Arhiva DitoreMar 14, 2017

0 352

Pyetja: Kam dëgjuar në një ligjëratë që dijetarë kanë lejuar mes’hun mbi çorape, përmes të cilave nuk shihet lëkura e trupit, por kam lexuar se është e lejuar të japim mes’h mbi çorape edhe nëse janë të holla. Cili nga të dy mendimet është më i saktë?

Përgjigjja: Falënderimi i qoftë Allahut

Së pari:

Është vërtetuar në sunetin profetik përdorimi i mesteve, dhe shumica e dijetarëve kanë bashkangjitur në këtë dispozitë edhe çorapet.

Çfarë nënkuptohet me çorape? Halil al-Farahidi ka thënë: Çorape janë një lloj i mbathjeve në formë të mesteve, të përbëra prej liri, pambuku ose pëlhurave tjera.[1]

Dallimi në mes çorapeve dhe mesteve (el-khuf) është se mestet janë prej lëkure, ndërsa çorapet nuk janë prej lëkure; por ato janë prej leshi, liri, pambuku apo pëlhurave tjera.

Në kohën e tashme, çorapet janë bërë edhe prej najloni (ose pëlhurave artificiale).

Së dyti:

Nuk ka asnjë hadith sahih nga i dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në lidhje me mes’hun mbi çorape.

Në lidhje me hadithin e transmetuar nga Tirmidhi përmes Ebu Kajsit, e ky nga Huzajl ibn Shurahbil nga Mugira ibn Shubah, i cili ka thënë: i dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, morri abdes dhe i dha mes’h çorapeve dhe sandaleve të tija.” – ky është një hadith daif (i dobët).[2]

Ebu Davudi në “Sunen” ka thënë: Abdurrahman ibn Mahdi nuk e transmetonte këtë hadith, sepse ajo që është e njohur edhe nga Mugira është se profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, iu dha mes’h mesteve (el khufejn).[3]

Ali ibnul Medini ka thënë: Hadithin e Mugire ibn Shu’beh (rreth mes’hit mbi meste-khufejn) e kanë transmetuar banorët Medines, ata të Kufes, dhe banorët e Basrës. Ndërsa Huzejl ibn Shurahbil ka transmetuar nga Mugire, të ketë thënë: Dhe ai i dha mes’h çorapeve të tija – këtu Huzejli ka kundërshtuar transmetuesit e tjerë.[4]

El-Mufadal ibn Gasan ka thënë: E pyeta Jahja Ibn Mainin për këtë hadith dhe ai tha: Të gjithë transmetuesit e transmetojnë atë në lidhje me mestet prej lëkures-khufejn, përveç Ebu Kajsit.

Prej atyre që kanë klasifikuar hadithin si daif, janë: Sufjan Eth-Theuri, Imam Ahmedi, Ibn Maini, Muslimi, Nesaiu, el-Ukajli, Darakutni dhe Bejhekiu.

Neveviu ka thënë: Këta janë dijetarët kryesorë të hadithit. Edhe pse Tirmidhiu tha se është hadith hasen (i mirë), këta dijetarë kanë përparësi para Tirmidhiut; në fakt, secili prej tyre veçmas ka përparësi para Tirmidhiut, sipas konsensusit të dijetarëve.[5]

Por ka transmetime të vërteta (sahih) rreth mes’hit mbi çorape nga sahabët.

Ibnul Mundhiri ka thënë: Lejueshmëria e mes’hit mbi çorape është transmetuar nga nëntë shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, prej tyre: “Ali ibn Ebi Talib, Amar ibn Jasir, Ebu Mes’ud, Enes ibn Malik, Ibn Omarit, Berra ibn Aazib, Bilalit, Ebu Umames dhe Sahl ibn Sadit.[6]

Ebu Davudi ka shtuar edhe të tjerë; Amr ibn Hurajith, Omeri ibn Hatab dhe Ibn Abasin.

Pra, mendimi se është i lejuar është i bazuar në këta sahabë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e jo në hadithin e Ebu Kajsit.

Imam Ahmedi ka deklaruar se mes’hu mbi çorape lejohet, dhe tha se hadithi i transmetuar nga Ebu Kajs ishte me të meta.

Kjo tregon për drejtësinë dhe barazinë e tij, Allahu e mëshiroftë. Kështu që ai është bazuar në transmetimet e sahabëve, dhe me anë të analogjisë së qartë, sepse nuk ka dallim të qartë mes çorapeve dhe mesteve, që do të bëjë të ndryshonte vendimin e mes’hit.[7]

Ibn Kudameja ka thënë: Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, jepnin mes’h mbi çorape, dhe nuk kishte njeri që i kundërshtonte ata gjatë kohës së tyre, për këtë arsye konsiderohet se është konsensus (mes tyre).[8]

Njashtu nuk ka dallim në mes të mesteve dhe çorapeve edhe përnga dukja.

Shejh Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Dallimi në mes çorapeve dhe mesteve është se të parat përbëhen nga leshi e këto të fundit janë prej lëkure. Është e njohur se ky dallim nuk ka asnjë ndikim në vendimet e Sheriatit. Andaj nuk ka dallim nëse ato janë prej lëkure, pambuku, liri ose leshi. Në të njëjtën mënyrë, sikur që nuk ka dallim nëse ihramet janë të zeza ose të bardha … Por qëllimi është se lëkura është më e qëndrueshme se sa materiali i pambukut, por kjo nuk ka të bëjë me vendimin, ashtu siç nuk ka dallim nëse lëkura është e fortë.

Përndryshe, ajo që dihet është se nevoja për mes’h mbi njërën është e njëjtë me nevojën për mes’h mbi tjetrën. Duke qenë të njëjta për sa i përket dispozitës fetare dhe nevojës për përdorim, dallimi midis tyre do të jetë dallim në mes të dy gjërave të ngjashme, e cila është në kundërshtim me drejtësinë dhe konsiderimit të saktë, që janë përmedur në Kur’an dhe Sunet, dhe ajo me të cilën Allahu zbriti Librat e Tij dhe i dërgoi të dërguarit e Tij.

Ata që dallojnë mes tyre me arsyetimin se tek njëri (çorapet) uji është i depërtueshëm e tek tjetri (mestet)  uji nuk depërton, kanë përmendur një dallim spontan, pa kurrfarë ndikimi.[9]

Së treti:

Shumica e këtyre dijetarëve të cilët e konsiderojnë se është e lejueshme të jipet mes’h mbi çorape kanë kushtëzuar që ato të jenë të trasha dhe të jetë e mundur që të ecet me to.[10]

Për shkak se vendimi mbi çorape është i njëjtë me vendimin mbi meste, e mestet janë vetëm se të trasha, kështu çorapet nuk mund të marrin hukmin e mesteve, pos vetëm nëse ngjasojnë me to.

Al-Kasani ka thënë: “Në qoftë se (çorapet) janë aq të holla dhe janë të tejdukshme, atëherë nuk lejohet mes’hi mbi to, sipas konsensusit të dijetarëve”.[11]

Ibn Katan el-Fesi ka thënë: Të gjithë dijetarët janë pajtuar njëzëri se nëse çorapet nuk janë të trasha, nuk lejohet mes’hi mbi to.[12]

Shejh Islam Ibn Tejmije është pyetur: A lejohet mes’hi mbi çorape, sikur mbi meste, apo jo?

Ai tha: Po, lejohet mes’hi mbi çorape, nëse është e mundur të ecësh në to, qoftë nëse ato janë prej lëkure, apo jo.[13]

Dhe ai tha: Në qoftë se janë të holla, nuk u jipet mes’h, sepse zakonisht nuk mund të ecësh në çorape të tilla dhe nuk ka nevojë t’u jipet mes’h mbi to.[14]

Në fetvanë e Komisionit të përhershëm për fetva, thuhet: Çorapet duhet të jenë të trasha, pjesa e poshtme nuk duhet të jetë e tejdukshme.[15]

Dhe ata thanë: Është i lejuar mes’hi mbi çdo gjë që mbulon këmbët dhe mbathen, të tilla si mestet dhe çorapet e trasha.[16]

Në mënyrë të ngjashme, Shejh Muhamed ibn Ibrahim ka thënë: Lejohet mes’hi mbi çorape dhe të ngjashme si to, nëse ato janë nga leshi, leshi i devesë, prej flokëve të dhisë, pambukut apo materialeve tjera, në qoftë se janë të trasha dhe mbulojnë këmbën, njejtë sikur që është e detyrueshme të lahen, përderisa përmbushin të gjitha kushtet e nevojshme.[17]

Dhe ai tha: Por në qoftë se çorapeja është e hollë dhe e tregon lëkurën, atëherë nuk mund të jipet mes’h mbi to.[18]

Shejh Ibn Bazi ka thënë: Një nga kushtet e mes’hit mbi çorape, është se duhet të jenë të trasha dhe të mbulojnë këmbën, nëse ato janë të holla, nuk lejohet mes’hi mbi to, sepse në këtë rast këmba dhe rasti që u përmend është sikur të jetë këmba e zbuluar.[19]

  • Disa prej dijetarëve e lejojnë mes’hin mbi çorape në të gjitha rastet.

Neveviu ka thënë: Dijetarët e medh’hebit tonë kanë transmetuar nga Omeri dhe Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se është i lejuar mes’hi mbi çorape, edhe nëse janë të holla. Ata gjithashtu kanë transmetuar këtë nga Ebu Jusufi, Muhamed Shejbani, Is’haku dhe Davudi.[20]

Këtë mendim e kanë Shejh Albani dhe Shejh Ibn Uthejmin, Allahu i mëshiroftë.

Por atë që kemi përmendur më lartë është mendimi i shumicës së dijetarëve, dhe ky është mendimi më i saktë, për shkak se baza e konsiderimit të lejuar (mes’hi mbi çorape) është një analogji me mestet, e çorapet e holla nuk janë si mestet, kështu që nuk ka analogji në këtë rast.

Çorapet të cilat sahabët i përdornin për mes’h ishin të trasha, sepse çorapet e holla nuk janë të njohura deri vonë.

Imam Ahmedi ka thënë: Nuk lejohet mes’hi mbi çorape, përveç nëse janë çorape të trasha … Njerëzit përdornin mes’hin mbi çorape, sepse për ta, çorapet ishin sikur mestet, kryenin funksionin e njejtë në këmbën e njeriut, me to ata udhëtonin.[21]

Nëse parashtrohet pyetja: Pse dijetarët përcaktojnë këto kushte në lidhje me çorapet?

Mubarekfuri ka thënë: Rregulli bazë është se këmbët duhet të lahen, siç kuptohet qartë prej Kuranit, e të ndryshohet prej tij nuk lejohet, përveç duke u bazuar në hadithe autentike, për të cilat hadithe kanë rënë dakord dijetarët e hadithit, siç janë hadithet për mes’hin mbi meste. Pra, është bërë e lejuar këmbimi i larjes së këmbëve me mes’hun mbi meste, dhe rreth kësaj nuk ka divergjencë në mesin e dijetarëve.

Ndërsa, hadithet të cilat flasin për mesh’in mbi çorape, për vërtetësinë e transmetimeve ka mospajtim mes dijetarëve, atëherë, si mund të lejohet dalja nga teksti Kuranor për larjen e këmbëve, për mes’h mbi çorape në të gjitha rastet?

Për shkak të kësaj, ata paraqitën disa kushte për lejueshmërinë e mes’hit mbi çorape, çorape që do jenë të ngjashme me mestet dhe kështu të përfshihen në hadithet që flasin për mes’hin mbi meste.

Nëse çorapet janë të trasha saqë mund të mbahen në këmbë pa u lidhur, dhe është e mundur të ecim me to, atëherë padyshim që nuk ka dallim në mes të këtij lloji të çorapeve dhe mesteve, sepse ato janë si meste. Por në qoftë se janë të holla, dhe nuk mund të mbahen në këmbë pa u lidhur, dhe nuk është e mundur të ecim me to, atëherë nuk janë si mestet, dhe padyshim që ka një dallim të madh mes tyre dhe mesteve.

Siç e sheh se mestet janë si sandale, në rast se nuk gjinden sandale, në mënyrë që mund t’i mbath ato e të ecë, kudo që ai dëshiron? Pra ai i cili mbath meste nuk ka nevojë që t’i hjek ato nëse dëshiron të ecë, kështu që ai nuk ka nevojë t’i hjek ditën apo natën; bile mund t’i mbath ato për disa ditë dhe netë, dhe është e vështirë për të që t’i hjek ato saherë që merr abdes “.

Përkundër atij që vesh çorape të holla, nëse ai dëshorn të ecë me to ai duhet t’i ndërron ato disa herë gjatë ditës dhe natës, dhe për të nuk është e vështirë që t’i hjek saherë që dëshiron të merr abdes.[22]

Përfundim:

Mendimi i shumicës së dijetarëve është se nuk lejohet mes’hi mbi çorape të holla, dhe se lejueshmëria (e mes’hit mbi çorape) është i kufizuar për çorape të trasha.

Allahu e di më së miri

Islamqa.info

Përktheu: Shpend Zeneli

albislam.com

[1] Në librin Mavahib el-Xhelil (1/318)

[2] Hadithi num‰ër 99.

[3] Sunen, 159.

[4] Ka shënuar Bejhekiu në “sunen el Kubra” (1/284)>

[5] Ng libri “Mexhmu Sherh el-Muhadheb” (1/500).

[6] Nga libri “El Evsat” (1/462).

[7] Nga libri “Tahdhib es-Sunan” (1/187)

[8] Nga libri “el-Mugni” (1/215)

[9] Nga libri “Mexhmu el-Fetava” (21/214)

[10] Nga libri: “el-Mabsut” (1/102); “el-Mexhmu” (1/483); “el-Insaf” (1/170)

[11] Nga libri “Bede’i Sana’i” (1/10)

[12] Nga libri “el-Ikna fi Meseil el-ixhma” (nr. 351).

[13] Nga “Mexhmu el-Fetava” (21/213)

[14] Nga Sherh ‘Umdat el-fikh (1/251)

[15] Fetvaja me numër (5/267)

[16] Nga “Fetava Lexhnetu Deimeh” (4/101)

[17] Nga “Fetava ve Rasail Shejh Muhamed Ibn Ibrahim” (2/66)

[18] Nga “Fetava ve Rasail Shejh Muhamed Ibn Ibrahim” (2/68)

[19] Nga “Fetava Shejh Ibn Baz” (10/110)

[20] Nga “Mexhmu Sherh el-Muhedheb” (1/500)

[21] Nga “Mugni nga Ibn Kudames” (1/216)

[22] Nga “Tuhfat el-Ahuedhi” (1/285)

NA NDIQNI NË