ÇFARË THANË DHE VEPRUAN TË PARËT (SELEFËT) -2-

ÇFARË THANË DHE VEPRUAN TË PARËT (SELEFËT) -2-

0 1692

Imam Shafiu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Kur dy persona hidhërohen dhe pastaj ata pas kësaj ndarje (hidhërimi) ua zbulojnë të metat njëri-tjetrit, atëherë le ta dinë se kjo është një nga shenjat e hipokrizisë! “.

Transmetohet se Auvn Ibën Abdullah,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Tre gjëra janë prej Imanit:
1. Modestia
2. Dëlirësia
3. Dhe ruajtja e gjuhës
Sepse këto janë gjëra që të bëjnë dobi për Botën tjetër dhe humbje në këtë dynja. Dhe çdo gjë që fitohet në Botën tjetër është më e shkëlqyer se ajo që është humbur në këtë dynja.”[1].

Rabi Ibën Heithem,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “O ti që jep fetva!  Hapi sytë e shiko se si po jep fetva”.

Imam Ahmedi Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Ai që del përpara për të dhënë fetva, ai ka dalë përpara një çështjeje tepër serioze, përveç nëse ka qenë i detyruar nga domosdoshmëria.” I thanë atij: Atëherë, si është më mirë për të, të flasë apo të heshtë?” Ai tha: “Më e dashur për ne është që ai të përmbahet.” I thanë: “Po në qoftë se është e nevojshme?” Ai filloi të thoshte: “Nevoja! Nevoja!” Dhe pastaj tha: “Është më e sigurt për të që të përmbahet.”

Abdullah Ibën Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur prej tij!,- thotë: “Çdo bidat është në humbje (dalalet) edhe sikur njerëzit ta shohin atë si të mirë.”

Abdullah ibën Mesudit,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- një ditë i janë vjedhur ca para në treg. Ata që ishin me të i thanë: Ta mallkojmë dhe ta lusim Zotin kundër tij. Abdullahu iu përgjigj: Unë jam pronar i mallit, unë do të lutem kurse ju thoni: “Amin”, “O Allah, nëse personi që i mori paratë e mia është i nevojshëm për to, begatoje atë me to, ndërsa nëse s’është i nevojshëm për to, bëja atij mëkatin e fundit që po bën.”

Omer iben Hatabi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Nëse shihni se ndonjëri nga ju ka gabuar (rrëshqitur), përmirësojeni atë, lutuni për të dhe mos i ndihmoni Shejtanit kundër tij.”

Thotë Jahja bin Muadh er Razi,- Allahu e mëshiroftë!, -: “Kush edukohet me edukatën e Allahut xhele ve ala atëherë përmes kësaj arrin ai (njeriu) të bëhet prej të dashurve (evlijave) të Allahut të Madhërishëm “.

Imam Shafiu,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Nuk ka njeri që të mos ketë dikë që e do dhe dikë që e urren atë. E meqë qenka kështu, atëherë le të jetë njeriu me ata të cilët janë të bindur ndaj Allahut,- Azze ve Xhele!,- (pasi ata duan dhe urrejnë për hir të Allahut).[2].

Imam Shafiu,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Nëse je i mbyllur karshi njerëzve kjo të sjell armiqësi, nëse je shumë i hapur me njerëz kjo të sjell miq të ligë, andaj qëndro mes këtyre dy veprimeve”.

Muhamed Ibën Ebi Hatim,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka transmetuar: “Disa nga shokët e mi më kanë thënë: Ishim tek shtëpia e Muhamed Ibën Selam dhe hyri tek ne Muhamed Ibën Ismail el Buhari,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- në të kthyer nga Iraku. Kështu, ai filloi të na njoftonte për fitnen me të cilën ishin sprovuar njerëzit si dhe atë çfarë i kishte ndodhur Ahmed bin Hanbelit,- Allahu e mëshiroftë!,- etj.

Kur Imam Buhariu doli nga shtëpia, Muhamed Ibën Selam u tha atyre që ishin të pranishëm: “A keni parë ndonjëherë një virgjëreshë me më shumë turp sesa ky burrë(Buhariun)?”[3].

Kur pyetej Ibrahim En Nehaiu,- Allahu e mëshiroftë!,- për diçka, atëherë atij i dallohej urrejtja në fytyrë dhe thoshte: “A nuk gjen ndonjë tjetër për të pyetur në vendin tim?”

Ai ka thënë gjithashtu: “Unë fola, dhe sikur të kisha mundësi që të shmangesha, nuk do të kisha folur. Vërtet, koha kur jam dijetari i Kufas është një kohë e keqe.

Kur pyetej Ibn Sirini,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- për ndonjë gjë që kishte të bënte me hallallin dhe haramin, atij i ndryshonte ngjyra e fytyrës dhe bëhej tjetër njeri, aq sa nuk njihej më.”[6].

Njëri nga Selefët tanë të ndershëm, ka thënë: “Nëse pyetesh për ndonjë çështje (mesele), atëherë mendohu të gjesh argumente (nga Kurani, Suneti) dhe nëse arrin të gjesh atëherë fol,përndryshe nëse nuk posedon argumente për meselenë në fjalë atëherë rri i heshtur e mos fol nga vetja yte(me hamendje,iluzione e filozofi të individëve të caktuar).”

Bishr bin el Harith,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “E djeshmja ka “vdekur” (shkoi), e sotmja është në agoni (duke shkuar) kurse e nesërmja akoma nuk ka “lindur” (nuk ka ardhur). Prandaj shpejto në bërjen e veprave të mira!”

Fudajl ibën Ijadi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Ruaje gjuhën tënde, merru me veten tënde, njihe kohën tënde dhe fshihe pozitën tënde.”

Imam Ahmedi, ka thënë: ”Ai i cili e njeh Allahun më së miri, ai ia ka frikën më së shumti Allahut”.

Ibën Tejmijjeh,- Allahu e mëshiroftë!,- thotë: “Çdo gjë ia kam bërë hallall çdo muslimani si dhe ua dua të mirën të gjithë muslimanëve. Atë të mirë që e dua për veten time, e dua për çdo besimtar. Edhe ata që kanë gënjyer, shpifur ndaj meje dhe më kanë bërë padrejtësi, nga ana ime ua kam bërë hallall të gjithëve.”

Ibrahim el Havas,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Ilaçet e zemrës janë pesë:

1.Leximi i Kuranit me meditim.
2. Barku i zbrazët (paksimi i ushqimit).
3. Namazi i natës.
4. Lutja me përkushtim në kohën e syfyrit.
5. Ndeja me njerëz të devotshëm”.

Thotë Imam el Xhurxhani,- Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë : “Bidati është vepër e kundërt e Sunetit, quhet Bidati risi dhe shpikje pasi që thënësi i Bidatit është shpikësi i parë i saj dhe nuk ka pasur përpara tij dikë i cili e ka thënë atë, pra Bidatin nuk e kanë vepruar sahabët dhe as tabiinët dhe as që ka ndonjë bazë dhe argument në Sheriat”.

Imam ibën Haxheri,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë : “Bidat është shpikje dhe risi në çështjet e fesë dhe çdo gjë që ka bazë në Sheriat, ajo nuk ka mundësi të jetë Bidat ( E kundërta e Bidatit është Sunet)”.

Imam Neveviu,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë : “Bidati është çdo shpikje në fe e cila nuk ka qenë në kohën e Pejgamberit”.

Imam ibën Hazmi,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë : “Bidat është çdo vepër dhe çdo fjalë që nuk ka bazë dhe që ka të bëj me çështjet e fesë, pra çdo gjë e cila nuk ka ardhur në Kur’an dhe në Sunet”.

Transmetohet prej Mehul bin ebi Muslim,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: “Sahabët e fortë të Pejgamberit,- salallahu alejhi ve selem!,- e lexonin Kur’anin për shtatë ditë, disa e lexonin për një muaj disa të tjerë për dy muaj dhe disa të tjerë më shumë se kaq”.

Omer ibën El Asi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Fjala është si ilaçi, nëse është e pakët bën dobi, por nëse është e shumtë (e shumon) atëherë të vret.”

Imam Sufjan eTheuri,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Dituria fillon me:

  1. Heshtje.
    2. Dëgjim.
    3. Duke mësuar përmendësh.
    4. Duke vepruar.
    5. Dhe pastaj duke e përhapur atë.

 Përzgjodhi dhe Përshtati: Suad Shabani

Burimi: albislam.com

________

Referencat:

[1] – Transmetimi është shënuar nga Abdurrazzaku,- Allahu e mëshiroftë!,- në Musanef 11/142 ,sa i përket zinxhirit të transmetimit ai është i saktë.

[2] – Libri: “Hiljetul Eulija”, të Ebu Nuajmit,- Allahu e mëshiroftë!,- vëll.9, fq.124.

[3] – Libri : Sijeru Alamin Nubelai; vëll.12, fq.418.

[4] – Këtë thënie e kanë shënuar – Darimiu (1/53) dhe Ibën Abdul-Berr në El Xhamiu Bejanil Ilmi Ve Fadlihi vëll.2, fq.163.

[5] – Kjo është transmetuar nga Ibën Mubaraku në Ez-Zuhd (n. 58), Ibën Sadi (6/11) dhe të tjerë.

[6] – Libri- El Fekih Vel Mutefekkih, (2/167). Ndërsa zinxhiri i transmetimit është sahih.

GJITHASHTU NË ALBISLAM