A lejohet të ther lopë apo viç me rastin e lindjes së djalit të tij?

A lejohet të ther lopë apo viç me rastin e lindjes së djalit të tij?

Pyetja: A lejohet për atë që dëshiron të ther akika, një viç për djalin e tij në vend të dy deshve?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut…

Ajo që ceket në sunet për akikan, është të theret për fëmijën mashkull dy desh e për vajzën një bazuar në hadithin që e transmeton Ebu Davudi nga Amr ibn Shuajb nga babai i tij, ky nga gjyshi i tij, të ketë thënë: I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Atij që i ka lindur fëmijë dhe dëshiron të ther kurban, le të therë për djalë dy desh të mëdhenj, e për vajzë një”. Albani e ka vlerësuar të mirë në librin Sahih Ebu Davud.

Dijetarët kanë kundërthënie rreth çështjes: a lejohet që për akika  të theret deveja apo viçi? Shumica e dijetarëve kanë mendimin se lejohet të theret akika me këto dy lloje, e disa kanë mendimin se nuk lejohet, ngase në sunet nuk janë cekur përpos dhenve.

Në librin “Enciklopedija e fikut” 30/279 është shënuar: “Në akika lejohet i njëjti lloj që lejohet edhe për kurban, që janë bagëtitë sikur devetë, lopët dhe delet, e nuk lejohet diç tjetër pos këtyre, ky mendim është unanim mes Hanefive, Shafive dhe Hanbelive, dhe është thënia më e preferuar te Malikitë.”

Por më së miri është që akikja të jetë nga dhentë, është pasim i sunetit, pra dashi në këtë rast është më së miri se sa deveja, lopa apo viçi.

Shejh ibn Uthejmini Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Autori për kurbanet ka thënë: “Më e preferuar është deveja, pastaj lopa, pastaj dhentë” duke pas për qëllim se therja e devesë është më mirë se sa një dash, pos në akika atëherë dashi është më i preferuar se deveja, sepse kjo është cekur në sunet, prandaj është më e preferuar se deveja.” Sherh Mumti  7/424.

Pra sipas kësaj: nuk prish punë të theret akika për fëmijën mashkull një viç, mirëpo të theren dy desh është më e preferuar.

Duhet ditur se në akika kushtëzohen po ato kushte që janë te kurbanet, siç është:

– Që lopa të ketë mbushur dy vite të plota, pra nuk lejohet të theret akika apo kurban viçi i vogël që nuk  ka mbushur dy vite.

Një çështje shumë me rëndësi që ndërlidhet me këtë  është se: A lejohet pjesëmarrja e dy e më shumë fëmijëve në një deve, apo lopë?

Përgjigjja: Nuk lejohet pjesëmarrja në një kafshë për akika, ky është medhheb i Malikive dhe Hanbelibe.

Shejh ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Në akika nuk lejohet pjesëmarrja, pra nuk theret deveja për dy, e as lopa për dy, e as për tre e as për katër, për arsye se nuk është përmendur pjesëmarrja e më shumë vetëve, kurse adhurimet janë  të përcaktuara nga Allahu ( توقيفية )

Burimi: albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM