, e cila vepër është një sunet nëpërmjet të cilit përforcohesh për të falë namaz të natës. E, nëse njeriu është prej atyre që nuk falen natën, ndoshta në kohën e pasdrekës nëse nuk bën gjumë, do të rrijë me njerëz të shkujdesur, e do të bëjë biseda me ta, pra për të këtillin gjumi është më i mirë nëse s’e kalon kohën në dhikër e punë të mira, ngase në gjumë është qetësia e paqja, ashtu siç ka thënë dikush nga të parët tanë: “Do t’u vijë një kohë njerëzve, në të cilën heshtja dhe gjumi janë dy nga veprat më të mira të tyre!” Sufjan Eth-Thevri, -rahimehullah!-, ka thënë: “Ishin që kur mbaron punët, preferonin të bënin gjumë duke kërkuar kësisoj qetësi e paqë; Ngase gjumi me qëllim që të qetësohesh dhe pastaj të falësh namaz nate, është në vetvete ibadet që me të afrohesh tek Allahu!”

            E katërta, bërja e mëkateve gjatë ditës, e cila çon në ngurrtësimin e zemrës, e që rrjedhimisht bëhet pengesë mes tij dhe mes mëshirës. Një burrë i tha Hasan El-Basriut: “O babai i Seidit! Unë bëj gjumë shëndosh e rahat dhe e dua namazin e natës; E, megjithëse e bëj gati edhe ujin për abdes, prapseprapë nuk po arrij dot të zgjohem të bëj namaz të natës?! Atëherë ai i tha: “Mëkatet e tua të kanë lidhur!”. Sufjan Eth-Thevri, ka thënë: “Për pesë muaj rresht u privova nga namazi i natës, vetëm e vetëm për një mëkat që e pata bërë!” I thanë: “Po çfarë mëkati pate bërë?!” Ai tha: “E pashë një njeri duke qarë, e thash ndër vete se ky e bën këtë sa për syefaqe!” Gjithashtu ka thënë: “E, njeriu mbase e bën një mëkat, e për atë mëkat privohet nga namazi i natës!” Mëkatet lënë si trashigimi ngurrtësimin e zemrës dhe të pengojnë nga namazi i natës, e më specifike për nga efekti negativ që ka në këtë drejtim si mëkat, është ngrënia haram. Sikurse kafshata hallall që ndikon në dëlirësimin e zemrës dhe lëvizjen e saj kah e mira, anasjelltas është edhe e keqja. Një nga të parët tanë kishte thënë: “Me të vërtetë robi mbase e hanë një kafshatë haram apo bën një veprim haram, e për të privohet nga namazi i natës për një vit të plotë!”.

           

Marrë nga: El-Alameh Shejh Muhamed Es-Sefarinij El-Hanbelij,

“Sherh thulathijat musnedil-imam ahmed”, El-Mekteb el-Islamij, vëll. i dytë, f. 574-576

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

[1] Sahih – Shënon Tirmidhiu në “Xhami” (2380), Ibën Maxhe në “Sunen” (3349), etj. E ka vlerësuar për sahih Shejh Albani në “Sahihut-Tirmidhij” (1939).

0 55908

– Me trafikim të qenieve njerëzore nënkuptojmë shfrytëzimin e njeriut, mashkull apo femër, për arsye përfitimi nga ana e kriminelëve. Trafikantët keqdashës e fillojnë procesin e trafikimit së pari duke grabitur një person, pastaj duke i dhënë premtime të rrejshme dhe në fund me metodat e tyre joshëse dhe të ç’njerëzishme i shfrytëzojnë dhe i skllavërojnë. Statistikat tregojnë se mbi 10 milionë qenie njerëzore vuajnë në skllavëri në mbarë botën për shkak të trafikimit të tyre.

– Trafikuesit e qenieve njerëzore ndaj një viktime ushtrojnë dhunë psikike, fizike, shpirtërore, seksuale, ekonomike etj. Shkaqet e trafikimit në raport me viktimat janë:

  1. Varfëria ekonomike,
  2. Dhuna psikike,
  3. Dhuna fizike,
  4. Mungesa e shkollimit,
  5. Dukuritë dëmtuese etj.

Shkaqet e trafikimit në raport me trafikantët janë:

  1. Përfitimi,
  2. Rritja e mangësive/varfërisë,
  3. Dënimet e vogla për trafikantët,
  4. Kufijtë e brishtë dhe komunikimi teknologjik etj.

Ndërkaq, shkaqet e trafikimit në raport me shoqërinë, janë:

1.Ekonomia në tranzicion,

  1. Migrimi femëror,
  2. Diskriminimi mbi baza gjinore,
  3. Zhvillimi i industrisë seksuale,
  4. Politika e integrimit etj.

– Të dyja gjinitë bien viktimë e trafikimit, e në veçanti femra. Trafikantët e keqtrajtojnë dhe torturojnë femrën për interesa të ndryshme; shumë prej tyre e trajtojnë femrën si një objekt seksi, duke e zhvilluar me të prostitucionin. Trafikantët synojnë që t’i privojnë njerëzit nga liria e besimit, shkollimit, punësimit, përparimit, zhvillimit dhe që t’i zhveshin nga morali dhe dinjiteti, vetëm e vetëm që t’i përmbushin interesat e tyre të ç’njerëzishme, degraduese dhe skllavëruese. Dhe harrojnë se njeriu është krijesa më e nderuar nga Krijuesi, e cila meriton të jetojë e lirë, larg çdo robërimi, trafikimi, torturimi dhe dhunimi.

T’I THEMI NDAL TRAFIKIMIT, QË TË JETOJMË ME DINJITET !

Autor: Labinot Kunushevci
Redaktor fetar: Hoxhë Fadil Musliu
Redaktor gjuhësor: Avni Tafili

0 1812

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili na urdhëroi që të kapemi për litarin e Tij dhe na ndaloi prej përçarjes dhe kontradiktave: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë” Ali Imran 101. Dëshmoj se nuk i takon me të vërtet adhurimi askujt përveç se Allahut, i cili është një dhe nuk ka shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, dhe dëshmoj se është njeriu me moral më të lartë dhe me zemër më të mirë dhe më të shëndoshë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju njerëz frikojuni Allahut dhe dijeni se ju jeni vëllezër në Fe dhe se kjo vëllazëri dhe lidhje fetare është më e fortë se çdo lidhje tjetër. Ditën e Kiametit nuk ka dhe nuk vlen lidhja familjare mes jush por atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun. Realizoni këtë vëllazëri me dashuri dhe afërsi mes jush, dojani njëri tjetrit të mirën dhe bashkëpunoni në të, veproni vepra të cilat e përforcojnë këtë lidhje dhe e kultivojnë atë dhe largojuni veprave të cilat e dobësojnë atë lidhje dhe e mangësojnë atë. Një Umet nuk mundet të jetë Umet dhe në të të ketë fuqi deri sa nuk bëhet ashtu siç e ka përshkruajtur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në thënien e tij: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa,  pjesët e të cilës mbajnë  fort njëra-tjetrën”.

O ju vëllezër, Allahu për ju e ligjësoi atë që e përforcon unitetin e juaj dhe e kultivon dashurinë mes jush dhe e largon armiqësinë dhe përçarjen e ajo është dhënia e selamit mes jush. Selami pra mbjell dashuri dhe afërsi, kurse braktisja e kontaktit mes jush sjell armiqësi dhe ashpërsi. Nëse e takoni njëri tjetrin përshëndetuni mes jush dhe më të mirët nga ju janë ata që fillojnë të parët me selam dhe ai që ia kthen selamin le t’i përgjigjet me fytyrë të buzëqeshur dhe me përgjigje që dëgjohet.

Allahu për ju e ligjësoi poashtu edhe vizitën e njëri tjetrit kur të sëmureni. Vizita e të sëmurit sjell dashuri dhe e zbut zemrën, e shton besimin dhe sjell shpërblime. Kush e viziton një të sëmurë e thërret një thirrës nga lart qiellit “U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë xheneti!”. Kush e viziton vëllaun e vet musliman vazhdon të jetë në hurfet e xhenetit deri sa të kthehet nga vizita e të sëmurit. I thanë o i Dërguar i Allahut: çka janë hurfet? Tha: “frytet e xhenetit”. Kush viziton një të sëmurë  pëlqehet që ti qëndron te koka dhe ti jep gajret e ta qetëson me fjalë të mirë dhe të këndshme, duke i uruar shërim dhe jetëgjatësi. Kjo vepër ia ngrit moralin dhe e forcon shpirtërisht. Është mirë që vizituesi të kërkon lutje prej të sëmurit, sepse lutja të cilën e bën i sëmuri për vizituesin i ngjan lutjes së melaqeve. Mirë është që t’ia rikujton pendimin dhe ta nxit që kohën ta shfrytëzon në lexim të Kuranit, dhikrit dhe istigfarit dhe ti tregon se si duhet të pastrohet me ujë apo tejemum, si ta falë namazin, e si ta len porosinë, për arsye se shumë nga të sëmurët nuk i dinë këto rregulla dhe dispozita.

Allahu për ju ligjësoi poashtu përmisimin mes njerëzve. Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve”. Nisa 114. Me një hadith ka ardhur se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë Ebu Ejubit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “A dëshiron të tregoj për një tregti”. Ebu Ejubi iu përgjigj: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Të shkosh dhe ti përmisosh njerëzit nëse ata janë përçarë mes veti dhe ti afrosh ata mes tyre nëse janë larguar njëri nga tjetri”.

Njeriu kur vëren se mes dy vetave ka armiqësi dhe përçarje mirë është që të merr iniciativë që ta largon atë armiqësi deri sa atë ta shndërron në shoqëri dhe largësinë mes tyre në afërsi dhe në këtë rast do të fiton shumë mirësi dhe shpërblim të madh.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ua ligjësoi që kur ta dëgjoni një musliman që teshtitë të thotë “Elhamdulilah- Falënderimi i takon Allahut” ju t’ia ktheni atij me “Jerhamukallah- Allahu ju mëshiroftë” që në fund ai t’ua kthen dhe t’ju thotë “Jehdikumullahu ue juslih balekum- Allahu ju udhëzoftë dhe gjendjen e juaj e përmisoftë”.

Poashtu ua ligjësoi dhurimin e dhuratave mes jush dhe na lajmëroi se dhurata është shkak për largimin e zemërimit dhe sjell dashuri. Pra çdo gjë që sjell lidhje dhe unitet mes muslimanëve është e ligjësuar të veprohet dhe duhet të kapemi për të.

Në anën tjetër i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ndaloi nga çdo gjë që i përçan dhe i largon muslimanët mes veti. E ndaloi që të distancohet vëllau musliman nga muslimani më shumë se tre ditë, t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe mos ta përshëndesin mes veti njëri-tjetrin për arsye se armiqësia mes tyre në këtë mënyrë nuk do të largohet po vetëm se do të shtohet. Kjo sjellje padyshim se është e qortuar dhe nuk është e pranuar mirëpo e shohim se  shejtani luan me disa njerëz derisa i shpien në këtë vepër edhe pse ndoshta ata janë njerëz që e dojnë hajrin dhe janë njerëz të kapur për fe mirëpo shejtani i mashtron dhe fillojnë që të distancohen njëri nga tjetri edhe atë për çështje personale apo për interesa të dynjasë dhe harrojnë se Islami është më i vlefshëm se çdo gjë personale dhe dobi të dynjasë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rreth kësaj tha se: “ “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotojë vëllanë e tij musliman më tepër se tre ditë. Nëse e bojkoton atë më shumë se tre ditë dhe vdes në këtë gjendje hyn në zjarr”.

Dhe poashtu tha: “Çdo të hënë dhe të enjte prezantohen veprat e robit dhe Allahu ia falë në ato ditë çdo robi që nuk i ka përshkruajtur shok dhe ortak Allahut përveç se atij i cili ka mosmarrëveshje me vëllaun e vet musliman dhe Allahu thotë leni ata dy derisa të pajtohen mes tyre”.

Largimi i muslimanit nga muslimani pra është i ndaluar përveç se nëse ai është mëkatar që i shfaq ato në publik dhe për atë ligjësohet nëse në largimin nga ai ka dobi që të largohen muslimanët një periudhë me qëllim që t’i largohet mëkateve apo t’i pakëson ato.

Sheriati i Allahut ka ardhur me ndalesë sa i përket bartjes së fjalëve dhe ecjes në mesin e njerëzve me qëllim të shpërndarjes së tyre dhe futjes urrejtje në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk hyn në xhenet ai që bart fjalë”.

Sheriati i Allahut poashtu ndaloi nga sharja dhe fyerja për arsye se kjo shpien deri në armiqësi dhe urrejtje.

O ju besimtarë, afrohuni mes veti dhe largoni armiqësitë dhe urrejtjet mes jush dhe bëhuni robër të Allahut vëllezër mes jush.

Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. Huxhurat 10.

SHEJH DR. SALIH EL HUMEJD

Nga arabishtja: Irfan JAHIU 

NA NDIQNI NË