Ç‘duhet bërë kur gabon në namaz?

Ç‘duhet bërë kur gabon në namaz?

0 8447

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdërimi dhe paqja e Tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:

Gabimet që mund të bëhen gjatë faljes së namazit kategorizohen në tre kategori:

  1. Kur shton diçka në namaz
  2. Kur lë mangët
  3. Dhe kur dyshon

Do të përmendim për secilin kategori nga një shembull në mënyrë që të bëhet sa më e qartë.

Kur shton në namaz: për shembull, nëse shton një rekat, një ruku apo një sexhde, i bie fjala, në farzin e Drekës pas rekatit të katërt ngrihet për të pestin, në këtë rast, pasi lexon lutjet e caktuara në teshehud, jep selam dhe i bën dy sexhde pastaj jep selam sërish. Mirëpo duhet ditur se nëse shtimi bëhet qëllimisht atëherë prishet i tërë namazi.

Kur lë diçka mangët: Nëse ajo që ka lënë mangët është shtyllë e namazit si për shembull sexhdeja. Në këtë rast nëse i kujtohet para se të arrijë te i njëjti vend i rekatit të dytë, atëherë duhet të kthehet dhe ta plotësojë mangësinë dhe të vazhdojë më tej. Nëse nuk i kujtohet përveçse kur arrin te i njëjti vend i rekatit vijues atëherë rekati i dytë konsiderohet i parë. Pastaj, në fund të namazit për të dy rastet, dy sexhdet e harresës i bën pas selamit. Ta ilustrojmë me shembull:

Një njeri pasi që bën sexhden e parë të rekatit të parë, ngrihet në këmbë pa bërë sexhden e dytë. Pasi fillon të lexojë i kujtohet se nuk e ka bërë sexhden e dytë. Në këtë rast kthehet dhe ulet mes dy sexhdeve, e bën sexhden e dytë, pastaj ngrihet dhe vazhdon me namazin dhe në fund bën dy sexhdet e harresës pas selamit.

I njëjti rast, nëse nuk i kujtohet se s’e ka bërë sexhden e dytë përveçse kur të arrijë në atë vend të rekatit të dytë, në këtë rast rekati i dytë konsiderohet i pari dhe ai vazhdon namazin kurse në fund, bën dy sexhdet e harresës pasi që jep selam.

Nëse ajo që ka lënë mangët është një prej vaxhibeve të namazit, fjala i bie nëse harron të thotë subhane rabbijel a’la në sexhde, dhe nuk i kujtohet përveçse pasi të ngrihet prej sexhdes, në këtë rast ai vazhdon me namazin e tij d.m.th. nuk kthehet porse në fund të namazit i bën dy sexhde të harresës para selamit.

Lloji i tretë i gabimeve në namaz konsiderohen dyshimet: që nënkupton dyshimet për shtesë apo mangësi të namazit. Për shembull: bie në dyshim vallë i ka falë tre apo katër rekatë. Në këtë rast nëse ndonjëri opsion është më i fortë se tjetri atëherë vepron sipas opsionit më të fortë dhe në fund të namazit bën dy sexhdet e harresës pas selamit.

Nëse bie në dyshim dhe asnjëri opsion nuk është më i fortë se tjetri atëherë numrin më të vogël e merr si më të saktë, për shembull, nëse dyshon se është në të tretin apo të katërtin rekat  dhe asnjëri opsion nuk është më i fortë se tjetri, në këtë rast vendos se është në të tretin sepse është më i sigurt dhe në fund të namazit bën dy sexhdet e harresës para selamit. (Baza e kësaj lënde është marrë prej shpjegimeve të shejh Uthejminit)

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM