A lejohet vënia e bastit për gara me kuaj dhe tjera?

A lejohet vënia e bastit për gara me kuaj dhe tjera?

0 3264

Pyetje: A lejohet vënia e bastit për gara me kuaj dhe tjera?

Përgjigje: I falënderuar qoftë Allahu. Garat me kuaj janë të lejuara. I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Çmimi për fituesin lejohet në këto tre gara: në gjueti, garat e deveve dhe kuajve”. (Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Davudi dhe si të saktë e ka vlerësuar Albani në librin Sahih Ebu Davud). Fjala “sebk” e përmendur në hadith ka kuptimin e kompensimit, shpërblimit për fituesin. Nga hadithi në fjalë kuptojmë, se shpenzimi i të hollave për gara të kuajve është i lejuar, pa marrë parasysh kush i jep ato të holla, një garues, të gjithë garuesit apo ndonjë palë e tretë si për shembull shteti.

Në këtë lejim nuk bën pjesë vënia e basteve, se kush do të fitojë nga garuesit. Ky veprim bën pjesë në bixhozin e ndaluar dhe nuk ka lidhje me çmimin e caktuar për fituesin në këto tre raste. Kjo formë e bixhozit është e përhapur në shumë vende dhe ka shkaktuar humbje pasurie dhe probleme familjare e shoqërore.

Meqë formimi i fondit të basteve është i ndaluar, edhe angazhimi në bastore është i ndaluar, ngaqë është bashkëpunim dhe ndihmë për një gjë të ndaluar-kumarin, të cilin Allahu e ka përmendur krahas alkoolit: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyra nga punët e djallit. Prandaj,  largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” (Maide, 90). Dijetari Abdul Mexhid Selim thotë: “…nga kjo kuptojmë se vënia  e basteve për gara me kuaj apo të ngjashme bën pjesë në bixhozin e ndaluar fetarisht për të cilin nuk ka prova lejimi. Përkundrazi provat fetare e ndalojnë një veprim të tillë dhe gjithë llojet e basteve. Çdo ditë jemi dëshmitarë për pasojat e dëmshme të veprimeve në fjalë, duke u shpenzuar pasuri të tëra, u shembën shtëpi të familjeve të ndershme, të sprovuarit me këtë fatkeqësi kryejnë vjedhje dhe krime të shumta. Një numër i konsiderueshëm prej tyre bën edhe vetëvrasje. Tek njeriu që i sheh këto pasoja shkatërruese të basteve dhe kumarit shtohet bindja se ndalimi i këtij veprimi nxjerr në pah mëshirën e Allahut dhe urtësinë e Tij absolute gjatë ligjësimit të dispozitave.

Burimi; albislam.com

përktheu: Talha KURTISHI

GJITHASHTU NË ALBISLAM