A KA VËSHTIRËSI GJATË KËRKIMIT TË DITURISË?

A KA VËSHTIRËSI GJATË KËRKIMIT TË DITURISË?

0 1418

A ka vështirësi gjatë kërkimit të diturisë?

Kërkimi i diturisë është i vështirë, mirëpo vështirësitë në këtë rrugë janë të këndshme dhe të ëmbla, dituria nuk arrihet përpos se me lodhje dhe mundime. Prandaj ai i cili nuk e shijon robërinë ndaj diturisë një orë, do ta shijojë gotën e injorancës vazhdimisht. Dituria dhe vepra nuk mund të ndahen nga njëra tjetra dhe nuk mund ti ikësh durimit nga këta dyja, durimi (sabri) ka shpërblim Xhennetin, Allahu thotë: “Paqe për ju për shkak durimit që bëtë, çfarë përfundimi i begatë është ky.”[1]

Prandaj dituria nuk arrihet ndryshe, pos se me durim ndaj vështirësive dhe me shpenzim të shpirtit gjatë kërkimit të saj dhe mundimit për të.

Ibnul-Xheuziju ka thënë: “Gjatë kërkimit tim të dijes kam ndierë kënaqësi në përjetimet e mia të vështirësive që kisha, më shumë se ëmbëlsia që e ka mjalti, nga shkaku i asaj që po e kërkoj dhe shpresoj. Kur isha fëmijë e merrja me vete një copë bukë të thatë dhe dilja të kërkoj hadithin. Nga thatësia e bukës, nuk mund të haja atë bukë, përpos kur gjeja ujë, kështu që kur e haja një kafshatë prej saj pas asaj pija ujë, ndërsa syri im synonte vetëm kënaqësinë e arritjes së diturisë.”[2]

Ibn Kethiri tregon për veten e tij, duke e shkruar librin “Xhamiul-mesanid” thotë: “E shkruaja atë natën me qiriun e ndezur, ndërsa drita e zjarrit të qiriut rritej dhe binte, derisa filluan të më përzihen tekstet dhe shkuan sytë e mi bashkë më atë.”[3]

Ebu Hatim Eraziju thotë: “Në vitin e parë që dola në kërkim të hadithit qëndrova 7 vjet larg vendlindjes. I kam numëruar dhe them se kam udhëtuar më shumë se 1000 fersah[4] në këmbë, pastaj më nuk i kam numëruar. Kam dalë prej Bahrejnit kah Egjipti në këmbë, pastaj për ka Remleja në këmbë, pastaj nga Damasku, pastaj nga Antakija, pastaj në Tarsus, pastaj u ktheva në Hums, prej aty në Raka, pastaj u nisa për në Irak, krejt këto udhëtime që i kam bërë e unë isha vetëm 21 vjeçar.”[5]

Prandaj kur njeriu ka një qëllim, sprovat që e kaplojnë i përballon me durim në çdo gjë që e urren apo e do.

Çdokush i cili shpenzon në rini kohën e vet për dituri, ky njeri kur të mplaket do ti korë frytet që i ka mbjellë, si dhe do të ndjejë kënaqësi me shkrimet e tij si rezultat i asaj çfarë ka tubuar. Madje nuk e vëren fare lodhjen e trupit nga kënaqësitë të cilat i përjeton nga dituria e tij.

Imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë, i kanë thënë: Kur njeriu bëhet rehat? – U ka thënë: “Kur ta vërë njërën këmbë në xhenet.” Prandaj dije o vëlla i dashur se Allahu është me ty aq sa je i sinqertë ti me Të dhe aq sa ti i drejtohesh atij, në çdo hap të jetës tënde, Lartëmadhërisë dhe Fuqisë së tij të pakufishme.

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com


[1] Rad: 24.

[2] “Sajdul hatir” fq. 151.

[3] “Elmesadul-Ahmed fi hitami musnedil-Imami Ahmedi” fq. 23, e Muhammed ibn el-Xhezeriut.

[4] Fersahu është e njësi matëse e asaj kohe, përafërsisht i vjen se ai ka udhëtuar 5, 500 km. në këmbë, e më vonë nuk i ka numëruar hapat e tij.

[5] Tabakatu shafiijetul-kubra, 2/208.

GJITHASHTU NË ALBISLAM