A ka ndonjë dua të veçantë që duhet të them gjatë therjes së kurbanit ?

A ka ndonjë dua të veçantë që duhet të them gjatë therjes së kurbanit ?

0 5177

Përgjigjja:
Falënderimi i qoftë Allahut.
Për atë që dëshiron të ther kurban është sunet të thotë:
Bismillah, Allahu Ekber, Allahume hadha minke ve leke, hadha anni.
Në emër të Allahut, Allahu është më i Madhi, o Allah ky është prej Teje dhe për Ty, ky është në emër tim.
(ose, nëse është duke e therur në emër të dikujt tjetër thotë: Ky është në emër të filanit, o Allah, pranoe (këtë sakrificë) nga filani dhe familja e filanit), e përmend emrin e tij.
Ajo që është e detyrueshme të thuhet në këtë rast është Bismilah, pjesa tjetër është e preferuar, por nuk është e detyrueshme.
Buhariu (5565) dhe Muslimi (1966) shënojnë hadithin e transmetuar nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha: i Dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) theri për kurban dy desh të zinj me balë, e me brinjë. Ai i theri me dorën e vet, tha Bismilah dhe Allahu Ekber, dhe vuri këmbën e tij në qafat e tyre.
Muslimi (1967) shënon hadithin që e transmeton Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) urdhëroi që atij t’i sillnin një dash me brinjë, ia sollën, që ai ta ther për kurban. Ai i tha: “O Aishe, më jep thikën.” Pastaj ai tha, “Mprehne atë në një gurë”. Kështu ajo veproi, pastaj e mori atë dhe e mori dashin, e lëshoi dhe u përgatit për ta therur dhe tha: “Në emër të Allahut, O Allah pranoe (këtë sakrificë) nga Muhamedi dhe familja e Muhamedit dhe umeti i Muhamedit”, dhe e theri.
Tirmidhiu (1521) shënon hadithin që e transmeton Xhabir ibn Abdullahu, i cili ka thënë: Unë kam qenë i pranishëm me të dërguarin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në ditën e Kurban Bajramit në vendin e faljes. Kur ai e kishte mbaruar hutbën e tij, zbriti nga minberi i tij, ia sollën një dash dhe i Dërguari i Allahut e theri atë me duart e veta (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Gjatë therjes ai tha: “Në emër të Allahut, Allahu është më i Madhi. Ky kurban është në emër tim dhe në emër të atyre që nuk kanë therë kurban prej umetit tim.” Shejh Albani e vlerësoi hadithin autentik në librin ‘Sahih Tirmidhi’.
Në disa transmetime janë shtojcat: “O Allah, ky është prej Teje dhe për Ty“. Shih ‘Irva el Galil, 1138, 1152’.

Fraza: “O Allah, ky (kurban) është prej Teje“, do të thotë se kjo sakrificë është një dhuratë dhe risk që më ka arritur nga Ti. “Dhe për Ty“, do të thotë, është sinqerisht vetëm për Ty.
Shih librin ‘Sherh Mumti’, 7/492

Burimi: islamqa.info / albislam.com

Përktheu nga gj.arabe: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM