ARGUMENTET PËR NDALIMIN E MUZIKËS NË SUNETIN PROFETIK – 1

ARGUMENTET PËR NDALIMIN E MUZIKËS NË SUNETIN PROFETIK – 1

0 4336

Argumenti i parë:

            Imam Buhariu transmeton në “Sahih” me nr. 5267, duke thënë: “Hisham bin Ammar, ka thënë: ‘Na ka treguar Sadakatu bin Khalid’; ‘Na ka treguar Abdurrahman bin Jezid bin Xhabir’; ‘Na ka treguar Atijje bin Kajs El-Kilabij’; ‘Na ka treguar Abdurrahman bin Ganm El-Esh’arij, i cili ka thënë: “Më ka treguar Ebu Amir, -apo Ebu Malik-, El-Esh’arij, -e pasha Allahun nuk më ka gënjyer!-, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, duke thënë: “Pa dyshim se në Umetin do të jenë disa popuj, që kanë për t’i lejuar: el-hir (kurvërinë), el-harir (mëndafshin), el-hamër (rakinë) dhe el-meazif (instrumentet muzikore)…”

            El-Hafidh Ibën Haxher, në shpjegimin e hadithit, ka thënë: “Fjala e tij: ‘…do të lejojnë el-hir’ është për qëllim me fjalën el-hir: organi gjinital, e që kjo do të thotë: do të lejojnë zinanë (kurvërinë, marrëdhënien e jashtëligjshme seksuale)”.[1]

            Them: Ky hadith qartazi tregon për ndalueshmërinë e instrumenteve muzikore (el-meazif), ngase i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, po na njofton se do të vijnë disa popuj që do të lejojnë diçka që e ka ndaluar Allahu, siç është kurvëria, mëndafshi, rakia dhe instrumentet muzikore.

            Ne më parë në këtë libër ju kemi ofruar sqarimet e dijetarëve të mëdhenjë të gjuhës që tregonin se el-meazif janë instrumentet e dëfrimit e argëtimit, siç është defi, lahuta, daulleja, fyelli, e të tjera instrumente muzikore. E, kush dëshiron t’i lexojë këto sqarime të tyre, le t’i kthehet kapitullit të parë, në këtë libër tonin.

            Imam Ibën Tejmije, ka thënë: “Është vërtetuar në ‘Sahih’ të Buhariut, e gjetkë, se i Dërguari, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, i ka përmendur me nënçmim e qortim ata që do të lejojnë zinanë, mëndafshin, rakinë dhe instrumentet muzikore, të cilët do t’i ndëshkojë Allahu i Lartësuar. E, pra ky hadith argumenton se instrumentet muzikore janë të ndaluara, kurse el-meazif (instrumentet muzikore) tek dijetarët e gjuhës është për qëllim mjetet dhe instrumentet e argëtimit, e që ky emër i përfshin të gjitha ato vegla!”.[2]

            Imam Ibën Kajim, ka thënë: “Ajo që përfitohet nga ky hadith për argumentim është se el-meazif janë të gjitha llojet e instrumenteve për argëtim, e që për këtë nuk ka ndonjë mosmarrëveshje tek dijetarët e gjuhës; E, sikur këto instrumente muzikore do të kishin qenë të lejuara, nuk do t’i qortonte e kundërvihej i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e as që do ta përmendte lejimin e këtyre instrumenteve pikërisht tok e bashkë me lejimin e rakisë!”.[3]

            Imam El-San’anij, ka thënë: “Fjala e tij: ‘e lejojnë’ ka këtë kuptim: e bëjnë haramin të lejuar!”[4]

            Disa nga dijetarët e mëdhenjë të cilët e e kanë vlerësuar dhe klasifikuar këtë hadith si sahih (autentik, i vërtetë)

 

  1. I pari i tyre është vetë Imam Buhariu; Ai këtë hadith e ka shënuar në librin e tij, duke u argumentuar me të, gjë që dëshmon se ai e ka konsideruar atë për sahih. Ibën Haxheri el-Askalanij në hyrjen e librit të tij “Fet’hu’l-bari sherh sahihi’l-buharij” tek sa flet për metodologjinë e Buhariut në librin e tij “Sahih”, thotë: “I ka qëndruar besnik autenticitetit, kështuqë nuk ka shënuar aty përveçse hadithe sahihe, e që kjo realisht është baza e temës së tij, gjë kjo e cila kuptohet mirëfilli nga vet titulli i librit: “El-Xhamiu’s-Sahih el-Musned min hadithi resulilahi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-” Njashtu ka thënë: “Në atë kohë, po edhe më pas, tek dijetarët dhe ekspertët e kësaj shkence, -që e njohin sahihun e daifin-, nuk ka pasë kurrfarë dyshimi mbi përparësinë që posedon Buhariu ndaj Muslimit… Kurse El-Ferebrij, ka transmetuar nga Buhariu, se ka thënë: “Nuk kam futur në “Sahih” asnjë hadith vetëmse pasi të kem falur namaz istihare, e të jem bindur për autenticitetin dhe vërtetësinë e hadithit”.[5]
  2. Imam Ebu Bekër el-Ismailij; Ai këtë hadith e shënoi në “El-Mustehrexh ala Sahihi’l-Buhari” Mbi këtë, Shejh Albani, ka thënë: “Pikërisht me këtë tekst të hadithit të Buhariut: “E lejojnë kurvërinë, mëndafshin, rakinë dhe instrumentet muzikore” hadithin e ka sjellur edhe Ebu Bekër el-Ismailij në “El-Mustehrexh ala Sahihi’l-Buhari”, ashtu siç evidentohet kjo në “Fet’hu’l-Bari” (10/56), dhe në “Et-Teglik” (5/19)”.[6]
  3. Imam Ibën Hibani; Në hyrjen e librit të tij “Sahih”, ka thënë: “Kriteri ynë në bartjen dhe vëndimin e haditheve në këtë libër sunetesh, është që të mos argumentohemi përveçse me asi hadithi në të cilin çdo shejh prej transmetuesve i posedon këto pesë gjëra: 1. Drejtësia në fe (fetaria), e shoqëruar me fshehje të bukur (moszbulim i elementeve që nuk përkojnë me fetarinë); 2. Të jetë i njohur për besnikëri e vërtetësi në çështjen e hadithit; 3. Të ketë mendjen se ç’transmeton prej hadithit; 4. Të ketë dijeni mbi domethënien e asaj që transmeton; 5. Të jetë i zhveshur prej tedlisit (lloj dobësie në hadith). Pra, gjithsecili që është i përshkruar me këto pesë tipare, argumentohemi me të, sikurse librin tonë e ndërtojmë mbi transmetimet e të tillëve!” E, këtë hadith e ka shënuar në “Sahih”, me këtë tekst: “Do të jenë në umetin tim disa njerëz që do ta lejojnë mëndafshin, alkoolin dhe veglat muzikore!”[7]Për këtë shkak El-Hafidh Es-Sekhavi, duke folur për këtë hadith, ka thënë: “Ibën Hibani, e të tjerë përveç tij prej imamëve, e kanë vlerësuar për sahih!”[8]
  4. El-Hafidh Ebu Amër Ibnu’s-Salah (ka lindur: 577h); Në librin e tij: “Ulumu’l-hadith”, ka thënë: “Ky hadith është sahih, e që mirëfilli dihet që është i pashkëputur (zingjiri), në përputhje me kriterin e hadithit sahih.”[9]
  5. Imam Bedrudin Ibnu Xhemaah (ka lindur: 639h), i cili është prej dijetarëve të mëdhenjë të hadithit, ka thënë për këtë hadith: “Është diçka e njohur mosshkëputja e tij sipas kriterit të hadithit sahih.”[10]
  6. Imam Ibën Tejmije (ka lindur: 661h), në librin e tij “El-Istikame”, ka thënë: “Kurse sa i përket veglave dëfryese (muzikore), hadithi që e shënon Buhariu në “Sahih” është i vërtetuar e autentik!”.[11]
  7. Imam Ibën Kajim El-Xhevzije (ka lindur: 691); Ka thënë: “Ky hadith është sahih, e ka shënuar Buhariu në “Sahih”, duke u argumentuar me të”.[12]
  8. El-Hafidh Ibën Kethir, i cili është prej dijetarëve të mëdhenjë të hadithit (ka lindur: 701h), në librin e tij “Ikhtisaru ulumi’l-hadith”, ka thënë: “Ibnu’s-Salahi i është kundërvyer Ibën Hazmit duke ia hedhur poshtë refuzimin që i ka bërë hadithit mbi veglat muzikore; Buhariu në këtë hadith ka thënë se: “Hisham ibën Amar, ka thënë”, e që Ibën Hazmi ka gabuar në shumë aspekte (në këtë refuzim), ngase vërtetë ky hadith është i vërtetuar si hadith i Hisham bin Ammar! – Them (Ibën Kethiri): Veçse e ka shënuar këtë hadith Ahmedi në “Musned”, Ebu Davudi në “Sunen”, El-Berkanij në “Sahih”, e të tjerë, me zingjir të pashkëputur deri te Hisham bin Amar, e madje edhe deri tek shejhu i tij, sikurse e kemi sqaruar këtë në librin: “El-Ahkam”, e Allahut i qoftë lavdfalënderimi!”[13]
  9. El-Hafidh Siraxhudin Ibnu’l-Mulkin (ka lindur: 723h), ka thënë: “Ky hadith është sahih, dihet zingjiri i pashkëputur, sipas kriterit të hadithit sahih”.[14]
  10. El-Hafidh Zejnudin El-Irakij (ka lindur: 725h), ka thënë: “Sidoqoftë, hadithi është vlerësuar për sahih, ngase është transmetuar në formën e mëtimit. Kurse, rrjedhën e zingjirit e kanë vazhduar të tjerë përveç Buhariut, qoftë nga shtegu i Hisham bin Ammar apo dikujt tjetër; Ai ka mëtuar në këtë hadith, pasi ka qenë në dijeni për moshkëputjen e zingjirit dhe autenticitetin e tij!”[15]
  11. El-Hafidh Ibën Rexheb (ka lindur: 736h), për këtë hadith ka thënë: “Pra, hadithi është sahih e i ruajtur (autentik), nga Hisham bin Ammar!”[16]
  12. El-Alameh Bedrudin El-Ajni (ka lindur: 762h) në librin e tij: “Umdetu’l-Kari sherh sahihi’l-buharij”, ka thënë: “Është e dukshme që Buhariu këtë hadith e ka marrë nga Hishami në ndejë që kanë përsëritur së bashku hadithet, e që hadithi është sahih!”
  13. El-Hafidh Ibën Haxher El-Askalani (ka lindur: 773h), në librin e tij “Tegliku’t-Tealik”, ka thënë: “Ky hadith është sahih, ska kurrfarë dobësie, e as që e konteston dikush (këtë hadith)!”
  14. Imam Muhamed bin Ibrahim El-Vezir (ka lindur: 775h), ka thënë: “Mendimi i vërtetë është se ky hadith është sahih, pa kurrfarë dyshimi, pasi që është me një zingjir të pashkëputur!”[17]
  15. El-Hafidh Shemsudin Es-Sekhavi (ka lindur: 831h), në librin e tij “Fet’hu’l-mugith sherh elfijeti’l-hadith”,  siç u përmend më herët.
  16. Shejh Ahmed Shakir, ka thënë: “Është një e vërtetë e padiskutueshme tek dijetarët e hadithit e studiuesit, po si edhe te ata që e kanë përcjellur udhëzimin e tyre duke i ndjekur në dije të qartë se, hadithet e dy Sahiheve, që të gjitha janë sahiha, e në asnjërin prej tyre ska dobësi!”[18]
  17. Shejh Albani, e ka vlerësuar hadithin për sahih, e madje e ka zgjatur sqarimin mbi këtë duke sjellur argumente e dëshmi që e vërtetojnë dhe mbrojnë këtë gjykim, e pastaj tha: “E shoh të rëndësishme të përfundoj këtë fjalë timen me përmendjen e atyre dijetarëve që kanë konkluduar se hadithi është sahih: 1. El-Buhari; 2. Ibën Hibani; 3. El-Ismailij; 4. Ibnu’s-Salah; 5. En-Nevevij; 6. Ibën Tejmije; 7. Ibnu’l-Kajim; 8. Ibën Kethir; 9. El-Askalani; 10. Ibnu’l-Vezir El-San’anij; 11. El-Sakhavi; 12. El-Emir El-San’anij; e të tjerë përveç tyre që nuk më kujtohen. A mund të hyjë në mendjen e muslimanit një asi bindje se Ibën Hazmi, -dhe ata që kanë ecur pas tij!-, të cilët nuk janë ekspertë të hadithit, ta ketë qëlluar të vërtetën në këtë çështje, e ta kenë gabuar që të gjithë këta imamë (ekspertë të hadithit)?! “  [19]
  18. Shejh Shuajb El-Arrnauti; Në recensionin dhe studimin e tij që i ka bërë Sahihut të Ibën Hibanit, tek hadithi i veglave muzikore, ka thënë: “Hadith sahih!”[20]

Abdullah Ramadan b. Musa[21]

Nga arabishtja: Mirsim N. Maliqi

Burimi: albislam.com

_______________

[1] “Fet’hul-Bari”10/55

[2] “Mexhmuul-fetava”, 11/535

[3] “Igathetul-lehefan” 1/260

[4] “Subulus-Selam” 1/68

[5] Hyrja e Fet’hu’l-Bari-t, f. 345

[6] “Tehrim alati’d-darb”, f. 42

[7] Ibën Hibani në “Sahih” (6754), botimi i “Muesesetu’rr-Rrisale”, bot. i dytë 1993, studimi dhe recensioni i Shuajb Arrnautit.

[8] “Fet’hu’l-mugith” (1/56-57).

[9] “Mearifetu ulumi’l-hadith” f. 36

[10] “El-Menhel Err-Rrevij”, f. 49

[11] “El-Istikame” (1/294)

[12] “Igathetu’l-lahafan” (1/259).

[13] “El-Baith El-Hathith sherh Ikhtisari ulumi’l-hadith” f. 35

[14] “El-Mukni fi ulumi’l-hadith” f. 150.

[15] “Et-Tekjid ve’l-Idah sherh mukadimeti’l-ibni’s-Salah” f. 92

[16] “Nuz’hetu’l-Esmaë” f. 40-41

[17] “Tevdihu’l-efkar sherh tenkihi’l-endhar” 1/146

[18] “El-Baith el-hathith sherh ikhtisari ulumi’l-hadith”, f. 35

[19] “Tehrim alati’d-Darb”,  f. 88-89

[20] Ibën Hibani në “Sahih” (6754), botimi i “Muesesetu’rr-Rrisale”, bot. i dytë 1993, studimi dhe recensioni i Shuajb Arrnautit.

[21] Nga libri i tij: “Err-Rredu ale’l-Karadavi ve’l-Xhedië”, f. 209-214

GJITHASHTU NË ALBISLAM