A është e obliguar sexhdeja e leximit?

A është e obliguar sexhdeja e leximit?

0 3483

Pyetje:

Hoxhë i nderuar! A është obligim bërja e sexhdes, nëse e lexoj ajetin e sexhdes!?

Përgjigje:

Vëlla i nderuar!

Bërja e kësaj sexhdeje është sunet mueked (i fortë) dhe nuk duhet të lihet bërja e saj as në kohët e ndaluara, siç janë: 1: Pas namazit të sabahut. 2: Pas namazit të ikindisë. Sepse, kjo sexhde lejohet të bëhet edhe në këto kohë, dhe ajo në këtë rast bëhet me shkak të caktuar.

Andaj, nëse dikush lexon ajetin e sexhdes, qoftë ai në namaz apo edhe jashtë tij, muslimani duhet të bëjë këtë sexhde pa marrë parasysh a e lexon duke shikuar në Kuran, apo nga ajo pjesë të cilën e ka mësuar përmendësh ai nga Kurani Famëlartë.

Njashtu, duhet ditur se bërja e kësaj sexhdeje nuk është obligative (vaxhib), e duke u nisur nga kjo muslimani nuk bën mëkat nëse nuk e bën këtë sexhde.

Transmetohet se një herë Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- derisa po mbante hytben , e lexoi ajetin e sexhdes në suren Nahl dhe pastaj zbriti nga minberi dhe bëri sexhden. Kurse xhumanë tjetër ai lexoi të njëjtin ajet, mirëpo nuk bëri sexhden. Pasi mbaroi, tha në praninë e të gjithë shokëve të Muhamedit,- salallahu alejhi ve selem!,-:

“Allahu nuk na e ka bërë obligim këtë sexhde, por e ka lënë në dëshirën tonë.”

Gjithashtu, transmetohet se Zejd Ibën Thabiti,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- lexoi një prej ajeteve të sexhdes në prezencën e Muhamedit,- salallahu alejhi ve selem!,- por ai nuk bëri sexhde.

Dhe, duke u nisur nga kjo, themi se: Nëse sexhdeja e leximit të Kuranit do të ishte obligative të bëhet, atëherë Muhamedi,- salallahu alejhi ve selem!,- do ta kishte urdhëruar Zejd Ibën Thabitin,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- që ta bënte.

Allahu është më i Dituri!.

Muhamed bin Salih El-Uthejmin, -Allahu e mëshiroftë!-.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Suad Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM