ALLAHU I MADHËRUAR

ALLAHU I MADHËRUAR

0 2568

Kur’ani qysh në fillim të shpalljes i dha rëndësi të madhe përmirësimit të botëkuptimit të njerëzve mbi Allahun dhe njoftimin e tyre me Krijuesin e Vërtetë. Këtë më së shumti e vërejmë në suret e periudhës mekase.

Çështja e besimit është çështja kryesore që iu dha rrëndësi në Kur’anin famëlartë. Po qe se grumbullojmë ajetet kur’anore që trajtojnëbesimin në Allahun, do të vërejmë se ato shqyrtojnë tre themele kryesore:

  1. Njëjësimi i Allahut në zotërim (teuhid errububije). Kur’ani famëlartë shumë mirë na sqaroi se Allahu, subhanehu ve teala, është Krijuesi i vetëm i kësaj gjithësie, pa ortak dhe ndihmës. Ai e krijoi atë nga asgjëja dhe vuri në të ligje, si dhe krijoi në të krijesa të ndryshme. Ashtu sikur që njëjësohet Allahu në krijim, njëjtë njëjësohet në zotërim. Në këtë gjithësi Allahu, subhanehu ve teala, la argumente që flasin për ekzistencën e Tij, për këtë shkak gati të gjithë njerëzit kanë besuar në ekzistimin e Allahut: “Nëse ti i pyet ata: “Kush krijoi qiejt e tokën, kush i nënshtroi (të lëvizin) diellin dhe hënën?” Ata do të thonë: “All-llahu!” E si prapësoheni, pra?” (Ankebut, 61)

Besimi në njëshmërinë e Allahut e shton frikë-respektin ndaj Zotit sepse njeriu është i dobët për nga natyra e tij dhe gjen strehim te kjo forcë mbinatyrore nga sprovat e ndryshme: “Ata nuk e çmuan All-llahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën (forcën) e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!” (Zumer, 67)

  1. Njëjësimi i Allahut në emrat e Tij të bukur që nënkuptojnë përsosurinë dhe madhërinë e Tij, dhe cilësitë e larta që domosdo i përkasin Atij (teuhidul esmai vessifat). Pasi që qenia e Allahut nuk mund të paramendohet as të perceptohet me mendjet tona për shkak se dallon nga të gjitha krijesat, rruga e vetme për të njohur Atë mbeti njohja e emrave dhe cilësive të Tij. Emrat dhe cilësitë e Allahut nuk mund në asnjë mënyrë të krahasohen ose përngjajnë me emrat dhe cilësitë e krijesave, sepse dallimi ashtu siç është në qenie ndërmjet krijuesit dhe krijesës ashtu është edhe në cilësitë dhe emrat, “Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi.”(Shura, 11)

Prej emrave të Allahut që u përmendën në Kur’an janë: “Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i vishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), sigurues (që i siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli) mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i plotfuqishëm, mbizotërues, i madhërishëm, i lartësuar është All-llahu nga çka i shoqërojnë! Ai është All-llahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (All-llahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, i urti!” (Hashr, 23,24)

  1. Njëjësimi i Allahut me adhurim në mënyrë që të mos i drejtohet adhurimi dikujt tjetër

përpos Tij në asnjë aspekt (teuhidul ibade). Kjo është shtylla kryesore e besimit në Allahun e Madhëruar. Këtë kuptim e ka edhe dëshmia me të cilën hyjmë në Islam, pra fjala “la ilahe illallah” që do të thotë: “nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut. Kjo shtyllë e besimit është pika ndarëse ndërmjet besimit islam dhe besimeve tjera. Pasi që Allahu është i Vetëm në qenien e Tij, si dhe në cilësitë dhe emrat e Tij, atëherë është i Vetmi i cili meriton të adhurohet.

GJITHASHTU NË ALBISLAM