ÇFARË PAS RAMAZANIT?

ÇFARË PAS RAMAZANIT?

0 3385


Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Shevalit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botrave, kurse paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët traditën e këtij Pejgamberi e pasojnë deri në Ditën e Gjykimit.

Pa dyshim se urtësia për të cilën jemi krijuar nuk është për ne muslimanët gjë e panjohur dhe pyetje pa përgjigje, pasi që përgjigjen e kemi madje atë na e ka treguar i Gjithëdishmi, Ai i cili i din të fshehtat, pra na ka treguar Allahu në librin e Tij, ku thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.”[1] Mirëpo duhet ta dim gjithashtu se Ai i cili na ka krijuar që ta adhurojmë, nuk e ka veçuar dhe kufizuar adhurimin ndaj Tij brenda një muaji, mirëpo na ka urdhëruar ta adhurojmë Atë deri në frymën e fundit. Thotë Allahu: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të të vijë ty e vërteta (vdekja)”[2]Porse duhet ditur edhe këtë se Ai i cili na ka krijuar për këtë qëllim, nuk ka nevoj për adhurimin tonë, pasi që Ai është Krijuesi dhe Furnizuesi, Ai është të cilit i drejtohen të gjitha krijesat, thotë Allahu: “Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as nuk dëshiroj të më ushqejnë. Allahu është furnizues i madh. Ai, fuqiforti”.[3] Pra qenkemi ne ata të cilët jemi të nevojshëm për këtë Zot dhe për mëshirën e Tij.

A – Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Shevalit:

Ditët të cilat kaluan ishin ditët e fundit të muajit të bereqetit, Ramazanit, kurse gjendja jonë nuk ishte ashtu siç është në këto ditë, ditët e bukura të Ramazanit i zbukuronim me agjërim dhe lexim të Kuranit, kurse netët e tij me namaz nate dhe lutje, bukuri dhe kënaqësi të cilën e ndjen vetëm ai i cili i ka shijuar këto vepra të mira. Ramazani kaloi, mirëpo Zoti i Ramazanit dhe Zoti yt është ende me ne, Ai sheh dhe ndëgjon, madje Ai ka përgaditur për ne sistem dhe program edhe pas Ramazanit, të cilit duhet ti përmbahemi që të jemi të lumtur në dynja e në ahiret, e për post-periudhën e Ramazanit na ka dhënë një adhurim i cili i ngjan shumë Ramazanit. E kjo është për shkak të adhurimit i cili është i përbashkët mes Ramazanit dhe këtyre ditëve, këto janë gjashtë ditët e muajit Sheval, të cilat janë shansë për atë i cili ka qenë neglizhent ndaj agjërimit në Ramazan. Ky ibadet nuk është i vetmi adhurim i cili mund të bëhet pas Ramazanit, mirëpo e kam zgjedhur përmendjen e ketyre ditëve për shkak se agjërimi tyre është prej karakteristikave të muajit Sheval dhe shpërblimi i tyre vjen paralelisht me shpërblimin e agjërimit të Ramazanit.

Cili prej nesh mund të agjëroj tërë vitin, bile edhe nëse mundet, nuk lejohet që të agjërojmë çdo ditë të vitit,sepse kjo nuk është sunet i të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, kurse ne shumë mirë e dimë se vepra sado të jetë e mirë nuk pranohet tek Allahu përpos me dy kushte:

1 – Të jetë kjo vepër sinqerisht vetëm për Allahun.

2 – Pasimi i Sunnetit të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, gjatë kryerjes së kësaj vepre, kurse agjërimi i çdo ditë të vitit nuk është sunet, madje kjo e kundërshton sunetin.

Nëse don të jesh prej atyre që do të shkruhen tek Allahu si agjërues i tërë vitit mere këshillën e të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili “nuk flet nga mendja e tij[4], por atë të cilën e thotë është shpallje nga Zoti yt.

Thotë i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të,: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin.”[5]

Thotë Imam Neveviu-Allahu e mëshiroftë: Kanë thënë dijetarët: Llogaritet si të kishte agjëruar një vit, sepse e mira shpërblehet dhjetëfish, andaj Ramazani e ka vlerën e dhjetë muajve, kurse gjashtë ditët e kanë vlerën e dy muajve.

Lexues i nderuar, dije se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve është argument se agjëruesi është falëndërues ndaj Zotit të tij për udhëzimin qe i’a ka dhënë gjatë Ramazanit madje edhe pas tij, sikurse që është ky agjërim shenjë se ky person e don adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Zotit të tij.

Adhurimi që i bëhet Allahut nuk duhet të jetë adhurim sezonal, kohëshkurt, pas të cilit mund ti kthehemi gjynaheve dhe mëkateve tona, mirëpo sezoni i adhurimit për besimtarin duhet të jetë e tërë jeta e tij dhe nuk duhet të ndërpritet ky adhurim dhe nënshtrim ndaj Krijuesit derisa njeriu ta takon melekun e vdekjes.

Këtë mund ta përshkrujamë më mirë me fjalët e këtij njeriu asket, i është thënë Bishër el-Hafit-Allahu e mëshiroftë: Ka njerëz të cilët bëjnë ibadet dhe mundohen shumë gjatë Ramazanit, atëherë ka thënë: “Sa njerëz të këqij janë ata të cilët nuk i dinë obligimet ndaj Allahut përpos se në Ramazan, kurse i mirë është ai i cili bën ibadet dhe mundohet gjatë tërë vitit”.

Për ty lexues i nderuar kam zgjedhur disa fjalë nga librat e dijetarëve, fjalë të shkurta por shumë të vlefshme të cilat tregojnë disa dobi nga agjërimi i këtyre gjashtë ditëve, mirëpo duhet ditur diçka se nuk është medoemos çdoherë ti dijmë dobitë të cilat i sjell me vete një adhurim ndaj Allahut, sepse ne e dijmë dobinë më të madhe , e ajo është se një vepër e tillë na afron tek Allahu dhe xhenetet e Tij dhe se na largon nga shejtani dhe xhehenemi i ndezur fort.

B – Disa dobi rreth agjërimit të këtyre gjashtë ditëve:

Me agjërimin e këtyre 6 ditëve plotësohet shpërblimi i agjërimit për një vit të tërë.

Agjërimi i këtyre ditëve dhe agjërimi i Sha’banit, janë si sunnetet të cilat falen përpara apo pas namazit, dhe me këtë plotësohen mangësitë të cilat ndoshta kanë ndodhur gjatë kryerjes së farzit, sepse mangësit në farze plotësohen me adhurime vullnetare-nafile ditën e gjykimit.

Vazhdimi me agjërim pas Ramazanit është shenjë se Allahu ndoshta e ka pranuar agjërimin e Ramazanit, sepse kur Allahu e pranon veprën e robit të Tij e udhëzon drejt veprave tjera të mira, siç kanë thënë disa: “Shpërblimi i veprës së mirë është vepër tjetër e mirë, dhe kush ka vepruar një të mirë pastaj e përcjell këtë vepër me një vepër tjetër të mirë, është shenjë se Allahu ia ka pranuar veprën e parë.”

Agjërimi i Ramazanit sjell me vete falje të mëkateve për besimtarët, dhe dita e Bajramit është dita kur shpërblehen dhe gëzohen këta besimtarë, andaj agjërimi i gjashte ditëve të Shevalit është si shenjë falënderimi ndaj Allahut për këtë shpërblim që na e jep Zoti.

Për çdo adhurim që na mundëson Allahu ta kryejm duhet falënderuar Ai, dhe ky falënderim të cilin e bëjmë është adhurim, është vepër e cila i ngre Allahu me të gradat tona, për këtë duhet falënderuar Allahu për atë falënderim. Për këtë ishtë njëri prej selefit, i cili çdo herë kur falej gjatë ndonjë nate, agjëronte ditën e saj, si shenjë falënderimi ndaj Allahut i cili ia mundësoi të falte namaz nate. Shpesh ndodhte që dikush ta pyeste Vuhejb bin el-Uirdin-Allahu e mëshiroftë për shpërblimin e ndonjë vepre të mirë, kurse ai përgjigjej duke thënë: “Mos pyetni për shpërblimet e kësaj vepre, mirëpo pyetni për obligimin të cilin e ka njeriu të cilit i eshtë mundësur kryerja e kësaj vepre.”

Dijeni o të nderuar vëllezër dhe motra se veprat me të cilat robi afrohet tek Zoti i tij gjatë Ramazanit, e afrojnë atë tek Allahu poashtu edhe pas mbarimit të Ramazanit, dhe se ai Allah i cili shpërblen dhe mëshiron gjatë Ramazanit është po i njejti Allah i cili shpërblen dhe mëshiron edhe pas Ramazanit. Dhe sa Ai Allah i cili fal dhe udhëzon gjatë Ramazanit është po i njejti Allah i cili fal dhe udhëzon pas mbarimit të Ramazanit .

C – Që ta kryejmë agjërimin e këtyre ditë sa më mirë duhet ditur edhe këto çështje:

Sa i përket asaj se a mund ti agjërojmë 6 ditët e Shevalit përpara kompensimit të ditëve të Ramazanit dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjë, mirëpo e vërteta është se ajo e cila duhet bërë më parë është kompensimi i ditëve të Ramazanit pastaj agjërimi i 6 ditëve, sepse ka thënë i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin.” (Transmeton Muslimi), kurse ai i cili i agjëron gjashtë ditët përpara ditëve që ka ti kompensojë, nuk e ka përcjell akoma Ramazanin, mirëpo ka përcjellur një pjesë të Ramazanit dhe se kompensimi është obligim kurse agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheval është i pëlqyeshëm, kurse obligimit çdo herë i jepet përparësi përpara veprave vullnetare-nafile.

Se a duhet agjëruar 6 ditët menjëherë pas Ditës së Bajramit, apo lejohet që ti agjëroj disa ditë pas Bajramit duhet ditur se nuk është e detyrueshmë që ti agjëron menjëherë pas Bajramit, mirëpo lejohet që të fillon me agjërimin e tyre një apo disa ditë pas Bajramit dhe mundet që ti agjëron njëra pas tjetrës apo të ndara mvarësisht se si i vjen më lehtë, sepse çështja është e gjërë dhe nuk është obligim por është sunnet.”

Gjithashtu ka nga njerëzit të cilët fillojnë me agjërimin e 6 ditëve të Shevalit dhe nuk arin ti plotësojnë duke u friksuar se duhet plotësuar patjetër, prandaj këta i këshillojmë se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është i pëlqyeshëm e jo obligim, ka shpërblim për ditët që i ka agjëruar dhe shpresojmë që të shpërblehet për 6 ditët, nëse arsyeja për të cilën i ka ndërpre është arsye e pranuar në sheriat, sepse ka thënë Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të: “Kur të sëmuret robi apo udhëton, i shkruhen veprat ashtu siç i ka vepruar kur ka qenë i shëndoshë në vendin e tij.[6] Poashtu nuk obligohet që ti kompenson ditët që si ke agjëruar nga këto 6 ditë. Allahu është Udhëzuesi më i Mirë.[7]

Lusim Allahun që të na bëj dobi prej asaj që shkruajtëm dhe lexuam dhe e lusim Atë që të na bëj prej atyre që e adhurojnë Atë deri në frymën e fundit dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon vetëm Allahut.

Përgaditi dhe përshtati: Ali Ashani

[1] Dharijat:56

[2] Hixhr:99

[3] Dharijat:57-58

[4] Nexhm:3

[5] Transmeton Muslimi

[6] Transmeton Buhariu

[7] Mexhmu’u Fetava Ibn Baz 5/270

GJITHASHTU NË ALBISLAM