Cila është metoda më e preferuar për të thirrur në rrugë të drejtë lënësin e namazit dhe bidatçiun?

Cila është metoda më e preferuar për të thirrur në rrugë të drejtë lënësin e namazit dhe bidatçiun?

Pyetje: Cila është metoda më e preferuar për të thirrur në rrugë të drejtë lënësin e namazit dhe bidatçiun?

PërgjigjeSë pari: duhet që të shikojmë mirë gjendjen e atij që e thërrasim për të kryer namazin apo ndonjë ibadet tjetër duke pasur parasysh metodat e inkurajimit apo frikësimit në varësi se cila është më e përshtatshme, edhe pse në esencë përdoren të dy metodat. Pastaj me rëndësi të veçantë është psikologjia e atij që thirret, sa ndikohet nga këshilla dhe çka e afron apo e largon atë. Së dyti: mënyra më shembullore për thirrjen e lënësit të namazit është si vijon:

–   përkujtimi se namazi është detyrim dhe se është shtylla më madhështore e fesë pas shehadetit.

–   Njoftimi i tij me disa vlera të namazit, se është detyrimi më i mirë me të cilin na ka ngarkuar Allahu, adhurimi më i mirë me të cilin i afrohemi Allahut, gjëja e parë për të cilën do të jepet llogari. Pesë namazet i shlyejnë mëkatet që bëhen mes tyre nëse i largohesh mëkateve të mëdha… dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me vlerën e namazit. Më këto ndoshta i zbutet shpirti me lejen e Allahut, dhe namazi të bëhet kënaqësia shpirtërore, ashtu siç ishte për të Dërguarin e Allahut.

–   Njoftimi i tij për argumentet e shumta që kanë ardhur kundër atij që nuk e fal namazin, diskutimin e dijetarëve për statusin e tij: a është mosbesimtar apo mëkatar i madh, se Islami lënësin e namazit nuk e lejon të jetojë i lirë në mesin e njerëzve, ngase është detyrë që të thirret për t’u falur, nëse ngul këmbë në mosfalje vritet si murted (renegat) sipas mendimit të Ahmedit dhe dijetarëve të tjerë të selefit, apo dënohet me vdekje sipas mendimit të Shafiut, apo burgoset sipas mendimit të Ebu Hanifes, mirëpo të lihet i lirë asnjëri prej dijetarëve nuk e ka thënë. Prandaj lënësit të namazit i thuhet: a dëshiron që dijetarët ta polemizojnë statusin  tënd, je mosbesimtar, duhet të vritesh apo të burgosesh?!

–   Përkujtimi se një ditë do të takohet me Allahun, se do të vdesë dhe do të varroset, dhe përfundimi i keq që mund ta zërë lënësin e namazit, si dhe dënimi i varrit.

–   Sqarimi se vetëm vonimi i namazit nga koha e tij është një mëkat shumë i madh. Allahu thotë “pas tyre erdhën disa brezni të cilët e humbën namazin, pasuan epshet dhe do të marrin një dënim të madh.” (Merjem: 59).

–   Sqarimi se çka nënkupton thënia e dijetarëve se lënia e namazit është kufër i madh dhe çka rezulton ky mendim prej gjërave të mëdha: prishjen e nikahit të tij, ndalimi i qëndrimit me bashkëshorten, nuk i lahet kufoma kur vdes dhe nuk qefinoset. Ky mendim mbështetet në shumë hadithe të të Dërguarit sikur: “…mes njeriut dhe shirkut apo kufrit është lënia e namazit.” (Muslimi), si dhe “marrëveshja mes nesh dhe atyre(mosbesimtarëve) është namazi, kush e braktis atë ka bërë kufër.”

–   Duhet t’i dhurojmë libërtha, kaseta që flasin për këtë temë.

–   Bojkotimi nëse ai ngul këmbë në mosfaljen e namazit.

Sa i takon bidatçiut, raporti me të është më ndryshe varësisht prej llojit të bidatit që ai bën. Është detyrim që të këshillohet dhe të thirret në rrugë të drejtë, t’i argumentohet e vërteta, t’i mënjanohen dyshimet. Nëse ngul këmbë në bidatin e tij, atëherë bojkotohet nëse ekziston një supozim i fortë së një vendim i tillë do t’i bëjë dobi. Para kësaj duhet të kemi shumë kujdes për vlerësimin se një njeri është bidatçi apo jo duke iu referuar dijetarëve, duke bërë dallimin mes bidatit dhe vepruesit të saj, se ndoshta mund të jetë i arsyetuar me injorancë apo interpretim të gabuar. Allahu e di më së miri.

Burimi; albislam.com

Përktheu: Agim BEKIRI