DOBITË DHE ETIKA E AGJËRIMIT

DOBITË DHE ETIKA E AGJËRIMIT

0 898

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju muslimanë,

Frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë që na mundësoi ta presim muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë. Dijeni se agjërimi është një ndër adhurimet më të dobishme dhe gjurmët e tij në pastrimin e shpirtit dhe në përmisimin e moralit janë shumë të mëdha.

Prej dobive të agjërimit është se ai në shpirtin e muslimanit mbjell frikërespekt dhe devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”Bekare 183.

Prej dobive të agjërimit është se ia mëson njeriut përballjen dhe durueshmërinë, dhe kjo vjen si rezultat i durimit të tij prej largimit nga epshet dhe pasionet.

Prej dobive të agjërimit është se ia mundëson njeriut të del fitimtar kundrejt epshit të tij. Shpirti i njeriut fort anon kah epshet dhe pasionet dhe kur shpirtit i plotësohet dëshira që gjithmonë ta merr atë çka e dëshiron, atëherë njeriu është në rrezik të madh prej devijimeve që përfundimi i tyre padyshim se është i keq. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort I prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” Jusuf 53.

Prej dobive të agjërimit është se e dobëson lëvizjen e shejtanit në trupin e njeriut, për shkak se ai lëviz në trupin e birit të Ademit ashtu si lëviz gjaku i tij në trup. Kur njeriu ia mundëson vetes të gjitha gjërat që i dëshiron epshi i tij, ia hap derën shejtanit të depërton më lehtë dhe ta mbisundon mendjen dhe shpirtin e njeriut.

Prej dobive të agjërimit është se ai ia rikujton njeriut begatitë e Allahut ndaj tij. Kur e kaplon etja dhe uria i rikujtohet se Allahu ia lehtëson atij furnizimin e ushqimeve dhe pijeve dhe e sheh se sa ka nevojë krijesa për Krijuesin dhe me këtë e rrit falënderimin ndaj Tij.

Prej dobive të agjërimit është se ai e nxit njeriun në bamirësi ndaj fukarave dhe nevojtarëve. Agjëruesin kur e kaplon uria dhe etja i rikujtohet gjendja e fukarave dhe kjo e nxit në bamirësi dhe lëmoshë ndaj tyre.

Prej dobive të agjërimit është se e mposht kryelartësinë dhe mendjemadhësinë ndaj njerëzve. Kur agjëron i pasuri dhe fukaraja, mbreti dhe dijetari, fisniku dhe tradhtari, atëherë robit i rikujtohet se nuk e dallon njërin prej tjetrit, përveç se devotshmëria dhe se njerëzit të gjithë janë robër të Allahut dhe për të gjithë vlejnë të njëjtat dispozita.

Prej dobive të agjërimit është se i bashkon muslimanët dhe i afron njërin me tjetrin. Ata agjërojnë në të njëjtën kohë, e hanë iftarin në të njëjtën kohë  dhe kjo ndikon në afrimin e tyre dhe largimin e përçarjeve dhe mosmarrëveshjeve.

Prej dobive të agjërimit poashtu është se e lehtëson veprimin e adhurimeve. Kush e vëren gjendjen e agjëruesve në Ramazan, adhurimet e tyre dhe mirësitë që i veprojnë ata, do të bindet se agjërimi është një prej shkaqeve kryesore të udhëzimit dhe e kupton thënien e Allahut, azze ue xhel: “Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju” Bekare 184, dhe thënien e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem: “Agjërimi është mburojë.”

Dhe në fund prej dobive të agjërimit është se e mbron trupin prej sëmundjeve dhe zemrën prej moraleve të shëmtuara.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju agjërues,

Dijeni se agjërimi ka disa etika që duhet të respektohen.

Agjërues është ai person të cilit gjymtyrët e tij agjërojnë prej mëkateve dhe gjuha e tij prej gënjeshtre, përgojimi dhe shpifjes. Barku i tij prej ushqimi dhe pijeve dhe organi i tij prej epsheve. Flet fjalë që nuk e dëmtojnë agjërimin e tij, vepron vepra që nuk janë në kundërshtim me fenë e tij. Fjalët dhe veprat e tij i përngjajnë erës së cilën e nuhat ai që ulet afër personit i cili është i parfymosur me miskë. Çdo njëri dëshiron t’i afrohet për shkak se ndeja me të është kënaqësi e madhe, dhe se aty nuk përgojohet, nuk barten fjalë dhe nuk dëmtohet askush. Ky është agjërimi i kërkuar prej muslimanit, e jo vetëm se largimi prej ushqimit dhe pijeve.

Prej etikës së agjërimit është që agjëruesi mos ta tepron me ushqim gjatë natës, por të han aq sa ka nevojë trupi i tij. Çdo ngrënie e tepërt trashëgon dembeli dhe përtaci dhe e largon agjëruesin prej qëllimit të vërtet të Ramazanit.

Prej etikës së agjërimit është vonimi i  syfyrit me qëllim që të fillon me agjërim me hyrjen e imsakut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” Bekare 187.

Prej etikës së agjërimit është përshpejtimi i iftarit nëse vërtetohet se dielli ka perënduar qoftë me pamje ose me dëgjimin e ezanit të akshamit.

Disa njerëz bien në disa gabime gjatë muajit të Ramazanit edhe atë duke mos fjetur një pjesë të madhe të natës, e pastaj e hanë syfyrin dhe bien në gjumë një orë ose më shumë para namazit të sabahut. Ky lloj njerëzish bien në disa gabime, prej tyre:

1- Ata e fillojnë agjërimin para kohës kur detyrohet agjërimi ( d.m.th. para se të hyn koha e imsakut ).

2- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut me xhemat dhe kështu i bëjnë mëkat Allahut duke e neglizhuar atë që ua ka obliguar.

3- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut në kohën e duhur, dhe e falin pasi që të lind dielli. Kjo është një rrezik i madh për to për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet” Maunë 4-5, dhe “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta” Merjem 59.

Pakujdesshmëria dhe braktisja që ceken në dy ajetet e lartpërmendura aludojnë në atë që nuk e fal namazin në kohën e tij të duhur.

O ju robërit e Allahut,

Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë e juaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Islami është i ndërtuar prej pesë shtyllave: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, prandaj praktikoni fenë e juaj dhe mos u përçani në të.

Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e diniBekare 183-184.

 Nga arabishtja: Irfan Jahiu      

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM