DHIMBJET E GAZËS DHE ÇLIRIMI I AKSASË

DHIMBJET E GAZËS DHE ÇLIRIMI I AKSASË

0 866

Shkruam derisa u lodhëm, u mërzitëm derisa u sëmurëm, bërtitëm derisa mbetëm pa zë… pastaj heshtëm

Dhimbjet, vështirësitë dhe fatkeqësia në Gaza kanë dy gjendje:

Një: E shpejtë: Të ndalet armiqësia sa më shpejtë, të hapen kufijtë, të mjekohen të plagosurit dhe të ndihmohen të gjithë që janë prekur nga ky zullum.


Kjo mbetet në kompetencë të vendeve myslimane, sepse në rend të parë atyre i bie kjo përgjegjësi, sepse ata kanë në dorë atë që nuk e ka individi.

 

Dy: E mëvonshme dhe për një afat më të gjatë: Të njoftohemi me shkaqet që na sollën deri te kjo armiqësi kundër myslimanëve dhe të mundohemi t’i flakim ato.

Shkaku është i qartë: “dobësia”, zgjidhja është ta heqim dobësinë. Shërimi i dobësisë kërkon kohë sikurse paraqitja e saj që mori kohë, sepse kjo dobësi nuk u shfaq tek Umeti përpos kur kaluan shumë shekuj. Ndaj, largimi i saj është çështje e cila nuk largohet dot për një kohë të shkurtë, ndoshta në këtë rrugëtim do të kalojnë gjenerata.

– (فَاصْبِرْ إِنَّ وَعْدَ اللَّهِ حَقٌّ فَإِمَّا نُرِيَنَّكَ بَعْضَ الَّذِي نَعِدُهُمْ أَوْ نَتَوَفَّيَنَّكَ فَإِلَيْنَا يُرْجَعُونَ) [غافر:77].

“Por, duro sepse premtimi i Allahut është i vërtet. E Ne ose do të bëjmë të shohësh diçka nga ajo që u premtojmë ose do të ta marrim jetën, por ata gjithsesi te Ne do të kthehen”. (Gafir 77).

– (وَإِن مَّا نُرِيَنَّكَ بَعْضَ الَّذِي نَعِدُهُمْ أَوْ نَتَوَفَّيَنَّكَ فَإِنَّمَا عَلَيْكَ الْبَلاَغُ وَعَلَيْنَا الْحِسَابُ). [الرعد:40].

“Ne mund ta mundësojmë ty që të shohësh (dënimin) që ua premtojmë atyre, ose ta marrim shpirtin ty. E jotja është të kumtosh ndërsa e Jona është llogaria”. (Raëd 40).

Por, ç’është dobësia? Ajo është ta duash dynjanë dhe ta urresh vdekjen. Nuk është problemi pse do apo urren diçka, problemi është ajo që rezulton prej tyre.

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“يوشك أن تداعى عليكم الأمم من كل أفق، كما تداعى الأكلة إلى قصعتها. قيل: يا رسول الله! فمن قلة يومئذ؟ قال: لا، ولكنكم غثاء كغثاء السيل، يجعل الوهن في قلوبكم، وينزع الرعب من قلوب عدوكم؛ لحبكم الدنيا، وكراهيتكم الموت”.

“Së afërmi popujt do të thërrasin njeri-tjetrin për tu turrur drejt jush, ashtu siç ngrënësit thërresin njeri-tjetrin për tu turrur drejt ushqimit të tyre.” Dhe atë e pyetën: A për shkak se ne në atë kohë do të jemi pak? Dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Jo, ju në atë kohë do të jeni shumë, por do të jeni një llum, si llumi i vërshimit të shiut. Allahu do të hedh në zemrat tuaja dobësinë, do ta shkul nga kraharorët e armiqve tuaj frikën që kanë ndaj jush sepse do ta doni dynjanë dhe do ta urreni vdekjen”. (Ahmedi, Sahihul Xhamië 1359).

Ai që e do dynjanë dhe urren vdekjen, i ka hapur vetvetes dyert e gjynaheve të mëdha, të bëjë harame të ndryshme, t’i miqësojë qafirët, të flet për Allahun pa dije, të bëjë punë të fëlliqura; varësisht sa e do dhe sa e urren. Kur dynjaja bëhet qëllim parësor i tij, ai nuk mërzitet qysh e fiton, me hallall apo me haram e fiton?

Sekreti i fitores për besimtarët gjithherë ka qenë: Puna e mirë dhe imani, ndërsa dashuria ndaj dynjasë dhe urrejtja e vdekjes i flakin punët e mira dhe imanin, ndaj s’ka ikje nga dështimi dhe humbja e fitores. Analizoji të gjitha fitoret e myslimanëve dhe do të shohësh se imani dhe punët e mira ishin elementi kryesor, prandaj fitonin dhe pse ishin më të vegjël në numër dhe armatim.

Ne kemi dy përvoja sesi u rikthye Aksaja pasi ishte e okupuar:

E para: Okupimi i saj nga romakët, nga të cilët e riktheu kalifi Omer me shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.

E dyta: Okupimi i saj nga kryqtarët, nga të cilët e riktheu Salahudini 90 vjet pas robërimit.

Këto dy përvoja janë shumë të rëndësishme, prandaj duhet të studiohen që t’i mësojmë faktorët e okupimit dhe faktorët, shkaqet e çlirimit dhe rikthimit.

Nuk duhet ta teprojmë së mërzituri për atë që ndodhë në Gaza, meqë është një fatkeqësi e përsëritshme, në të kaluarën dhe në të tashmen. Nuk është mirë ta teprojmë qarjen në momentin e ndodhisë e pastaj t’i rikthehemi: dashurisë ndaj dynjasë dhe urrejtjes së vdekjes. Përkundrazi, t’ia bëjmë me dije gjithë Umetit dhe t’ua shpjegojmë: Si u okupua Aksaja dy herë dhe si u rikthye dy herë? Le ta kuptojë dersin, le ta njohë realitetin dhe le ta mësojë rrugëdaljen?

Puna është e gjatë, e vështirë dhe duhet kohë. Ka mundësi të kalojnë ca gjenerata derisa të arrihet qëllimi. Këtu do të sjellim një shembull që pati sukses në ndërtimin e gjeneratës që kishte aftësi të qortojë dhe t’i rikthejë gjërat e shenjta.

Nurudin Mahmud Zenki

Një nga mbretërit e mëdhenj në Islam, u bë mbret në vitin 541 H (1146 G). Ibnul Ethiri për të ka thënë: “Përmendja e tij ka përfshirë tokën me biografinë e bukur që ka dhe me drejtësinë që mbajti. Kam lexuar biografitë e mbretërve të mëhershëm dhe përveç biografive të katër kalifëve dhe Omer b. Abdulazizit nuk kam lexuar biografi më të bukur e as orvatje më të madhe për të mbajt drejtësinë më shumë se ai”. (el Kamil 9/125).

Me të vërtet ai ishte mbret i rrallë, madhështisë së mbretërisë ia bashkëngjiti: ibadetin dhe nderin; pushtetit të tij: drejtësinë dhe bamirësinë; xhihadit: dijen dhe devotshmërinë. Vepronte për ta edukuar popullatën që t’i nënshtrohen sheriatit, punoi që të del në pah suneti, të zhduket bidati… nuk ësh dëgjuar asnjë fjalë e keqe prej gojës së tij, as në qetësi e as në zemërim… ishte i rrallë në raportin e tij me Zotin dhe me popullin e tij.

Ishte trim dhe muxhahid, ishte në safin e parë të ushtrisë, nuk mërzitej nëse do të vdiste… dynjaja për të nuk ishte asgjë. Ai thoshte: “Shehidllëku mu ka afruar disa herë por nuk ndodhi, sikur të isha i mirë apo të kisha ndonjë vlerë tek Allahu, do të ma mundësonte atë”.

Një ditë, Kutbudini i kishte thënë: “Pashë Allahun o mbret! Mos e rreziko veten tënde, se sikur të vritesh do të vriten të gjithë që janë me ty, do të okupohej vendi dhe do prishej halli i myslimanëve”.

“Hesht o Kutbudin, sepse kjo fjalë është sjellje e keqe ndaj Allahut. Çka mendon kë duhet falënderuar? Kush mbronte Fenë dhe vendin para meje përveç Atij që nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Tij? Kë mendon se duhet falënderuar?”

Dhe qanë të gjithë që ishin të pranishëm. (el Bidaje 2/289).

Kur bënte xhihad me krishterët në Damjat, disa prej nxënësve të hadithit, me buzëqeshje, ia lexonin një hadith me zinxhir (sened) dhe kërkuan që edhe ky të buzëqeshë që të vazhdojë senedin. Ai nuk pranoi, madje tha: “Unë kam turp nga Allahu nëse më sheh të buzëqeshur ndërsa myslimanët janë të rrethuar nga kryqtarët në Damjat”. (el Bidaje 2/261).

Krahas angazhimeve që kishte, sporti nuk i mungonte. Ai përgatiste veten dhe kalin e tij për në xhihad, luante me top kështu: i hipur mbi kalë i mëshonte topit me shkop dhe pastaj vraponte pas që ta zë në ajër. Disa nga njerëzit e mirë, por jo të zgjuar e qortonin duke menduar se po bën një lojë të kotë, por ai u përgjigjej: “Veprat shpërblehen sipas nijetit, unë me këtë po dua ta ushtroj dhe ta mësoj kalin që të jetë i zhdërvjellët, ne nuk e braktisim xhihadin”. (el Bidaje 2/279).

Ai, Allahu e mëshiroftë, e shoi fenë e shiave në Sham dhe Irak, e nxori në pah sunetin, e shkatërroi bidatin dhe urdhëroi që në ezan të thuhej: “hajj ales salah – ejani në namaz” ngase para kësaj, në ato vende thoshin: “hajj ale hajril amel – ejani në punën më të mirë”. (el Bidaje 12/278).

Ai e deshi sunetin dhe e madhëroi. Sheriatin e vendosi mbi çdo logjikë. Kur ia lexuan një pjesë të hadithit, ku thuhej:

(فخرج رسول الله صلى الله عليه وسلم متقلداً سيفه)

“dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, doli me shpatën e varur në qafë”, u habit pse ushtarët dhe udhëheqësit po e mbajnë shpatën në bel e jo siç e mbante Resulullahu, salallahu alejhi ue selem. Pastaj, i urdhëroi të gjithë ushtarët që shpatën ta mbajnë të varur në qafë, jo ndryshe”. (el Bidaje 12/281).

Një ditë, shejh Omer b. elMula i kishte shkruar: “Të këqijtë janë shtuar, ndaj duhet të bëjmë një politikë…”. Në anën tjetër të letrës, Nurudini i shkroi:

“Vërtet Allahu ka krijuar krijesat dhe për ta dërgoi sheriat. Ai e di ç’është më e mirë për ata. Pasi Ai e di se sheriati është më i dobishëm për ne, na e ligjësoi, prandaj nuk ka nevojë për asnjë shtesë më shumë sesa sheriati i Allahut. Ai që sjellë shtesa ai ka supozuar se sheriati është i mangët, ndaj dëshiron ta plotësojë me shtesën e tij. Ky është një guxim kundër Allahut dhe sheriatit, por mendjet e errëta nuk udhëzohen. Allahu na udhëzoftë neve dhe ty në rrugën e Tij të drejtë”. (el Bidaje 12/282).

Fekihu, Ebul Fet’h el Eshri, i cili kishte përgatitur një biografi të shkurtër për Nurudin Zenkiun, ka thënë: Nurudini kujdesej që namazet t’i falë në kohë dhe me xhemat, duke i plotësuar kushtet, ruknet dhe qetësinë gjatë rukusë dhe sexhdes. Falte shumë namaz nate. Për çdo gjë e luste dhe i nënshtrohej Allahut. Gjithashtu na tregon: Kemi dëgjuar se disa prej sufive që janë me nam kishin hyrë për të vizituar Kudsin – në ditët kur Kudsi ishte ndër kryqtarët – dhe atje kishin dëgjuar: Nurudin Zenkiu ka sekret me Zotin. Ai s’na ka fituar dhe luftuar me ndonjë ushtri të madhe, ai na fiton dhe na nënshtron me lutje dhe namaz nate. Ai falet natën, i ngrit duart për ta lutur Allahun dhe Allahu i përgjigjet dhe i jep çfarë të kërkojë. Kështu ai na fiton neve. Kështu thoshin qafirët për të”. (el Bidaje 12/283).

Njëherë, bashkëshortja e tij e ngushtuar nga varfëria i ishte ankuar dhe ky i kishte dhënë tre dyqane në Homs, që ishin të tija dhe prej të cilave fitonte 20 dinarë në vjet. Gruas së tij i tha: “Nuk kam tjetër veç kësaj, e tëra tjetër që kam, unë jam rojtar i tyre për myslimanët, nuk i tradhtoj dhe nuk dua të hy në Zjarr për shkakun tënd”. (el Kamil 9/125).

Zahirenë e tij e fitonte nga ato dyqane të cilat i kishte blerë me atë që i takonte nga preja e luftës. Gjithashtu kërkoi fetva nga dijetarët që t’i tregojnë sa guxon të merr nga Shtëpia e Mallrave (Bejtul Mal) dhe nuk shtonte më tepër seç i kishin thënë. Nuk vishte mëndafshin dhe nuk hante përveç atë që kishte fituar vetë. (el Bidaje 12/278).

Ky ishte raporti i tij me Allahun, ndërsa raporti i tij me njerëzit ndërtohej mbi nder, respekt dhe drejtësi.

Fikhun e mësoi sipas medhhebit hanefij – por jo në mënyrë të verbët – mësonte hadithet dhe ua lexonte të tjerëve që të fitojë shpërblimin. (el Kamil 9/125). I tubonte dijetarët, i afronte dhe i nderonte. Asnjëri nga princat nuk guxonte të ulej me të përveçse me leje, ndërsa kur hynin dijetarët dhe të varfrit, ai ngrihej në këmbë dhe bënte ca hapa nga ata dhe i ulte te vendi i tij, ndërsa kur i dhuronte ndonjërit prej tyre diç dhe dikujt i dukej si dhuratë e tepruar, ky thoshte: “Ata janë ushtria e Allahut, për shkak të lutjes së tyre në arrijmë fitoret, atyre u takon nga Shtëpia e Mallrave shumëfishi nga ajo që ua jap. Nëse ata pajtohen që një hise të na lënë neve, ky është nder i tyre për ne”. (el Bidaje 12/281).

Në prezencë të tij, një princ foli keq për dijetarin Kutbudin Nejsaburi, e ky u tha: “Mjerë për ty, nëse është e vërtet kjo që thua, dije se ai ka shumë të mira tjera që nuk i ke ti, që ia fshijnë atë të keqe që e përmende po qe se është e vërtetë, ndërsa unë pasha Allahun nuk të besoj. Nëse e përsërit këtë për të apo për dikë tjetër kam për të të dënuar”. (el Bidaje 12/281).

Drejtësia e tij: një njeri pretendonte se Nurudini duhej t’i kthente diçka, ndaj shkuan së bashku te kadiu, të cilin e urdhëroi që të sillet ndaj vet Nurudinit sikur i akuzuar – gjë e cila po na përkujton në kalifin, Alij, radijallahu anhu – dhe kadiu gjykoi në të mirë të atij njeriu. Me këtë rast Nurudini tha:

“Erdha deri te kadiu me qëllim që asnjëri të mos refuzojë të vijë para sheriatit. Më i madhi dhe më i vogli ndër nesh nuk ësh asgjë para Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe para sheriatit të tij. Ne po mundohemi të bëjmë atë që është në pajtim me atë që na ka mësuar. Atë që na ka urdhëruar, e bëjmë. Atë që na ka ndaluar, largohemi prej saj. Unë jam i bindur se ky njeri s’ka asnjë të drejtë tek unë, por prapë se prapë po dëshmoj se vërtet zotëroja atë që kërkoi personi dhe ia dhashë atij”.

Ky ishte i pari që ndërtoi Shtëpi të Drejtësisë, aty qëndronte dy herë në javë, tre herë dhe pesë herë. Aty vinin i dobëti dhe ai që i kishin bërë zullum, askush s’mund t’i pengonte. (el Bidaje 12/280).

Ndërtoi xhami dhe shkolla, zgjeroi rrugët dhe tregjet dhe i pasuroi të varfrit, saqë u tha: “Më i varfri i kohës së tij harxhonte më shumë se ky”. (el Bidaje 12/278). Iu bënte mirë të gjithëve, madje edhe dhimmive, shfuqizoi tatimet dhe detyrimet tjera, të cilat më herët i merrte për t’i harxhuar në luftë, por më vonë u shkroi emirëve që ta ndërpresin këtë. Pas kësaj, kur binte në sexhde, thoshte: “O Allah mëshiroje tatim-marrësin e një të dhjetës, zullumqarin e lëvduar” kishte për qëllim vetveten. (el Bidaje 12/281).

Ky njeri është ai që e çliroi Aksanë prej kryqtarëve. Ai e përgatiti ummetin për fitoren e madhe me mirësinë, devotshmërinë dhe xhihadin e tij. Ai edukonte popullin që të kapin sunetin dhe të flakin bidatin, të jenë punëmirë dhe të braktisin gjynahet, t’i nderojnë dijetarët dhe t’i mëshirojnë të varfrit. I edukoi të jenë asketë, të ndershëm, bamirës, të drejtë, adhurues dhe të nënshtruar ndaj Allahut.

Kështu, derisa Allahu ia hapi fortifikatat e mëdha të Shamit nga dora e kryqtarëve edhe pse ishin nën okupim disa shekuj me radhë. E shpëtoi Egjiptin nga sundimi i Fatimijëve Batinij. Mbretëria e tij u shtri nga Iraku, Jemeni dhe Hixhazi derisa Kudsi arriti të bëhej vend që jetonte në shtetin Islam. Ai fillimisht pastroi vendet përreth, derisa u dorëzuan njëra pas tjetrës, u thye fuqia e kryqtarëve dhe ndërsa përgatitej të bënte çlirimin e madh, saqë kishte ndrequr edhe minber për xhaminë e Aksasë, erdhi caktimi i Allahut dhe e mori vdekja në vitin 569 H (1173 G), pasi që harxhoi mbretërinë e tij plot 28 vjet duke bërë xhihad.

Ai bëri dhe ndërtoi një ummet me kujdesin e Allahut. Ai nuk do të mundte ta bëjë një gjë të tillë pa ndihmën e Allahun dhe pastaj prezencën e njerëzve të mirë dhe të devotshëm, të cilët ishin dijetarë, punues dhe muxhahidë. Shumë prej tyre nuk dukeshin, ndaj nuk i njeh askush. E flijuan veten e tyre për krenarinë e këtij ummeti. Ashtu që, kur ta arrijë atë le ta qeverisë në mënyrën më të mirë. Kështu plotësohet ummeti në veprimtarinë e tij.

Pas tij, erdhi Salahudin Ejjubi, e ky është vetëm një nga komandantët e dalluar të Nurudinit, një prej atyre të mirëve dhe të devotshmëve. Ky e kreu detyrën në betejën e Hittinit në vitin 583 H (1187 G) pasi që Nurudini ia kishte hapur dyert e mbyllura dhe kështu u kthye Aksaja në kujdesin e Islamit dhe myslimanëve, pas 90 vjetëve robëri.

Atëbotë, myslimanët kaluan një bela të rëndë, edhe më të madhe sesa ajo që po përjetojmë sot. Në ditën, kur kryqtarët okupuan Aksanë në vitin 492 H (1098 G) kishin vrarë mbi 60 000 muslimanë, saqë edhe kuajt rrëshqisnin në gjak. Nuk u dëgjua ezani dhe nuk u falë namazi përgjatë një shekulli… përdhosën xhaminë Aksa dhe bënë gjithçka të fëlliqur.

Mirëpo myslimanët, arritën të rikthejnë gjendjen e tyre të mirë, iu afruan Mbrojtësit të tyre me sinqeritet, jo me hile… me zemër dhe jo duke pasur qëllim dynjanë… me gjakftohtësi dhe jo me gremisje dhe vrull… me ibadet dhe namaz jo me loja dhe gara… me respektim të ulemave dhe mëshirë ndaj fukarave… derisa u rikthyen ashtu si do Allahu, prandaj edhe Allahu u bë sikur donin ata, e rikthyen Aksanë nën hijen e Islamit.

Ashtu dhe vazhdoi, derisa ndryshuan në një gjendje që nuk e do Allahu, atëherë ua ndryshoi gjendjen dhe ja, sërish u okupua Aksaja.

– (ذَلِكَ بِأَنَّ اللّهَ لَمْ يَكُ مُغَيِّراً نِّعْمَةً أَنْعَمَهَا عَلَى قَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُواْ مَا بِأَنفُسِهِمْ وَأَنَّ اللّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ). [الأنفال:53].

“E kjo, sepse Allahu nuk e ndryshon një mirësi që ia dha një populli, derisa ata ta ndryshojnë vetveten. Allahu dëgjon dhe është i Gjithëdijshëm”. (Enfal 53).

Xhamia e Aksasë nuk ka rënë rastësisht që të na kthehet rastësisht. Ajo ka rënë sepse Umeti e anashkaloi këtë Fe, nuk i mori seriozisht farzet, kërkonte lehtësimet dhe hilet dhe nuk shkuan rrugës së sinqertëve. Prandaj, nuk do të kthehet përveçse me mënyrën e atyre që ishin para neve.

Më saktësisht, me aktivitetet e Nurudin Zenkiut, Allahu e mëshiroftë. Ibnul Ethiri e ngjasoi me kalifët e drejtë, sepse në biografinë e tij shihej e gjallë biografia e tyre, pastaj edhe te populli i tij. U bë i mirë ai dhe të gjithë u bënë të mirë pas tij. U përmirësua ai dhe u përmirësuan të gjithë. Ia hapi Allahu dyert ashtu sikur ia hapi Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Sot, Ummeti jonë ka mundësi që të nxjerrë edhe një shëmbëlltyrë tjetër sikur të kthehej në rrugën e të parëve, sahabëve dhe tabiinëve, me fjalë dhe me punë.

Allahu i madhërishëm ka thënë:

(يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن تَنصُرُوا اللَّهَ يَنصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ [محمد:7]

“O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun, Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ua forcojë këmbët”. (Muhamed 7).

Dr. Lutfullah HOXHA

Burimi: albislam.com

Përktheu: Omer BERISHA