DISA VEPRA VULLNETARE TË VLEFSHME

DISA VEPRA VULLNETARE TË VLEFSHME

0 1596

1. Namazi i natës:

Nafilet e namazeve janë prej veprave të lavdëruara tek Allahu, ndërsa nata e ka vlerën e saj. Falja në atë kohë është cilësi e të devotshmëve, të cilët kanë qenë të përgëzuar me xhenet. Ky është argument i logjikës së shëndoshë dhe i besimit të plotë si dhe afrim te Zoti i botërave.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur ka hyrë në Medine pas hixhretit nga Mekeja, ka thënë: “O ju njerëz jepni selam, ushqeni të varfrit me ushqim, mbani lidhjet farefisnore, faluni natën kur njerëzit flejnë, do të hyni në xhennet me selam.[1]

Prej mirësive të pronarëve të besimit është: ngritja dhe falja për Allahun në errësirën e natës, Allahu thotë: “Ata qenë të cilët pak flinin natën.”[2] Në errësirën e natës çlirohet shpirti i garuesve të natës.

Ebu Sulejman ed-Darani thotë: “Pasha Allahun sikur të mos ishte namazi i natës nuk do ta doja dynjanë.” Gjithashtu tregohet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, nuk e ka lënë namazin e natës asnjëherë madje as në rrugë e as në shtëpi, e falte në këmbë, ulur, mbi kafshën e tij në udhëtim, qoftë edhe të mos ishte në drejtim të Kibles. Të devotshmit njerëzit që nuk e falnin namazin e natës i shihnin si njerëz jo stabil.

Hasan el-Basriu ka thënë: “Çdokush që e le namazin e natës, shkak i lënies së tij është mëkati që e ka bërë.” – Kjo thënie e tij buron nga këshilla e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, që ia ka thënë Abdullah ibn Omerit: “Sa njeri i mirë është Abdullahu sikur të falej natën.” Pas kësaj Abdullahu natën flinte shumë pak (e nuk e lente namazin e natës).[3]

Abdullah Ibn Amër ibn Asit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha: “O Abdullah mos u bën si filani, i cili falte namaz nate pastaj e la atë.[4]

 Prej nderit të madh të adhurimit është adhurimi gjatë natës, ngase shpirti nuk nderohet përpos se me adhurim ndaj Allahut. Nuk i ngjan një të riut të udhëzuar ta lënë namazin e natës, qoftë ai namaz edhe gjysmë ore para sabahut, ku në ato çaste e lut Zotin e vet, në një kohë kur hapen dyert e qiellit. Të parët tanë të mirë asnjëherë nuk e kanë lënë namazin e natës dhe duanë në kohë të syfyrit.

 Tavusi thotë: “Mendoj se askush nuk e la namazin e natës para syfyrit.”

 

2. Përmendja e shpeshtë e Allahut:

Të përmendurit e Allahut është peshore e ngritjes dhe nderit, kjo është era më e këndshme që del nga goja, është derë e hapur ndërmjet robit dhe Zotit të tij, përderisa nuk e mbyll robi me pakujdesinë e tij.

Ibn Kajjimi ka thënë: “Dhikri – të përmendurit e Allahut, bën që Allahu të të përmend ty, siç ka thënë në Kuran: “Pra më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve.”[5]Sikur të mos kishte vlerë tjetër për dhikrin përpos këtij ajeti do të mjaftonte vetëm kjo si vlerë dhe nderë për ne.”[6] Me të përmendurit e Allahut robi ngrihet te Zoti i tij. Kurse i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e përmendte Allahun në çdo kohë. Me të përmendurit e Allahut kënaqet zemra, njeriu qetësohet me Allahun.

Ibn Kajjimi thotë: “Njëherë më tha shejhul-islam Ibn Tejmije: Nuk e lë të përmendurit e Allahut vetëm se me nijet të dal në një dhikër tjetër, me të vetmin qëllim për të pushuar me dhikër tjetër.”[7]

 

3. Leximi i Kuranit:

Libri i Allahut është nëna e këtij ummeti, nga ai buron urtësia, është argument i mesazhit hyjnor, dritë e shikimeve dhe urtësive, me leximin e tij dhe me veprimin sipas tij ngrihet pozita, ngrihet forca dhe besimi. Kurani është baza e diturisë dhe e referimit, prej tij merret karakteri dhe morali. Nxënia e Kuranit përmendësh me urdhër të Allahut robin e mbron nga sherret dhe fitnet (sprovat). Kurani është mburojë nga epshet dhe dyshimet. Andaj lexoje Kur’anin me meditim që buron nga thellësia e zemrës tënde.

 

4. Agjërimi i tre ditëve çdo muaj:

Prej cilësive të Zotit tonë është cilësia e Tij se Ai është i falënderuari, i Cili si pasojë e mirënjohjes së veprave të robërve të Tij, i shpërblen veprat e pakta me shpërblim të madh. Ummeti i Muhammedit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është i mëshiruar, punon pak në jetën e kësaj bote dhe shpërblehet shumë në ahiret. Nga ana tjetër jemi të parët para popujve të tjerë në botën tjetër, tre ditë agjërimi gjatë çdo muaj është si të agjërosh tërë muajin. Agjërimi i këtij lloji është porosi e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, drejtuar Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “I dashuri im më këshilloi me tre gjëra: Agjërimin e tre ditëve gjatë çdo muaji, dy rekate të duhasë si dhe të mos flejë pa e falur vitrin.”[8]

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com


[1] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se: Hadithi është hasen-sahih.

[2] Dharijat: 17.

[3] Mutefekun-alejhi.

[4] Mutefekun-alejhi.

[5] Bekare: 152.

[6] “Vabilu-sajib” fq. 62.

[7] “Vabilu-sajib” fq. 93.

[8] Mutefekun-alejhi.

GJITHASHTU NË ALBISLAM