Arhiva DitoreJan 26, 2015

0 12336

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe rikujtoni vdekjen dhe afrimin e saj, përgatituni për të me vepra të mira dhe pendim nga gjynahet dhe të ligat. Harresa e vdekjes i ngurtëson zemrat dhe nxit pas dynjasë.  Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shpeshtoni rikujtimin e shkatërruesit të kënaqësive”. Dmth. vdekjen.

Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, përcjell dhe thotë: Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, më vëndoi dorën mbi supin tim dhe më tha: “Jeto në këtë botë sikur të jesh i huaj ose si një kalimtarë rruge”. Ibën Omeri gjithnjë thoshte: kur të ngrysesh mos prit agimin e kur të gdhihesh mos e prit muzgun e mbrëmjes. Merr nga shëndeti yt për sëmundjen tënde dhe nga jeta yte për vdekjen tënde.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Secilit prej jush Xheneti është më i afërt se sa lidhësja (rripi) i nallaneve dhe poashtu Xhehenemi”.

O ju robërit e Allahut, rikujtimi i vdekjes njeriun e bën asket në dynja, e nxit në vepra të mira dhe në pendim nga gjynahet dhe në braktisjen e padrejtësive dhe dhënien e të drejtave të njerëzve. Pasi që vdekja është fundi i jetës së njeriut në këtë dynja, Allahu i Madhëruar ligjësoi për të vdekurin dispozita ku njeriu detyrohet t’i njeh dhe t’i praktikon te të vdekurit musliman. Këto ligje njihen si dispozita të xhenazes, të cilat është e domosdoshme të njihen.

Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte udhëzimi më i përsosur, krejtësisht i kundërt me udhëzimet e popujve tjerë. Ky udhëzim përfshin bamirësi për të vdekurin dhe nxit në veprimin asaj që atij i bën dobi në varr dhe  në Ditën e Kiametit. Udhëzim i cili nxit në bamirësi ndaj familjes së tij dhe farefisit të tij, i cili nxit në bamirësi ndaj të vdekurit dhe përgatitjes së tij për te Zoti i tij, pastaj përcjellja e tij deri në varr dhe pastaj vizita e tij në varreza dhe lutja për të që Allahu ta mëshiron dhe gjynahet t’i fal”.

Nga dispozitat e para është se pëlqehet t’i rikujtohet atij që është në prag të vdekjes dëshmia La ilahe il-lallah duke iu bazuar fjalës së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Përkujtonia të vdekurve tuaj (në agoninë e vdekjes) dëshminë La ilahe il-lallah”. Kjo me qëllim të jetë fjala e fundit e tij më e mirë dhe ajo me të cilën do ta len këtë dynja.

Poashtu përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush vdes dhe fjala e tij e fundit është La ilahe il-lallah, hyn në Xhenet”.

Shejtani në prag të vdekjes i afrohet njeriut me qëllim t’ia shkatërron besimin dhe t’i fut vesvese rreth besimit të tij, dhe nëse ia rikujton këtë fjalë madhështore dhe ai e shqipton, shejtanin do ta largon dhe do të vdes me besim të pastër.

Nga dispozitat e xhenazes është përshpejtimi në përgatitjen e të vdekurit, larjen dhe qefinosjen e tij, faljen e xhenazes së tij dhe transportimin e tij deri në varreza, duke u bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Nuk ka hije që kufoma e muslimanit të pengohet nga familjarët e tij”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga udhëzimi i të Dërguarit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte përshpejtimi në përgatitjen e të vdekurit duke e larë, pastruar, parfymosur dhe qefinosur. Urdhëronte në larjen e të vdekurit tre apo pesë apo më shumë herë sipas asaj se si e sheh ai që e lan xhenazen dhe urdhëronte të përdoret kafur në larjen e fundit”.

Burrin detyrohet ta lanë burrë dhe gruan detyrohet ta lanë grua. Lejohet që burri ta lan gruan e tij dhe gruaja ta lan burrin e saj. Mungesa e ujit për ta larë xhenazen apo mos pasja mundësi të lahet xhenazja për shkak se kufoma është e djegur apo e copëtuar dhe nuk mundet ta përballon ujin, e detyron dhënien e tejemumit. Lahet ajo çka ka mundësi të lahet kurse ajo e cila nuk ka mundësi të lahet zëvendësohet me tejemum.

Fëmija i abortuar nëse është katër muajsh, lahet, qefinoset dhe i falet xhenazja dhe emërtohet.

Pasi që i vdekuri lahet dhe qefinoset, i falet xhenazja. Namazi me xhemat pa dyshim se është më i mirë duke u bazuar në veprën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe në veprën e sahabëve. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se qëllimi i faljes së namazit të xhenazes është lutja për të vdekurin.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, rreth komentit të ajetit: “Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit”. Teube 84, tha: “Pasi që Allahu ia ndaloi të Dërguarit të Tij t’ia falë hipokritëve namazin, u bë e qartë poashtu,se falja e namazit të besimtarit duhet të kryhet para se të varroset dhe të rrihet afër pasi të varroset. Poashtu ajeti është argument se falja e namazit të vëllaut musliman është një ndër adhurimet më me vlerë dhe më afruese kah Allahu dhe se për kryerjen e tij fitohen shumë shpërblime. Poashtu ajeti është argument se falja e namazit të xhenazes së një muslimani ka qenë tradita e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe se kjo është çështje e vërtetuar tek muslimanët. Sa më shumë që rritet numri i atyre që e falin, aq më mirë është për vëllaun musliman. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk ka ndonjë musliman që vdes e ta falin xhenazen e tij dyzet burra, të cilët nuk i shoqërojnë Allahut asgjë vetëm se Allahu do t’i bëj ata ndërmjetësues për të”.

Poashtu i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nëse ka një të vdekur (musliman) që ia falin namazin e xhenazes një grup muslimanësh që mbërrin të njëqind vetët, ku që të gjithë ndërmjetësojnë për të, atyre do t’u pranohet të ndërmjetësojnë për të”.

Pasi të falet namazi i xhenazes nxitohet me bartjen e saj për në varreza dhe pëlqehet për atë që ia ka falur vëllaut të tij musliman xhenazen, të prezanton edhe në varrimin e tij. Gjatë rrugës për në varreza ecja duhet të jetë e qetë, të mos ngrihen zërat as me lexim e as me dhikër apo me diçka tjetër. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush prezanton një xhenaze, derisa ta falë namazin e saj ka shpërblim një kirat, kush prezanton derisa të varroset shpërblehet sa dy kirat”. Thanë: “Çfarë janë dy kirate?”. Tha: “Sa dy male të mëdhenj me shpërblim”.

Pëlqehet që varri të zgjerohet e të thellohet dhe i vdekuri të vendoset i kthyer kah ana e Kibles në krahun e djathtë të tij. Varri ngrihet nga toka sa një pëllëmbë, me qëllim të dallohet se është varr dhe të mos shkelet apo ulet mbi të askush. Lejohet të vendoset mbi të ndonjë shenjë, si gur apo dërrasë apo diçka tjetër, me qëllim të dallohet varri kur të vizitohet.

Nuk lejohet shkrimi nëpër varre, e as meremetimi dhe ndërtimi mbi to. Transmetohet nga i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në hadithe të vërteta se ai ka ndaluar të suvatohen varret me llaç gëlqereje, të ulet mbi to, të ndërtohet mbi to, apo të shkruhet në to, e gjithë kjo ngase suvatimi i tyre dhe të ndërtuarit mbi to është metodë që shpien në madhërimin e të varrosurve dhe adhurimin e tyre.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ceket se i kishte porositur Aliun, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “Të mos lësh statuja pa prishur dhe varr të ngritur pa rrafshuar”.

Në një transmetim tjetër thuhet: “As statuja, buste pa i prishur mos lë”.

Varr i ngritur është ai i cili dallohet prej varreve të tjera. Ai duhet të rrafshohet, të barazohet me të tjerët që të mos mendohet se banori i këtij varri ka ndonjë cilësi të veçantë qoftë kjo pas një farë kohe.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur i vizitonte varret e shokëve të tij, i vizitonte për tu lutur për ta he për të bërë istigfar dhe për të kërkuar mëshirë për ta. Kjo është vizita të cilën e pëlqeu për Umetin e tij dhe ua ligjësoi atyre thënien kur të futen në varreza: “ES-SELAMU ALEJKUM EHLED-DIJARI MINEL-MU’MININE  VEL MUSLIMINE VE IN’NA INSHA-ALLAHU BIKUM LAHIKUN. NES’ELU-ILAHE LENA VE LEKUM EL-AFIJE.”. (Es-selamu alejkum o ju banorë të këtij vendi, besimtarë e muslimanë. Edhe ne inshallah, me urdhrin e Allahut, kur të vijë përcaktimi i Tij, me ju do të radhitemi. Lusim Allahun për ne dhe për ju që të na mëshirojë!).

Nga udhëzimi i tij gjatë vizitës së varrezave ishte ta thotë atë që e thonte dhe e vepronte kur lutej për vëllaun musliman kur ia falte xhenazen: “O Zot, falja mëkatet dhe mëshiroje, shpëtoje dhe kij ndjesë ndaj tij, bëja vendin e mirë dhe zgjeroja vendin ku do të hyjë, pastroje atë me ujë, borë dhe akull dhe pastroje nga mëkatet, ashtu siç e pastron rrobën e bardhë nga njollat, zëvendësoja shtëpinë me një shtëpi më të mirë, familjen me një familje më të mirë, bashkëshortin (ten) me një më të mirë, fute në xhenet dhe mbroje prej dënimit të varrit dhe dënimit të zjarrit”.

O ju musliman, nga gjërat që nuk lejohen është leximi i Kuranit tek kufomat apo te varri me pretekst se kjo i bën dobi të vdekurit, mirëpo kjo është risi në fe dhe kjo nuk ka qenë tradita e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Nga risitë është vendosja apo mbjellja e luleve nëpër varre, veshja e rrobave të zeza, ndërprerja e punës zyrtarisht, qëndrimi disa minuta në heshtje për shpirtin e të vdekurit, e shumë vepra të tjera, të cilat i shëmbëllejnë dhe që janë nga traditat e jobesimtarëve dhe nga koha e injorancës. Muslimanët detyrohen t’i largohen këtyre veprave.

Ajo që duhet të dihet është se ajo që i bën dobi të vdekurit është ajo që e ka cekur Allahu dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si përshpejtimi në pagimin apo larjen e borxhit që e ka i vdekuri. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Shpirti i njeriut është i lidhur për borxhin e tij deri sa t’i paguhet apo lahet”. Pastaj realizimi i porosive të tij, shkuarja në Haxh për të, lutja për të, etj. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të”.

Poashtu ajo që duhet të dihet është se grave nuk u lejohet ta përcjellin xhenazen për në varreza dhe t’i vizitojnë ato, duke u bazuar në hadithet ku i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ndaloi vizitën e varrezave nga ana e grave dhe i mallkoi ato që i vizitojnë.. Gruaja pra, nuk lejohet t’i viziton varrezat dhe as ta viziton varrin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe kjo është e veçantë për burrat.

Muslimani duhet ta din se Allahu e ka ligjësuar durimin gjatë vështirësive dhe sprovave dhe durimtarëve u ka premtuar shumë shpërblime. E ka ndaluar zemërimin dhe pikëllimin gjatë sprovave dhe është kërcënuar me dënim të rreptë. Allahu i bëri të ndaluara traditat e popujve që nuk besojnë në ringjalljen dhe llogarinë, si rrahja e faqeve, grisja e rrobave, ngritja e zërit dhe të qarit me zë të lart, rroje e kokës etj.

Të qarit pa mos e ngritur zërin dhe pikëllimi i zemrës nuk janë problem. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Syri loton, zemra pikëllohet dhe mos e thoni vetëm se atë që e kënaq Allahun”.

Pëlqehet ngushëllimi i familjes së të vdekurit dhe nxitja e tyre për në shpërblim dhe durim, dhe fjalët e ngushëllimit janë: “Allahu ta zmadhoftë shpërblimin dhe ta shtoftë durimin dhe e faltë këtë të vdekur”. Kjo është sipas Synetit, po lejohen edhe fjalë tjera që nxisin në durim dhe shpërblim.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte ngushëllimi i familjes së të vdekurit dhe nuk ishte nga udhëzimi i tij tubimi për ngushëllim, leximi i Kuranit as te varri e as në ndonjë vend tjetër dhe e gjitha kjo është risi e shpikur dhe e fëlliqur. Nga udhëzimi i tij ishte qetësia dhe kënaqësia me caktimin e Allahut, falënderimi i Tij, dhe u distanconte nga ata që i grisnin rrobat kur u vinte ndonjë vështirësi apo e ngrinin zërin apo e rruanin kokën.

Nga udhëzimi i tij ishte që familja e të vdekurit mos të mundohen të përgatisin ushqim për njerëzit, po urdhëroi që njerëzit tu gatuajnë familjes së të vdekurit ushqim dhe kjo padyshim se është nga virtytet e larta të moralit.

Sot plot nga muslimanët i veprojnë këto vepra të ndaluara, si tubimi për ngushëllim, shpallja në gazeta se filani ka vdekur, ka nga atyre që i veçojnë disa vende për tubimin e njerëzve, gatuajnë ushqim dhe marin me qira disa lexues të Kuranit me pretekst se këto i bëjnë dobi të vdekurit. Përcjell imam Ahmedi nga Xherir ibën Abdullahu i cili ka thënë: E konsideronim të tubuarit në familjen e të vdekurit dhe të gatuarit e ushqimit pas varrosjes së tij nga nijaha (të vajtuarit).

Atij që i vdes ndonjë anëtar i familjes apo i afërt duhet të vazhdon ta jeton e tij si më herët duke shkuar në punë dhe duke i kryer detyrimet e tij të përditshme, e jo të ulet në një vend me qëllim ngushëllimi. Lejohet që kush ta takon rrugës ta ngushëllon apo ta ngushëllon edhe në vende të tjera.

Detyra e çdo muslimani është të kapurit për traditën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për arsye se udhëzimi i tij është udhëzimi më i mirë, kurse më e keqja është shpikja në të.

SHEJH DR. SALIH FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

0 1982

– Orientalisti doktor Gari Miler është një Kanadez dhe profesor i shkencave të matematikës dhe logjikës në universitetin Toronto.  Ishte një thirrës shumë aktiv i fesë Krishtere dhe poashtu konsiderohej një njohës i mirë i Librit të Shenjtë.

– Ky njeri i kishte për qejfi shumë shkencat e matematikës dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse e donte edhe logjikën dhe gjërat të cilat ndërlidheshin dhe kuptoheshin me logjikë. Një ditë nga ditët e mori Kuranin ta lexon dhe të zbulon në të mangësi dhe gabime me qëllim që t’i përdor ato gjatë thirrjes së tij në Krishterizëm në mesin e muslimanëve. Shpresonte që Kuranin ta gjen si një libër të vjetër i shkruajtur para 14 shekujve dhe i cili flet për shkretëtira dhe gjëra tjera të ngjashme me të. Mirëpo nga ajo që e lexoi mendja iu hutua, madje zbuloi se ky libër në vete përmban gjëra që nuk gjinden në asnjë libër tjetër në këtë botë. Mendoi se në të do të gjen raste të fanatizmit të cilat i përjetoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qoftë mbi të, si vdekja e gruas së tij Hatixhes apo vdekjen e vajzave dhe djemve të tij, mirëpo nga kjo nuk gjeti asgjë. Madje ajo që e la me gojë të hapur ishte se e vërejti se në Kuran ekziston një sure e plotë me emrin Merjem ku në të lavdërohet dhe fisnikërohet Merjemja, nëna e Isait, alejhi selam. Kjo gjë nuk ekziston në librat e të Krishterëve dhe as në Inxhilat e tyre … madje në Kuran nuk gjendet as një sure me emrin Aishe apo Fatime. Dhe poashtu e vërejti se Isa, alejhi selam, është përmendur 25 herë në Kuran kurse Muhamedi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është përmendur vetëm se 4 herë dhe kjo me të vërtetë ia hutoi mendjen.

– Sërish e mori Kuranin dhe filloi të hulumton mos po e gjen ndonjë mangësi, mirëpo gjatë hulumtimit ia tërhoqi vërejtjen një ajet madhështor. Ky ajet ishte ajeti me numër 82 i sures Nisa ku Allahu në të thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie”. Doktori Gari Miler rreth këtij ajeti tha: “Nga parimet shkencore të njohura në kohën bashkëkohore është parimi i zbulimit të gabimeve dhe ajo që çudit është fakti se Kurani i thërret muslimanët dhe jomuslimanët në hulumtimin e gabimeve të tij, mirëpo askush nuk mundi të zbulon gjë. Doktori poashtu tha se nuk ekziston autor në botë i cili posedon aftësi të shkruan një libër e pastaj të pretendon se ky libër është i pastër nga gabimet dhe mangësitë. Mirëpo tek Kurani është e kundërta plotësisht. Ai ty të thotë se në të nuk ka gabime madje të sfidon që të gjesh ndonjë gabim dhe ti asnjëherë nuk ke mundësi të zbulosh.

– Nga ajetet që doktori Gari Miler qëndroi një kohë të gjatë duke e përsiatur  është ajeti me numër 30 i sures Enbija ku Allahu në të thotë: “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?! “.

Rreth këtij ajeti thotë: “Ky ajet me saktësi është tema e studimit shkencor e cila e fitoi edhe çmimin Nobel në vitin 1973 dhe në të flitej rreth teorisë së eksplodimit të madh. Në të citohet se kozmosi që tani ekziston është si rezultat i një eksplodimi të madh ku nga ai shpërthim janë formuar çdo gjë që gjendet në qiej”.  Kurse në fund të ajetit ku ceket uji si burim jete, doktori tha: “Kjo është për të çuditur për arsye se shkenca bashkëkohore ka zbuluar se qelizat e gjalla përbëhen nga citoplazmat ku prezenca e tyre në të është 80%, kurse citoplazma në esencë përbëhet nga uji. Si është e mundur që njeriu i cili nuk ka dinë as shkrim e as lexim dhe ka jetuar para 14 shekujve t’i dinë këto gjëra?! Pa dyshim se e gjithë dituria e tij ka qenë shpallja nga ana e Allahut”.

– Doktori Gari Miler e pranoi Islamin dhe filloi të ligjëron ligjërata në të gjitha anët e botës … dhe poashtu ka shumë debate me priftërinj dhe me thirrës në Krishterizëm ku edhe ai më herët ishte në mesin e tyre.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

0 1443

1- Lëmosha i hap dyert e Xhenetit.

2- Lëmosha është më e mira ndër veprat e mira dhe lëmosha më e mirë është ushqimi i të varfërve.

3- Lëmosha i bën hije pronarit të saj Ditën e Kiametit dhe e liron nga zjarri i Xhehenemit.

4- Lëmosha e fikën zemërimin e Allahut.

5- Lëmosha është ajo më e mira që i dhurohet të vdekurit dhe që i bën më së shumti dobi.

6- Lëmosha është pastrim për pasurinë dhe pastrim për shpirtin dhe shkak i shtimit të shpërblimeve.

7- Lëmosha është shkak për mbjelljen e lumturisë dhe ndriçimit të fytyrës Ditën e Kiametit.

8- Lëmosha pronarin e saj  e siguron dhe e mbron nga frika e Ditës së Kiametit.

9- Lëmosha i shlyen mëkatet dhe i falen gjynahet.

10- Lëmosha është nga përgëzueset e përfundimit të mirë dhe shkak për lutjen e melekëve.

11- Ai që e jep lëmoshën është nga njerëzit e zgjedhur dhe për dhënien e saj shpërblehen të gjithë që marin pjesë në të.

12- Ai që e jep i janë premtuar mirësi të shumta dhe shpërblime të mëdha në dynja dhe në ahiret.

Përktheu: Irfan Jahiu

0 1099

Këngëtarët dhe artistët në Kosovë janë kampion në ç’rregullimin e moralit të shoqërisë, me keqardhje dëshmoj se janë kategoria më e ulët që nuk i kontribuojnë aspak qytetërimit dhe intelektualitetit njerëzor; edhe pse në mediume janë të parët që dalin, edhe pse fitojnë duartrokitje të shumta, edhe pse fitojnë shuma të majme parash, edhe pse gëzojnë një far prestigji dhe fame në shoqëri, edhe pse u shkojnë prapa shumë ithtarë, shumica prej tyre të rinj, ata mbesin gjeneratorët e energjisë për shthuarje morale e intelektuale.

Të sëmurë nga sëmundja e karierizmit, të dehur pas epsheve e kënaqësive egoiste të kësaj bote, duke bë përjashtime në disa individë, por në shumicë dërrmuese janë bartës të mesazheve pro-amoralitetit, janë shumë komercialë, janë me të vërtetë shpërlarës të trurit.
Me një fjalë; ata jetojnë vetëm për ta fitu simpatinë e njerëzve!
Andaj të kemi kujdes, të mos i imitojmë verbërisht, por t’i ”rrahim” shkenctërisht sepse ne jemi modeli për ta, e jo ata për ne.
Dhe prova e argumenti më faktik për këtë është gjendja momentale morale e intelektuale e rinisë sonë, ku të ndikuar nga joshjet dhe performancat e arteve të shthurura të tyre, janë në një prapambeturi të tillë.
Edhe pse s’pajtohen shumë me këtë që shkruajta, unë do t’i rri prapa këtij qëndrimi deri në vdekje nëse vazhdon një gjendje e tillë, është opinion i imi dhe kush të dojë le të pajtohet e kush të dojë le të hidhërohet, e them dhe e shkruaj atë që e kam në zemër dhe mendje, nuk falsifikohem dhe nuk dyftyrësohem.

Pres edhe kritika prej jush, ju faleminderit.

Autor: Labinot Kunushevci

NA NDIQNI NË