A është mbulesa detyrim për një besimtare?

A është mbulesa detyrim për një besimtare?

0 6887

Pyetja e katërt: Jam pak e moshuar, i fali të pesë vaktet e namazit dhe i kryej edhe detyrimet e tjera të Fesë Islame, por nuk jam e mbuluar. A duhet patjetër të mbulohem? Mbulesa a është detyrim patjetër apo jo? Ju faleminderit.

Përgjigje: Falënderimi qoftë për Allahun dhe salavatet për të Dërguarin e Allahut, mbulesa është detyrim i prerë farz për gratë e umetit të Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të. Ato janë të detyruara të mbulojnë tërë trupin në përgjithësi dhe kur falin namaz në veçanti. Në periudhën pejgamberike gratë e atëhershme e kanë mbuluar trupin dhe kokat, por nuk ka qenë mbulesë e kompletuar dhe është dashur të plotësohet, siç e shohim në ajetin, ku flitet për detyrimin e mbulesës (hixhabit). Allahu i Madhëruar ka thënë në suren Nur në ajetin 31:“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babait të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt, të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat, ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë e stolive të tyre. Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”.

Edhe reagimi i Pejgamberit përputhet me ajetin, siç e vërejmë në hadithin, që përcjell Ebu Davudi nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me te, kur Esmaja, bija e Ebu Bekrit ka shkuar te Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, e ajo kishte rroba të tejdukshme. Pejgamberi kthehet në anën tjetër dhe i thotë: Oj Esma, gruaja kur të arrijë pjekurinë, nuk i lejohet t’i shihen (nga trupi saj), përpos këto.- dhe ka bërë me shenjë nga fytyra dhe duart.

Burimi; albislam.com