Disa thonë se martesa gjatë muajit Muharrem nuk është e pëlqyer!

Disa thonë se martesa gjatë muajit Muharrem nuk është e pëlqyer!

0 2758

Pyetja: Kurorzimi në muajin Muharrem a është haram, apo e papëlqyer, siç kam dëgjuar nga disa njerëz?

Falënderimi i qoftë Allahut

Nuk ka asgjë të keqe nëse njeriu dëshiron të martohet në muajin e shenjtë të Allahut (Muharrem), që është fillimi i vitit hënor. Nuk është as mekruh, e as haram, kjo është e bazuar në një numër të madh të argumenteve:

Së pari:

Parimi themelor është se gjërat janë të lejuara, përderisa nuk ka asnjë citat që e refuzon apo e ndryshon atë. Parimi themelor sheriatik në të cilën dijetarët kanë rënë dakord njëzëri në lidhje me traditat dhe veprat e lejuara është se, ato janë të lejueshme për aq kohë sa nuk ka argumente qw tregojnë se ato janë të ndaluara. Si dhe nuk është përmendur asgjë në Kur’an apo Sunet, apo në konsensusin e dijetarëve, në analogjinë, apo në fjalët e të parëve, gjë që të mund të tregon se nuk është e lejuar martesa në muajin e Muharremit, atëherë vendimet tona dhe fetvatë duhet të bazohen në atë se në origjinë gjërat janë të lejueshme.

Së dyti:

Ekziston konsensusi i dijetarëve për lejueshmërinë, së paku me një konsensus të heshtur, pasi ne nuk kemi gjetur asnjë nga dijetarët e mëhershëm apo ata bashkëkohorë, në mesin e sahabëve apo tabi’inëve, apo në mesin e imamëve të pranuar dhe pasuesit e tyre deri në ditët e sotit, duke deklaruar se është haram, apo mekruh, qoftë martesa apo fejesa në muajin e Muharremit.

Nëse dikush e ndalon një gjë të tillë, mjafton si argument për refuzimin mendimit të tij, se si ai jep një fetva për të cilën nuk ka asnjë argument dhe e cila fetva nuk ka qenë e deklaruar nga ndonjë prej dijetarëve.

Së treti:

Muaji Muharrem është një nga muajt e nderuar dhe të shenjtë tek Allahu. Për sa i përket vlerës së tij, është transmetuar se Pejgamberi -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!-, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është muaji i Allahut Muharremi.” Transmetuar nga Muslimi, 1163.

Muaji që Allahu e ka përshkruar si të Tij, dhe bëri që agjërimi në këtë muaj të jetë më me vlerë se në muajt tjerë,  është e përshtatshme për një musliman të kërkon bekimin e këtij muaji duke bërë veprime të tilla, e jo të jetë i mërzitur,  apo të ketë frikë nga martesa në atë kohë, ose ta konsiderojë atë ogure, siç ishte zakon gjatë kohës së xhahilijetit.

Së katërti:

Nëse dikush argumentohet për ndalimin e martesës në këtë kohë nga fakti se muaji i Muharremit është muaji në të cilin Husejn ibn Aliu -Allahu qoftë i kënaqur me të!-, u vra, siç vepruan disa nga Rafiditë, përgjigja për të qëndron më poshtë:

Nuk ka dyshim se dita kur Husejni -Allahu qoftë i kënaqur me të!-, ka ra dëshmorë, është dita e fatkeqësisë së madhe në historinë e Islamit, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të nxjerrim fetva se është haram për t’u martuar apo fejuar në këtë kohë. Nuk ka asgjë në Islam se ne duhet të ripërtrijmë mërzinë dhe pikëllimin me përkujtime vjetore dhe të vazhdojmë deri në atë masë sa të ndalojmë çdo shprehje gëzimi.

Përndryshe, është e drejtë e jona të pyesim atë që e thotë këtë: A nuk është dita në të cilën i Dërguari i Allahut -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!-, ka vdekur, fatkeqësia më e madhe që ra mbi Ummetin musliman? Pra, pse të mos jetë gjithashtu haram martesa edhe gjatë këtij muaji, përkatësisht Rebiul Evel? Pse nuk na është transmetuar se është haram apo mekruh nga ndonjë prej sahabëve apo anëtarëve të familjes së Profetit (Ehlul Bejtit), ose dijetarëve pas tyre?

Njejtë, në qoftë se ne i ripërtrijmë keqardhjet tona në çdo ditë në të cilën një nga udhëheqësit e mëdhenj të Islamit, nga radhët e familjes së Pejgamberit -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!-, apo të tjerë, u vra apo ra dëshmorë apo vdiç, ditët e muajt e tillë do ishin të shumtë krahas ditëve të gëzimit dhe lumturisë, dhe njerëzit do të ishin të ngarkuar me vështirësi të padurueshme. Padyshim se të bësh një risi në fenë e Allahut, para së gjithash, do të dëmtojë njerëzit që kundërshtojnë mësimet islame, ata të cilët mendojnë se ata mund të shtojnë diçka për të bërë Islamin më të përsosur (kur ajo është tashmë i përsosur), dhe nuk janë të kënaqur me atë siç është përshkruar nga Allahu.

Disa nga historianët kanë deklaruar se i pari I cili ka futur këtë mendim, dhe në të vërtetë i pari I cili ka futur risinë ripërtrirjes së manifestimit që tregon një ditë zie në fillim të muajit të Muharremit ishte Shah Ismaili Safavi (907-930 Hixhri) , siç thotë Dr. Ali el-Verdi në “Lamahat Ixhtimajeh min Tarih el Islam” 1/59.

Së pesti:

Pastaj, disa historianë e konsiderojnë si më të saktë ngjarjen kur Ali ibn Ebi Talibi, -Allahu qoftë i kënaqur me të!-, u martua me Fatimen (Allahu qoftë i kënaqur me të), në fillim të vitit 3 Hixhri.

Ka edhe thënie të tjera lidhur me këtë çështje, por çështja është se asnjë nga dijetarët nuk kundërshtoi ndonjëherë martesën në muajin Muharrem, pos kësaj ai që martohet në këtë kohë ka një shembull të mirë në prijësin e besimtarëve Aliun -Allahu qoftë i kënaqur me të!-.

Allahu e di më së miri.

Burimi: albislam.com / Islamqa.info

Përktheu:Shpend Zeneli