A është haram për mashkullin të mbajë byzylykë?

A është haram për mashkullin të mbajë byzylykë?

0 4457

A është haram për mashkullin të mbajë byzylykë? Pavarësisht a është nga ari, argjendi, lëkure apo peri. A është i vërtetë hadithi që thotë se Pejgamberi e ka parë një shok të tijin që kishte byzylyk në dorë dhe ia këputi pa e pyet asgjë dhe i tha që po të kishe vdekur me atë, do të vdisje në kufër?! Allahu ju shpërbleftë.

Përgjigje:

Lavd-falënderimi është për Allahun ndërsa lavdërimet dhe paqja qoftë mbi të Dërguarin…

Mbajtja e byzylykëve, vathëve dhe qaforeve është stolisje për gratë. Nëse një burrë i mban ato themi se u ngjason grave, gjë e cila është e ndaluar. Përcillet se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, “i ka mallkuar ata burra që ngjasojnë me gra dhe ato gra që ngjasojnë me burra” (Buhariu 5435) . Mallkimi nënkupton largimin nga mëshira e Allahut që domethënë se ngjasimi me gratë është nga haramet e mëdha.

Nëse dikush thotë se gratë mbajnë byzylykë të arit apo argjendit, atëherë a lejohet mbajtja e byzylykëve të lëkurës apo të diç tjetër?

Gjithashtu them se nuk lejohet, sepse mendoj që ajo është zakon i qafirëve apo i mëkatarëve dhe neve nuk na lejohet të ngjasojmë me ata, sepse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ngjason me një popull (grup njerëzish) ai është me ta”. Pra, ai është sikur ata në këtë çështje dhe jo se del nga feja.

Kurse sa i përket ngjarjes që keni përmendur ajo ka ndodhur mes një sahabiu dhe një njeriu tjetër i cili mbante një pe të lidhur në dorë duke besuar se ajo i sjellë ndonjë të mirë apo e mbron nga diçka e keqe.

Ajo ngjarje pra, ka të bëjë me temën nëse njeriu mban një byzylyk apo lidhë diçka në trupin e tij me besim se do t’i bëjë dobi apo do ta ruajë nga e keqja. Kjo vërehet qartë nga konteksti i hadithit tjetër: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, pa një njeri që në dorën e tij kishte një byzylyk dhe e pyeti: Ç’është kjo? –Për shkak të dobësisë e mbaj –iu përgjigj njeriu. “Ajo do ta shtojë edhe më shumë dobësinë, hidhe atë sepse po të vdisje me të nuk do të shpëtoje asnjëherë”. Megjithëse ky hadith nuk është i vërtetë, s’ka dyshim se një njeri që beson se një gjësend përveç Allahut mund t’i bëjë dobi, nuk do të shpëtojë kurrë në ahiret, sepse e ka barazuar një hiçgjë me Allahun e madhërishëm, pra ka bërë shirk.

Ndërsa ai që mban byzylykë për stoli nuk ka bërë shirk por është ngjasuar me gratë dhe ka rënë në haram. Apeloj deri te ata burra që duan të mbajnë stoli, u mjafton mbajtja e unazës nga çfarëdo materiali përveç nga ari. Falënderimi për këtë i takon Allahut. Ai e di më së miri.

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM