Arhiva DitoreJul 15, 2015

0 1094

Prej lules më lule, prej dijes më dije, njeriu s’di të ngopet kurrë. Madje, ai sa më të përkushtuar e gjen veten në dije, aq më të paditur e ndien veten karshi saj. Me të lëshuar të lules paraprake, syri ishte fokusuar drejt një luleje tjetër. M’u duk sikurse po qeshet me mua dhe po më thërret t’i afrohem e ta kapë.

Një copë herë qëndrova duke u kënaqur kështu, e pastaj desha që kënaqësinë ta vazhdojë me të duke e mbajtur në dorë. Mendja nuk më rrinte qetë, edhe pse e mbaja në dorë, zhytej në thellësitë e saj dhe jetonte në këtë atmosferë. E dija se do lexoja diçka me vlerë.

Kjo lule më tha: Ibën Xhevziu ka thënë: “Muaji i Ramazanit në dallim nga muajt tjerë është sikurse Jusufi ndaj vëllezërve të tij. Sikur që Jusufi ishte djali më i dashur i Jakubit, ashtu edhe Ramazani është Muaji më i dashur i Allahut.”

Në këtë çast u kujtova në një thënie të vjetër se, zemra që mëshiron, ajo edhe donë. Njeriu e dallon tjetrin nga besimi, kurse e nderon nga respekti. Ardhja e këtij Muaji te ne është mysafir në zemrat tona, e ne, si do ta nderojmë atë, aso kujtimesh do t’i mbesin atij për ne. Jakubi e arriti dritën e syve pas verbërimit nga këmisha e Jusufit, e ne, mund ta arrijmë dritën e zemrës pas shtresimit të pluhurit në të me vepra gjatë kohës së këtij Muaji. Vepra e cila nxitet nga besimi, rezulton nga suksesi, e heshtja që frymëzohet nga puna, shprehet nga fjala.

Çdo dhimbje e ka shkakun që e nxit, por ç’t’i themi zemrës që më së shumti e dallon atë që më së shumti e donë. Në prehje arrihet pushimi, e si mund që të pushojë zemra kur afër vetes s’e ka atë që ia ofron prehjen. Dije se për sa kohë që zemra i nënshtrohet të Vërtetës, për aq kohë, e Vërteta e udhëzon zemrën. Në rrugën e sprovës, ekziston rrugëdalja pas çdo vështirësie, se aty ku ka durim dhe mbështetje në të Fuqishmin i dobëti bëhet i fortë gjatë sprovave. Më herët është thënë se, sevapi të del në ndihmë aty ku ke nevojë, e mëkati pikërisht këtu të kthen shpinën.

E unë, disi u ndjeva i befasuar nga mendimet e këtilla që më zbukuruan trurin dhe më bënë të ndjehem shpresëdhënës. Thuajse tërë kohën sytë i kisha pasur drejt lules e vetëm tash në fund e vërejta se atë kisha qenë duke e shikuar. Si është meditimi, të zhyt brenda duke ta dhënë kënaqësinë, duke mos e vërejtur fare situatën momentale. Fjalët e të mençurve janë të shkurta, por me kuptime të mëdha, e fitimi më i madh është se mëson diçka që më herët nuk e ke ditur. Fjala e cila le përshtypje është melhem për zemër, e zemrën që e duan të gjithë, të gjithë i thonë fjalë të mira…

E lëshova lehtas dhe vazhdova rrugën!

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË