A është më mirë të shkruhet një kontratë biznesi apo mund të mjaftohemi me marrëveshje gojore?

A është më mirë të shkruhet një kontratë biznesi apo mund të mjaftohemi me marrëveshje gojore?

0 1206

Pyetje: Në lidhje me kontratat e shkruara për çështje te biznesit, dikush thotë se ne (muslimanët) merremi vesh me fjale se shkrimi i kontratës ka te beje me ato qe nuk i besojnë njëri tjetrit.

A është e vërtetë kjo?

A do thotë kjo se nëse dy musliman nënshkruajnë kontratë janë më pakë të mirë se sa ata qe merren vesh vetëm me fjale sa i takon marrëdhënieve të punës?

Allahu u shpërbleftë me të mira.

Përgjigja:

Marrëveshjet në legjislacionin Islam ndahen në marrëveshje gojore dhe marrëveshje të shkruara. Nëse marrëveshja arrihet gojarisht kemi të bëjmë me marrëveshje gojore dhe atëherë kur marrëveshja shënohet kemi të bëjmë me marrëveshje të shkruar. Dijetarët muslimanë kanë folur për sigurimin e marrëveshjeve me shkrim dhe për të njëjtën si argument e kanë marrë ajetin më të gjatë në Kuran që ka të bëj me shënimin e huas (borxhit): “O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë.” (El Bekare, 282)

Si argument ata përmendin edhe rastin e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, me Ada ibën Halidin të cilin e transmeton Tirmidhiu në kaptinën Shënimi i kushteve me nr. 1216 në të cilin mes tjerash shkruan: “Këtë Ada ibën Halidi e bleu prej të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, bleu një rob…” Si hasen e vlerësuan Tirmidhiu, Dhehebiu, Ibën Haxheri dhe Albani.

Argumente shtesë janë edhe marrëveshjet e të Dërguarit të Allahut me Kurejshitët, marrëveshjet e paqes dhe sigurisë si dhe vendimet me të cilët i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, u caktonte dhurata disave prej sundimtarëve fisnor arab dhe letrat e tij.

Dijetarët kanë përmendur disa dobi të sigurimit të marrëveshjeve me shkrim si:

1. Mbrojta e pasurisë që është një detyrë fetare individuale dhe shoqërore.

2. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve sepse marrëveshja e shkruar është gjykuesi më i drejtë në rast të mospajtimit mes palëve. Në këtë mënyrë qetësohet fitneja dhe parandalohet mohimi i ndonjë të drejte që e ka pala në marrëveshje.

3. Parandalimi i kushteve që nuk pranohen ngase ndonjëherë palët nga mosdija mund të vendosin kushte të ndaluara që e anulojnë kontratën. Konsultimi me ndonjë hoxhë dhe shkrimi i marrëveshjes sipas kushteve islame e parandalon një gjë të tillë.

4. Largimi i dyshimit, në veçanti kur kemi të bëjmë me marrëveshje afatgjatë dhe harrohen përqindjet, afatet etj. Në rastin kur marrëveshja është e shkruar kthimi tek hollësitë është e lehtë.

Kadiu Ibën El Arebi thotë: Nuk ka ndasi mes dijetarëve nga vendet e ndryshme se urdhri për shënimin, dëshminë dhe pengun në këtë ajet (El Bekare, 282) janë urdhër nxitjeje dhe preferimi (d.m.th. nuk janë obligim) ngase janë mbrojtje të pasurisë, devotshmëri dhe janë më të sigurta nga pikëpamja fetare dhe ajo e dynjasë. Asnjëra prej gjërave të përmendura nuk është obligim.

Nga kjo që u tha del në shesh se sigurimi i marrëveshjeve me shkrim është një gjë e preferuar në veçanti në këtë kohë kur shumë njerëz i mohojnë detyrat që i kanë marr përsipër madje edhe marrin guxim të uzurpojnë të drejtën e tjetrit. Assesi nuk është i saktë pohimi se ai që kërkon sigurim të kontratës me shkrim është më pak musliman se sa ai që mbështetet në marrëveshjet gojore.

Allahut i takon dija absolute.

Burimi: albislam.com