A është i vlefshëm namazi i atij që falet para imamit?

A është i vlefshëm namazi i atij që falet para imamit?

0 1614


Pyetje: A është i vlefshëm namazi i atij që falet para imamit?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

Në lidhje me këtë çështje dijetarët janë ndarë në tre drejtime:

Një: Namazi i tij nuk është i vlefshëm në të gjitha rastet. Kjo është thënie e hanefive, shafive në medhhebin e ri, dhahirive dhe hanbelive në atë që është e njohur prej tyre, dhe kanë përmendur shkakun për mos vlefshmërinë e namazit të tij;

– Ibn Abasi radijallahu anhu tregon: Qëndrova një natë tek tezja ime Mejmune, e u ngrit i dërguari salallahu alejhi ve selem të falë namaz vullnetarë të natës. U ngrit dhe morri avdes prej enës, pastaj nisi të falet, u ngrita kur e pashë duke u falur, morra avdes dhe u ngrita në anën e tij të majtë, më morri për dore prej mbrapa shpinës së tij e më drejtoi në anën e tij të djathtë”.[1]

– Ebu Hurejra radijallahu anhu transmeton se i dërguari salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Imami është që të pasohet, mos kundërshtoni atë, kur ai të bie në ruku, edhe ju bini në ruku, kur ai të thotë “semiallahu limen hamide” thoni “rabena lekel hamd”, kur ai të bie në sexhde edhe ju bini në sexhde, kur ai të falet ulur edhe ju të gjithë faluni ulur, drejtoni safin në namaz, ngase drejtimi i safit është shenjë e namazit të mirë.”[2]

– Këto argumente aludojnë se vendi i xhematit është mbrapa imamit, në rast kur janë në numër, dhe vendi i tij është në të djathtën e imamit nëse është një, e nuk qëndron para e as në të majtën e imamit, për atë i dërguari salallahu alejh ive selem përmirësoi qëndrimin e Ibn Abasit prej anës së majtë në të djathtën, e ktheu nga mbrapa shpinës së tij, e kjo aludon se ana e majtë dhe para imamit nuk është vend për të qëndruar xhemati.

– I përzihet atij momenti i fillimit të namazit dhe ai do të ketë nevojë çdo kohë të shikojë mbrapa që ta pason imamin, për atë nuk lejohet.[3]

– Gjithashtu kanë thënë: Kjo nuk është transmetuar nga i dërguari salallahu alejhi ue selem, e as që kuptohet nga ajo që është transmetuar, për atë nuk është namazi i vlefshëm.[4]

Dy: Namazi i tij është i vlefshëm nëse është me arsye, dhe jo për të tjerët: Kjo thënie është e hanbelive dhe është mendim i shejhulislam Ibn Tejmijes,  vlefshmërinë  e namazit me arsye e argumenton me fjalën e tij: “Lënia e daljes para imamit arrin të jetë lënie e një prej obligimeve të namazit me xhemat, ndërsa obligimet (el-vaxhib) që të gjitha me arsye, bien, edhe nëse është vaxhib në namaz atëherë vaxhibi me xhemat është më primare të bie…”[5]

Tre: Namazi është i vlefshëm mirëpo në përgjithësi nuk preferohet: nëse ka nevojë atëherë namazi është i saktë pa mospëlqim (kerahet). Kjo është thënie e Malikut dhe Shafiut në medhhebin e vjetër. Janë  mbështetur në:

– hadithin e Ibn Abasit  që u përmend më lartë.

– se qëndrimi para imamit nuk e ndalon pasimin, sikur namazi pas tij.[6]

– se nuk lejohet të pengohet ndokush nga namazi në një vend pos atij vendi që është cekur në tekst që përmend ndalimin e namazit në atë vend, e kjo mund të jetë e veçuar nga ajo përmbledhje e vendeve.[7]

Mendimi më i saktë:

Është Mendimi i dytë për shkak argumentimit të tyre, është edhe mendimi i zgjedhur i Ibn Tejmijes, se lejohet me arsye, ndërsa nuk lejohet për të tjerët (pa arsye), si për shembull, nëse ka turmë, e nuk mund të fal namazin e xhumasë apo të xhenazes vetëm nëse del para imamit, atëherë namazi i tij para imamit është më mirë se sa lënia e namazit, ngase vaxhibatet e namazit bien për shkak paaftësisë së të vepruarit, e nëse një vaxhib në namaz bie për shkak pamundësisë atëherë vaxhibi në namazin me xhemat është më primare të bie, për këtë bie nga namazfalësi pamundësia e ngritjes në këmbë, leximit, veshjes, pastërtisë, etj. Nëse e arrin imamin në sexhde apo kur është ulur, merr tekbir dhe bie në sexhde, qëllimi nga kjo është se xhemati e vepron atë që është e mundshme, nëse xhemati nuk mund t’i bashkëngjitet imamit pos nëse i dalin para, atëherë qëllimi i kësaj teme është se ai ka lënë qëndrimin për shkak të bashkëngjitjes me xhematin, e kjo është më e lehtë se ato tjerat, sikur që ai është i ndaluar të falet pas safit i vetëm, nëse nuk gjen kush t’i bashkëngjitet në saf, dhe nuk tërheq ndonjë të falet me të, falet vetëm në saf e nuk e le namazin me xhemat, sikur që gruaja nëse nuk gjen grua tjetër që të bashkëngjitet me të në saf, ajo falet vetëm pas safit, sipas mendimit të gjithë dijetarëve. Urdhri për t’u rreshtuar është me mundësi e jo edhe kur nuk ka kushte të rreshtohet në saf, Allahu e di më së miri.[8]

-Kjo çështje është ixhtihadije (ku ka hapësirë për më shumë mendime) e nuk ka për të një citat të qartë as për lejueshmërinë as për ndalimin.

-Suneti i konfirmuar nga vepra e të dërguarit salallahu alejhi ve selem është që xhemati të qëndrojë mbrapa imamit, në rast nëse janë dy e më shumë, e në të djathtën nëse është një. Qëndrimet me imamin janë katër: Përpara, mbrapa, në të djathtë dhe të majtë. E kemi vërtetuar se pjesa e prapme është ku qëndron xhemati nëse janë dy e më tepër, dhe e djathta vend i xhematit nëse është një, e nuk ka qëndrim para ose në të majtë.

Mirëpo, Ibn Abasi kur u ngrit dhe qëndroi në të majtën e të dërguarit salallahu alejhi  ve selem, nuk ishte qëndrim me vend, mori tekbir dhe filloi namazin, e vërejti i dërguari salallahu alejhi ve selem atë që nuk ishte në vendqëndrimin e duhur, dhe e përmirësoi, e morri dhe e vendosi në vendin e duhur që është e djathta. Ajo që ndodhi nga Ibn Abasi radijallahu anhu, që qëndroi në vendin e gabuar u përmirësua nga i dërguari salallah ualejhi ve selem, e përmirësoi që qëndroi  në të majtë, sepse vendi ishte i gjerë, e namazi i tij u konsiderua i vlefshëm , duke qëndruar ai në anën e majtë, sepse kishte kaluar një pjesë të namazit në anën e majtë, pastaj e plotësoi në vendin e duhur, e kjo tregon se qëndrimet nuk ndikojnë në vlefshmërinë e namazit, sidoqoftë, para apo në anën e majtë të imamit.

Për çudi është se ata konsiderojnë namazin e saktë para imamit në Qabe dhe të pasaktë në vendet tjera përpos Qabes, bile Merdeviu ka përmendur konsensus për këtë.

Nuk kam hasur në tekst që bën dallimin mes namazit në Qabe dhe vendeve tjera, ndërsa hadithi: “Imami është që të pasohet”, kuptimi i hadithit është që të pasohet në fjalët, veprimet, siç është e njohur, dhe kjo ndodh nga xhemati në çdo vendqëndrim të tij, duke parë imamin apo duke dëgjuar.

Sa i takon vendqëndrimit në rast kur ekziston mundësia e zgjedhjes, sunet është të qëndrojë mbrapa imamit, kur janë dy e më tepër xhemat, dhe e djathta e tij, kur është një, por në rast nevoje, kjo nuk është e domosdoshme, ngase gjërat që janë të domosdoshme i lejojnë gjërat e ndaluara.

Atije Muhamed Salim, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nëse vjen një njeri dhe qëndron para imamit, që është jo në vendin e duhur, shikojmë nëse është me arsye si për shkak të vendit të ngushtë, dhe pamundësisë të falet mbrapa, namazi i tij është në rregull dhe pasimi i imamit, por nëse ka vend, e ai e le vendqëndrimin në të djathtë apo mbrapa dhe vije e qëndron para imamit, nuk ka të drejtë të vepron këtë.”[9]

Qëndrimi para apo në të majtën e imamit pa nevojë është kundërshtim i sunetit dhe nuk duhet vepruar një gjë të tillë nëse nuk ekziston nevoja.

Përgatiti: Shpend Zeneli

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] E transmeton Buhariu me numër 4294 dhe Muslimi me numër 763, teksti është i Muslimit.

[2] E transmeton Buhariu me numër 698 dhe Muslimi me numër 417.

[3] “Mugni” të ibn Kudames. 2/23.

[4] “Mugni” të ibn Kudames. 2/23.

[5] Mexhmu’ Fetava, 23/404.

[6] “Mugni” të ibn Kudames. 2/23.

[7] “Muhala” të bn Hazmit 5/76.

[8] “Mexhmu’u fetava ibn Tejmije” 2/428-429.

[9] Shpjegimi i librit “Bulug Meram” Shejh Atije Muhamed Salim 2/3.

GJITHASHTU NË ALBISLAM