A E KEMI KUPTUAR THELBIN E ISLAMIT?!

A E KEMI KUPTUAR THELBIN E ISLAMIT?!

0 1571

Për disa Moneti është vetëm një përmbledhje e pikave. Për të tjerët është një kryevepër e përkryer. Për disa Islami nuk është asgjë më shumë se një përmbledhje ligjesh dhe rregullash. Por, për ata që kuptojnë është një vizion i përsosur i jetës.

Si Muslimanë që jemi, ne shpesh përqendrohemi në detaje dhe i anashkalojmë objektivat madhore. Islami erdhi për të përsosur sjelljet tona, ndërsa ne shpeshherë jemi të gatshëm të bërtasim për të fituar një debat në lidhje me mishin në treg (a është apo nuk është hallall). Islami erdhi për të ndërtuar lidhjen me Krijuesin tonë dhe ndërsa ne veshim hixhabin apo galebitë në anën tjetër vonojmë namazin.

Islami erdhi për të themeluar një bashkësi të besimtarëve por ndërkohë që ne dekorojmë xhamitë tona me ari dhe argjend rreshtat e namazit mbesin të zbrazët. Islami erdhi për të na mësuar për Allahun, dhe përkundër asaj që ne mbajmë fjalët e Tij në qafore apo dekorojmë shtëpitë tona me ato, kur këto ajete lexohen zemrat tona mbeten të paprekura dhe jetët tona të pandryshuara.
Islami erdhi për të na vëllazëruar, por ne ndahemi dhe armiqësohemi me njëri-tjetrin rreth çështjeve të tilla siç është fillimi i Ramazanit dhe votimet.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që ndalesat dhe urdhëresat në Islam nuk janë të rëndësishme. Ato janë vendimtare. Problemi është se ne kemi harruar se për çka qëndrojnë ato. Për shembull, veshja Islame asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar. Por ne kemi harruar se hixhabi dhe mjekra janë vetëm simbole të përkushtimit tonë më të madh ndaj Allahut. Veshja e hixhabit dhe mbajtja e mjekrës përderisa nuk ka ndikim në karakterin tonë do të thotë që ne nuk e kemi kuptuar thelbin.

Nëse shpenzojmë shuma të mëdha parash në dekorimin e xhamive dhe pastaj përdorim ato xhami vetëm për të shfaqur statusin shoqëror dhe për të fituar epërsi atëherë ne kemi humbur qëllimin e caktuar të tyre. Dhe nëse kemi mësuar përmendsh çdo përbërës haram dhe hallall të sapunit ndërsa në anën tjetër drejtojmë biznese që veprimtaritë e tyre janë të mbështetura në kamatë dhe shesin alkool atëherë a nuk jemi duke u tallur më fenë e Allahut?
Se feja është ajo që e shndërron njerëzimin nga më të ulëtit e të ulëtëve në mëkëmbës e Allahut në tokë. Kurani na tregon: Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë” (El Bekare, 30)

Si mëkëmbës të Allahut në tokë ne na është dhënë përgjegjësi e madhe. Ky është një amanet aq I madh saqë edhe malet e refuzuan. Allahu na tregon në Kuran: Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie). (El Ahzab, 72)

Si besimtarë ne asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë këtë përgjegjësi që kemi. Është përmbushje e atij misioni që na transformon nga më të ulëtin e të ulëtëve, në– populli më i mirë i dalë për njerëzimin.

Por si mund të jemi ky “populli më i dobishëm”? që Allahu e përshkruan në librin e Tij: Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.(Ali Imran, 110).

Thelbi i kësaj përpjekjeje është besimi dhe beteja për të Vërtetën dhe përpjekja kundër të keqes. Dhe në momentin që ne heqim dorë nga kjo përpjekje fisnike atëherë do të futemi në mesin e atyre njerëzve që Allahu i përshkruan në suren Asr që janë në një humbje të sigurt. Allahu gjithashtu i përshkruan ata që do të shpëtojnë nga kjo gjendje: “Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El Asr,3)

Dhe kështu, nëse ne vazhdojmë të braktisim këtë mision dhe qëllim të madh ne do të transformojmë vizionin e përsosur të ekzistencës në asgjë më shumë se një përmbledhje pikash.

GJITHASHTU NË ALBISLAM