Arhiva DitoreAug 16, 2016

0 1716
Në jetën tonë të përditshme ndeshemi pothuajse përditë me një mentalitet materialist në gjykimin e fisnikërisë ose jo të një pune a veprimi të dikujt. Nëse një punë, aktivitet apo qëndrim e konsiderojmë të gabuar e joparimor, shumë prej nesh në mënyrë gati instiktive do t’i atashojmë asaj lidhjen me paranë dhe interesin material dhe tokësor edhe pse mund të mos kemi asnjë fakt për ta provuar këtë.
Idealizmi për disa ose ka vdekur ose është e pamundur që ai të jetë pjesë, pak ose aspak, e motivimit të atij me të cilin nuk biem dakord dhe zakonisht nuk e njohim nga afër. Kështu që, për të delegjitimuar veprën, aktin, qëndrimin e punën e dikujt që e shohim të gabuar ose kundërshtar, mjafton të themi se ai paguhet dhe nga kush paguhet dhe kjo mjafton për ta denigruar kauzën e tij! Kësaj i thonë delegjitimim i kundërshtarit duke i mveshur atij një motivim materialist. Pra pa argumente dhe fakte që merren me vetë objektin e kundërshtuar, por me motivimin e supozuar të tij.
Kjo mendësi është e vjetër mes njerëzve, por këtu te ne (e gjetkë po ashtu) e ka kultivuar me tepri ideologjia marksiste, e cila bazën e shpjegimit të botës e kishte materialiste. Sipas komunistëve as Zoti dhe as bota tjetër nuk ekziston, kështu që veprimtaria njerëzore e motivuar për të përfituar hirin hyjnor dhe gjykuar favorshëm në botën e përtejme, ishte një farsë e kotë dhe si e tillë t’i besoje një “gënjeshtre” të tillë duhet të ishe ose naiv e injorant ose i metë, përndryshe duhet të ishe një rrufjan që për të përfituar materialisht do të shfrytëzoje injorancën dhe naivitetin e njerëzve, madje edhe do ta ushqeje atë në vazhdimësi. Ishte kjo një nga shpjegimet konstante materialiste që u ngulitej shqiptarëve në tru, për t’i shkëputur ata nga besimi në Zot dhe autoriteti fetar që predikonte fjalën e Tij. Dhe kjo për të vetmen arsye, sepse njerëzit për nga natyra e tyre janë të prirë t’i besojnë një idealisti, një të sinqerti, pavarësisht, sesa të saktë apo të gabuar e ka ai pikëpamjen e tij mbi botën.
Në mendësinë e njerëzve një njeri i sinqertë është edhe i drejtë në kauzën e tij, ndaj dhe i besojnë atij më shpejtë se kujtdo tjetër. Kështu që rruga më e lehtë dhe më e paargumentuara për të bindur masën naive është pikërisht delegjitimimi i kundërshtarit me akuzën se motivohet nga paratë, apo interesi material e tokësor edhe kur kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse sipas fjalës “ku ka zë nuk është pa gjë” vetë akuza edhe 100 % e pasaktë mjafton për ta denigruar kundërshtarin në sytë e publikut.
Ky fenomen sot nuk ndodh vetëm me keqdashje dhe me dije, por edhe pa dashje dhe nga paragjykimi dhe vjen pikërisht nga mendësia dhe kultura materialiste me të cilën janë edukuar së paku dy breza në këtë vend, pasojat e së cilës vazhdojnë akoma në shoqërinë shqiptare dhe aspak nga objektiviteti i të parit të gjërave.
Për fat të keq, kjo mendësi instrumentale e të gjykuarit të gjërave, nëpërmjet motivimit të paragjykuar, përdoret edhe mes njerëzve që besojnë në Zot, të cilët e dinë se për besimtarin motivimi material në aktet parimore të tij ose nuk ekziston ose është dytësor. Jo se në mes besimtarëve nuk ka njerëz të dobët që motivohen edhe nga paraja dhe interesa të tjera të kësaj bote, sepse edhe ata qenie prej mishi dhe kocke janë, por ta nisësh gjykimin tënd të paargumentuar për gabimin e dikujt mbi bazat të mentalitetit e motivimit materialist do të thotë se akoma nuk je shkëputur nga kultura marksiste e të vështruarit të gjërave edhe nëse pretendon se je besimtar në Zot.
Rruga e ndryshimit qenka e gjatë…
Zoti e mallkoftë komunizmin dhe gjithë farat e këqija që ai mbolli në këtë popull!

0 1739

Identiteti është pjesë e pandarë e natyrës njerëzore. Njeriu është më se normale të identifikohet me familjen, fisin, krahinën, kombin, gjuhën, klasën, shtetin, racën, fenë, sektin, ideologjinë, shkollën, kulturën, profesionin…etj. Është e kuptueshme që çdo identifikim prodhon edhe ligjërimin e tij përkatës, që komunikon me publikun e gjerë, i cili nga ana e tij reagon duke e identifikuar veten shumë, pak ose pak me këtë ligjërim, në varësi kjo të afërsisë me këtë identitet ose largësisë me të. Sa më i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës, real e jo fiktiv, të jetë ky ligjërim, aq edhe më i madh është numri i atyre njerëzve që do të gjejnë afërsi me të, edhe pse identitetet e ngushta specifike mund të jenë të ndryshme.

Bie fjala, reagimi i përsëritur publik i deputetes M. Doda ndaj një projektligji që mund të cenonte strukturën e familjes natyrore tradicionale, bëri bashkë muslimanë dhe të krishterë, demokrat e socialistë. Nëse ligjërimi i saj do të fokusohej vetëm nga premisa fetare e identitetit të saj të ngushtë të krishterë dhe katolik, apo vetëm ideologjik, natyrisht që edhe mbështetja publike ndaj saj do të ishte më e pakët.

Kështu ndodh edhe me çështje të tjera, kur një person publik, udhëheqës shteti, predikues, politikan, dijetar, sportist, artist, etj. me ligjërimin e tij përfshin çështje të mëdha e të ndjeshme nga një grup i gjerë identitetesh lokale apo miniidentitetesh edhe pse të ndryshme mes tyre, shpesh edhe mospërputhëse, gjasat që ai të ketë simpatizantë dhe pranim nga masat janë edhe më të mëdha. Sidomos kjo bëhet edhe më e dukshme nëse një person apo grup i tillë është edhe relativisht i suksesshëm në aktivitetin e tij.

Njerëzit natyrshëm janë të prirë ta admirojnë një njeri të suksesshëm dhe të fuqishëm, për më tepër kur në ligjërimin e tij ata identifikojnë një pjesë të identitetit të tyre social, kulturor, fetar apo kombëtar. Bie fjala, boksieri i madh amerikan, me origjinë afrikane, kampioni i botës në pesha të rënda Muhamed Ali, kishte simpatizantë të shumë në të gjithë botën, por në veçanti edhe mes muslimanëve të shkollave dhe sekteve të ndryshme, të racave dhe vendeve të ndryshme. Nëse ai do ta identifikonte veten vetëm brenda një race, vendi dhe sekti të caktuar, simpatizantët e tij do të kishin qenë më të pakët dhe fama e tij si boksier nuk do të ishte e mjaftueshme në këtë drejtim. Nëse ligjërimi i tij nuk do të ishte gjithëpërfshirës por sektar, përtej arritjeve të tij sportive, ai nuk do të kishte bërë për vete ata miliona njerëz në mbarë botën, por shumë më pak.

Po kështu, kur një grupim i ngushtë sektar, gati-kultist, apo klanor, pak ose aspak gjithëpërfshirës, që nuk përfshinë në ligjërimin dhe praktikën e tij edhe të tjerë e nuk përthith në sukseset e tij edhe miniidentitete të tjera jashtë grupit, është i destinuar të anatemohet dhe të humbasë terren me kalimin e kohës, sado efikas të jetë në zbatimin e politikave të tij. E për më tepër, kur e gjithë arritja dhe grupimi identifikohet me një njeri të vetëm, emri të cilit nuk bashkon njerëz të tjerë përtej grupimit përkatës.

Karizma jo gjithmonë është demagogji, për të ngopur turmat me lugë të zbrazët, ajo shërben në fakt edhe si mjet publik në rekrutimin dhe rritjen e mbështetësve besnikë, pa pasur nevoja që këtë ta bësh nëpërmjet strukturave filtruese. Kjo bëhet edhe në shërbim të realizimit të projekteve të cilat kërkojnë besim dhe mbështetje masive. Në këtë mënyrë vetë masat ndjehen të përfshira në sukses edhe pse roli i tyre mund të ketë qenë fare minimal, por kështu ata identifikohen me diçka me të cilën mund të krenohen dhe ndjejnë kënaqësi.

Për më tepër triumfi e suksesi i bashkon të ndryshmit dhe i bën ata shpesh të harrojnë diferencat mes tyre, përkundrejt dështimit i cili krijon çarje dhe ndarje edhe mes vetë një grupi të ngushtë. Kështu që suksesi dhe vazhdimësia e tij shpesh janë të lidhura jo vetëm me përmbajtjen e idesë, por edhe me politikat dhe diskursin e tyre gjithëpërfshirëse.

Ata që mendojnë se dalja nga hermetizmi sektar do të prish unitetin e grupit dhe suksesin e punës, harrojnë ose ndoshta nuk e dinë se në dimensionin vertikal mbarësia vjen nga Zoti, dhe mbarësia, apo bereqeti dhe vazhdimësia e Tij lëshohet mbi bashkësinë në tërësi dhe jo mbi një grup të caktuar në veçanti. Ndaj dhe në terma konkretë më të suksesshmit janë ata që janë edhe më gjithëpërfshirës. Profeti i Allahut thoshte: “Dora e Allahut është me bashkësinë (xhematin).”

Shkroi: Justinia Topulli

https://www.facebook.com/jtopulli?fref=ts

NA NDIQNI NË