Arhiva DitoreJan 21, 2015

0 2740

Duke parë kohëve të fundit disa dukuri negative se shpesh po përsëriten nëpër rrjetet sociale më nxiti që ta shkruaj këtë tekst me shpresë se fjalët e mia do të arrin deri në vendin e duhur. Kohëve të fundit jemi dëshmitar se nëpër faqet Islame të cilat gjenden nëpër rrjetet sociale administruesit e faqeve postojnë gjëra të cilat bien në kundërshtim me parimet fetare dhe me kodin e moralit të një muslimani. Shohim postime ku paraqiten gra me mbulesa, e disa nga to të veshura me fustane nusërie dhe madje çështja arriti deri në atë gradë, sa të shohim se vëllezërit tanë dhe motrat tona postojnë foto ku burri e puthë në ballë gruan e tij (sipas gjykimit të asaj çka e shohim në foto për arsye se ka mundësi që ata dy të mos jenë çift bashkëshortor) dhe për këtë të mos mërziten aspak. Çuditem se si është e mundur një musliman t’i neglizhon dispozitat e Allahut i cili na urdhëron dhe thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre”. Nur 30 dhe “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre”. Nur  31. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kurvëria e syve është shikimi (i gjërave të ndaluara )”.

A harrojnë ata vëllezër dhe motra se shikimi i një gruaje të huaj për sytë e burrave është i ndaluar dhe shikimi i një burri të huaj për sytë e grave është i ndaluar? A harrojnë ata se mjetet e informimit në përgjithësi dhe rrjetet sociale në veçanti, dijetarët lejojnë të përdoren vetëm se për gjërat të cilat i bëjnë dobi muslimanëve dhe për ta përhapur këtë fe! Me kësisoj postime dhe foto ku paraqiten gra të huaja dhe burra të huaj ku në shumicën e rasteve ata janë ose jobesimtarë ose mëkatarë të cilët vishen me veshje Islame vetëm se për përfitime materiale dhe s’kanë lidhje me Islam, nuk besoj se i bëjnë dobi ndokujt po vetëm se zemrat ua shkatërron. Këto foto dhe postime janë shkak që sytë tanë të shikojnë harame, të na dëmtojnë zemrat dhe të na dobësojnë imanin. Ne nuk kemi nevojë që fjalët e dashurisë dhe të nxiturit për martesë të paraqiten nëpërmjet fotove të ndaluara. Neve na mjaftojnë ajetet dhe hadithet dhe postimi i tyre. Për këtë arsye le t’i kenë frikë Allahut ata që nxjerrin kësisoj foto dhe mos të harrojnë se veprat pranohen vetëm nëse plotësohen dy kushte: sinqeriteti për Allahun dhe vepra të jetë sipas traditës së të Dërguarit, alejhi salatu ue selam, dhe parimeve fetare. Këto foto edhe pse në postimin e tyre ndoshta ka sinqeritet nuk pranohen, për arsye se bien ndesh me parimet fetare dhe shpërblimi humbet dhe fitohet zemërimi i Allahut. Mos e lejoni veten ta prishni me duart e juaja atë që tentoni ta ndërtoni me shumë mundime.

Dukuri tjetër poashtu e përhapur nëpër rrjetet sociale është postimi i haditheve të rrejshme, të shpikura, apo të dobëta dhe poashtu postimi i tregimeve që nuk kanë bazë në fe. Kjo padyshim se vjen nga mosnjohja e fesë dhe nga mos konsultimi me hoxhallarë. Shumica e faqeve Islame nuk marin hoxhë si përgjegjës që i kontrollon materialet dhe i përcjell postimet e tyre për arsye se ata mendojnë se e kanë arritur gradën e njohjes që vet të veprojnë në fushën e davetit pa mos u konsultuar me askënd. Kjo padyshim se është bindje e gabuar dhe mashtrim i madh i shejtanit. Gabimet gjuhësore poashtu janë dukuri negative dhe ato nëpër faqe janë të shumta dhe është turp se si e lejon një administrues i një faqeje që pretendon se është Islame dhe në gjuhën shqipe ta lejon veten që në faqen e tij të lejon gabime gjuhësore dhe ashtu tua mëson edhe të tjerëve gjuhën. Rrallë mundesh të lexosh një tekst ku shkruhet shkronja “ë” e mos të flasim për radhitjen e ajeteve, haditheve, fjalëve dhe thënieve. Kur jemi te thëniet ato janë bërë më të postuara dhe më të kërkuara se sa ajetet dhe hadithet. Muslimanëve të sotit më shumë u interesojnë thëniet e njerëzve se sa fjalët e Krijuesit të njerëzve. Feja jonë është ka thënë Allahu dhe ka thënë i Dërguari i Tij, alejhi salatu ue selam , dhe jo ka thënë filani dhe halani edhe pse në to ka mundësi të ketë dobi mirëpo jo të merren si bazë dhe të anashkalohen ajetet dhe hadithet.

Dukuri tjetër negative dhe shumë e përhapur nëpër rrjetet sociale është edhe marrja e temave dhe artikujve nga faqet e ndryshme duke mos e cekur burimin e marrjes dhe autorin e tekstit. Plot nga faqet dhe administruesit e faqeve duke mos pasur material të mjaftueshëm për faqet e tyre detyrohen të marrin nga faqet e njohura dhe të besueshme Islame dhe nganjëherë ndodh që ta fshehin këtë mangësi para masës dhe mos ta cekin burimin e tekstit dhe emrin e autorit dhe ta paraqesin si të vetin. Nga besnikëria është që të tregohet burimi dhe poashtu emri i autorit sa do që të jetë i vogël ai tekst apo artikull apo thënie.

Dhe për në fund më mbeti ta ceki edhe dukurinë më të rrezikshme negative që e hasim nëpër rrjetet sociale e ajo është marrja nën kontroll apo më mirë të themi vjedhja e faqeve Islame. Kjo dukuri ka filluar që të shpeshtohet kohëve të fundit dhe si rast më të freskët e kemi marrjen e faqes në Facebook të Radio Pendimit, faqe e cila tenton që ta përhap Islamin dhe mirësinë dhe ta largon nga shoqëria injorancën dhe sherrin. Kjo faqe me sa e di unë është hera e dytë që të merret nga një “super musliman” i cili pretendon se është më musliman se udhëheqësit e faqes dhe të pretendon se ai është më meritor ta mirëmban faqen dhe të kërkon haraç nga kryeredaktori i saj që ta kthej. I drejtohem atij dhe shokëve të tij që i shëmbëllejnë në vepër dhe u them se kjo vepër është e ndaluar dhe është mëkat nga mëkatet e mëdha. Vjedhja, kërcënimi, kërkimi i haraçit, shpifja, pengesa në davet dhe mirësi, janë mëkate nga mëkatet e mëdha ku dënimi vjen në dynja para atij në ahiret. Një muslimanit nuk i lejohet të posedon cilësi të tilla dhe në emër të Islamit të bën vepra që bien në kundërshtim me parimet fetare. Ajo faqe dhe faqet e tjera Islame qëllimi i tyre është përhapja e hajrit dhe Islamit dhe largimi i paditurisë dhe sherrit nga shoqëria dhe me ndaljen e këtyre faqeve pengohet dhe ndalohet edhe daveti dhe shumë nga muslimanët privohen nga kjo mirësi dhe nga mësimi i fesë së tyre.

Urrejtja, xhelozia, pakënaqësia nuk ka nevojë të shprehen në këtë formë, ekzistojnë edhe forma tjera ku njeriu i zgjedh problemet e tij në mënyrë më të mirë dhe më të drejtë duke mos e dëmtuar askënd.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër”. Maide 2.

Shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë,  një hadith nga Abdullah Ibën Jezid Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e ka ndaluar grabitjen e pasurisë.

Marrja e faqes padyshim se është marrje e pasurisë për arsye se ajo është pronë dhe pasuri e huaja.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë, dhe nuk e nënçmon.

Ebu Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nga fjalët e Pejgamberëve të parë që kanë arritur njerëzit është: “Në qoftë se nuk ke turp atëherë bën ç’të duash!”.

Nëse vidhen faqet e huaja kjo aludon se ata nuk kanë turp dhe ai që nuk ka turp vepron çka të donë dhe çka t’ia merr mendja atij vet ashtu siç na mëson edhe ky hadith.

Imran Ibën Husejn, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Turpi nuk sjell gjë tjetër, veçse të mirën”.

Për këtë arsye tregoni veten e juaj se jeni musliman të mirë, të cilët nuk i bëjnë dëm askujt dhe ktheni faqen në duart e atyre që e posedojnë dhe dëshmojeni veten se keni turp.

Disa prej selefit thanë: “Kujdesu që vëllai musliman t’i ketë të garantuar prej teje tri  gjëra: Nëse nuk mund t’i bësh mirë mos e dëmto, nëse nuk mund  ta gëzosh mos e hidhëro, dhe nëse nuk mund ta lavdërosh mos e kritiko e as nënçmo.”

E lus Allahun që të na bën nga të drejtit dhe të na mundëson që çdo mjet të hajrit ta përdorin në përhapjen e fesë së Tij.

Hoxhë: Irfan JAHIU

0 1170

Allahun e Madhëruar e falënderoj dhe dërgoj salavate dhe përshëndetje për pejgamberin e fundit Muhamedin salallahu alejhi ve selem, familjen e tij të pastër, shokëve të tij besnik dhe për besimtarët që ndjekin rrugën e tij.

Gjatë studimeve dhe leximit të librave të fesë islame hasim në gjëra të mrekullueshme të cilat të lënë mbresa thellë në shpirt përgjithmonë. Njeriu çdo herë kur i përkujton ato, i bëhen një shoqëri që e ledhatojnë dhe nuk e lënë të ndjehet i vetmuar. Tregime dhe informata të këtilla i hasim në të gjitha lëmit e librave të fesë islame, si në Teuhid, apo librat e Akides, në Fikh, në Sire, në Hadith, në histori islame etj. Të gjitha këto rrëfime në vete përmbajnë informata nga të cilat veçojmë veçori me të cilat janë dalluar mes vete krijesat e Allahut. Nëse i hedhim një shikim ajetit kuranor ku Allahu i Madhëruar ka thënë:

أَهُمْ يَقْسِمُونَ رَحْمَتَ رَبِّكَ ۚ نَحْنُ قَسَمْنَا بَيْنَهُمْ مَعِيشَتَهُمْ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۚ وَرَفَعْنَا بَعْضَهُمْ فَوْقَ بَعْضٍ دَرَجَاتٍ لِيَتَّخِذَ بَعْضُهُمْ بَعْضًا سُخْرِيًّا ۗ وَرَحْمَتُ رَبِّكَ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ

 “A thua ata e përcaktojnë mëshirën (pejgamberllëkun) e Zotit tënd? Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë; Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime. E mëshira (caktimi për pejgamber) e Zotit tënd është shumë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë “ Zuhruf 32

Poashtu edhe ajetit tjetër:

يَخْتَصُّ بِرَحْمَتِهِ مَنْ يَشَاءُ ۗ وَاللَّهُ ذُو الْفَضْلِ الْعَظِيمِ

 “Ai veçon me mëshirën e vet (me pejgamberllëk) kë të dojë. All-llahu është Zot i mirësisë së madhe “ Ali Imran 74

Domethënë se Allahu Fuqiplotë ka bërë dallim në mesin e krijesave të tija dhe atë e ka bërë me urtësinë e Tij të pakufishme. Ai pra Allahu ka zgjedhur dhe ka dalluar mes njerëzve kë do ta bëjë pejgamber. Ne si besimtarë kur hasim në kësi far rastesh vetëm se na shtohet besimi edhe më tepër dhe na kënaqet shpirti me iman sepse na shfaqet urtësia e Allahut të Gjithëdijshëm. Si ilustrim mund ta përmendim ajetin ku i përmend melekët që e ruajnë Xhehenemin. Ka thënë se janë nëntëmbëdhjetë:

عَلَيْهَا تِسْعَةَ عَشَرَ

 “Mbikëqyrës mbi të janë nëntëmbëdhjetë “ Mudethir 30

Mirëpo ky numër i ruajtësve të Zjarrit ka qenë enigmë për shumë njerëz, por jo për besimtarët.

Allahu I Madhëruar ka thënë:

“E mbikëqyrës të zjarrit Ne nuk bëjmë tjetër, përveç engjëjve dhe numrin e tyre (të përmendur në Kur’an) nuk e bëmë për tjetër, por vetëm si sprovë për ata që nuk besuan, e që të binden ata që u është dhënë libri, e atyre që besuan t’u shtohet edhe më besimi, e atyre që u është dhënë libri dhe besimtarët të mos kenë dyshim dhe ata që zemrat i kanë të sëmura dhe jobesimtarët të thonë: “Cka dashti All-llahu me këtë si shembull?” Ja ashtu, All-llahu e lë të humbur atë që e do dhe e udhëzon atë që do, e ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Atij, e ai (Sekari), nuk është tjetër vetëm se një përkujtim për njerëz “ Mudethir 31

Krahas kësaj kemi edhe ndodhia që vetëm nga një herë kanë ndodhur, personave të caktuar po edhe me krijesa tjera. Në këtë libër kam bërë një përzgjedhje të atyre rasteve të veçanta që i kanë ndodhur vetëm një njeriut, apo dy a tre vetëve, një rast i vetëm, i pa përsëritur, një vepër që dikush së pari e ka bërë, e kështu me radhë.

Për ilustrim do ta përmendi një nga gjërat e veçanta:

Shpallja e luftës

Allahu I Madhëruar vetëm në dy raste të veçanta ka përmendur se shpallë luftë:

Rasti i parë është në Kur’anin Fisnik dhe atë ndaj atyre që merren me kamatë.

Allahu i madhëruar ka thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَذَرُوا مَا بَقِيَ مِنَ الرِّبَا إِنْ كُنْتُمْ مُؤْمِنِينَ فإِنْ لَمْ تَفْعَلُوا فَأْذَنُوا بِحَرْبٍ مِنَ اللَّهِ وَرَسُولِهِ ۖ وَإِنْ تُبْتُمْ فَلَكُمْ رُءُوسُ أَمْوَالِكُمْ لَا تَظْلِمُونَ وَلَا تُظْلَمُونَ

“O ju që besuat, kini frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqert , hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. * E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë  me All-llahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askë nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” Bekare 278, 279

Rasti i dytë në hadith kudsi. Pejgamberi ka thënë se Allahu I Madhëruar ka thënë:

(( من عاد لي ولياً فقد آذنت له بالحرب … ))

“Kush mi kundërvihet veliut (dashatarit) tim, vetëm se i kam shpallur luftë, … .”[1]

E gjithë përmendja e Allahut është mirë, por i dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka dalluar fjalën la ilahe il-lallah dhe ka thënë:

(( أفضل الذكر لا إله إلا الله ))

“Dhikri (përmendja) më i mirë është la ilahe il-lallah[2]

Allahu na ka krijuar neve dhe veprat të cilat ne I veprojmë, por në mesin e tyre ka bërë dallim. Prej tyre ka të mira dhe më të mira, por ka të këqija dhe më të këqija. I dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka thënë:

((عرضت علي أمتي بأعمالها حسنها و سيئها فرأيت في محاسن أعمالها إماطة الأذى عن الطريق و رأيت في سيء أعمالها النخاعة في المسجد لم تدفن ))

“Më janë paraqitur mua ymeti im me veprat e veta, të mirat e tyre dhe të këqijat e tyre. Në mesin e veprave të mira pashë largimin e pengesës nga rruga dhe në mesin e veprave të këqija pashë shkëlbazën në xhami që nuk e kanë mbuluar.[3]

[1] Tra. Buhariu nr. 6502 dhe të tjerë.

[2] Tra. Tirmidhiu  dhe tjerë nga Xhabiri radijallahu anhu. Hadithi është hasen.

[3] Tra. Ahmedi, Muslimi dhe Ibn Maxhe nga Ebu Dherri #. shiko Sahih  xhamius-sagir nr. 4003

0 1247

Ishe një njeri i varfër … Gruaja e tij prodhonte gjalpë dhe burri i saj e shiste në një nga dyqanet e qytetit. Gjalpit ia jepte formën e topit dhe pesha e tij ishte një kilogram. Burri e merrte dhe ia shiste pronarit të dyqanit dhe me çmimin e tij i blinte gjërat e nevojshme për shtëpi.

Një ditë nga ditët pronari i dyqanit filloi të dyshon në peshën e gjalpit. Filloi të vlerëson peshën e secilit top nga topat e gjalpit dhe në fund e vërtetoi se çdo toç peshon 900 gram e jo një kilogram dhe u zemërua shumë në njeriun e varfër.

Kur prezantoi i varfëri të nesërmen pronari i dyqanit e prit me fytyrë të mrrolur dhe i zemërua në të shumë dhe i tha: Unë më nuk do të blej nga ti gjalpë. Ti e shet gjalpin si të jetë një kilogram a në fakt ajo është e mangët për njëqind gram??? Ti je rrenacak dhe tradhtar.

I varfëri kur i dëgjoi fjalët e tij u mërzit shumë dhe e uli kokën dhe tha: I nderuari shitës, ne nuk posedojmë kandar. Mirëpo unë nga ti bleva një kilogram sheqer dhe atë e bëra si peshore për ta matur gjalpin!!!???

Jeni të bindur plotësisht se kandari jot … do të bëhet peshore ku do të maten veprat  e tua me të.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

0 2008

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se imani është cilësia dalluese e fitimtarëve nga atyre të humburve në mesin e bijve të Ademit. Allahu i Madhëruar thotë: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. Asr 1-3.

Katër cilësi janë shpëtuese nga humbja e vërtet: Imani, vepra e mirë, këshilla në të vërtetën dhe këshilla në durim.

Nuk arrihet deri tek imani me shpresa apo me pretendime dhe prejardhje por imani është ajo që ngulitet në zemër dhe e vërtetojnë veprat. Imani është besim me zemër, të shprehurit me gjuhë dhe vepër e gjymtyrëve, shtohet me nënshtrime dhe dobësohet me gjynahe.

Një nga veçoritë më të mëdha të imanit është imani në fshehtësitë (gajbin). Allahu i Madhëruar thotë: Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne“. Bekare 2-3.

Me besim në fshehtësinë – gajbin e nënkuptojmë atë që ti nuk e sheh mirëpo i beson thellësisht duke iu mbështetur lajmeve të sakta të arritura nga ana Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Muslimani beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, beson në Ditën e Kiametit dhe i beson caktimit të Allahut, në të mirën dhe të keqen e tij. Poashtu i beson të gjithë asaj që e ka paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,nga ngjarjet e mëhershme dhe ato që do të ndodhin më vonë, nga lajmet e të Dërguarve dhe popujve të mëhershëm, dhe nga ajo që do të ndodhë nga shenjat e Kiametit si paraqitja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, dalja e kafshës, lindja e diellit nga perëndimi dhe nga shenjat e tjera për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,  se do të  ndodhin para Kiametit. Muslimani poashtu i beson asaj që do të ndodhë në jetën e varrit nga dënimi dhe begatia në varr, beson në ringjalljen, llogarinë, peshoren, Xhenetin dhe Xhehenemin.

Ai për këtë qëllim përgatitet dhe vepron dhe çështjet nuk i neglizhon. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë”. Sad 26, dhe “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” Hashër 18.

Kush e stolis veten me këtë besim dhe në të është i bindur fort nuk e lejon që dynjaja ta preokupon e ta largon nga ky besim që pastaj të radhitet në mesin e atyre që për ta Allahu thotë: “Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar”. Eala 16 -17.

Allahu iu kërcënua rreptë atyre që e posedojnë këtë cilësi dhe tha: “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote”. Naziat 37-38.

Besimtari nuk e lejon që dynjaja të ndikon në ahiretin e tij po ai dynjanë e shfrytëzon si arë ku në të mbjell dhe shpreson të korrurat t’i merr më vonë, për arsye se ai e din se kjo dynja është kalimtare dhe se ahireti është vendbanimi i tij i përhershëm. Pra Allahu besimtarit ia bashkon të mirat e dynjasë me ato të ahiretit, kurse jobesimtarit ia humb dynjanë dhe ahiretin.  Allahu i Madhëruar thotë: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë”.Haxh 11.

Abdurrahman ibën Zejd ibën Eslem, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se këto janë cilësi të hipokritit, të cilit kur i përmisohet dynjaja merret me adhurime e kur i shkatërrohet dynjaja atëherë i ndryshohet zemra dhe nuk i afrohet adhurimeve kurse kur e kaplon ndonjë sprovë apo vështirësi atëherë e len fenë dhe i kthehet mosbesimit.

Nga besimi në fshehtësitë është që besimtari të vepron me sheriatin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,dhe t’i nënshtrohet atij edhe pse nuk e takuar asnjëherë. Disa nga sahabët i thanë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “A ka popull i cili ka shpërblime më shumë se ne. I besuam Allahut dhe të pasuam ty. Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Çka ju pengon nga kjo? Të Dërguarin e Allahut e keni në mesin e juaj i cili ju vjen me shpallje nga ana e Allahut. Po pas jush do të vijnë popuj që do t’ju sillet Libri mes dy pllakave i besojnë atij dhe veprojnë me të. Ata kanë dyfish më shumë shpërblime se sa ju”.

Në një hadith tjetër përcillet se ai që kapet për fenë e tij gjatë periudhës së sprovave e ka shpërblimin e pesëdhjetë sahabëve. Ebu Thalebe el Hashenij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, rreth ajetit: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar”. Maide 105 dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Urdhëroni të mirën dhe ndaloni nga e keqja, derisa ju të shihni të ndiqen epshet dhe të preferohet dynjaja (më shumë se ahireti) dhe secili njeri do të mashtrohet nga mendimet e tij personale. Kujdesuni për veten tuaj dhe largohuni nga njerëzit e zakonshëm sepse ta dini që pas jush do të ketë ditë durimi, në ato ditë kush kapet për fenë Allahut është njëlloj sikur të mbajë prushin në dorë. Kush është i aftë ta bëjë këtë (të durojë) do të ketë shpërblimin e 50 personave.

Sahabët pyetën: O i Dërguari i Allahut, shpërblimin e 50 nga ne apo nga ata? Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Shpërblimin e 50 nga ju.  

Ebu Hurejra, Allahu qoftë kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë. “Ai që kapet për traditën time gjatë periudhës kur shkatërrohet Umeti im e ka shpërblimin e dëshmorit”.

Besimi në fshehtësinë – gajbin poashtu e përfshin edhe atë që i nënshtrohet Allahut dhe veprën e ka të sinqertë për Allah pa marrë parasysh a vepron në mesin e njerëzve apo në vetmi. Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh”. Mulk 12, dhe “që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu)“. Kaf 33.

Këto cilësi janë të krejtësisht të kundërta me ato të munafikut i cili paraqitet se e adhuron Allahun në publik kurse kur vetmohet e mohon Zotin e tij. Allahu thotë: “Kur takohen me besimtarët, ata thonë “Besojmë”– por, kur mbesin vetëm me djajtë e tyre, thonë: “Në të vërtetë, ne jemi me ju; ne vetëm po talleshim”. Bekare 14.

Besimi në të fshehtën e dallon njeriun që logjikon dhe ka mendje nga njeriu shtazarak i cili nuk beson përveç se atë që e percepton dhe e sheh. Ky i përngjason besimit të kafshëve i cili nuk e dallon me diçka njeriun nga kafshët dhe nuk i bën kurrfarë dobie. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur panë dënimin Tonë, ata thanë: “Tani ne nuk besojmë në askënd tjetër veç Allahut dhe i mohojmë idhujt që ia shoqëronim Atij (në adhurim)“. Por besimi i tyre nuk u solli kurrfarë dobie, kur panë dënimin Tonë. I tillë është ligji i Allahut, që ka vepruar gjithmonë midis robërve të Tij. Të humbur kanë qenë jobesimtarët“. Gafir 84 -85.

Faraoni kur e pa se po fundoset tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët”. Junus 90, kurse Allahu iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!”. Junus 91.

Ky është ligji i Allahut mbi secilin i cili pendohet kur e sheh se i vjen dënimi i tij mirëpo atëherë është vonë dhe pendimi i tij nuk pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë. “Me të vërtet, Allahu i Lartësuar ia pranon  pendesën robit përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt”. Pra robit kur i vjen shpirti në fyt dhe i afrohet meleku i vdekjes më atëherë për të nuk ka pendim, pendimi i tij nuk pranohet.

O ju robërit e Allahut, për këtë arsye frikojuni Allahut dhe dijeni se Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun. Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur. Fatir 5-6.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU  

NA NDIQNI NË