A detyrohem të marrë abdes pas pastrimit të sekrecionit el-medhij?!

A detyrohem të marrë abdes pas pastrimit të sekrecionit el-medhij?!

0 4964

Pyetje: Nëse më ndodhë që të kem sekrecion, çfarë të bëj?! Nëse unë e pastroj rrobën dhe vendin ku ka ra lëngu i sekretimit, mirëpo nuk marrë abdes menjëherë, porse marrë pas një kohe kur bëhem gati për namaz, atëherë veprimi im a është në rregull?!

Përgjigje: Hamdin ia kushtojmë Allahut!

Së pari, sekrecioni (el-medhij) është i fëlliqtë dhe ta prishë abdesin, sipas konsensusit të të gjithë dijetarëve.

Përcillet se Aliu, -radijallahu anhu!-, ka thënë: “Isha njeri që kisha shumë sekrecion dhe lahesha gjithherë që më ndodhte, aq sa m’u ça shpina; Ia përmenda (apo iu përmend) të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e, ai, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, më tha: “Mos bëj kësisoj! Kur të shoh sekrecionin, pastroje organin tënd gjenital        dhe merr abdes që të kesh abdes për namaz!”[1]

          Përcillet nga Haram bin Hakim, ai nga xhaxhai i tij Abdullah bin Sead El-Ensarij, të ketë thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, për atë se çka e bën guslin të obligueshëm, sikurse (e pyeta) edhe për ujin (lëngun) i cili është pas ujit, e më tha: “Ai është sekrecion; Çdo organ gjenital që sekreton, duhet të lahet, po ashtu lahen edhe herdhet. Pastaj merr abdes për namaz.”[2]

          Ibën Kudame, -rahimehullah!-, ka thënë: “Ibnul-Mundhiri ka thënë: ‘Dijetarët janë që të gjithë të një fjale se dalja e pëgërës e jashtëqitjes nga zgavra anale, urinës nga organet gjenitale të të dy gjinive, dalja e sekrecionit dhe lëshimi i gazrave, që të gjitha këto e prishin abdesin, kurse abdesi paskëtaj është i obligueshëm!’”[3]

Kurse në pastrimin e sekrecionit mjafton spërkatja e rrobës në vendin ku është lëshuar lëngu, kurse larja është e asaj pjese është më e mirë, për t’iu shmangur mospajtimeve të dijetarëve në këtë mesele. Kurse argument për mjaftueshmërinë e spërkatjes, kemi atë që e ka transmetuar Sehël bin Hunejf, i cili ka thënë: “Pata ra në vështirësi e lodhje nga sekrecioni, ngase e shpeshtova guslin. Ia përmenda këtë të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, dhe e pyeta për këtë, e ai tha: “Të mjafton për këtë të marrësh abdes!” Atëherë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Po si t’ia bëj me rrobën e cila është përlyer nga ky sekrecion?” Ai tha:“Të mjafton të marrësh në shuplakë të dorës ujë, e me të ta spërkatësh rrobën tënde, aq sa të shohësh se është qëlluar (ajo pjesë nga ky ujë)!”[4]

          Mubarek Fevrij, ka thënë: “Është argumentuar me këtë hadith se kur sekrecioni e prekë rrobën, mjafton të spërkatet ai vend me ujë, e nuk është obligim pastrimi!”[5]

Mirëpo është obligim të pastrohet organi gjenital dhe herdhet, gjegjësisht nuk mjafton vetëm t’i spërkatësh, duke u bazuar në atë që u lartëshënua, siç është hadithi i Aliut, -radijallahu anhu!-, e të tjerë hadithe, në të cilat gjendet urdhri për larjen e organit gjenital dhe herdheve.

Së dyti, nuk ka kurrfarë problemi nëse ti e shtyn marrjen e abdesit, e nuk e bën menjëherë pas pastrimit prej sekrecionit, po madje realisht në esencë as që e ke obligim abdesin për shkak të sekretimit, ngase abdesi obligohet për shkak të namazit apo për ndonjë vepër për të cilën është i domosdoshëm, e nëse në atë kohë nuk e ke ndonjërën prej këtyre punëve, siç është p.sh. namazin, atëherë nuk je i obliguar të marrësh abdes.

Abdullah ibën Abasi, -radijallahu anhu!-, transmeton se i Dërguari i Allahut: “Doli nga nevojtorja, e pastaj iu servua ushqimi, e i thanë: “A të të sjellim enën me ujë për abdes?!” Ai tha: “Unë jam urdhëruar të marrë abdes kur të ngrihem për namaz!”[6]

Pra në këtë hadith gjejmë argument se abdesi nuk obligohet për gjë tjetër përveçse kur duam ta falim namazin apo diçka si shembulli i namazit që kushtëzohet për kryerjen e tij abdesi, edhe pse s’ka dyshim se është shumë më mirë për besimtarin që të jetë gjithherë në pastërti (abdes), andaj i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka pas thënë: “Nuk dëshiroja ta përmendja Allahun duke qenë pa pastërti (pa abdes)!”

          Allahu është më i Dituri!

IslamQA, fetvaja me nr. 180,032

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Shënon Ebu Davudi në “Sunen” (206), kurse e ka vlerësuar për sahih Shejh Albani.

[2] Shënon Ebu Davudi në “Sunen” (221), kurse e ka vlerësuar për sahih Shejh Albani.

[3] Shih: Ibën Kudameh, El-Mugni, vëll. 1, f. 168

[4] Shënon Ebu Davudi në “Sunen” (210), Tirmidhiu në “Xhami” (115), kurse e ka vlerësuar për hasen Shejh Albani në “Sahih ibni davud”.

[5] “Tuhfetul-Ehvedhij, vëll. 1, f. 373

[6] Shënon Ebu Davudi në “Sunen” (3,760) dhe Tirmidhiu në “Xhami” (1,847), kurse e ka vlerësuar për sahih Shejh Albani, -rahimehullah!-.