A bëri Ademi, alejhi selam, shirk?

A bëri Ademi, alejhi selam, shirk?

0 3195

Pyetje: Lexova nje artikull se Abdul Wehabi ne librin e tij per Teuhidin, kaptina 50(sipas botimit anglisht) e akuzon Ademin alejhis selam për shirk për disa arsye qe nuk ka nevojë t’i cekim! Ç’mendoni për këtë çështje, se ju me siguri e keni lexuar librin ne fjale?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…
Muhamed ibën Abdulvehabi në librin Kitabu Teuhid, tema 50 e përmend këtë ajet: “Por, pasi Ai u dhuroi atyre pasardhës të shëndoshë e të mirë, ata të dy i veshën Allahut ortakë, në lidhje me atë që u kishte dhënë. Por Allahu është shumë lart nga ajo që ata ia veshin Atij si ortakë!” (Araf, 190)
Pastaj përmend fjalën e Ibën Abasit lidhur me këtë ajet: “Kur Ademi u bashkua me Havanë, ajo mbeti shtatzënë. Atëherë, iu afrua Iblisi e u tha duke i frikësuar: ‘Unë jam shoku juaj, që ju nxora nga Xheneti. Tani, ose do të më bindeni mua, ose do t’i bëj atij (foshnjës në bark) dy brirë cjapi të egër, që të dalë nga barku yt duke e çarë atë! E sigurisht që kam për ta bërë!”. ‘Quajeni atë Abdul Harith!’ Por ata nuk pranuan t’i binden atij, dhe fëmija doli i vdekur. Havaja mbeti shtatzënë përsëri, e përsëri Iblisi u shkoi atyre me të njëjtat fjalë. Kësaj here, ata i mundi dashuria për fëmijën dhe e quajtën Abdul Harith. Ja pse Allahu thotë: “…ata të dy i veshën Allahut ortakë në lidhje me atë që u kishte dhënë…”.
Po nga Ibën Abasi, me zinxhir të saktë nga Katade, përcillet se ka thënë: “Bënë shirk në bindjen ndaj Tij, por jo në adhurimin e Tij.”
Pra, deri këtu ai nuk tha asnjë fjalë të tijën por vetëm shënoi atë që përcillej në libra, ndërsa te dobitë e hadithit tha: “Ky shirk ishte thjesht në formën e emërtimit, dhe jo në përmbajtjen e këtij emërtimi.” 
Pra, pas kësaj fjale askush i drejtë nuk guxon të thotë se Ibën Abdulvehabi e ka akuzuar Ademin dhe Havanë alejhima selam se kanë bërë shirk.

Rreth komentit të atij ajeti po të sjell fjalët e Ibën Uthejminit nga libri Kitabu Teuhid me përkthim të Azem Bardhoshit: “e vërteta është ajo që thotë Hasan Basriu, pra se ajeti nuk ka për qëllim Ademin dhe Havanë, por idhujtarët nga bijtë e Ademit. Ibën Kethiri, në shpjegimin e tij, thotë: “Për këtë çështje, ne jemi me mendimin e Hasan el Basriut (Allahu e mëshiroftë!), që thotë se, nga konteksti, nuk është për qëllim Ademi dhe Havaja, por idhujtarët nga pasardhësit e tij”.
Kjo ngjarje është e pasaktë për disa arsye:
Së pari, ai nuk përmban ndonjë dëshmi të saktë nga Profeti pasi ky është një rrëfim që mund të mësohet veç me Shpallje hyjnore. Ibën Hazmi e quan atë një përrallë, një sajim.
Së dyti, sikur të ishte e vërtetë, Ademi dhe Havaja ose do të pendoheshin për idhujtarinë, ose do të vdisnin në atë gjendje. Nëse do të pranonim se ata kanë vdekur në idhujtari, kjo do të ishte më e rëndë se fjalët e disa hipokritëve qafirë:

Kur kujtojmë Ademin dhe se ç’bëri ai,
Martesën e dy bijave me dy bijtë e tij,
Mësojmë se njerëzit nga kurvëria vijnë,
Kopila të gjithë janë në origjinë.

Kush e quan të mundur vdekjen e Profetëve në idhujtari, ka bërë një shpifje të madhe. Edhe sikur ndonjë Profet të kishte bërë një vepër të tillë, e pastaj të ishte penduar, nuk është prej urtësisë dhe drejtësisë së Allahut që Ai të përmendte gabimin, e të mos na tregonte për pendimin e tyre. Do të ishte e pamundur që Ademi dhe Havaja të bënin atë gabim dhe të ishin penduar, ndërsa Allahu të përmendte veç gabimin e tyre, jo pendimin. Gjithmonë Allahu i Madhëruar, kur përmend gabimin e disa Profetëve dhe të Dërguarve të Tij, tregon edhe për pendimin e tyre, siç ndodh me rrëfimin e historisë së vetë Ademit (alejhi selam), sipas të cilit ai dhe bashkëshortja e tij hëngrën nga pema e ndaluar dhe pastaj u penduan për atë veprim.
Së treti, Profetët kanë qenë të mbrojtur nga idhujtaria, sipas mendimit unanim të dijetarëve.

Së katërti, në hadithin që flet për ndërmjetësimin në Ditën e Gjykimit, thuhet – me përcjellje të saktë – se njerëzit do të shkojnë tek Ademi dhe do t’i kërkojnë të bëjë ndërmjetësim tek Allahu, por ai nuk pranon duke u arsyetuar me gjynahun e ngrënies nga ana e tij të pemës së ndaluar. Ajo vepër ishte një gjynah, kështu që nëse kjo vepra tjetër do të ishte shirk, atëherë ai do të arsyetohej me të, sepse do të ishte arsyetim më i fortë.
Së pesti, sipas këtij rrëfimi, shejtani shkon tek ata të dy dhe u thotë: “Unë jam shoku juaj, që ju nxora nga Xheneti.” Kështu nuk mund të flasë kurrsesi dikush që kërkon të mashtrojë përsëri, pasi ky do të ishte argument që ata të mos e besonin më, edhe sikur të thoshte të vërtetën
Së gjashti, sipas rrëfimit, Iblisi i kërcënon: “… do t’i bëj atij dy brirë cjapi të egër …”. Kësisoj, ata ose do ta besonin që ai kishte mundësi ta bënte këtë, dhe kjo do të ishte idhujtari tjetër, në rrububije (veprat e Allahut), sepse atë nuk mund ta bënte askush tjetër veç Allahut; ose nuk do ta besonin, e atëherë nuk do t’i bindeshin urdhrit të tij.
Së shtati, nga ajeti: “Por Allahu është shumë lart nga ajo që ata ia veshin Atij si ortakë!”, kuptohet se“ata” është në shumësin e përgjithshëm, ndryshe do të thuhej: “ata të dy” (sipas arabishtes).
Të gjitha këto argumente provojnë se kjo histori nuk është e saktë që në rrënjë. Gjithashtu, nuk lejohet që të besohet për Ademin dhe Havanë se ata kanë rënë në idhujtari, sido që të jetë çështja. Profetët kanë qenë të ruajtur nga idhujtaria, sipas mendimit unanim të dijetarëve.
Përfundimisht, ajeti flet për njerëzit në përgjithësi, nga të cilët disa bien në idhujtari e disa janë monoteistë të vërtetë.

albislam.com