A jepet zeqat për stolitë e arit dhe argjendit?

A jepet zeqat për stolitë e arit dhe argjendit?

0 3465

A jepet zeqat për stolitë e arit dhe argjendit, çka nëse nuk e ke ditur dispozitën e kësaj çështjeje më herët, a bëjnë pjesë këtu stolitë prej gurëve të çmuar, dhe a mund ta jep bashkëshorti këtë zeqat?

Falënderimi i takon Allahut…

Stolitë e arit dhe argjendit të përgatitura për zbukurim janë një pasuri rreth së cilës dijetarët kanë mospajtime se vallë duhet të jepet zeqat për to apo jo. Dijetarët e medhhebit hanefij ndajnë mendimin se është detyrim që për këtë lloj të pasurisë të jepet zeqat. Nga ana tjetër, shumica e dijetarëve prej malikijve, shafijve dhe hanbelijve mendojnë se për këto stoli nuk jepet zeqat.

Mendimi më i saktë është ai i hanefijve për shumë argumente, prej tyre:

  1. Argumentet që flasin për dhënien e zeqatit të arit dhe argjendit në përgjithësi pa bërë dallim mes asaj që është stoli dhe arit e argjendit të thjeshtë.
  2. Aishja, radijallahu anha, bashkëshortja e të Dërguarit përcjell: “hyri tek unë i Dërguari dhe më pa në dorë disa byzylykë të mëdhenj të argjendit. Më pyeti: ç‘janë këto oj Aishe? I ndreqa për t’u zbukuruar për ty o i Dërguar i Allahut – i thash. E jep zeqatin e tyre – më pyeti sërish? Jo, i thash. Më tha: është mjaft kjo për t’u dënuar me zjarr.” (Ebu Davudi, sahih)
  3. Amër ibën Shuajbi përcjell nga babai i tij, ky nga gjyshi i tij se një grua erdhi te i Dërguari. Me vete kishte një vashë e cila në dorë mbante dy byzylykë të trashë të arit. E jep zeqatin e këtyre – e pyeti i Dërguari. Jo – tha ajo. Dëshiron që Allahu t’ju lidh ditën e Kiametit më të tilla prej zjarri? I zhveshi dhe i hodhi pastaj tha: qofshin për Allahun dhe të Dërguarin e Tij” (Nesaiu, hasen)

Së dyti: zeqatin e stolive prej ari dhe argjendi fillon ta japësh prej momentit kur e kupton se është detyrim. Njerëzve që u kanë kaluar shumë vite pa dhënë sepse nuk e kanë ditur, nuk detyrohen të japin zeqatin e atyre viteve siç na mëson dijetari Abdulaziz ibën Bazi në “Fetava islamije” 2/84

Së treti: zeqati i stolive që është bërë për t’u përdorur është detyrim nëse stolitë janë prej ari dhe argjendi sepse stolitë me margaritarë nuk ka zeqat për to.

Së katërti: ky detyrim është për pronaren e stolive jo për bashkëshortin. Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “zeqati i stolive është detyrim për pronaren. Nëse për te e jep bashkëshorti apo tjetërkush me lejen e saj, nuk ka ndonjë problem. Nuk është patjetër zeqati të jetë prej vetë stolive, mund që të jepet vlera e kërkuar prej tjetër pasurie, për çdo vit që kalon, varësisht prej vlerës së arit dhe argjendit që kanë në treg.” (Fetava islamije: 2/85)

përktheu: Agim Bekiri

Burimi: albislam.com