Arhiva DitoreJun 20, 2016

0 3109

Allahu i Madhëruar, thotë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk humbim shpërblimin atij që është bamirës.” (El Kehf: 30)

  1. Vepra e katërt: Llogaritja e vetvetes.

Allahu i madhëruar, thotë : “O ju që besuat, frikësojuni All-llahut dhe le të shikojë çdonjëri se çka ka bërë për nesër. Dhe frikësojuni All-llahut! S’ka dyshim se All-llahu është i Njohtuar (Habir) për atë që punoni!” (Hashr: 18 ).

Omeri, radijAllahu, ka thënë: “Llogariteni veten tuaj para se të llogariteni nesër në ditën e Gjykimit. Ngase, me të vërtetë ai që e llogarit vetveten sot, nesër do t’i lehtësohet llogaria.”

Ebu Derda, radijAllahu, ka thënë: “Ditët janë pjesë e jetës tënde. Kalon një ditë, të ka kaluar një pjesë nga jeta jote. Shfrytëzoji ato ditë, në kryerjen e veprave të mira.”

Ibn Kajimi, rahimehullah, ka thënë: “Kush e mediton jetën e sahabëve e sheh se ata punonin shumë, frikësoheshin shumë, kurse ne pak punojmë e shumë shpresojmë. “

Hasan el Basriu, rahimehullah, ka thënë: “Nuk do të takosh ndonjë besimtar që të mos e llogarisë vetveten.”

Mejmun ibn Mihrani, rahimehullah, ka thënë: “Me të vërtetë ata që i frikësohen Allahut e llogarisin veten e tyre me një rigorozitet më të madh sesa partnerët që janë koprracë në punë.”

Me të vërtetë mosllogaritja e vetvetes është shkak që njeriu të zhytet edhe më shumë në mëkate. Edhe jobesimtarët kënaqen me jetën e kësaj bote duke mos llogaritur se një ditë do të dalin para Allahut xhele ue ala.

Allahu, xhele ua ala, thotë: “Ata ishin që nuk pritnin se do të japin llogari.” (En-Nebe 27).

Ibn Kajimi, rahimehullah, thotë: “Shkatërrimi i shpirtit vjen si pasojë e lënies pas dore të vetëllogaritjes, duke u pajtuar me kërkesat dhe ndjekjen e epsheve.“

Andaj, ti vëlla i nderuar agjërues : Patjetër duhesh të gjejsh kohë për t’u vetmuar me vetveten dhe të shikosh se ku gjenden veprat e tua dhe çka ka përgatitur për të nesërmen.

Llogaritja e vetes është dy lloje:
1. Llogaritja e vetes para veprimit, të ndalet robi para se ta kryej një punë, ta pyet veten çka ka kjo punë dobi, a është Allahu (aze ve xhel) i kënaqur me këtë punë apo jo!?
2. Llogaritja e vetes pas veprës, kjo është tri lloje: 1. Ta llogaritësh veten në kryerjen e adhurimeve se a e ke kryer në formën e kërkuar? 2. Ta llogaritësh veten për punën e kryer, se ndoshta moskryerja e saj ka qenë më mirë për mua? 3. Ta llogaritësh veten për punët që janë lejuara apo të pëlqyera, përse e bëra, a desha me këtë ta kënaq Allahun apo veten, a e bëra të jetë për mua ndihmë për të mirë apo për të keqe!?

Shkaqet të cilat ndihmojnë në llogaritjen e vetvetes.
1. Dije se ta llogaritësh veten sot, nesër e ke më lehtë, ndërsa nëse nuk e llogarit veten sot, nesër e ke vështirë.
2. Përfitimi nga llogaritja e vetes dhe përkujdesja ndaj vetes është banimi në Firdeus, shikimi i fytyrës së Allahut, xhele ue ala, afrimi afër Pejgamberit alejhi selam dhe qëndrimi me njerëz të mirë.
3. Mos llogaritja e vetes ka pasoja, siç është ulja e shkallës në Xhenet, largimi nga njerëzit e mirë, mos shikimi i fytyrës së Allahut, xhele ue ala etj.
4. Largimi nga vendet dhe ndejat e kota, se këto të bëjnë ta harrosh veten.
5. Të mos mendosh mirë për veten tënde, se kjo të bën ta pëlqesh veten dhe t’i harrosh e anashkalosh tē gjitha të metat që i ke.

Si llogaritet vetja?
1. Fillon nga farzet, nëse gjenë mangësi në to, plotësoji ato të meta.
2. Me ndalesa, nëse e gjen veten se ke kryer një mëkat, nxito me pendim, kërkim falje dhe me punë te mira.
3. Llogarit gjymtyrët e trupit, si gjuhën, këmbët, duart, sytë, veshët, çka ke vepruar me to, për kë e bëre, si e bëre!?
4. Llogarite veten për neglizhencë ndaj përmendjes së Allahut, xhele ue ala.

Dobitë e llogaritjes së vetvetes;
1. I zbulon të metat e vetes tënde para se t’i zbulosh të metat e të tjerëve.
2. Pendimi, keqardhja në kohën që të bën dobi, se të vjen një kohë që nuk të kryen punë.
3. Llogaritja e vetes të bënë të moralshëm, e kjo është gjëja më e mirë e cila është e pakët në këtë kohë.
4. Është rrugë që të shpie drejt dashurisë së Allahut dhe kënaqësisë së Tij.
5. Argument i imanit të plotë dhe islamit të mirë.
6. Fitim i xhenetit dhe shpëtim nga zjarri i xhehenemit.
7. Arritje e lumturisë në të dyja botët.
8. Llogaritja e vetës në adhurime i bënë ato që të jenë të sinqerta vetëm për Allahun xhele ue ala, e për këtë nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.
9. Llogaritja e vetës në gjëra të hidhura të bënë që të shumëfishohet shpërblimi.
10. Llogaritja ndaj vetës largon njeriun nga dyshimet e syfaqësisë dhe ia shton bindjen ndaj Zotit të tij.
11. Llogaritja e vetës në gjëra të hidhura largon pikëllimin, sjellë gëzimin dhe shndërron atë që njeriu e llogaritë dënim, në mirësi.
12. Llogaritja ndaj vetës në adhurime e bënë njeriun të jetë shpirtërisht i kënaqur, me zemër të gëzuar për atë që ka grumbulluar te Zoti i tij, kështu shumëfishohet llogaria e tij e besimit dhe devotshmëria e shpirtit të tij.
13. Llogaritja e vetës është argument për kënaqësinë me caktimin dhe gjykimin e Allahut, dhe është argument për mendimin tënd të mirë ndaj Allahut.

Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË