Arhiva DitoreJul 14, 2015

0 1268

Nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, përcjell se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë:

“Allahu i Lartësuar ka një numër të madh të melekëve (engjëjve) lëvizës, të cilët kërkojnë tubime, në të cilat përmendet emri i Allahut. Kur i gjejnë tubimet e tilla e thërrasin njëri tjetrin: Ejani se gjetëm atë që këkonim, pastaj afrohen dhe i mbulojnë me krahët e tyre rreth e për qark njerëzit prezent duke e mbushur kështu hapësirën deri në qiellin e kësaj bote. Kur të tubuarit shpërndahen, engjëjt ngrihen në hapësirën qiellore. Pastaj Allahu i pyet ata, edhe pse Ai i di të gjitha: “Prej nga po vini?” Ata thonë: “Po vijmë nga një tubim në Tokë, në të cilin robërit e Tu të lartësonin , të madhëronin , të njësonin , të lavdëronin dhe kërkonin (të mirën) prej Teje.” Ai thotë: “Çfarë të mire kërkonin prej Meje?” Ata thonë: “Kërkonin Xhenetin Tënd.” Ai thotë: “A e kanë parë ata Xhenetin Tim?” Ata “thonë: “Jo, o Zot.” Ai thotë: “E si do të ishte nëse do ta shihnin Xhenetin Tim?” Ata thonë:“Ata kërkojnë mbrojtjen Tënde.” Ai thotë: “Prej kujt kërkojnë mbrojtjen Time?” Ata thonë: “Prej zjarrit Tënd, o Zot.” Ai thotë: “Po a e kanë parë zjarrin Tim?” Ata thonë: “Jo.” Ai thotë: “E si do të ishte nëse do ta shihnin zjarrin Tim?” Ata thonë: “Ata kërkojnë faljen Tënde.” (I Dërguari ) Tha: Pastaj Ai thotë: “Unë i kam falur dhe i kam derdhur mbi ta të mirat që m’i kanë kërkuar, dhe ua kam siguruar mbrojtjen Time nga ajo që kanë kërkuar mbrojtje.” Engjëjt do të thonë: “O Zot, në mesin e tyre është edhe filani, rob mëkatar, i cili ishte duke kaluar aty pari dhe (rastësisht) u ul në atë tubim.” Allahu u thotë: “Gjithashtu edhe atë e kam falur, sepse ata janë një popull, me të cilin ai që rri, nuk vuan.”

Buhariu 6408, Muslimi 2689.

Burimi: albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli

0 1157

Qysh nga hyrja në kopsht, syri më kapi këtë lule. Disi m’u duk më i lartë se të tjerat dhe në njëfarë mënyre qëndronte mbi ato. U tregova i matur dhe s’desha të vijë këtu e ta marrë menjëherë. Desha të bëjë një shëtitje lule më lule sikurse bleta dhe prej secilës ta marrë nektarin e saj. Në këtë mënyrë i erdhi radha edhe kësaj luleje, ngase në maturi fitohet urtësia e cila njeriut i shërben në jetë. Me të kapur në dorë më mbushi me aromë dhe më nxiti që menjëherë ta lexojë e t’ua tregojë të tjerëve.

Aty shkruante: Ibrahim En-Nahaiu ka thënë: “Veprat e mira të kryera gjatë kësaj nate janë më të mira se sa veprat e kryera vazhdimisht për mijëra muaj tjerë.” Angazhimi i njeriut në këtë natë i arrin shpërblimet që s’mund të fitohen nëse angazhohet në netët tjerë. Bërja ditë e kësaj nate e zëvendësimi i gjumit me adhurime, e ngjall zemrën pasi shpirtin e mbush me ushqimin e tij.

Me kryerjen e adhurimeve në këtë natë, realizohet takimi i të dashurit me të Dashurin pasi kjo e paraqet ngushëllimin e zemrës së përmalluar. E njeriu çka jep, ai edhe merr, e shpërblimi i të mirës është vazhdimësia në mirësi. Nëse bëhet përmirësimi i zemrës përmes ushqimit të saj, ajo ngrihet në shkallën e lartë që veten e sheh të përulur ndaj të tjerëve. Nëse nevojiten fjalët për ta thënë atë që flenë në zemër, duhet vepra ta kryejë atë që e kënaq zemrën. Në këtë çast, lulja për pak sa nuk më ra nga dora, m‘u dhimbs kjo, ndaj i shtrëngova duart dhe e forcova më shumë.

E afrova edhe një herë afër vetes dhe e nuhata edhe një herë. Kur njeriu veten e preokupon me adhurime, e largon nga vetja pakujdesinë që mund ta godasë. Kur shpirti gjallërohet nga ujitja, lulëzon nga veprat. Një vepër që kryhet në brendinë e kësaj nate, ndriçon në përditshmëri më shumë herë se sa në netët tjera. E për njeriun sa më shumë ta përmend Zotin, aq më i sigurt ndjehet ai. E unë, u ndjeva i nxitur t’i përkushtohem ende leximit të kësaj luleje, shkurt, por me një kuptim që nëse kjo natë kalohet në adhurime, arrihet shpërblimi sikur tërë jeta të kalohet në të.

Mbeta i ngrirë në këmbë me lulen në dorë dhe me mendimet vërdallë rreth saj. Si ndjehet njeriu, me mendimet që i kultivon në veten e tij, ashtu edhe si e ushqen zemrën, ashtu i ka edhe veprat. E ngrita shikimin lartë dhe sa hap e mbyll sytë e lëshova këtë lule, por jo me një largim sikurse largimi prej luleve tjera. Kjo disi la përshtypje të thella në shpirt, dhe vazhdimisht më nxiste ta përsëris në vete të njëjtën. Përsëritja është nëna e diturisë, kisha dëgjuar më herët, e me këtë fjalë e lashë lulen pas vetes dhe e vazhdova rrugëtimin tim drejt luleve tjera të cilat më prisnin t’u afrohem e t’i kapë për lexim.

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

0 2003

Nata e Kadrit, ky gurë i çmuar të cilin synojnë ta fitojnë të gjithë agjëruesit dhe pas të cilit gjurmojnë ata që në këmbë qëndrojnë duke e falur namazin e natës.

Është matur kjo natë me njëmijë muaj dhe ka mbipeshuar.

Thotë i Lartësuari: Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.

Është fshehur kjo natë në mesin e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit dhe rruga për ta gjetur është angazhimi në ato dhjetë netë të fundit.

Nëse dikush na thotë se brenda njërës pre këtyre kutive me numra prej 21-30 është një diamant dhe ke kohë të caktuar për ti hapur si do ta kishe zgjedhur mënyrën për ti kontrolluar këto kuti.

A do mjaftoheshit me hapjen e kutive me numrat 25 dhe 27 apo do ti hapnit gjitha kutitë.Nuk ka dyshim se ai që është i zgjuar nuk do të qëndroj duarkryq dhe do të hapte gjithë kutitë njëra pas tjetrës.

Kështu duhet të jetë edhe gjendja jonë karshi dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Assesi nuk do mjaftohemi me namazin e natës në një apo dy netë. Nata e bekuar e Kadrit është njëra prej dhjetë netëve të fundit të Ramazanit dhe sipas mendimit më të saktë ajo është njëra prej netëve tek siç na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem i cili thotë kërkojeni në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. (Buhari)

Për të përfituar nga mirësitë e kësaj nate mundohu të jesh pronar i këtyre katër çelësave.

Çelësi i parë është: Njohja e vlerës dhe shpërblimeve të mëdha që Allahu i jep në këtë natë. Nuk është një natë e thjeshtë është natë më e vlefshme se njëmijë muaj.

Çelësi i dytë: Gjurmimi i palodhshëm pas kësaj nate duke mos u mjaftuar me shenjat e saj por duke këmbëngul na adhurime në vazhdimësi. Çelësi i tretë: mbushi këto netë me lutje të drejtuara Allahut dhe namaz të natës. Duaja dhe namazi janë porositë e Resulullahut se si duhet të kalohen këto netë.

Çelësi i katërt: është sinqeriteti duke e pritur shpërblimin vetëm prej Allahut. Rishikoje nijetin dhe prej kuj realisht e prit shpërblimin dhe sevapin.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve seleme thotë: Kush falet në këtë natë me besim në Allahun dhe duke e pritur shpërblimin vetëm prej Allahut i falen mëkatet e së kaluarës. (Buhari dhe Muslim)

Vëllezër të dashur,

Kjo është Nata e Kadrit e panjohur për neve prandaj angazhohuni maksimalisht dhe kujtojeni dështimin e atij për të cilin është thënë: Ka humbur dhe ka dështuar ai që e ka arritur muajin e Ramazanit dhe nuk i janë falur mëkatet. Allahun e lus ti pranoje agjerimet tona, namazet dhe veprat e mira. O Allah mos na privo prej mirësive të kësaj nate. Amin.

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË