A lejohet të udhëtoj pa mahrem?

A lejohet të udhëtoj pa mahrem?

0 5812

Pyetje: Sa është legjitime të udhëtojnë një grup vajzash me mbi tre meshkuj të cilët, në esencë nuk janë familjarë (mahremë) të atyre vajzave. Bëj pyetjen sepse ata burra, në atë grup i kanë edhe gratë e tyre, kurse gratë e tjera janë pa mahrem. Këta burra a mund të konsiderohen mahremë?

Përgjigje: Esselamu alejkum ue rahmetullah

Udhëtimi i gruas pa mahrem është i ndaluar. Edhe kjo formë që e përmendët nuk e ndryshon situatën, sepse udhëtimi i gruas me ndonjë shoqe të saj, dhe kjo e dyta është me burrin e saj, ky burrë nuk mund të jetë mahrem edhe për të dyja. Ai është mahrem vetëm i gruas së tij, me të cilën ka kurorë.

Argument për këtë është hadithi: “Nuk i lejohet gruas të udhëtojë përveçse me mahrem, nuk guxon të rrijë ndonjë mashkull me të, përpos se në prezencë të mahremit. Një person pyeti: O i dërguar i Allahut, unë dua të shkoj me filan ushtrinë, ndërsa gruaja ime dëshiron të shkojë në haxhillëk! I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem i tha: Shko edhe ti me të”. (Buhari 1862, Muslim 1341)

Pra, te ky hadith shihet qartë se gruas nuk i lejohet të udhëtojë pa mahrem, edhe nëse dëshiron të shkojë në haxhillëk, edhe nëse udhëton me gra e burra fisnikë. Dihet fare mirë se ata kur udhëtonin për në haxhillëk, udhëtonin me karvan, të gjithë së bashku, mirëpo prapë se prapë i Dërguari salAllahu alejhi ue selem i tha: “Shko edhe ti me të”.

Mirëpo ky udhëtim ishte nga Medina për në Mekë, d.m.th. udhëtim i gjatë. Andaj nëse ke për qëllim këso lloj udhëtime, atëherë vlen përgjigja më lartë.

Por, nëse është për qëllim udhëtimi i shkurtë, p.sh. nga një pjesë e qytetit në pjesën tjetër, atëherë, ajo formë udhëtimi lejohet. Jo pse ata burra janë mahrem për këto gra, por për shkak se ky udhëtim është i shkurtë dhe nuk është kusht të bëhet me mahrem.

Argument për këtë lloj ndarje të udhëtimeve kemi hadithin: “Nuk e ka hallall një grua e cila beson Allahun dhe ditën e Gjykimit të udhëtojë udhëtim treditor apo më shumë, përveç me shoqëri të babait, djalit, bashkëshortit, vëllait apo cilido nga mahremët” (Muslimi 1340).

Udhëtimin treditor dikush e ka përkufizuar me kilometra të caktuara, por më e qëlluara është se udhëtimi vlerësohet varësisht nga tradita e vendit. Atë udhëtim që ata e quajnë të gjatë, ai është i gjatë dhe atë udhëtim që ata e quajnë udhëtim i shkurtë, është i shkurtë.

Andaj, përderisa gruaja udhëton udhëtim të shkurtë me shoqet e saja, qoftë me burrin e ndonjërës prej tyre apo me veturë taksi apo me veturë personale, themi se kjo lejohet.

Mirëpo, nuk lejohet assesi, që një femër myslimane të udhëtojë me burrin e shoqes saj, kunatin apo me veturë taksi, nëse nuk ka edhe dikush i treti me ata, sepse Resulullahi, salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush të mos vetmohet me ndonjë grua, sepse shejtani është i treti i tyre”.

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM