CILAT JANË DETYRAT E MELEKËVE?

CILAT JANË DETYRAT E MELEKËVE?

0 6805

Cilat janë detyrat e melaikeve?

Ajetet Kuranore dhe hadithet profetike na e bëjnë të qartë se melekët kanë detyra, punë specifike nga ana e Allahut dhe se ato i kryejnë këta obligime pa asnjë mangësi apo përtaci, ashtu siç i urdhëron Allahu, prej tyre do të cekim:

1. E madhërojnë Allahun duke i bërë tesbih dhe lavdi – kjo është një prej punëve kryesore të tyre, për këtë arsye Allahu përmend në Kuran se melaiket e përmendin Allahun para se ta përmend besimin e tyre, ku thotë:” Ata të cilët e mbajnë arshin e Allahut dhe ata që janë rreth tij e madhërojnë me falenderim Allahun dhe i besojnë Atij”.1

Edhe pse besimi është çështje me parësore për tu pranuar veprat, mirëpo Allahu së pari e ka cekur madhërimin e melaikeve ndaj Allahut si specifike të tyre, ky lloj tesbih i melaikeve është i përhershëm, normale për ta, duke mos u lodhur e bezdisur, thotë Allahu i Lartësuar:” Atij (Allahut) i takon çfarë ka në qiej dhe në tokë dhe ata të cilët janë tek Ai (melaiket) nuk jam mendjemëdhej ndaj adhurimit të Tij e as nuk u bëhet adhurimi monoton, atë e lartësojnë natë e ditë dhe nuk mërziten”2.

Po ashtu Allahu thotë: “Ata të cilët janë tek Zoti i tyre, e madhërojnë Atë natën dhe ditën dhe nuk bezdisen”3.

2. Melaiket të cilët ua bien të dërguarve të Allahut shpalljen hyjnore nga ana e Allahut Fuqiplotë – këta janë bartësit e shpalljes, të cilin e dërgon Allahu tek Ai njeri të cilin e ka zgjedhur të jetë profet apo i dërguar, kjo është prej gjërave me nderuese që e mer për sipër meleku, sepse të marësh përsipër emanet të kumtosh vahjin (shpalljen) është prej gjërave të mëdha, e cila lyp emanet (besë) të madhe tek ai i cili e transmeton. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar e emërton Xhibrili-paqa e Allahut qoftë mbi të, shpirti i besueshëm ku thotë:” Ky Kuran është shpallje nga Zoti i botërve e zbriti atë shpirti (meleku Xhibril) i besueshëm, në zemrën tënde (o Muhamed) që të mund të jesh prej këshilluesve në gjuhën e qartë arabe”4.

3. I rregjistrojnë veprat e të riturve prej njerëzve – për këtë i ka autorizuar Allahu, për çdo njeri ka vendosur nga dy melaike njëri shkruan veprat e mira, e tjetri të këqijat, Allahu thotë:” Nuk flet diçka (njeriu) vetëm se për të është një vëzhgues i gatshëm për ta shënuar atë”5. Ibn Kethiri-Allahu e mëshiroftë, përcjell fjalët e ndryshme të dijetarëve për atë çfarë e shkruajnë melaiket, vallë a është për qëllim çdo fjalë të cilën e flet njeriu, ky është njëherit mendimi i el-Hasenit, Katades apo është për qëllim fjala e cila kur shprehet njeriu për të ose shpërblehet ose dënohet, e ky është mendimi i Ibn Abasit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Pastaj e saktëson mendimin e pare, bazuar në kuptimin e përgjithshëm të fjalëve të ajetit Kuranorë.6

4. Melaiket të cilët ua marin shpirtrat njerëzve – kur t’ju vinë atyre çasti i vdekjes e të mbaron koha e jetës së tyre, Allahu e ka shkruajtur për çdokënd përfundimin, vdekjen mbi çdo krijesë kushdo qoftë ai pa marë parasysh çfarë posti ka apo çfarë grade, këtë punë e kryen meleku i vdekjes, thotë Allahu në Kuran:” Thuaj: Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, ua merr

shpirtrat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”7. Po ashtu Allahu thotë:” Vetëm Ai është mbizotërues ndaj robërve të vet. Ndaj juve dërgon rojë (cakton engjëj) derisa kur t’i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit tanë (të tjerë) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi”.

5. Melaiket të cilët kërkojnë tubime të dhikrit dhe i rrethojnë të pranishmit në të – Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:” Kush ia heq një brengë nga brengat e dunjasë ndonjë besimtarit, Allahu do t’ja heq atij një nga brengat e ditës së gjykimit, kush ia lehtëson atij i cili ka nevojë, Allahu ia lehtëson atij në dunja dhe në ahiret, kush ia mbulon një besimtarit Allahu ia mbulon Atij (të metat) në dunja dhe në ahiret, Allahu është në ndihmë të robit të Tij, përderisa robi është në ndihmë të vëllaut të tij, kush niset rrugës për të kërkuar dije Allahu ia lehtëson Atij rrugën për në xhenet, kur tubohen një popull në shtëpitë e Allahut për ta lexuar librin e Allahut dhe ta mësojnë ata ndërmjet tyre, për ta zbret qetësia, i kaplon mëshira dhe i rrethojnë melaiket me flatrat e tyre si dhe Allahu i përmend tek ata të cilët janë tek ai, Ai i cili nuk ka vepra të mira nuk i bën dobi origjina e tij”.8

Madje ka disa prej melaikeve të cilat i kërkojnë tubimet, mexhliset e dhikreve dhe i ndjekin ata. Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Allahu ka disa melaike të cilat udhëtojnë janë të nderuara, të cilat i kërkojnë tubimet, mexhliset e dhikrit, andaj kur shohin ndonjë mexhlis që përmendet Allahu ulen me ata dhe i rrethojnë të pranishmit me fletët e tyre derisa e mbulojnë çfarë ka ndërmjet tyre dhe qiellit të dunjasë, kur njerëzit shpërndahen atëherë ngriten hypin nëpër shkallë në qiell”. – Pastaj tha:” Pastaj Allahu i pyet, edhe pse Ai e di më mirë se ata: Prej nga po vini? – Ata thonë: Vijmë prej nga disa robër tu të cilët të madhërojnë, të falenderojnë dhe të luten Ty. – Thotë: Çfarë kërkojnë ata prej meje? – Thonë: E kërkojnë xhenetin tënd. – i pyet Allahu: A e kanë parë ata xhenetin? – i thonë: Jo o Zot. – U thotë: Po si do të ishte sikur ata ta shihnin xhenetin tim? – Thonë: O Zot ata kërkojnë ti mbrosh? – Thotë: Prej çfarë kërkojnë mbrojtje? – Thonë: Nga zjarri yt. – U thotë: A e kanë parë ata zjarrin? – Thonë: Jo. – i pyet: Si do të ishte sikur ta kishin parë zjarrin tim? – Thonë: Ata po ashtu kërkojnë nga ty ti falësh. – Thotë: Ua fali atyre dhe ju jap atyre çfarë kërkojnë dhe i mbrojë ata nga ajo e cila kërkojnë mbrojtje. – Atëherë pyesin melaiket: O Zot me ta është filani mëkatarë ka kaluar atje rastësisht në tubimin e tyre dhe është ulur me ta. – Thotë Allahu: Edhe atij i falen mëkatet ata janë popull nga të cilët nuk është fatëzi ai i cili ulet me ta”9.

6. Disa melaike i përshëndetin besimtarët kur të hyn në xhenet – kjo ndodh kur do të hyn në xhenet banorët e tij, melaiket i presin ata në çdo derë të saj me selam dhe më përshëndetje, për këtë shpëtim të madh të tyrin për të cilin e lusim Allahun e Lartësuar të na bën nga banorët e tij. Thotë Allahu në Kuran:” E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë”.10 Po ashtu Allahu thotë:”(Përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë ata do t’i vizitojnë engjëjt duke

hyrë në secilën derë. (u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend”11.

7. Disa melaike e kanë për detyrë ti dënojnë banorët e zjarrit – ata janë rrojet e xhehenemit-Allahu na ruajtë prej tyre. Që të jenë më trishtues për të dënuar, Allahu i ka krijuar shumë të ashpër, të vrazhdë dhe të rreptë, thotë Allahu në Kuran:” O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara”. Po ashtu thotë:” E, ku e di ti se çfarë është Sekar? Ai nuk lë send të mbetet pa u djegur. Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat. Mbikëqyrësit mbi të janë nëntëmbëdhjetë. E mbiqëkyrës të zjarrit, Ne nuk bëjmë tjetër, përveç engjëjve”12.

Pra në përgjithësi melaiket kanë punë të shumta të cilat nuk janë lehtë të rrumbullaksohen që të gjitha, mirëpo ne do të mjaftohemi me fjalët e Ibn Kajimit-Allahu e mëshiroftë, i cili thotë:

“Melaiket e kanë për detyrë ta krijojnë njeriun prej në një periudhë në tjetrën, formësimin e tij, rruajtjen e tij në tre etapat e errëta, shkruajtjen e rriskut të tij, veprës së tij, çastin e vdekjes së tij, a do të jetë i lumtur apo i dëshpëruar, si dhe ka prej tyre që rinë çdoherë me njeriun, duke ia numëruar veprat dhe fjalët e tij, e ruajnë atë në këtë botë, ia marin shpirtin kur vdes dhe e dërgojnë tek Krijuesi i tij. Po ashtu ata ose dënojnë ose e begatojnë njeriun në varr, pastaj pasi që të ringjallemi, e kanë për detyrë që atë që ka bërë mirë ta nderojnë dhe atë që ka punuar keq ta dënojnë, po ashtu i ndihmojnë besimtarit me lejen e Allahut, po ashtu e mësojnë atë çfarë i bën dobi, po ashtu e mbrojnë atë, ata janë shokët e tij në dunja dhe ahiret. Janë ata të cilët e thirrin për të bërë mirë, i premtojnë mirësi, e ndalojnë nga të këqijat dhe e paralajmërojnë të ruhet nga e keqja, këta janë miqtë e tij, ndihmësit e tij, rruajtësit e tij, këshilluesit, mësuesit e tij, lutën për të, kërkojnë që Allahu ta fal atë, ata luten për të derisa ai është në bindje ndaj Zotit të tij, lutën për të përderisa ai i mëson të tjerët për mirë. Po ashtu edhe e përgëzojnë me bujarinë e Allahut, në gjum dhe në prag të vdekjes, ditën kur ai do të ringjallet, janë ata të cilët e bëjnë asket të dunjasë dhe dashurues të ahiretit. E përkujtojnë kur harohet, e bëjnë aktiv kur dobësohet, e bëjnë të qëndrueshëm kur e humb durimin, janë ata të cilët nxitojnë për të mirat e tij në dunja dhe në ahiet. Ata janë të dërguar nga Allahu për krijesat e Tij si dhe prijës dhe ambasador të Tij ndërmjet robërve të Tij dhe Ati, zbresin në fund të kosmosit me urdhërin e Tij ngjiten lartë tek Ai me urdhërin e Tij”13.

Përgaditi: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM