Arhiva DitoreJan 14, 2015

0 6786

Çështje e rrezikshme të cilën e kanë anashkaluar shumë njerëz. Nëse mungon ose dobësohet  veprat tona shndërrohen në hi, bëhen të pavlefshme pa ndikim të prekshëm në realitetin njerëzor. Atëherë kur kjo çështje është e pranishme shihet qartë ndikimi i saj. Bëhet fjalë për sinqeritetin, për çiltërsinë e veprave.

Allahu, i Lartësuari na ka urdhëruar  me sinqeritet në praktikimin e fesë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit)” (El Bejjine, 5)

I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, na ka treguar qartë se Allahu, subhanehu ue teala, nuk pranon prej veprave përveç asaj që është e sinqertë dhe synohet me të kënaqësia e Allahut. Ebu Umame El Bahili, radijallahu anhu, rrëfen: Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut dhe e pyeti: Ai që kërkon shpërblim dhe të përmendet çfarë ka për të (prej shpërblimit)? I Dërguari u përgjigj: Asgjë. Pasi që tre herë e përsëriti të njëjtën pyetje, përgjigja ishte e njëjtë: Asgjë. Në fund shtoi: Allahu nuk pranon prej veprave përveç asaj që është sinqerisht për të dhe me të cilën synohet kënaqësia e Tij. (Transmeton Nesaiu dhe Albani e vlerëson si hasen).

Në një hadith tjetër kudsij të transmetuar nga sahabiu Ebu Hurejre, radijallahu anhu, Allahu subhanehu ue teala, thotë: Unë jam ai që më i panevojshmi për tu barazuar dikush me mua. Kush e bën ndonjë vepër në të cilën më barazon mua me dikë tjetër e lë atë dhe shirkun e tij. (Muslim)

Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, ka shkruar: Ihlasi është vetë feja të cilën e pranon Allahu, subhanehu ue teala. Me këtë janë dërguar të parët dhe të fundit prej të Dërguarve, me detyrën e  ihlasit janë zbritur gjitha librat, gjithë imamët janë të pajtimit se ihlasi është thelbi i thirrjes pejgamberike. Ihlasi është boshti rreth të cilit sillet çdo çështje e fesë. (Et Tuhfe El Irakije)

Vepra e vogël në të cilën ka sinqeritet jep frytet e saj, shtohet dhe është e vazhdueshme. Në të njëjtën kohë vepra e madhe në të cilën janë investuar shumë mund dhe resurse, nëse nuk është e sinqertë, nuk i jep frytet e saj dhe nuk është e vazhdueshme. Është thënë: Ajo që është për Allahun do vazhdojë ndërsa vepra që nuk është për Allahun do të zhduket dhe nuk do të vazhdojë.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Puna pa sinqeritet dhe ndjekje te sunnetit është si njeriu që thesin e mbush me dhe e mban për së rëndi duke mos pasur dobi prej tij. (El Fevaid, 67)

Fudaj ibn Ijadi në komentin e ajetit: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë…” (El Mulk, 2) tha: Ajo është vepra më e sinqertë dhe më e saktë. Nëse vepra bëhet si duhet por nuk është e sinqertë nuk pranohet. Nëse është e sinqertë por nuk është e saktë nuk pranohet. E sinqertë është kur është për Allahun, e saktë është nëse është në pajtim me sunnetin. Pastaj e lexoi ajetin: “Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (El Kehf, 110)-Medarixhu Salikin, 2/93.

Mekhuli ka thënë: Ai që e ruan sinqeritetin dyzet ditë në gjuhën e tij do të shfaqen urtësitë nga burimet e zemrës.

Sinqeriteti ka frute të mëdha dhe dobi të shumëfishuara prej tyre janë:

Është kushti i pranimit të veprave dhe fjalëve

Është kusht i pranimit të lutjeve.

Sinqeriteti ngrit pozitën e njeriut në dynja dhe ahiret.

E largon njeriun nga cytjet dhe iluzionet.

E liron njeriun nga nënshtrimi ndaj tjetërkujt përveç ndaj Allahut.

Forcon lidhjet shoqërore.

Ndihmon në tejkalimin e vështirësive

Ndihmon në qetësimin e njeriut dhe i mundëson të shijojë lumturinë e vërtetë.

Lehtëson arritjen te bereqeti

Forcon imanin e njeriut dhe e vetëdijson për dëmin e shirkut dhe mëkateve.

Allahun e lusim për sinqeritet në fjalë dhe vepra, Ai dëgjon çdo gjë, sheh çdo gjë dhe u përgjigjet lutjeve që i bëjnë njerëzit.

www.alimam.ws

Përktheu: M-r. Talha Kurtishi

0 1730

Kush e braktisë një gjë për hir të Allahut, i jipet si kompenzim diçka edhe më e mirë

Epshet janë të atilla: në shpirtërat e njerëzve posedojnë një forcë, kurse në zemrat e tyre mund të kenë madje edhe pushtet; Ska mëdyshje se lënia e epsheve është krenari, porse të realizosh këtë çlirim nga to është vërtetë gjë e vështirë, po megjithatë, ai që frikësohet nga Zoti i vet dhe vetëm Atij i kërkon ndihmë, do t’i mjaftojë Allahu dhe ka për ta ndihmuar atë. I Lartësuari, ka thënë: “…Kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij”[1] Ska dyshim se në lënien e ëndjeve e tekave do të gjejë vështirësi ai që i braktisë ato jo për hir të Allahut, përkundër atij që i lë ato me një sinqeritet të kulluar vetëm për hir të Allahut, ai do të gjejë vështirësi vetëm në herën e parë, aq sa të sprovohet në është i njëmendtë e i sinqertë apo rrenacak në këtë lënie. E, nëse duron pak kur të përballet me atë vështirësi, ka për të përfituar kënaqësinë e asaj braktisje, e si rrjedhojë gjithherë sa i shmanget atij harami, megjithë mundësinë dhe shancet për ta bërë, atij i rritet shpërblimi për këtë braktisje të mëkatit, sikurse i shumëfishohet sevapi për luftën që bën me vetvetën për t’u rahatisur nga ai haram.

Ja disa shembuj për rastet në të cilat, nëse braktistet diçka për hir të Allahut, Allahu ia kompenzon lënësit gjëjën e braktisur me diçka edhe më të mirë:

–       Ai që largohet nga të qenit lypës dhe lutus tek njerëzit, i kompenzohet kjo me diçka shumë më të mirë: furnizohet me krenari dhe mosvarësi nga njerëzit.

–       Ai që e braktisë pakënaqësinë me caktimin e Allahut, e si rrjedhojë i dorëzohet në çdo çështje Zotit të vet, do t’ia kompenzojë Zoti pakënaqësinë me kënaqësi dhe bindje.

–       Kush e braktisë shkuarjen tek falltarët dhe magjistarët, furnizohet me durim, tevekul të denjë dhe e realizon tevhidin.

–       Kush e braktisë lakminë për dunjanë, atij Allahu ia rregullon punët, e bën të pasur në zemër dhe i dhuron dunjanë.

–       Kush e lë gënjeshtrën dhe i përkushtohet të vërtetës, bëhet tek Allahu i sinqertë e i vërtetë.

–       Kush e lë polemikën, edhe nëse ai është në të vërtetën, i garantohet një shtëpi në xhenet.

–       Kush e braktisë mashtrimin në shitblerje, iu shtohet njerëzve besimi në të dhe si rrjedhim edhe interesimi për artikujt dhe mallin e tij.

–       Kush e lë kamatën dhe pasurinë e fëlliqur, Allahu ia kompenzon atë me begati në rriskun e tij, ia hapë dyert e hajrit dhe bereqetit.

–       Kush e braktisë shikimin në haram, i jipet largëpamësi e vërtetë dhe kënaqësi të cilën e gjenë në zemër.

–       Kush e lë koprracinë dhe nuk bëhet i dorështrënguar, e si rrjedhojë bëhet bujar e dorëlëshuar, do ta duan njerëzit, do të afrohet tek Allahu e do të jetë më afër xhenetit.

–       Kush e lë mendjemadhësinë e bëhet modest, do t’i rritet vlera, nami e vlera.

–       Kush e lë gjumin me gjithë kënaqësinë që ka, e zgjohet për të falë namaz për hir të Allahut, do ta furnizojë Allahu me gëzim, gjallëri, energji dhe ndjenien e të qenit afër Allahut.

–       Kush i lë duhanin, drogat dhe alkoolet, do ta ndihmojë Allahu dhe do t’ia kompenzojë këto me shëndet dhe lumturi.

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Medine, 02.11.2012

[1] Kurani, Et-Talak: 3

0 4374


Hamdin ia kushtojmë Allahut, i Cili na e qartësoi udhën e drejtë! Me të vërtetë, na mjafton Allahu që të mbështetemi tek Ai dhe të shpresojmë në mëshirën e Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, i pa ortak, i Cili i di sekretet dhe përshpëritjet e gjithkujt; Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, i cili është pejgamber i zgjedhur, e arab. O Allah! Lavdëroje dhe shpëtoje Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij!

            Më tej: O robër të Allahut! Me të vërtetë dëlirësia dhe çiltërsia e akides së muslimanit nis në mbështetjen e tij tek Allahu, shpresën tek Ai për t’ia rregulluar punët, mbështetjen e tij të plotë tek Zoti Fuqiplotë për të përfituar të mira, për të larguar fatkeqësi dhe për të kërkuar strehë tek Ai, sikurse edhe në raste vështirësie duke demonstruar nevojën e Tij për Allahun, duke i kërkuar ndihmë vetëm Atij. Ky pra është Sheriati që zbriti nga qielli, e të cilin e kumtoi i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, tek të gjithë popujt. Ai i cili ec në këtë menhexh dhe e pason shtegun e tij, e arrin lumturinë dhe shpresën për të shpëtuar. E, gjithsecili që e ndrron dhe e ndryshon këtë udhëzim dhe niset të ecë në rrugë e shtigje të tjera, e jo nga ajo që e ka shpallur Allahu i Madhërishëm, e që na e ka mësuar i Dërguari i Tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, do të bëhet helaq me degjerim e humnerë, fjala vjen, humbje e degjerim në akide, që manifestohet me përplasjet që pëson i tilli me epshet dhe zhytjen nëpër trazira, e ndër cilat trazira janë hajmalitë, të cilat i lidhin nëpër qafë a tjetërkund nëpër trup, duke pretenduar se ajo e shmangë të keqën, e ruan nga msyshi dhe sjell hajër. Sikurse prej këtyre katastrofave është shkuarje në rrenacakë e falltarë, të cilët të vetmin synim e kanë plaçkitjen e pasurive të njerëzve, duke pretenduar e duke i gënjyer njerëzit se gjoja ata e dinë të fshehtën (gajbin), -e që, në të vërtetë të fshehtën nuk e di askush përpos Allahut të Lartësuar!-; Njashtu i rrejnë se gjoja e shohin të ardhmën e tyre, lumturinë, dëshpërimin, lulëzimin apo dështimin e tyre. E, kjo punë ka shkuar deri aty, aq sa njerëzit kanë përfituar bindje në ogurzeza që gjoja ndjellin prapësi e të keqe, e si pasojë kanë pesimizëm përkitazi me disa ditë, si p.sh. me ditën e mërkurë; apo me muaj, si p.sh. me muajin sefer; apo me zogj: si p.sh. me sorrën dhe kukuvajkën; apo me invalidët apo me atë që i dridhet syri i majtë, e me gjëra të tjera që nuk arrij dot t’i numëroj. O robër të Allahut! Krejt këto gjëra janë degjerim e shkatrrim në akide, pra janë devijim i qartë.

قُل لَّن يُصِيبَنَا إِلَّا مَا كَتَبَ اللَّـهُ لَنَا هُوَ مَوْلَانَا وَعَلَى اللَّـهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُؤْمِنُونَ

Thuaj: “Do të na godas vetëm ajo që na e ka caktuar Allahu, Ai është Zoti ynë dhe vetëm te Allahu le të mbështeten besimtarët!”[1]

            Allahu është Ai që e ka krijuar njeriun dhe ia ka caktuar atij furnizimin, exhelin, lumturinë, dëshpërimin dhe gjithçka me të cilën ka për t’u ballafaquar në jetë, qoftë e mirë apo e keqe. Pra, do të kalojë në jetë pikërisht në atë që ia ka përcaktuar Allahu, -azze ue xhelë!-, e nuk do ta ndryshojë këtë kader asesi hajmalia, e as nuskat e fëlliqura, e as që mund ta prishë kaderin rrenacaku falltar, e as që mund të kenë ndikim oguret e pesimistëve dhe tërbimet e devijimit.

            I Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë:“Secilit prej jush i qe mbledhur krijimi në barkun e nënës së vet për dyzet ditë, pastaj shndërrohet në një copë gjaku të mpiksur po për aq ditë, pastaj bëhet si një copë mishi (e shtypur me dhëmballë) po për aq ditë. Pastaj Allahu dërgon një melek, i cili ia fryen atij shpirtin, e, urdhërohet t’i shkruajë atij katër gjëra: ia shkruan riskun, ditën e vdekjes, veprën dhe se a do të jetë i mjeruar a i lumtur.”[2] Kurse në një transmetim tjetër qëndron se: “(Shokët) I thanë: O i Dërguari i Allahut! A të mbështetemi në atë që është shkruar, e të lëmë veprën?! Tha: “Punoni, ngase njeriut i bëhet e lehtë ajo për të cilën është krijuar!”[3]

            Allahu, -xhele ue ala!-, thotë:

مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّـهِ

“Nuk ju godet ndonjë sprovë a fatkeqësi veçse me lejen e Allahut…” Që do të thotë me dëshirën dhe urtësinë e Tij…

وَمَن يُؤْمِن بِاللَّـهِ يَهْدِ قَلْبَهُ

“…e ai që i beson Allahut, ia udhëzon (në rrugë të drejtë) zemrën e tij.”[4]

            Njëri nga imamët e tabiinëve në tefsirin e tij, teksa shpjegonte këtë ajet thoshte: “Bëhet fjalë për një lloj njerëzish që, kur u bie ndonjë sprovë e fatkeqësi, e kuptojnë dhe e dinë mirëfilli se kjo është nga Allahu, e si rrjedhojë i dorëzohen Atij dhe mbeten të kënaqur.”

            Allahu i Lartësuar, ka thënë:

    وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ قُلْ أَفَرَأَيْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ  

 اللَّـهِ إِنْ أَرَادَنِيَ اللَّـهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ كَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِي بِرَحْمَةٍ

هَلْ هُنَّ مُمْسِكَاتُ رَحْمَتِهِ قُلْ حَسْبِيَ اللَّـهُ عَلَيْهِ يَتَوَكَّلُ الْمُتَوَكِّلُونَ

“Nëse ti i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri do të thonë: “Allahu” – Thuaju: “A mendoni për ata që i adhuroni ju përveç Allahut – që mund ta evitojnë të keqen e Tij, nëse Allahu don të ma dërgojë, ose a mund ta pengojnë mëshirën e Tij, nëse Ai don të më dërgojë (atë mëshirë)”. Thuaj: “Më mjafton Allahu. Tek Ai mbështeten ata që kërkojnë mbështetje”.[5]

            Kurani Fisnik dhe Suneti i të Dërguari të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e kanë sqaruar rrugën e shpëtimit për atë që ia vë veshin dhe përudhet me dritën e tyre. Andaj, -o robër të Allahut!-, ju këshilloj që t’i keni frikë Allahut, e të mbështeteni tek Ai me një mbështetje të vërtetë e të denjë, duke u strehuar tek Ai për kërkimin e së mirës dhe shmangien e së keqës. Pra, kjo është feja e vërtetë, e kjo është akideja e saktë dhe e shëndoshë për një musliman të udhëzuar.

            Kërkoj strehë tek Allahut të më mbrojë nga shejtani i mallkuar. Allahu ka thënë:

وَإِن يَمْسَسْكَ اللَّـهُ بِضُرٍّ فَلَا كَاشِفَ لَهُ إِلَّا هُوَ وَإِن يَمْسَسْكَ بِخَيْرٍ فَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Nëse Allahu të godet me ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përvçe Tij nuk mund të të shpëtojë. E, nëse të dhuron ndonjë mirësi – vetëm Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[6]

            Allahu na e bëftë të mundur të gjithëve që të përfitojmë nga udhëzimi i Librit të Tij. E thash këtë, e, për çdo mëkat të bërë i kërkoj falje Allahut të Madhërishëm për vetën time dhe për ju, e për të gjithë muslimanët. Kërkoni edhe ju falje, Ai është Falësi, Mëshiruesi!

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Medine, 16.11.2012

[1] Kurani, Et-Tevbe: 51

[2] Sahih – Shënon Buhariu në “Sahih” (2988, 3106, 6135), Muslimi në “Sahih” (4788), Ebu Davudi në “Sunen” (4088), Tirmidhiu në “Xhami” (2064), Nesaiu në “Es-Sunenul-kubra” (10744), Ibën Maxhe në “Sunen” (73), Ibën Hibani në “Sahih” (6308), Ahmedi në “Musned” (3422, 3493, 3803, 3951), Bezari në “Musned” (1400, 1475, 1589), e të tjerë prej hadithit të përcjellur nga Abdullah ibën Mes’udi, -radijallahu anhu!-. Sh. P.

[3] Sahih – Shënon Muslimi në “Sahih” (4795), Bejhakiu në “El-kadu vel-kader” (23, 24), Ibën Hibani në “Sahih” (341), Ahmedi në “Musned” (13971, 14305), Taberani në “El-Muëxhemul-kebir” (6438, 6441, 6442), e të tjerë prej hadithit të përcjellur nga Abdullah ibën Xhabir, -radijallahu anhu!-. Sh. P.

[4] Kurani, Et-Tegabun: 11

[5] Kurani, Ez-Zumer: 38

[6] Kurani, El-En’am: 17

0 1165

Pas një kohe të shkurtër të qetësisë në të cilën islamistët u munduan të bashkojnë lëvizjet e ndryshme politike, Tunizia përsëri hyri në një situatë krize. Tymi i zi i komplotit u pa mbi Tunizinë e gjelbër dhe të lulëzuar. Mbi vendin që ishte shkëndija e parë në pranverën arabe kundër padrejtësisë, hegjemonisë dhe tiranisë. Lëvizjet shekullare filluan ti realizojnë planet e njëjta sikur “vëllezërit” e tyre në Egjipt. Tunizia ishte vendi i parë që i hapi dyert e frymëmarrjes së lirë dhe arriti të ngadhënjejë mbi një prej sistemeve më të rrezikshme policore që i njihte bota arabe. Ben Ali iki pas pak ditë prej fillimit të revolucionit popullor. Pas diktaturës islamistët e fituan besimin e popullit edhe pse dhjetëra vite ishin larg skenës politike për shkak të shtypjes dhe përndjekjes. Ata nuk i mjaftuan me mburrje dhe premtuan se do të bashkëpunojnë me të gjithë për të shërbyer vendin. Interesin e vendit e vendosën mbi çdo qëllim tjetër dhe i hapën krahët për lëvizjet e ndryshme politike. Njërin prej udhëheqësve të tyre e propozuan si kryetar dhe formuan qeveri koalicioni me partinë e tij. U pajtuan për nenet e kushtetutës së re dhe shumë nga pikat e mospajtimit i mënjanuan.

Por pala tjetër a ishte e kënaqur me këtë?!

Lëvizjet shekullare, në krye me partitë majtiste, që kanë ndjeshmëri të madhe kundër çdo gjë islame, edhe atëherë kur atë e kërkon populli filluan me gjurmimet e tyre. Filluan të gjurmojnë pas gabimeve dhe shfrytëzuan gjendjen e vështirë ekonomike si pasojë e periudhës së tranzicionit pas revolucionit.  Filluan me nxitjen e protestave, të punëtorëve të hidhëruar si dhe të administratës  që shpeshherë përfundonin me dhunë.  Qëllim ishte të dështojë qeveria dhe të zhytet ne konflikt me popullin i cili i kërkonte të drejtat e tij. Realizimi i këtyre të drejtave ende kërkon kohë dhe mund shtesë dhe nevojitet edhe stabilitet që të përmbushen këto kërkesa legjitime.

Situata u përkeqësua me shpejtësi të madhe pas vrasjes së njërit prej opozitës majtistë. U akuzuan islamistët dhe filloi fushata e shëmtimit të lëvizjeve islame, ngjashëm me atë që ndodh tani edhe në Egjipt.

Rastin e atentatit opozita e shfrytëzojë që ti akuzon lëvizjet islame me ekstremizëm dhe dhunë. Përvoja ka vërtetuar se lëvizjet shekullare zbatojnë të njëjtin plan dhe i përdorin metodat e njëjta shtypëse sikur sistemet tirane më parë.

Ata nuk dallojnë në mënyrën se si bashkëveprojnë me vullnetin e popullit dhe me zgjedhjen e tij. Komplotet e njëpasnjëshme nga lëvizjet shekullare kanë vetëm një qëllim: ti largojnë lëvizjet islame nga pushteti, nëse duhet edhe me dhunë. Për këto qëllime ata kërkojnë ndihmë nga jashtë dhe e nxisin ushtrinë kundër pushtetit. Gjithë këto mjete sipas tyre janë legjitime në filozofinë e tyre, qëllimi i arsyeton mjetet, në një hipokrizi dhe ultësi që nuk ka shembull.

Rreziku në këtë çështje është fakti që edhe pse lëvizjet islame deri tani nuk kanë bërë asnjë hap për zbatimin e sheriatit, të njëjtët luftohen në një luftë të ashpër nga brenda dhe jashtë. Mos vallë kjo luftë është paralajmërim më qëllim frikësimi të lëvizjeve islame de popullit që i ka zgjedhur nëse ata do të mendonin të bëjnë një gjë të tillë?

Mos vallë shkaku është lakmia pas pushtetit më çdo çmim, madje edhe shkatërrimi i vendit?

Ekstremizmi i shekullaristëve është alarmim për rrezikun e madh për vendin në veçanti pas provokimit të Francës ndaj islamistëve se do të ndërhyjë duke i përkrahur lëvizjet shekullare…që ditë e natë veprojnë që të rrëzojnë pushtetin e lëvizjes Nahda.

Kryetari qeverisë nga lëvizja Nahda sikur u dorëzua para presionit me qëllim të qetësohet situata. Por a do të pranohet kjo nga lëvizjet laike apo ky gjest është vetëm një hap që synon delegjitimin e pushtetit dhe ngjitje në karrigen e pushtetit?

Përplasjet që i nxisin lëvizjet laike në vendet e pranverës arabe janë mesazhi më negativ që mundet ti dërgohet popullit që synon lirinë dhe dhurata më e mirë të sistemeve shtypëse që të vazhdojnë me terrorin e tyre. Mos vallë është kjo rastësi apo planifikim i mëparshëm?

Përktheu: M-r Talha Kurtishi

www.almoslim.net

0 1404

– Me të vërtet Allahu e ka begatuar njeriun me mirësi të shumta, e dalloi atë nga shumë krijesa të Tij, e nderoi dhe i dhuroi të mira nga qielli e toka, duke vënë çdo gjë në shërbim të tij. Dhe Ai vendosi ligje dhe kufij të ndryshëm sipas urtësisë së Tij. Ai njeriut i dhuroi udhëzimin, e që është pasuria më e çmuar, pastaj I mundësoi atij t’I shijojë të gjitha të mirat e krijuara për të, duke e pajisur me aftësinë e të menduarit, punuarit, fituarit etj. Dhe për hir të mirëqenies së tij krahas mirësive të shumta, disa gjëra i ndaloi rreptësisht dhe urdhëroi që të largohemi nga to. Është e vërtetë se njeriu e do pasurinë dhe lakminë ndaj saj e ka në nivel të lartë, mirëpo njeriu i devotshëm, i ruajturi, i përmbahet kufijve të caktuar nga Zoti dhe nuk përdor metoda të ndaluara që të arrijë deri tek pasuria.

– Ndërsa njeriu i ligë, të cilin e kanë pushtuar stolitë, lakmitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, nuk shikon as djathtas as majtas, nuk e ndien vetën të nevojshëm për të qenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut për të mirat që ia ka dhënë, nuk i frikësohet as dënimit të Tij, por është në gjendje çdo vlerë të tij ta shkatërrojë dhe veten e tij ta rrezikojë e poshtërojë vetëm e vetëm për të arritur ta ushqejë e ngopë unin, epshin e tij, e ato s’ngopen, por i mjeri harron se me vdekjen e tij gjithçka do të lërë pas, përveç veprave, të cilat do t’i marrë me vete!

– Andaj Zoti e ka bërë pasurinë të shenjtë dhe ka krijuar mundësi dhe rrugë të ndershme se si të arrihet deri te ajo. Allahu i Lartmadhëruar e çmon shumë djersën e shkaktuar nga puna e ndershme dhe për të shpërblen, ndërsa djersën e vjedhësit apo vjedhëses, të cilët I derdhin në përpjekje për të arritur tek një pasuri e huaj, e ka shpallë të poshtër dhe për të ka vendosur sanksione të rrepta, andaj Ai përmes atyre ligjeve synon që njeriut t’ia ruajë pasurinë, ndërsa sot mjerisht nuk ndëshkohen kriminelët e vjedhjes, veçse fare pak! Dora që vjedh është dorë e mallkuar dhe e helmuar, e cila meriton të pritet, sepse ajo mund ta helmojë dhe shkatërrojë zemrën, shpirtin, mendjen, familjen, shoqërinë dhe vendin në përgjithësi.

NDAL VJEDHJES, TË FITOJMË ME NDER !

Autor: Labinot Kunushevci
Redaktor fetar: Hoxhë Fadil Musliu
Redaktor gjuhësor: Avni Tafili

NA NDIQNI NË