A është sunet që gjatë guslit së pari të lahet pjesa e djathtë e trupit pastaj pjesa e majtë?

A është sunet që gjatë guslit së pari të lahet pjesa e djathtë e trupit pastaj pjesa e majtë?

0 1163

Pyetje: A është sunet që gjatë guslit së pari të lahet pjesa e djathtë e trupit pastaj pjesa e majtë?

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:

Nuk ka hadith të drejtpërdrejtë se gjatë guslit i jepet përparësi anës së djathtë të trupit ndaj të majtës përpos në vendet e avdesit dhe larjes së kokës. Madje sipas haditheve që flasin për guslin e të Dërguarit nënkuptohet se trupi lahet njëherazi pas larjes së organit gjenital dhe avdesit që i paraprijnë larjes së trupit.

Buhariu dhe Muslimi kanë shënuar hadithin e Aishes radijallahu anha e cila në spjegon: “I Dërguari kur merrte gusël nga xhunubllëku fillonte duke larë duart, pastaj me dorën e djathtë derdhte ujë mbi të majtën dhe me të lante organin gjenital. Pas kësaj, merrte avdes ashtu si merret avdesi për namaz. Pas kësaj, merrte ujë dhe gishtat e tij i fuste në rrënjët e flokëve derisa shihte se i kishte pastruar, mandej hidhte tre grushte ujë mbi kokë, pastaj përshkonte tërë trupin me ujë pastaj lante këmbët.”

Buhariu dhe Muslimi kanë shënuar gjithashtu hadithin tjetër të Aishes e cila thotë: “ I Dërguari kur merrte gusël nga xhunubllëku kërkonte ndonjë enë me ujë, merrte me grushtin e tij ujë dhe fillonte me anën e djathtë të kokës, pastaj me të majtën, pastaj merrte ujë me të dyja dhe hidhte mbi kokë.”

Përskaj kësaj shumica e dijetarëve preferojnë që gjatë guslit t’i jepet përparësi pjesës së djathtë të trupit pastaj pjesës së majtë duke u argumentuar me hadithin e përgjithshëm të Aishes radijallahu anha e cila thotë se të Dërguarit “i pëlqentë t’i jep përparësi të djathtës në pastrim…” (Buahriu)

Muhamed ibën Salih elUthejmin gjatë sqarimit të mënyrës së guslit thekson se gusli ka dy mënyra:

  1. Mënyra e mjaftueshme që nënkupton larjen e tërë trupit duke përfshirë edhe shpëlarjen e gojës dhe hundës.
  2. Mënyra e përkryer që nënkupton marrjen e guslit sipas hadithit të parë të sipërpërmendur ku thuhet se i Dërguari “kur merrte gusël nga xhunubllëku fillonte duke larë duart, pastaj me dorën e djathtë derdhte ujë mbi të majtën dhe me të lante organin gjenital. Pas kësaj, merrte avdes ashtu si merret avdesi për namaz. Pas kësaj, merrte ujë dhe gishtat e tij i fuste në rrënjët e flokëve derisa shihte se i kishte pastruar, mandej hidhte tre grushte ujë mbi kokë, pastaj përshkonte tërë trupin me ujë pastaj lante këmbët.” Pa cekur se është e preferuar që njëherë të lahet ana e djathtë e trupit pastaj ana e majtë.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com