ASNJËRIN NUK E DUA MË TEPËR SE TË DËRGUARIN E ALLAHUT

ASNJËRIN NUK E DUA MË TEPËR SE TË DËRGUARIN E ALLAHUT

0 1555

Historia në analet e vitit 394 H e shënon këtë rast: Haxhilerët e Irakut pasi që e kryen Haxhillëkun vendosën të kthehen në vendin e tyre pa e vizituar Medinen për shkak të frikës nga vjedhësit dhe banditët që terrorizonin haxhilerët. 

Në këtë moment të vështirë për të gjithë, në anën e rrugës që ndahet për Medine u çuan dy të rinj prej lexuesve të Kur’anit (القراء) dhe lexuan ajetin:

 “Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij.

Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.”(Teube, 120)

Shpërtheu qarja në mesin e haxhilerëve, devetë kthyen qafat e tyre drejt rrugës që shpien drejt Medinës dhe gjithë vendosën ta vizitojnë Medinën gjë të cilën edhe e bënë. Pas vizitës të gjithë shëndoshë e mirë u kthyen nëpër vendet e tyre. (El Bidaje ven-Nihaje 11/334 dhe El Muntedham të Ibën Xheuziut 15/44)

Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, është një prej obligimeve më madhështore të fesë Islame. Allahu, subhanehu ue teala, thotë:

”Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa të vjen caktimi i Allahut. Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.”

El Kadi Ijad në komentimin e këtij ajeti thotë: Mjafton kjo si nxitje, përkujtim dhe argument për obligueshmërinë e dashurisë ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, rrezikun që mban kundërshtimi i saj dhe faktin se vetëm i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, (pas Allahut) e meriton këtë dashuri. Atyre që i japin përparësi pasurisë, familjes dhe fëmijëve Allahu u kërcënohet duke ua cekur caktimin e Allahut (Dita e gjykimit ose dënimi në këtë botë) dhe duke i numëruar në radhët e njerëzve të prishur që Allahu, subhanehu ue teala, nuk i udhëzon dot. (Esh-Shifa bi Ahbaril Mustafa 2/563)

Sahabët ishin shëmbëlltyrë me e mirë në shfaqjen e dashurisë ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem:

Omer El Faruku, radijallahu anhu, shpeshherë i thoshte Abbasit, radijallahu anhu: Më tepër dua që ti ta pranosh Islamin sesa i ati im Hattabi sepse e di se këtë gjë më shumë e do i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem.

Është pyetur Aliu, radijAllahu anhu: Çfarë ishte dashuria juaj ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, e ky u përgjigj: Për Allahun e donim më tepër se pasurinë, fëmijët, etërit dhe nënat. Më tepër se ujin kur ishim të etur. (Esh-Shifa bi Ahbaril Mustafa 2/568)

Amër ibën El Asi, radijallahu anhu, në shtratin e vdekjes thoshte: Asnjërin nuk e doja me tepër se të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue selem, asnjërin nuk e respektoja me tepër, nuk guxoja ta shikoja atë e t’i mbushi sytë nga respekti. Nëse më pyetni ta përshkruaj nuk do të mundem sepse asnjëherë nuk i kam mbushur sytë me të… (Sahih Muslim hadithi nr.192)

Dashuria është bazë e çdo veprës dhe lëvizjes në këtë botë dhe çdo vepër në botë buron nga dashuria dhe dëshira. (Kaide fil mehabbe, Ibën Tejmijje 2/ 193 dhe 202)

Dashuria ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem është prej çështjeve të zemrës dhe ajo i ka implikimet e saja që shfaqen në formë të veprave dhe fjalëve.

Kjo dashuri e detyron besimtarin me mbrojtje të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, me mbrojtje të Sunnetit të tij, me luftë kundër atyre që sulmojnë atë. Të meditojmë për një çast rreth hadithit të cilin e transmeton Ibën Abbasi, radijallahu anhuma: Një njeri i verbër kishte një robëreshë që vazhdimisht e fyente të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, e ky vazhdimisht e këshillonte dhe ia ndalonte këtë punë por pa sukses. Një natë kur ajo ishte duke e fyer të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue selem, mori shpatën e vendosi në barkun e saj dhe u mbështet në shpatë. Kështu e mbyti robëreshën që e fyente të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue selem. Kur në mëngjes i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, u informua se çfarë ka ndodhur i tuboi njerëzit dhe u tha: Për Allahun ai që këtë e ka bërë dhe mendon se unë kam borxh ndaj tij le të çohet. U ngrit i verbëri dhe duke u luhat mes njerëzve erdhi dhe u ul para të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe tha: Unë jam pronari i saj, të fyente dhe ofendonte e unë e ndalsha por pa sukses. Me të kam dy djem si margaritarë dhe me mua sillej butë. Natën që kaloi të fyente e unë nuk durova dot mora shpatën dhe e vendosa mbi barkun e saj u mbështeta mbi të dhe e vrava. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: ”Dëshmoni se gjaku i saj nuk meriton hakmarrje (هدرٌ)”. (Ebu Davud nr. 4361 dhe Nesaiu 7/99)

Shiko në çfarë mënyrë ky njëri e mbroji të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem. Edhe pse ishte i verbër e flijoi robëreshën e tij e cila sillej butë me të dhe me të cilën kishte dy djem të bukur. Dashurinë ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem e lartësoi mbi çdo gjë. Allahu, subhanehu ue teala, qoftë i kënaqur me të.

Vakidiu në librin e tij “El Megazi” ka shënuar këtë rast: Mervan ibën Hakemi i cili ishte emir i Medinë dhe e pyeti Ibën Jaminin çifutin për mënyrën se si u vra Ibën Eshrefi (të cilin i Dërguari e ekzekutoi për shkak të sherrit të tij)? E ky u përgjigj: U vra me tradhti. Në atë moment u çua Muhamed ibën Mesleme, radijallahu anhu, i cili ishte plak dhe tha: O Mervan a po lejon që i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, të cilësohet si tradhtar?! Pasha Allahun ne nuk e vramë atë përpos me urdhër të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem. Pasha Allahun nuk do të tubohemi asnjëherë nën asnjë kulm qoftë i shtëpisë apo i xhamisë. E ti o Ibën Jamin nëse ndonjëherë takohemi e unë në dorë kam shpatë, dije se me atë shpatë do të godas kokën tënde. Pas kësaj çdo herë që Ibën Jamini zbriste në Medine para tij dërgonte njeri të shikon se mos vallë në treg është Muhamed ibën Mesleme, radijallahu anhu. Një herë kur Muhamed ibën Mesleme, radijAllahu anhu, mori pjesë në një xhenaze u takua me Ibën Jaminin i cili në atë kohë ishte në Beki’ (varrezat e Medinës) mori gjethe të palmës dhe me të filloi të godas Ibën Jaminin duke e goditur në kokë dhe trup derisa u thyen gjethet e palmës e Ibën Jamin mbeti pa fuqi. Në fund Muhammed ibën Meslem përsëri tha: Nëse ndonjëherë takohemi e unë në dorë kam shpatë, dije se me atë shpatë do të godas kokën tënde. (Megazi lil Vakidij 1/192 dhe Sarimul Meslul 2/184)

Dashuria ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, besimtarin e obligon me respekt dhe madhërim të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Është pyetur Malik ibën Enesi për Ejjub Es-Sihtijanin dhe është përgjigjur: Ejjubi është më i mirë se çdonjëri për të cilin do të më pyetni dhe tha: Ejjubi dy herë bëri haxhxh dhe vërejta se çdo herë kur përmendej i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, qante aq shumë saqë e mëshiroja. Pasi që pash se sa shumë e respekton të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue selem, fillova t’i shënoi hadithet që i transmetonte.

Mus’ab ibën Abdullahu rrëfen: Çdo herë kur në praninë e Malikut përmendej i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ndryshonte ngjyra e tij dhe ulte kokën e tij dhe nga ky gjest ngushtoheshin të pranishmit në tubimin e tij. Kur një ditë e pyetën për këtë gjë u përgjigj: Ta kishit parë atë që e kam parë nuk do me kritikonit. E kam parë Muhamed ibën Munkedirin, i cili ishte prej lexuesve të njohur të Kuranit, çdo herë kur e pyetnim për ndonjë hadith qante aq shumë saqë e mëshironim. (Esh-Shifa, 2/596-597)

Madhërimi i të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, duhet të jetë një mes, larg tejkalimit të kufijve në madhërim (siç i kanë kaluar kufitë krishterët në madhërim të Isaut, alejhis-selam) dhe larg shkujdesit (siç kanë vepruar çifutët me të Dërguarit e tyre) duke mos e respektuar aq sa duhet. Këtë me së qarti e ka shpjeguar Ibën Abdil Hadi duke thënë: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, madhërohet me zemër gojë dhe gjymtyrë dhe madhërimi me zemër ka kuptimin se dashuria ndaj tij si i Dërguar është para dashurisë që e ka njeriu ndaj shpirtit, fëmijës, prindit dhe gjithë njerëzisë. Këtë dashuri e vërtetojnë dy gjëra:

 Pastrimi i besimit dhe bindja e plotë se Zot i vetëm që meriton të adhurohet është Allahu, subhanehu ue teala. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, më tepër se çdo kush kujdesej të pastron besimin dhe t’i mbyll gjitha rrugët që shpijnë drejt shirkut. Çdo parim të cilin në këtë çështje e ka vendosur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, me fjalë apo vepër duhet të respektohet dhe kjo është argument i dashurisë.

Të veçuarit e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, në pasimin e tij e sidomos në gjykimet për gjitha çështjet e fesë qofshin të mëdha apo të vogla, qofshin  nga çështjet bazë apo nga çështjet që degëzohen nga bazat. Besimtari duhet të pajtohet me gjykimin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem , ta zbaton duke u dorëzuar plotësisht dhe të largohet nga çdo gjë që është në kundërshtim me gjykimin e Tij. Kështu Ai do të bëhet i vetmi gjykues që pranohet dhe zbatohet gjykimi i tij.

Madhërimi me gjymtyrë realizohet me praktikimin e gjitha veprave që i ka bërë ai, me punë për ngritje të fesë Islame duke mbrojtur parimet e saj dhe duke luftuar kundërshtaret e saj. (Es-Sarim El Munekka fq.452-454 me shkurtim)

Prej elementeve që stimulojnë dashurinë ndaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, janë dy gjëra:

Virtytet dhe moral ii tij. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka qenë i njohur me edukatën e tij , me sinqeritetin, mirësinë dhe drejtësinë e tij. I sjellshëm, larg çdo vepre të pahijshme dhe larg padrejtësisë. Për këtë dëshmonin edhe besimtarët edhe jobesimtarët ishte model i përkryer i cilësive fisnike që flasin qartë për vlerën e tij. (El Xhevab Es-Sahih limen bed-dele dinel Mesih, 4/80 me shkurtim)

Mëshira dhe mirësia e tij ndaj Ummetit të tij. Ai vazhdimisht kujdesej për udhëzimin e tyre, ishte i kujdesshëm i mëshirshëm dhe i butë. Përgëzues dhe qortues, dritë që ndriçonte udhën, mëshirë për gjitha botët, i kujdesshëm dhe i butë me besimtarët. (Esh-Shifa, 2/580 me shkurtim)

Hafidh Ibën Haxheri thotë: Nëse njeriu analizon dobinë që e ka prej të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili drejtpërsëdrejti apo me në mënyrë indirekte është shkak për udhëzimin e tij, është shkaktar që ai përgjithmonë të kënaqët me begatitë e xhenetit në botën e amshimit do të kupton se pse hiseja e dashurisë që e meriton Ai, sal-lallahu alejhi ue selem, është me e madhe, sepse dobia që i shkaktohet njeriut është nxitës kryesor i dashurisë edhe pse njerëzit në këtë aspekt dallohen për shkak në dallimit ne vetëdije për këtë dobi apo për shkak të moskujdesit ndaj saj. (Fet’hul Bari, 1/59-60)

O Allah fale, shpëtoje dhe bekoje robin dhe të dërguarin tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e Tij

GJITHASHTU NË ALBISLAM