A vlen namazi i nevojës për ata që nuk falen rregullisht?

A vlen namazi i nevojës për ata që nuk falen rregullisht?

0 3267


Pyetje: Selam i dashur hoxhë, desha të pyes se a vlen namazi i nevojës për ata që nuk falen rregullisht. Nëse jo, si të veproj në një situatë që kanë nevojë dhe janë në vështirësi?

Përgjigje: falënderimi i plotë i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin, familjen dhe ithtarët e tij:

Myslimani e ka për obligim ta adhurojë Allahun më atë që Ai e ka ligjësuar. Adhurimet, pa mëdyshje, janë ushqim i shpirtit dhe nevojave të ndryshme të njeriut. Një prej adhurimeve më madhështore është lutja, sidomos kur lutësi është në një gjendje të zorshme, Allahu i madhëruar, thotë: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.” (Nemël:62)

Për sa i përket namazit të nevojës (salatul haxhet), dijetarët kanë theksuar se hadithi që flet për këtë lloj adhurimi nuk është i vërtetë. (Mishkatul mesabih: 1/451)

Për këtë arsye, të këshilloj që njëherë të bëhesh falës i rregullt i namazeve obliguese sepse pa këtë e sjell në pikëpyetje imanin tënd dhe së dyti të kujdesesh për kohët në të cilat lutja pranohet siç është lutja në thellësinë e natës, lutja mes ezanit dhe ikametit, në fund të namazit, ditëve të premte e kështu me radhë sepse Allahu i madhëruar thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare: 186)

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM