Arhiva MujoreMay 2016

0 2637

Pyetje: Cila është hapësira më e afërt e më e largët që duhet të jetë mes njeriut dhe sutres?

Përgjigjja: Falënderimi i takon vetëm Allahut.

Sunet është që njeriu të qëndrojë pranë sutres së tij, në mënyrë që ai mund të ndalojë të gjithë ata që përpiqen të ecin para tij, mbështetur në hadithin e transmetuar nga Ebu Davudi (695) nga Sehl ibn Ebi Hathmah (Allahu qoftë i kënaqur me të atë) nga i dërguari (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i cili ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet drejt sutres, le t’i afrohet afër asaj në mënyrë që shejtani nuk do të ndërpresë namazin e tij”. (Ibn AbdulBer e klasifikon hasen në el-Teuhid (4/195); Neveviu e ka klasifikuar sahih në el-Mexhmu ‘(4/195) dhe shejh Albani në Sahih Ebi Davud)

Dijetarët ndryshojnë në mendime në lidhje me distancën dhe prej ku është më e preferuar?

Disa prej tyre thanë se distanca është tre kut nga këmbët e atij që falet, sepse Profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) u lut në Qabe mes tij dhe murit kishte tre kut.” Transmeton Buhariu (506). Ky është mendimi i Hanefive, Shafive dhe Hanbelive, dhe kjo është ajo që mund të kuptohet nga fjalët e Malikut, për shkak se distanca në mes të atij që falet dhe sutres duhet të jetë aq që ai ka nevojë të ngritet, të bie në ruku apo në sexhde. (Mavsuah el-Fikhijeh (24/184).

Të tjerët janë të mendimit se distanca duhet të jetë aq sa për të lejuar një dele për të kaluar, nga vendi ku ai bie në sexhde, mbështetur në hadithin e transmetuar nga Buhariu (474) dhe Muslimi (508) nga Sehl ibn Sad (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: “Ndërmjet vendit ku i dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) falej dhe murit kishte një hapësirë sa një dele mund të kalonte”.

Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Në hadithin, se mes vendit ku i dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) falej dhe murit ka pasur një hapësirë ​​sa një dele mund të kalonte, vendi ku ai falej nënkupton vendi ku ai bënte sexhde. Kjo tregon se sunet është që ai I cili falet të jetë afër sutres së tij.

Disa dijetarë janë përpjekur të bëjnë bashkimin mes hadithit të Ibn Omerit dhe Sehl ibn Sad-it (Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy), duke shpjeguar hadithin e Ibn Omerit, i cili përmend tre kut, se ka për qëllim për atë që është në këmbë, dhe hadithin e Sehl, i cili përmend një hapësirë ​​sa një dele mund të kalojë, kur është në sexhde.

Allahu e di më së miri.

Burimi: albislam.com / Islamqa.info

Përktheu: Shpend Zeneli

0 4531

MËSIME DHE POROSI ISLAME ( 46 )

Edukata gjatë ngrënies së ushqimit: ( Pjesa e pestë)

  1. Pëlqehet ngrënia e ushqimit me tre gishta;

Transmetohet nga Ka’b Ibën Malik, radijAllahu anhu se ka thënë: “E pashë pejgamberin alejhi selam duke ngrënë ushqimin me tre gishta.” (Muslimi).

  1. Mos’hapja e shumtë e gojës gjatë ngrënies së ushqimit.
  2. Nëse bie ndonjë pjesë e ushqimit në tokë, duhet ta marrë atë, ta largojë pjesën e ndotur dhe ta hajë pastaj pjesën e mbetur, në mënyrë që mos t’ia lej shejtanit atë, e nëse është ndotur ushqimi i tëri, atëherë mos ta hajë. (ashtu siç transmeton Muslimi nga Xhabiri radijAllahu anhu, se kështu vepronte pejgamberi, alejhi selam).
  3. Fshirja e pjatës së ushqimit pas përfundimit të ushqimit, ngase ndoshta aty mund të jetë bereqeti. Njëherit kështu vepronte edhe pejgamberi alejhi selam. (Transmeton Muslimi nga Xhabiri se keshtu vepronte pejgamberi alejhi selam).
  4. Lëpirja e gishtrinjëve pas përfundimit të ushqimit. Pra, duhet të veprojê kështu para se t’i pastrojë me ujë duartë. (Ngase, kështu vepronte pejgamberi alejhi selam, siç transmeton Muslimi nga Xhabiri).
  5. Pëlqehet ndërprerja e ngrënies së ushqimit para ngopjes.
  6. Të thënurit; Elhamdulilah(falënderimi i takon Allahut) pas përfundimit të ngrënies së ushqimit.
  7. Të mos filloj ngrënien e ushqimit i pari, sidomos nëse në mesin e tij ka njerëz që janë më të moshuar se ai.
  8. Që të mos heshtin gjatë ngrënies sê ushqimit. Pra,të flasin gjëra tê mira, qoftë rreth edukatës së ushqimit, etj.
  9. Mos ta përcjell ose shikojë vazhdimisht tjetrin duke ngrënë, që mos ta bëjë tjetrin të turpërohet. Pra, të shikoj para ushqimit të tij dhe të angazhohet me veten e tij, e jo me të tjerët.
  10. Mosveprimi i gjërave që fusin neveri dhe mërzi tek personat me të cilët është duke ngrënê bukë.
  11. T’i japë përparësi të tjerëve në ngrënien e ushqimit, sidomos nevojatêrevë, pra ta sakrifikojë veten e tij për ta.

Allahu i Madhëruar, thotë:”por më tepër duan t’u bëjnë mirë atyre se sa vetes, edhe pse madje vetë janë nevojtarë. E, ata që ruhen nga lakmia e madhe, me siguri, do të jenë fitues.” (El Hashër; 9 ).

“….. dhe i ushqejnë të varfërit, bonjakët dhe të zënët robë (në luftë), madje edhe pse janë vetë nevojtarë për te (ushqim). (Thonë ata): “Na, ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Na – për këtë, nuk duam shpërblim as falenderim! Na i frikësohemi Zotit tonë atë Ditë kur fytyrat janë të vrenjtura dhe të ashpra” Allahu i ruan ata nga tmerret e asaj Dite; Ai atyre u jep shkëlqim (në fytyrat e tyre) dhe gëzim dhe, për durimin e tyre (në të drejtë). Ai i shpërblen ata me xhennet dhe (petka) të mëndafshta“.(El Insan; 8-12).

  1. Nuk është prej sunetit shkuarja mysafir tek dikush në kohën kur është e njohur se ata janë duke ngrënë zakonisht ushqimin në atë kohë.
  2. Moskërkimi i ushqimit nëse shkon në vizit tek dikush. Nëse e sheh se ata i thojnë, a dëshiron të përgatisim ushqim nga turpi, atëherë le t’i thotë: Do ha me familjen time inshallah. Mirëpo, nëse e sheh se ata janë duke e lutur të ngrën ushqim tek ata mënyrë serioze, atëherë le të pranojë përgatitjen e ushqimit dhe ngrënien e tij.
  3. Të mos i fryejë ushqimit të nxehtë(supës, etj) dhe ushqimit të rënë në tokë, pas marrjes së tij për ta ngrënë, por mjafton largimi i pjesës së zhytur dhe ngrênia e pjesês së pastër.

Dr. Mustafa Murad

Burimi: albislam.com

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

0 3557

Pyetje: Unë kam lexuar fetvanë në lidhje me sutren dhe unë jam ende i hutuar në atë se; Sa është madhësia e gjatësisë e gjerësisë, që është minimumi që pranohet si sutre?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.

Është mustehab për imamin dhe për që falet vetë të falet përballë sutres, dhe atë mbështetur në hadithin e transmetuar nga Ebu Davudi (598) nga Ebu Se’id el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: I dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet, le të falet drejt sutres dhe le ti afrohet afër asaj.” Shejh el-Albani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë : Isnadi (Zingjiri) i tij është hasenun sahih (Sahih Sunen Ebi Davud 3/281)

Në librin “el-Mavsuah el-Fikhijeh” (24/177) thuhet: Është sunet për namazfalësin, në qoftë se ai falet në vetmi, ose si imam, që të ketë sutre që do të parandalonte kalimin e njerëzve përpara tij, dhe që të mundëson të fokusohet siç duhet në veprimet e namazit. Kjo mbështetur në hadithin e transmetuar nga Ebu Se’id el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të), se pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet, le të falet drejt sutres dhe le ti afrohet afër asaj dhe të mos e le që dikush të kalojë para tij.” dhe ai (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Përdorni sutre, kur jeni duke u falur, edhe nëse ajo është një shigjete.”

Në rastin e atij që falet pas një imami, nuk është mustehab për të që të përdor sutre, sipas konsensusit të dijetarëve, sepse sutreja e imamit është sutre e atij që falet pas tij, ose për shkak se imami është sutre për të.

Së dyti:

Sunet është që njeriu të përdor si sutre diçka e cila qëndron në këmbë, është më mirë në qoftë se ajo është sa gjatësia e pasme e shalës ose më e gjatë, mbështetur në hadithin e transmetuar nga Muslimi (771) nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) e cili ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) është pyetur në lidhje me sutren për atë që falet dhe ai tha: “Ashtu si pjesa e prapme e një shale“.

Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ky hadith flet për pëlqyeshmërinë e marrjes së sutres para atij që falet, dhe ky hadith shpjegon se madhësia e sutres minimale është sa pjesa e prapme e një shale, që është gjatësia e parakrahut, ose rreth dy të tretave të krahut. Sutre arrihet me çfarëdo që ai vëndon para tij.” (Sherh Muslim” 4/216)

Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Në lidhje me atë se sa duhet të jetë i trashë ose i hollë, nuk ka asnjë përkufizim, për aq sa ne jemi të vetëdijshëm. Ajo mund të jetë e hollë sa një shigjetë apo shtizë, ose e trashë si një murë. Profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) përdorte për sutre një shtizë të shkurtër.
Ebu Se’id ka thënë: Ne kemi përdorur shigjetë ose shkëmb si sutre për t’u falur.
Dhe është transmetuar nga Saburah se profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Përdorni sutre për t’u falur edhe në qoftë se ajo është sa një shigjetë”. Transmeton el-Athram.
Evzaiu ka thënë: Një shigjetë ose një kamxhik është e mjaftueshme.”
Imam Ahmedi ka thënë: Çfarë është më e gjerë se shigjeta ajo është e preferuar për mua. Kjo për shkak se fjalët “edhe në qoftë se ajo është sa një shigjetë” tregon se diçka tjetër është më e përshtatshme se ajo. (Mugni, 2/38)

Burimi: albislam.com / Islamqa.info

Përktheu: Shpend Zeneli

0 3867

BENI ISRAILËT ADHURUAN VIÇIN

Pasi që Allahu shkatërroi Faraonin dhe ushtrinë e tij, Musai, alejhi selam, së bashku me beni israilët u nis  për në Kuds, ku më pas rrugës diku u nda nga ata, duke lënë vëllanë e tij Harunin përgjegjës të tyre. Shkoi që t’i lutet Allahut, në ato momente i erdhi lajmi hyjnor për atë se çfarë kishin shpikur populli i tij në mungesë të tij, duke adhuruar viçin, pasi që ua kishte zbukurar këtë një person me emrin Samirij, emër që i referohet vendit Samira, në Palestinë. Kur ata e panë viçin të cilin ua kishte ndërtuar Samiriu, ai u tha: Ky është Zoti juaj dhe i Musait, andaj atë adhuroni, sepse Musai e ka harruar Zotin e tij këtu, e shkoi për ta kërkuar në një vend tjetër.

Haruni, alejhi selam, këshilloi adhuruesit e viçit edhe para se të kthehej Musai, alejhi selam. U tregoi atyre se janë në devijim të qartë duke adhururar viçin, i cili as që sjell dëm e as dobi, dhe se i adhuruari i vërtetë është Allahu Një, i porositi ata që të kthehen e të ndjekin të vërtetën, në të cilën ishte ai dhe vëllau i tij Musai. Por, kjo këshillë nuk gjeti kush do e dëgjojë, megjithatë u ballafaqua me nënçmim, tallje dhe përqendrim në të vazhduarit në rrugën e devijimit.

Kur Musai, alejhi selam, u kthye, e qortoi vëllanë e tij, pse nuk kishte marrë një qëndrim të prerë, e të vendosur ndaj adhuruesve të viçit. E Haruni i tregoi atij se nuk i kishte luftuar ata për krimin që ata kishin vepruar, nga frika se mos ndodhte ndonjë fitne në mesin e tyre, e të ndahen në grupe e parti, kështu që vendosi të priste kthimin e Musait e të ndërmer më pas diç ndaj tyre. Pasi që përfundoi Musai duke dëgjuar arsyetimet e vëllait të tij, iu drejtua me fjalë popullit, që të kuptonte shkakun pse kishin qëndruar duke adhuruar viçin, kështu ata e njoftuan atë për arsyet e pabaza, që aludonin në marrëzi të mendjeve të tyre, për idetë e përçmuara, e i treguan atij se adhurimi i viçit ishte një gjë jashta mundësive e zgjedhjeve të tyre, në çfarë i kishte joshur në të Samiriju, e që po të mos ishte kjo –ashtu siç pretendonin- do mbesnin në marrëveshjen e duhur dhe premtimin që e kishin dhënë.

Musai, alejhi selam, me hidhërim iu drejtua Samirijut, filloi ta nënçmon e ta qorton, e më pas urdhëroi njerëzit që ta distancojnë e të mos i afrohen atij, sepse është shpifës, mëkatar, i keq, e përçarës.

Më pas, Musai morri viçin që e kishin ndërtuar dhe e shkatërroi, i hodhi copëzat e tij në det, dhe u sqaroi atyre që e kishin adhuruar se adhurimi i tij ishte injorancë, pas së cilës nuk ka injorancë më të madhe, e nuk i takon një të mençuri të vepron ashtu, e përfundoi fjalimin e tij duke sqaruar se i Adhuruari i vërtetë është Allahu, që nuk ka zot tjetër pos Tij, i Cili me diturinë e Tij ka përfshirë çdo gjë.

TREGIMI I SHTATËDHJETË PERSONAVE TË CILËT I KISHTE ZGJEDHUR MUSAI

Musai, alejhi selam, zgjodhi shtatëdhjetë burra, nga më të mirët e popullit të tij në takimin me Allahun, në atë kohë që Allahu ia kishte caktuar, ai i ftoi që të shkojnë së bashku me të. Ky takim – sipas mendimit më të sakt- ka ndodhur pasi që beni israilët kishin adhuruar viçin në mungesë të Musait. Më pas këta shtatëdhjetë burra kërkuan nga Musai gjë që nuk u takonte atyre ta kërkojnë, për çfarë ata i goditi një tërmet katastrofal. Musai iu drejtua Zotit me fjalët: O Zot! Do dëshiroja që vullneti Yt për ti shkatërruar të ndodhte para se të dilnin me mua në këtë vend, e së bashku me ta të më shkatërrosh edhe mua, e të mos bie në siklet të madh me beni israilët, ngase ata do më thonë mua: Ti i morre më të mirët nga ne që t’i shkatërrosh. Musai, alejhi selam, tha këtë fjalë që të përfiton faljen e Zotit nga ky krim që e kishin vepruar populli i Tij, pasi që Allahu i kishte begatuar me me dhunti të mëhershme të shumta, e i shpëtoi nga Faraoni dhe parija e tij. Më pas Musai, alejhi selam, e luti Zotin që t’ia lehtëson më të mirën e kësaj jete nga dhuntitë, adhurimet, shëndetin e suksesin, e t’i jep në ahiret gjithashtu më të mirën e faljes, mëshirës, xhenetit gjërësia e së cilit është sa qiejt e toka.

MUSAI, ALEJHI SELAM, DHE POPULLI I FUQISHËM (DHUNUES)

Pasi që Allahu fundosi Faraonin dhe shpëtoi Musain dhe ata që ishin me të prej beni israilëve, Musai u drejtua për kah Toka e Shenjtë. Vetëm sa kishin kaluar detin panë një popull që adhuronin idhuj, natyrshmëria pagane e tyre i riktheu ata, kërkuan prej Musait që të ndreq një idhull që ata ta adhurojnë, në këtë moment Musai u nevrikos shumë, e i përshkroi ata si një popull që nuk e njohin të vërtetën, duke u sqaruar atyre mizorinë e paganëve, ua kujtoi dhuntitë e shumta që me çfarë i kishte begatuar Allahu, me ç‘rast obligohen që ta njësojnë duke iu nënshtruar vetëm urdhërit të Tij, t’i dorëzohen dëshirës së Tij, më pas Musai, alejhi selam, refuzoi kërkesën e tyre, se vetëm Allahu është Një që meriton të adhurohet.

Në atë kohë, Allahu i Madhëruar urdhëroi Musain, alejhi selam, që të zgjedh dymbëdhjetë persona nga populli i tij, nga më të ndershmit që ishin me të, i urdhëroi që të nisen për në tokën e Shenjtë, që të vëzhgojnë gjendjen e banorëve të atij vendi, e të marrin ca lajme mbi ta. Musai zbatoi urdhërin e Zotit, i dërgoi ata tek toka e Shënjtë, kur të dërguarit shkuan gjetën se ata ishin shumë të fuqishëm, e fizikisht të mëdhej, u kthyen tek Musai e i thanë: Ne shkuam deri tek vendi ku na dërgove, në të vërtetë ishte përplot qumësht e mjaltë, pos që banorët ishin shumë të fuqishëm, vendi i tyre fortë i fortifikuar e me shumë kala, dhe gjithsecili prej tyre filloi ta ndalonte shokun e tij nga të luftuarit, përpos dy personave, ata këshillonin popullin që të respektojnë profetin e tyre Musa, për të luftuar së bashku me të. Por, beni israilët kundërshtuan këshillën e dy të dërguarve duke respektuar fjalën e të tjerëve, këmbëngulën për të mos luftuar, filluan të qajnë me zë, dhe thanë: Mjerë për ne, më mirë të kishim vdekur në Egjipt apo në këtë vend ku gjendemi!

Allahu i shpalli Musait, alejhi selam, që t’i pengon ata nga ajo që ata ranë –frika e kundërshtimi- e t’i nxisë për luftë kundër popullit dhunues, por ata mbyllën veshët nga urdhëri i tij, dhe e refuzuan. Edhe dy personat besimtarë, kundërshtuan bojkotin e tyre ndaj luftës, i nxitën që të respektojnë profetin e tyre, i ftuan që çështjen e tyre t’ia dorëzojnë Krijuesit pasi që të kenë marrë parasysh shkaqet, të marrin vendimin e duhur për t’u ballafaquar me kundërshtarët në luftë.

Pos që, një këshillë nga këta dy burra besimtarë nuk hasën tek beni israilët zemra të ndërgjegjshme, e as veshë që dëgjojnë, por atë që morrën ishte rebeli e inat, duke i përsëritur profetit të tyre mohimin e prerë për mosshkuarje në tokën e Shenjtë, përderisa ai popull ishte aty duke qëndruar, duke u arsyetuar se nuk kishin aftësi që të luftojnë, se ata ishin shumë më të fortë e më të vrazhdë. Saqë i thanë Musait, alejhi selam, se nëse hyrja në këtë vend është aq me rëndësi për të, le të shkon ai së bashku me Zotin e të luftojnë kundër atij populli, e t’i nxjerrin nga aty, ndërsa ata do qëndrojnë ulur në vendin e tyre, pa u larguar, ngase luftimi me atë popull nuk u interesonte as për një afat të afërt e as për më vonë!

Kur Musai pa prej popullit të tij inatin e frikën që kishin, iu kthye Zotit për t’iu ankuar Atij, e të kërkon që ta ndaj atë pre tyre, sepse ata më nuk ishin meritorë që ta shoqërojnë e ta ndjekin atë, iu drejtua me fjalët: O Zoti im! Ti e di se unë nuk posedoj diç më tepër për të ndihmuar fenë Tënde, pos vetes dhe vëllain tim, ndërsa populli ka dalë nga respektimi ndaj meje, kundërshtuan urdhërin Tënd, përderisa ky është qëndrimi i tyre, më ndaj mua prej tyre, sipas gjykimit Tënd të drejtë, ngase vetëm Ti gjykon me të drejtë mes robërve, Ti je  gjykatës më drejti. Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Musait, alejhi selam,  e i tregoi se toka e Shenjtë është haram për ata frikacakë e kundërshtarë për katërdhjetë vitë, për atë kohë do bredhin nëpër shkretëtirë të hamendur, duke mos përmirësuar çështjen që kanë, pa mos patur mundësi të marrin vendim të drejtë, ky është shpërblim i atyre që kundërshtojnë Allahun e nuk i përmbahen ligjeve të Tij.

Për Musain, ishte edhe një lajm tjetër, që në vazhdim do tregojmë për të.

Burimi: albislam.com / Islamweb.net

Përktheu: Shpend Zeneli

0 2120

MËSIME DHE POROSI ISLAME ( 45 )

16. Premtimi i rrejshëm: I Dërguari i Allahut, thotë: “Shenjat e munafikut, janë tre: Kur flet gënjen. Kur premton, mashtron. Kur i besohet diçka, tradhton.” (Buhariu dhe Muslimi).

  1. Gënjeshtra: Gënjeshtra ka shumë shkallë, e ato janë:
    1. Gënjeshtra e cila është kufër (dalje nga Islami), ajo është: Gënjeshtra ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, të bërit haramin-hallall dhe hallallin-haram.
    2. Gënjeshtra e cila është ndër mëkatet më të mëdha, ajo është; Gënjeshtra mbi pejgamberin, alejhi selam me qëllim, psh: Të thënurit e ndonjë thënie se kinse e ka thënë pejgamberi alejhi selam, e realisht pejgamberi alejhi selam është larg dhe i pastër nga ajo thënie.
    3. Gënjeshtra e cila është nga mëkatet e mëdha, por jo në kategorinë e gënjeshtrës sëmëhershme, ajo është; Gënjeshtra me qëllim të marrjes së pronës, pasuris së huaj apo hakut të dikujt tjetër.
    4. Gënjeshtra e cila është mëkat i vogël, e ajo është: Gënjeshtra e prindërve karshi fëmijeve të tyre, me qëllim që ata të jenë më të ndëgjueshëm ndaj tyre, psh: Hadithi: Një grua i tha djalit të saj, eja tek nëna yte të dhuroj diçka. Pejgamberi alejhi selam e pyeti: “Çka do t’i dhurosh? Tha, nëna: Ca hurma! Atëherë, pejgamberi alejhi selam i tha: ” Po mos t’i dhuroje asgjë djalit tënd, ashtu siç i the, do të të shkruhej se ke gênjyer.” (Shënon Imam Ahmedi në Musnedin e tij: 24/471, hadithi është i mirë, i këtij mendimi është edhe Shejh Albani, shiko: Sahih Suneni Ebi Davud: 4991).
    5. Gënjeshtra e lejuar: Gënjeshtra lejohet në këto tre raste:
    a: Gënjeshtra në luftë.
    b: Gënjeshtra për t’i bashkuar dy njerëz të përçarë.
    c: Gënjeshtra e bashkshortëve ndaj njëri tjetrit në aspektin e dashurisë.

Dr. Mustafa Murad

Burimi: albislam.com

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

0 2707

Pyetja: Nëse imami në namazin e xhenazes i jep dy selame, ndërsa unë atë që e di se në namazin e xhenazes jipet vetëm një selam në anën e djathtë, a të veproj ashtu siç di unë, apo ta ndjek imamin në dy selamet?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.

Së pari: Shumica e dijetarëve janë të mendimit se selami në namazin e xhenazes është vetëm një herë dhe atë në anën e djathtë.

Ibn Abdur Berri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shumica e dijetarëve, nga të parët e bashkëkohorët, janë të mendimit se selami është vetëm një herë.” (Istidhkar, 3/32)

Ibn Kudameh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Selami në namazin e xhenazes është vetëm një herë, kjo është përcjellur nga gjashtë prej shokëve të profetit, sal-Allahu alejhi ve selem, në kohën e të cilëve nuk është njohur ndonjë kundërthënie, andaj kjo është kosnideruar ixhma’ (konsensus).”

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk njihet asnjë kundërshtarë rreth kësaj çështje pos nga Ibrahim Nehaiu.” (Mugni 3/418)

Ahmed ibn Kasimi përcjell dhe thotë: Është pyetur Ebu Abdilah (pra; Imam Ahmedi) se a njeh ndonjë prej sahabëve që ka vepruar dy selame në namazin e xhenazes? Ka thënë: Jo. Por (njihet) nga gjashtë prej sahabëve se ata jepnin një selam, në formë të shkurtër në anën e djathtë. E përmendi prej tyre ibn Omerin, ibn Abasin, Ebu Hurejren, Vethile ibn Eska, ibn Ebi Eufa dhe Zejd ibn Thabit.

Bejhakiu ka shtuar dhe ka përmendur: Ali ibn Ebi Talib, Xhabir ibn Abdullah, Enes ibn Malik, Ebu Umameh ibn Sehl ibn Hanif, këta janë dhejtë nga sahabët.” (Zadul Mead 1/490)

Shejh ibn Baz, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Kjo njihet si sunet -vetëm një selam-, njashtu kjo është vërtetuar nga shokët e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, , një selam në anën e djathtë.” (Fetava nurun ala derb 14/19)

Dy: Disa dijetarë janë të mendimit se në namazin e xhenazes jipen dy selame, sikur që jipen në namazet farze dhe ato nafile. Ky njëherit është edhe medh’heb i Ebu Hanifes dhe Shafiut. (El Mebsut 2/65, El Mexhmu’ 5/240)

Për këtë janë argumentuar me hadithin e ibn Mesudit: “Tre gjëra i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem i vepronte që njërëzit tani nuk i veprojnë: njëra prej tyre: Selami në namazin e xhenazes sikur se selami në namaz.” E transmeton Bejhakiu në librin e tij “Sunen el Kubra” (4/43), Neveviu në librin “Hulasah” (2/982) ka thënë: “Zingjiri i këtij transmetimi është i mirë.” Dhehebiu në “Muhedheb” (3/1387) ka thënë: “Zingjiri i tij është i mirë.” Shejh Albani e ka vlerësuar të mirë në “Ahkam el Xhenaiz”.

Ky hadith nuk është i qartë për dy selamet, ngase mund që të ketë për qëllim ngjasimin me origjinën e selamit, pra jep selam në namazin e xhenazes ashtu siç jipet në namazin e rregullt. Apo mund të jetë se ai thoshte: Selamu alejkum ve rahmetullah, sikur që thuhet në namazin e rregullt. Apo është i ngjashëm me selamin e namazit për nga shprehja e selamit me zë.

Andaj bartja e një prej këtyre kuptimeve duhet të jetë në pajtim me veprat e sahabëve, kjo është më primare se sa të bartet në një prej kuptimeve që vie në kundërshtim me veprimet e tyre.

Thënia se namazi i xhenazes ka dy selame është thënie e disave nga të parët, siç është shënuar në “Musanef” me transmetim të mirë nga Xhabir ibn Zejd, Shabiu, Ibrahim Nehaiu, se ata jepnin dy selame. (Umdetul Kari Sherh Sahih Buhari 12/408)

Shejh Albani ka përzgjedhur lejueshmërinë e veprimit të dy formave.

Ibn Mundhiri ka thënë: “Vetëm se një selam është më e dashur për mua…sepse kështu kanë vepruar shokët e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, e ata janë më të dijshëm për sunetin se të tjerët, sepse ata prezentuan në namazin e xhenazes të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, dhe kështu e ruajtën, si dhe nuk hasëm në kundërshtime  prej atyre të cilëve transmetuam, se selami është vetëm një herë, po edhe dijetarët janë unanim që të jetë vetëm një selam.” (El Evsat fi Sunen vel Ixhma vel ihtilaf 5/448)

Tre: Kush falet pas një imami i cili jep dy selame në namazin e xhenazes, sipas legjislacionit islam ai duhet të djek imamin, sepse selami i dytë është çështje e diskutuar e pranuar në mesin e dijetarëve, siç u sqarua më herët, ndërsa sunet është pasimi i imamit, e të mos kundërshtohet.

Është pyetur Shejh ibn Uthejmini: “Kam parë në një prej vendeve islame, se në namazin e xhenazes imami jep dy selame, a ka kjo ndojfarë baze apo jo? Është përgjigjur: Dy selame në namazin e xhenazes është mendimi i një grupi dijetarësh, dhe nuk ka gjë të keqe nëse njeriu jep selam dy herë.” (Mexhmu’ Fetava 17/130)

Njashtu ka thënë: “Selami në namazin e xhenazes është vetëm në anën e djathtë, mirëpo nëse jep selam në anën e djathtë e në anën e majtë, nuk ka gjë, sepse kjo çështje është e gjërë, poashtu për këtë është transmetuar nga i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, se ai jepte selam edhe në të majtën.” (Fetava nurun ala derb 9/2)

Kush mjaftohet vetëm me një selam; ska gjë të keqe, sepse kjo nuk e dëmton pasimin e imamit, posaçërisht me selamin e parë, me çfarë njeriu del prej namazit, sipas mendimit të gjithë dijetarëve.

Për në fund: Selami në namazin e xhenazes bëhet vetëm një herë në anën e djathtë, qoftë se i bën dy selame, një në të djathtën e një në të majtën, nuk ka gjë të keqe.

Allahu e di më së miri

Burimi: albislam.com / Islamqa.info

Përktheu: Shpend Zeneli

0 2390

MËSIME DHE POROSI ISLAME ( 44 )

Prej cytjeve dhe vesveseve të shejtanit që ia bën muslimanit në lidhje me namazin, janë;
1. Cytja duke e bërë atë të bëhet dembel në lidhje me faljen e namazit në xhami dhe në kohën e tij.
2. Cytjet dhe vesveset e shejtanit para namazit, duke i futur dyshime muslimanit në pastërtinë e tij.
3. Duke i futur dyshime muslimanit se a ka abdes, apo nuk ka abdes, lëshoj gazra apo jo gjatë namazit, etj.
4. Cytjet se a e lexoi suren El Fatiha apo jo, se a e lexoj një sure pas fatihas apo jo, etj.
5. Cytjet në lidhje me numrin e rekateve të namazit, se a është në rekatin e tretë apo në rekatin e katërt, etj.
6. Cytjet në lidhje me çështjet e dynjasë, qoftë biznesi, puna, mësimi, provimet, etj. Duke e shtyer muslimanin ta falë namazin sa më shpejtë dhe pa koncentrim.
7. Cytjet duke e shtyer muslimanin të bëjë sa më shumë lëvizje në namaz: lëvizje të shumta dhe pa nevojë në nanaz.
8. Cytjet pas përfundimit të namazit, duke e shtyer muslimanin që mos ta bëjë dhikrin dhe ta anashkaloj çdoherë atë pas faljes së namazit.

Shejh Abdulaziz Ibën Muhamed Ibën Abdullah Es Sed’han

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

0 3593

Është shumë e dobishme në kuptimin e emrave dhe atributeve të Allahut, njohja e llojeve të tyre për nga kuptimi dhe aludimi i tyre, që në në këtë kontekst ndahen në katër kategori:

Kategoria e parë: Janë ato emra të cilat aludojnë në atrubitet e Qenies së Tij. Atributet e Qenies së Tij me të cilat Ai çdoherë ka qenë dhe është i cilësuar me to, ato janë të pashmangshme nga Ai, dhe këto nuk ndërlidhen me dëshirën e Allahut.

Prej këtyre emrave janë:

El Hajj (I Gjalli) që aludon në pohimin e cilësisë së përjetësisë.

El Alim (I Gjithdijshmi) që aludon në pohimin e cilësisë së dijes absolute.

Es Semi (Dëgjues) që aludon në pohimin e cilësisë së dëgjimit.

El Besir (Vështrues) që aludon në pohimin e cilësisë së shikimit.

El Kavijj (I Forti) që aludon në pohimin e cilësisë së forcës.

El Alijj (I Lartësuar) që aludon në pohimin e cilësisë së ngritjes.

El Aziz (Gjithëkrenari) që aludon në pohimin e cilësisë së krenarisë.

El Kadir (plotfuqishëm) që aludon në pohimin e cilësisë së fuqisë.

Kategoria e dytë: Janë ato emra të cilat aludojnë në atributet veprore (aktive). Atributet veprore janë ato që ndërlidhen me dëshirën e Allahut, poqëse dëshiron i vepron, dhe kur nuk dëshiron nuk vepron me to.

Të këtij lloji janë emrat e Allahut, si:

El Halik (Krijuesi) që aludon në pohimin e cilësisë së krijimit.

Er Rrazak (Furnizuesi) që aludon në pohimin e cilësisë së furnizimit.

Et Tevab (Pendimpranues) që aludon në pohimin e cilësisë së pranimit të pendimit.

El Gafur (Falësi) që aludon në pohimin e cilësisë së faljes.

Er Rrahim (Mëshiruesi) që aludon në pohimin e cilësisë së mëshirës.

El Muhsin (Mirëbërësi) që aludon në pohimin e cilësisë së bamirësisë.

El Afuv (Mëkatfalës) që aludon në pohimin e cilësisë së shlyerjes së mëkateve.

Të gjitha këto cilësi janë veprore për arsye se ato janë të lidhura me dëshirën e Allahut.

Allahut thotë: “Allahu krijon çka të dojë.” Nur, 45  “Allahu i bagaton pa kufi ata që i don Ai.” Bekare 212  “Allahu e pranon pendimin e atij që do.” Teube, 15.  “Ai falë kë të dojë; e dënon kë të dojë – Perëndia falë shumë dhe është mëshirues.” Fet’h, 14.  “Ai ndëshkon atë që don Ai dhe e mëshiron kë të dojë Ai, dhe te Ai do të ktheheni.” Ankebut, 21.  “Bënu mirë të tjerëve ashtu si të ka bërë ty mirë Allahu.” Kasas, 77.  “E, Allahu, madje, ua fali (gabimin), sepse – Perëndia është falës dhe i butë.” Ali Imran, 155.

Kategoria e tretë: Janë ato emra të cilat aludojnë në përsosmëri, përkryerje, në pastrim të Zotit nga çdo e metë e mangësi, që nuk i takojnë madhërisë, hyjnisë, e përsosmërisë, sikur që janë emrat e Allahut: El Kudus, Es Selam, Es Subuh, gjitha këto nënkuptojnë në përsosmëri,  shenjtëri e pastrim nga çdo gjë që nuk i përkasin Atij, në shpëtim nga çdo e metë e mangësi, apo të ketë Ai ortak prej krijesave, apo të ngjashëm e të njejtë si Ai, pra, Allahu i Lartësuar është larg çgo gjëje që mohon cilësitë e Tija absolute, të madhërishme, Ai është larg çdo kundërshtari, rivali, të njejtë apo të ngjashëm, i Madhëruar është Allahu nga gjithë kjo, i Lartësuari.

Pra kjo përsosmëri vie nga këto emra.

El Kudus  (I pastër nga çdo e emetë)

Es Selam (Paqedhënësi) I Përsosuri i Patëmetë

Es Subuh (I Madhëruari) i Lavdëruar

Kategoria e katërt: Janë ato emra që aludojnë për një grup atributesh, shumëshifror e jo njëjës. Ngase ka prej emrave të Allahut të Lartësuar që aludojnë edhe në disa atribute, e ky lloj emër i ngërthen të gjitha  ato nga një emër i cili ngërthen një cilësi të vetmë të saj, prej tyre janë emrat e Allahut të Lartësuar: El Mexhid, El Hamid, El Adhim, Es Samed, Es Sejid.

El Mexhid; i përket Atij që është i cilësuar me disa cilësi prej cilësive të përsosura, kjo fjalë ka për qëllim këtë, ka domethënien e gjërësisë, shtimit e shumicës. Pra El Mexhid kthehet tek madhështia e cilësive të Tij, numrit të madh dhe shtrirjes së gjërë, në madhështinë e sundimit e pronësisë, në veçimin e Tij për përsosmëri absulute, madhështi e bukuri absolute, ky emër nuk aludon vetëm se për një kuptim të veçantë, por për një numër të cilësive.

El Hamid; është Ai të cilit i takojnë gjitha falënderimet, e që janë të gjitha cilësitë hyjnore, ngase për çdo cilësi prej cilësive të Tija, Ai falënderohet.

El Adhim; është Ai të cilit i takon madhështia në emrat, cilësitë e veprat e Tija, i Cili është i përshkruar me shumë cilësi prej cilësive të përsosura, madhështore e të bukura.

Es Samed; është një nga emrat më me kuptimgjërë e më madhështoret, është Ai i Cili është i përsosur në dijen, urtësinë, butësinë, fuqinë, krenarinë, madhështinë, e gjitha cilësitë e Tija.

Këto katër katëgori janë shumë me rëndësi të njohen, e të njihen nënkategoritë e tyre, kjo është një dobi e madhe, dobi fisnike në temën e kuptimit të emrave të bukur dhe kuptimin e gjurmëve të tyre.

Nga ajo që u përmend tregohet se emrat e Allahut që të gjitha janë edhe atribute, nuk janë thjeshtë vetëm emra të përveçëm sa për t’u dalluar, por janë emra të përfituara, që aludojnë në kuptime të shumta, e që janë cilësi absolute, me të cilat është i përshkruar i Lartësuari, për çfarë meritohet të lavdërohet e të falënderohet.

Allahu i Madhëruar ka falënderuar Veten e Tij me emrat e Tij dhe është lavdëruar me to, Allahu thotë: “Allahu është (Një), s’ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka emrat më të bukur.” Taha, 8.

Dhe thotë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur.” Araf, 180.

Ato era që janë të ngurta, të cilat nuk aludojnë për asnjë cilësi, në të cilat nuk ka lavdërim, e as që tregojnë për falënderim, nuk bëjnë pjesë në emrat e Allahut, sepse emrat e Allahut që të gjitha janë të bukura; pra të bukura skajsmërisht, dhe atë se ato aludojnë në cilësi absolute, atribute madhështore, i Lartësuar dhe pa të meta është Ai.

Me këtë bëhet e qarët thëia e gabuar e atyre që konsiderojnë emrin “Dehr” prej emrave të Allahut, duke u argumentuar me hadithin kudsij: “i biri i Ademit më ka plagosur mua, ai e fyen kohën (dehra) ndërsa unë jam “Dehru” koha, në dorën Time është çështja e saj, Unë rrotulloj natën e ditën.” Buhariu 4826, dhe Muslimi 2246 nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu.

Në këtë hadith nuk ka asnjë alum se “Dehr” është nga emrat e Allahut, nga “Dehr” është koha, dhe Allahu i Madhëruar është Ai i cili rrotullon ditën e natën, andaj kush e fyen kohën, e cila urdhërohet dhe rrotullohet, fyerja i referohet edhe urdhëruesit e rrotulluesit që ëshët Allahu i Madhëruar. Pra emri “Dehr” është emër i ngurtë, nuk përmban ndonjë kuptim që mund t’i bashkangjitet emrave të bukura, sepse është emër kohë, ndërsa emrat e Allahut që të gjitha jën të bukura.

Autor: Abdurrezak ibn Abdul Muhsin Bedr

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË