ADHURIMI NDAJ ALLAHUT DUHET TË VAZHDOJË!

ADHURIMI NDAJ ALLAHUT DUHET TË VAZHDOJË!

0 2293

Gjatë muajit të ramazanit isha më afër Allahut i Madhërishëm, falja namaz vullnetar më shumë, e ndjeja kënaqësinë e adhurimit, lexoja Kur’an më shumë, namazet i falja në xhami me xhemat, nuk shikoja atë që është e ndaluar që të mos e njollosja agjërimin tim, por… pas ramazanit e humba këtë kënaqësi e këto ndjesi në adhurimet e mia. Tani nuk e kam atë vullnet për vepra të mira siç e kisha na Ramazan , shpesh më ik namazi i sabahut me xhemat, më janë pakësuar namazet nafile, leximi i Kur’anit gjithashtu… e të tjerat me radhë!

A ka për këtë gjendje ndonjë zgjidhje?

Për ty vëlla i nderuar do të përmendim 10 metoda për vazhdimësinë tënde në rrugën e Allahut, mundësisht ashtu siç ke qenë gjatë muajit të ramazanit të jesh edhe pas tij.

E para: dhe para çdo gjëje kërko nga Allahu ndihmë sepse Ai të ka udhëzuar dhe kërko nga Ai që të të forcojë ne fenë e Tij, ashtu siç është lutur Resulullahu alejhi salatu ue selam, kurse ne e dimë shumë mirë se sa më shumë se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem kemi nevojë për këtë lutje! Ngase Allahu i Madhërishëm i ka lavdëruar në Kur’an ata të cilët luten dhe thonë: “Zoti ynë mos na i lako zemrat tona pasi na i drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pasi që vetëm Ti je Dhuruesi më i madh.” (Ali imran:8)

E dyta: Ndeja me njerëz të mirë dhe të devotshëm si dhe prezantimi në hallkat ku përmendet Allahu, në vendet ku mbahen këshilla për fenë e Allahut të Madhërishëm apo vizita e vazhdueshme e nxënësve të dijes apo vëllezërve në përgjithësi prej të cilëve inshAllah çdo herë përfitojmë.

E treta: Njohja me jetëpërshkrimin e dijetarëve dhe njerëzve të dalluar në historinë e islamit, sahabëve , tabiinve , tabi-tabiinve dhe meditimi se si ata e kanë kuptuar këtë fe të ndritshme e si pasojë kanë bërë që ky islam të arrijë në disa kontinente madje edhe të jenë më krenarët e më të lartit, gjë e cila sot nuk është e pranishme në Umetin islam madje është e humbur dhe kujtohet me shumë nostalgji… por duke mos harruar se ajo nuk është e pamundshme nëse ne marrim rrugën e tyre duke i ndjekur, e pa dyshim se nëse ne marrim këtë rrugë do ta gjejmë Allahun e Madhërishëm Ndihmëtarin më të mirë në këtë drejtim.

E katërta: Leximi i librave, dëgjimi i këshillave të hoxhallarëve të ndryshëm të cilët pa dyshim duke interpretuar fjalën e Allahut të Madhërishëm dhe të Resulullahut kjo ngjall tek ne ambicie dhe vullnet për punë të mira.

E pesta: Të jemi të kujdesshëm në faljen e pesë kohëve të namazit dhe në agjërimin kaza të atyre ditëve që na kanë mbetur pa i agjëruar gjatë muajit të ramazanit sepse kur robi i respekton kufijtë e Allahut i Madhërishëm Ai kënaqet me të.

E gjashta: Të kemi kujdes edhe në veprat vullnetare edhe në qoftë se janë të pakta, pasi që për këtë Resulullahu ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë veprat e vazhdueshme edhe në qoftë se janë pak.

E shtata: Të mundohesh e të bësh një planprogram që të mësosh përmendësh sa të kesh mundësi nga libri i Allahut i Madhërishëm, pra Kur’ani e në të njëjtën kohë të mundohesh ta kuptosh e ta lexosh atë që e thua gjatë namazeve që ajo të të bëjë të jesh i përqendruar gjatë faljes së namazit.

E teta: Ta shpeshtosh dhikrin – të përmendurit e Allahut dhe istigfarin – kërkimin e faljes tek Allahu sepse këto vepra ndoshta duken të vogla por tek Allahu i Madhërishëm ata janë shumë të vlefshme dhe kanë shpërblim të madh inshAllah.

E nënta: Largohu sa më larg nga ato gjëra që ta prishin qetësinë e zemrës qofshin ato vepra, shokë,vende ,libra, revista, muzika etj.

E dhjeta: Së fundi të këshilloj vëlla i dashur të pendohesh sa më shumë e sa më shpesh, pasi që siç ka ardhur në hadith të Resulullahut se Allahu i Madhërishëm kënaqet me robin e Tij i cili pendohet pas mëkateve që i bën më shumë se sa njeriu i cili është në shkretëtirë e humbë devenë e tij me të cilën udhëtonte duke i humbur edhe shpresat se do të jetojë e kur e gjen atë nga gëzimi i madh i thotë Allahut : Unë jam zoti yt, e ti je robi im.

Prandaj vëlla i dashur mos u bëj prej atyre qe e njohin Allahun i Madhërishëm dhe fenë e tij me obligimet e saj vetëm gjatë ramazanit sepse për këta njerëz selefet – të parët tonë të mirë kanë thënë: Mjerë për atë popull që e njeh Allahun vetëm në ramazan.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

Përshtati:Nexhat Ceka

GJITHASHTU NË ALBISLAM