Përditësimi i fundit04:28:32 PM GMT

Albislam RSS
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Tani je te: Akide JU TREGOJ DIÇKA PËR SUFIZMIN (I)

JU TREGOJ DIÇKA PËR SUFIZMIN (I)

Email Shtyp pdf
JU TREGOJ DIÇKA PËR SUFIZMIN (I)

Përpara se të hymë në temën tonë, është e udhës që të theksojmë se: Allahu i Lartësuar u caktoi njerëzve nëpërmjet Profetit sal-lallahu alejhi ue selem, fenë të cilën Ai e pëlqen, duke ua sqaruar atyre se çdo fe, rrugë apo ideologji tjetër nuk do të jetë e pranuar.

Po ashtu Profeti Muhamed u përpoq t’ia sqarojë umetit çdo detaj të kësaj feje dhe Allahu e mori pikërisht atëherë kur feja ishte e plotësuar.

Kështu Profeti vdiq dhe umetin e tij e la në një rrugë të qartë, ku nata e dita janë njësoj e ku humb vetëm ai që është i shkatërruar. Ndaj në këto kohë e kurdoherë është plot me vlerë thënia e imam Malikut: “Ajo që nuk ishte dje fe, nuk mund të jetë as sot fe.”

Përveç kësaj Profeti sal-lallahu alejhi ue selem, e sqaroi umetin e tij dhe i tërhoqi vërejtjen për gjëra në të cilat do të binin, si thënia e tij: “Do t’i veproni/imitoni sjelljet e popujve para jush, pëllëmbë për pëllëmbë dhe hap pas hapi, aq sa nëse ata do të hynë në gropën e hardhucës do të hynit edhe ju…”.[1] 

Punuan me këto ajete e hadithe brezat e parë të muslimanëve, sahabët e tabiinët, dhe Allahu i nderoi, iu dha sukses e i bëri të triumfojnë; ndërkohë që Islami u përhap në kultura të reja, kur injoranca filloi të shfaqej në horizontin e disa prej këtyre vendeve, kur muslimanët përkthyen dhe u angazhuan me librat e filozofisë greke e të tjera, ra në mesin e muslimanëve gjëma.

Po, u përhap dhe u vërtetua ndër ta ajo për të cilën Profeti i kishte këshilluar, ata tashmë filluan të bien në atë që ai qortoi; filluan kokat e së keqes të dalin e bimët e helmëta të mbijnë. Filluan të shfaqen grupet e para, të cilët e filluan nga një shkëndijë e vogël e që më pas u përhapën e u bënë bindje, medhheb e fe. Nga këto grupe që dolën ndër muslimanët dhe që vazhdojnë të jenë ende me shumicë është edhe Sufizmi, të cilët arritën në atë gjendje ku janë sot vetëm si shkak i largimit të tyre nga Kurani dhe Suneti.

Por ç’është Sufizmi? Ku i ka rrënjët ai?

Këto janë disa çështje të nxehta, të cilat do të trajtohen në këtë kënd, duke u përpjekur të ringjallim në mesin e muslimanëve paralajmërimin, këshillën dhe qortimin që Profeti i bëri umetit të tij, në mënyrë që të mbesin në rrugën e drejtë, të pa-devijuar e që të mos e gjejnë veten më pas ndjekës të ndonjë shejtani të mallkuar.

Ç’është Sufizmi?

Për prejardhjen e fjalës Sufizëm dijetarët islamë kanë shprehur mendime të shumta e të ndryshme, por këtu do të përmendim atë që mendojmë se është më afër me origjinën e kësaj rryme.

Fjala Sufizëm në shumicën e mendimeve rrjedh nga fjala Suf që do të thotë: Rrobë e leshtë, të cilën Sufitë e vishnin si formë adhurimi dhe shenjë asketizmi e përçmimi ndaj bukurive të kësaj bote, për këtë ata u quajtën dhe Sufi.[2]

Mendim tjetër është se Sufizëm rrjedh nga fjala Greke “Sofia” që ka kuptimin: urtësi, mençuri.

Shfaqja e Sufizmit dhe si filloi ai

Nëse hedhim një shikim në librat e Besimit dhe të Historisë gjejmë se fjala Sufizëm nuk njihej në mesin e sahabeve, madje as në mesin e tabiinëve, përkundrazi ky term dhe ky emërtim u shfaq pas kohës së tyre në Basra të Irakut, atëherë kur disa njerëz filluan ta tepronin dhe të tejkalonin kufijtë në adhurim dhe asketizëm, madje në një shkallë, e cila nuk njihej më parë.

Edhe ky sekt, si çdo sekt tjetër fillimin e tij nuk e kishte shumë të ndryshëm nga masa e gjerë e Islamit, me përjashtim të disa teprimeve që ata bënin në adhurim dhe sjellje, dhe kjo edhe për vetë faktin se fillimet e këtij sekti ishin në një kohë kur dija ishte e pranishme dhe ekstremi i kritikuar nga dijetarët, gjë që bëri që kjo rrymë të mos hapej rrethi i saj në sjellje dhe ndjekës.

Nëse shohim me kujdes se ku filloi Sufizmi ndoshta e kuptojmë se ai është një teprim i urryer dhe me të vërtetë larg nga rruga e kërkuar profetike, edhe pse veshjen dhe paraqitjen e jashtme në pamje të parë e ka islame, sepse Profeti sal-lallahu alejhi ue selem, iu drejtua atyre tre personave, të cilët vendosën ta tepronin - duke agjëruar, falur dhe duke mos iu afruar grave - me këto fjalë: “Unë jam njeriu që i frikësohem dhe ia kam drojën më shumë se çdokush nga ju Allahut, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle dhe unë martohem me gra”.[3]

Shkaqet që çuan fillimisht në këto qëndrime dhe veprime – pra, teprimi në veçim dhe mos-përzierje si dhe teprimi në disa adhurime - ishte përhapja e fitneve/sprovave të shumta të brendshme; derdhja e gjakut të disa njerëzve të pastër; hapja e dynjasë dhe shtimi i pasurisë si shkak i çlirimeve të shumta, gjë që çoi në atë që një grup njerëzish të izoloheshin, dikush për të ruajtur veten nga këto fitne e dikush si një reaksion kur pa sesi shumë njerëz të dobët në fe filluan ta teprojnë me bukuritë e kësaj bote. 

Nëse është kështu, ku qëndron problemi?

Problemi qëndron se kjo lëvizje nuk qëndroi në këto korniza, por ajo arriti në ato shkallë sa shkaktoi vesvese, largim total nga dynjaja – në një gjendje të përafërt me murgjëri - dhe devijime në sjellje e veprime, madje dhe më e rëndësishmja është se shpikën në fe adhurime, sjellje dhe mendime, të cilat nuk njiheshin më parë, por që në shumë raste shkaktuan edhe dalje nga feja.

Që kjo të kuptohet më mirë, patjetër që ka nevojë të flasim diçka për etapat e Sufizmit dhe sesi ai ka përparuar nëpër breza e shekuj, duke nxjerrë kështu një sërë rrymash e sektesh të reja, Allahu na ruajt nga rrëshqitja e këmbëve dhe lajthitja e mendjeve.

Etapa e parë:

Sikurse dhe e pamë dhe më lart, etapa e parë ishte adhurim dhe asketizëm i tepruar e që shoqërohej tek ndjekësit e kësaj rruge me vetmi dhe mos-përzierje, si dhe dominimi i frikës së madhe, e cila shkaktonte qarje të vazhdueshme apo të fikët, por që në përgjithësi në këtë etapë njerëzit i përmbaheshin parimeve të sheriatit dhe edukatës së Kuranit e Sunetit.

Nga figurat më të shquara të kësaj etape[4] është dhe Amir ibën Abdulla ibën Zubejri, i cili agjëronte pandërprerë dhe që kishte adhurim të shumtë, aq sa i ati i tij, sahabi i nderuar Abdulla ibën Zubejr i tha: “O biri im! Unë e kam parë Ebu Bekrin edhe Omerin, por ata nuk ishin kështu![5]

Prej tyre ka qenë dhe Talk ibën Habibi, i cili ishte dijetar punëtor dhe nga asketët e mëdhenj; në këtë etapë hyn edhe Bishër Hafiu, koka e sinqeritetit dhe e përkushtimit; po ashtu Xhunejd ibën Muhamed ibën Xhunejd, i cili thoshte: “Dija jonë është e rregullt, atëherë kur ajo është nga Kurani dhe Suneti, ndaj ai që nuk merr e mëson nga Kurani e Suneti, nuk duhet të pasohet.”[6]

Përveç këtyre ka edhe të tjerë, por që qëllimet i kishin të mira me përjashtim të disa veprimeve jo të drejta në të cilat mund t’i bënte ndonjëri prej tyre, ose si shkak i injorancës, ose si shkak i asaj që gatuan me duart e tyre, duke punuar me hadithe të dobëta, duke mos e kuptuar. Këta bëjnë pjesë tek sufitë e parë, por që duhet të thuhet se në këtë etapë u shfaqën këto cilësi prej tyre:

1-       Të kapurit pas Suneti, me përjashtim të disa mangësive të vogla.

2-       Respekti ndaj dijes dhe dijetarëve.

3-       Humbja e Fikhut dhe mos angazhimi me hadithin.

4-       Dhënia rëndësi e këshillave dhe historive që shpesh merreshin dhe nga Israilijatet.[7]

5-       Mbizotërimi i frikës, brengës; shfaqja e agjërimit të pandërprerë; rënia e të fiktit dhe agonia kur dëgjonin Kuran.

6-       Largimi nga dija dhe mos-angazhimi për të fituar riskun.

Jemi munduar t’i ndajmë këto dukuri në mënyrë kronologjike për t’u kuptuar edhe ndryshimet që janë bërë në këtë etapë.[8]

Etapa e dytë:

Kjo etapë karakterizohet me shfaqjen e sufizmit të vërtetë dhe rrymave e sekteve, të cilat lindën prej tij. Në këtë epokë u shfaq ajo që njihet si Dija e Brendshme dhe e Jashtme/e dukshme,[9] shkarkimi nga detyrimet e sheriatit për evlijatë – sipas pretendimeve të tyre - për faktin se ata kanë arritur në dijen e vërtetë me anë të zbulesave dhe ëndrrave.[10]

Udhëheqësit e kësaj etape janë të parët dhe dirigjuesit e sekteve dhe rrugëve Sufiste si:

1-       Ebu Hasen Shadhiliu (vdekur më 656 h), udhëheqësi shpirtëror i sektit Shadhili, i cili edhe pse pohonte në ndonjë rast: Nëse zbulesat bien në kundërshtim me Kuranin dhe Sunetin, atëherë kapu pas Kuranit dhe lëre zbulesën dhe thuaji vetes se Allahu e ka siguruar paprekshmërinë e librit të Tij dhe Sunetit, gjë të cilën nuk e ka bërë me zbulesën e ëndrrat.[11] Porse fatkeqësisht ky person nuk iu përmbajt këtij pohimi, sepse po në të njëjtin burim pohohet se ka thënë: Kam pasuar deri tani Abduselam ibën Mashish, porse unë tani nuk pasoj askënd, përkundrazi unë tashmë notoj në dhjetë dete[12]: Muhamedin, Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin, Aliun, Xhibrilin, Mikailin Azrailin, Israfilin dhe Shpirtin e madh.[13]

Po ashtu ndjekësit e Shadhiliut pohojnë, se kur ai ishte në Medine i ka folur vetë Profeti sal-lallahu alejhi ue selem: Kur shkoi në Medine qëndroi përpara derës së xhamisë që në agim deri në mesditë, me kokë të zbuluar e këmbëzbathur duke kërkuar leje nga Profeti që të hynte brenda, kur ja, dëgjoi një zë nga brendësia e Reudës Sherife[14], i cili i tha: O Ali, hyr brenda.[15]

2-       Nga dirigjuesit e sekteve Sufiste është dhe Ahmed Rrifaiu për të cilin pretendojnë se kur bëri haxhillëkun në vitin 555 h, qëndroi përballë varrit të Profetit dhe tha: Selamu alejke o gjyshi im. Në këtë çast Profeti iu përgjigj: Ue alejke selam, o biri im. Këtë e dëgjoi kush ishte në xhami, madje Profeti nxori dorën nga varri i tij dhe Rrifai e puthi në prezencën e afërsisht nëntëdhjetëmijë burrave. Madje ata thonë se kush e mohon këtë ka dalë nga feja.[16]

Përkundrazi besimi i kësaj shpifjeje është injorancë e mangësi logjike.

Në kohën e tij Shejhul Islam ibën Tejmije ka pasur dialogë të fortë me Rrufaitë, sidomos në praninë e princit të Damaskut, kur Rrufaitë pretendonin se ata mund të hynin në zjarr e të dilnin pa u djegur aspak, atëherë Shejhul Islam ibën Tejmije i sfidoi duke i thënë se ai do të hynte me ta në zjarr, por me një kusht: që të laheshin me ujë të ngrohtë dhe uthull në mënyrë që të largonin yndyrat dhe ilaçet me të cilat lyenin trupin e tyre; më pas kush do të digjej, për të do të ishte zemërimi dhe mallkimi i Allahut dhe ai do të ishte i humbur. Ata kur e panë që iu zbulua hilja e s’kishin nga t’ia mbanin kërkuan teube.[17]

Mundet që t’i përmbledhim shfaqjet e sufive në këtë etapë si më poshtë:

1-       Shfaqja e udhëheqësve të sekteve dhe rrugëve sufiste dhe vendosja e bazave dhe e metodave të përgjithshme të këtyre sekteve.

2-       Pretendonin pasimin e Kuranit, Sunetit dhe pasimin e sahabeve, ndërkohë që në praktikë ishin kundërshtues të kësaj motoje.

3-       Prania e disa shtrembërimeve në shprehje, sjellje dhe veprime, gjë që çoi në refuzimin e tyre nga dijetarët e selefit, si dhe cilësimin e tyre si humbje.

4-       Shfaqja e poemave sufiste, avancimi i tyre në dëgjimin e muzikës dhe ato që i shoqëronin atë si dehja dhe vallet.

5-       Shfaqja e shprehjeve sufiste si: zbulesa, realitetet/fakte, të fshehtat, shuarje, dëshmia etj.[18]

Etapa e tretë:

Kjo konsiderohet nga etapat më të rrezikshme të sufizmit, për faktin se në këtë kohë filluan devijime drastike, të cilat vinin si shkak i ndikimit të filozofive të ndryshme, si ajo Greke, Perse, dhe nga besimet e mëparshme si Judaizmi e Krishterimi.

Ndër karakteristikat më kryesore të kësaj etape mund të veçojmë:

1-       Formimi i bazave të Sufizmit dhe ndikimi i tejskajshëm i këtij sekti nga Krishterimi; si thënia dhe besimi i tyre në Itihad – njësimin midis krijuesit dhe krijesës -, mishërimin/personifikimin e Krijuesit me krijesën; shenjtërimin e individëve, të cilën e përfituan nga Mexhusët; shuarjen dhe rimishërimin, të cilën e morën nga Hindusët, po ashtu morën nga filozofia greke dhe afetarizmin e saj, panteizmin.[19] 

2-       Pretendimi se ata e merrnin dijen drejtpërdrejt nga Allahu, sikurse thotë Ebu Zejd Bestamiu[20] - i drejtohet Ehli Sunetit – “ju e merrni dijen tuaj nga të vdekurit, ndërsa ne –Sufitë-, e marrim nga i Gjalli, i cili nuk vdes kurrë”. Apo si thënia e Ibën Arabiut në librin e tij Futuhat Mekije:[21] “Pasha Allahun! Nuk kam shkruar në librin Futuhat Mekije ndonjë shkronjë e të mos ketë qenë shkrim nga Hyji, apo recitim nga Zoti, apo fryrje shpirtërore, apo shpirt i ekzistencës.”[22] Ndërsa unë them se kanë qenë inspirime Shejtanësh.

3-       Rënia e tyre në shumë bidate në çështjet e akides si: shiizëm, irxha, në kader dhe largimi i madh nga ndjekja e Kuranit dhe Sunetit.

4-       Rënia e disa prej tyre në veprime dhe punë të fëlliqura, duke pretenduar se ato janë nga çudirat e tyre.

Në këtë pjesë treguam se si ka filluar e është zhvilluar devijimi tek këta njerëz e në pjesën tjetër do t’ju tregojmë edhe më shumë.



[1] Buhari, Muslimi etj.

[2] Mexhmu Fetaua të Shejhul Islam Ibën Tejmijes (11/195).

[3] Buhari dhe Muslimi nga hadithi i Enesit.

[4] Të cilët nuk mund të quhen Sufi, por që konsiderohen si imamë nga pasuesit e këtij sekti.

[5] Imam Dhehebiu në Sijer Alamu Nubela (5/219).

[6] Risale e Kushejrit (1/118).

[7] Rrëfime të marra nga librat e feve të mëparshme.

[8] Akide Ehli Sune uel Xhema të Seid bin Musfir Kahtanit (388).

[9] Dija e brendshme është dije, të cilën e pretendojnë sufitë e të cilën e përfitojnë –sipas tyre-, nga zbulesat dhe ëndrrat, ndërsa dija e dukshme është ajo që e kuptojnë masa e muslimanëve, tek të cilët sufitë fusin edhe dijetarët e Ehli Sunetit.

[10] Fetaua Shejhul Islam Ibën Tejmije (11/417-439).

[11] Tabakat Sharani (2/4).

[12] Kam mbledhur dijen e këtyre të dhjetëve.

[13] Tabakat Sharani (2/6).

[14] Reuda Sherife është vendi nga dhoma e Aishes e deri tek minberi i Profetit.

[15] Medrese Shadhilije (32), Pra ky pretendonte se Profeti i kish folur afro 650 vjet pas vdekjes në praninë e të gjithë atyre që ishin në xhami. Çdokush që ka sado pak nga drita e shpalljes e kupton që këto janë thjesht shpifje të shëmtuara, Allahu na ruajt.

[16] Kiladetu Xheuahir (104).

[17] Këtë ngjarje e ka përmendur Shejhul Islam ibën Tejmije

[18]Derasat fi teseuf” i Ihsan Ilahi Dhahir (235).

[19]Der’u Tearud el Akël ue Nakël” i Ibën Tejmijes (5/82). Panteizmi është të besosh se çdo gjë në ekzistencë është një realitet i vetëm dhe se çdo gjë që shohim është një aspekt i ekzistencës së Allahut; me fjalë të tjera: është çdo gjë që shohim dhe çdo gjë që shohim është vetë Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar, qoftë nga ajo që i atribuojnë të padrejtët.

[20] I cili ka shprehur nga fjalët më të shpifura dhe nga më të pafetë si: I lartësuar jam Unë, sa e madhëruar është qenia Ime” -Subhani ma Adheme Shani-, shprehje të cilat janë lartësim vetëm për Allahun. Kjo ishte për shkak të besimit që ata kishin në mishërimin e Allahut në krijesat dhe me këtë fjalë ai besonte se madhëronte Allahun.

[21] Ibën Arabiu është një ndër ata, të cilin dijetarët e kanë quajtur renegat të pafe. Në këtë libër është mbledhur shirku më i madh që mund të ekzistojë, madje më ekstrem se i çifutëve dhe të krishterëve, që besojnë në trinitetin. Ndër të tjera në këtë libër ai thotë: Robi është Zoti dhe Zoti është rob. Do të dëshiroja të dija cili do të ishte ai që do të ngarkohej me detyrat e nevojshme. Apo: Ata që adhuruan viçin nuk adhuruan tjetër pos Allahut. Allahu na ruajt  nga ky kufër i hapur.

[22] Futuhat Mekije (3/456).

Google könyvjelzőLink megosztása: Del.icio.usTwitterAjánlás a linkter.hu-raFacebookDigg
JP-Bookmark