DREJTËSIA E ALLAHUT

DREJTËSIA E ALLAHUT

0 5092

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij.

Drejtësia absolute është cilësi e Allahut dhe kjo cilësi e Allahut nuk është e ngjashme me drejtësinë e cila u përshkruhet njerëzve sepse asgjë nuk është si Allahu në qenie e as në cilësi.

Besimi i pastër në Allahun, i përbërë nga fjalë dhe vepra, tek besimtari nuk le vend për dyshime e as për mendime të këqija për Allahun e posaçërisht ato që kanë të bëjnë me drejtësinë e Allahut.

Allahu, subhanehu ue teala, për padrejtësinë, gjë kjo të cilën ia ka ndaluar Vetes dhe tjerëve, thotë:

“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El Kehf, 49)

 

“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (El Fusilet, 46)

“Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.” (En Nisa, 40)

“Thuaju: “Kënaqësitë e kësaj jete janë të vogla. Jeta tjetër është më e mirë për ata që e kanë frikë Allahun e s’bëjnë gjynahe. Juve nuk do t’ju bëhet asnjë fije padrejtësi.” (En Nisa, 77)

“Këto janë vargjet e Allahut, që t’i lexojmë ty me të vërtetën dhe Allahu nuk i dëshiron askujt padrejtësi.” (Ali Imran, 108)

Për bamirësit thotë se ata nuk kanë shkak për t‘u frikësuar Ditën e gjykimit: “Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.” (Ta Ha, 112)

dhe Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit (Ali Imran, 185)

Në një hadith kudsij të cilin e transmeton Muslimi (nr. 2577) prej Ebu Dherrit, radijallahu anhu, Allahu, subhanehu ue teala, thotë: Padrejtësinë (zullumin) ia kam ndaluar vetes dhe ua kam ndaluar juve.”

Në këtë nuk janë të njëjtë besimtarët dhe mohuesit e fesë. Drejtësia hyjnore shihet në faktin se Allahu nuk do t’i konsiderojë të njëjtë mohuesit e fesë me besimtarët në Ditën e Gjykimit. Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” (Sad, 28)

Dënimi i mosbesimtarëve ditën e gjykimit për rebelimin kundër Zotit dhe shpërblimi i besimtarëve që jetuan dhe punuan besnik Allahut dhe të dërguarve është manifestim i drejtësisë së plotë dhe të përkryer nga i Lartësuari. Nuk mund të jenë të njëjtë ata të cilët pranuan udhëzimin e Allahut dhe e zbatuan atë që Allahu e kërkoi prej tyre me mohuesit, të cilit ia kthyen shpinën udhëzimit hyjnor dhe vrapuan pas epsheve të kësaj bote kalimtare.

Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (El Hashr, 20)

Sigurisht se ka dallim mes shpërblimit për të mirën dhe për ate që është e keqe: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai), dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit…” (El Lejl, 5-10)

Në dy ajetet e fundit Allahu përmend besimin dhe veprat e mira që janë shkak për lehtësimin dhe vështirësimin. Nëse ai njeri beson dhe bën vepra të mira Allahu do t’i lehtëson veprat e mira dhe e kundërta; përgënjeshtrimi dhe mëkatet janë shkak për vështirësimin e veprave të mira.

Kur ju goditi fatkeqësia, ndërkohë ju i kishit goditur më parë armiqtë tuaj dyfish, ju thatë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush”. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë. (Ali Imran, 165)

Nëse ne mëndojmë se Allahu duhet në mënyrë të njëjtë t’i shpërblen besimtarët dhe mosbesimtaret atëherë ne jemi të padrejtit, sepse veprat e këqija i barazojmë me veprat e mira dhe kështu i vendosim gjërat në vendin e gabuar, gjë kjo e cila është definicioni i padrejtësisë. (Vendosja e gjërave në vendet që nuk ju përkasin).

A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” (Sad, 28)

“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’I bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” (El Xhathije, 21)

Këto ajete na flasin qartë se barazimi mes këtyre dy llojeve të ndryshme është vepër e shëmtuar dhe gjykim i gabuar dhe si i tillë nuk lejohet t’i atribuohet Allahut, subhanehu ue teala. Ky pohim është paragjykim i gabuar për Allahun, subhanehu ue teala.

Disa njerëz nga mosbesimtarët, në këtë kohë dhe në kohërat e ndryshme, konsiderohen si mirëbërës dhe përmirësues dhe për ta disa njerëz shpresojnë se do të shpërblehen nga Allahu, subhanehu ue teala. A thua vallë mundet të konsiderohet si mirëbërës ai njeri i cili mohon dhe refuzon shpalljen e Allahut i cili e krijoi dhe ia nënshtroi tokën dhe qiejt dhe pastaj pretendon se është kah bën vepra të mira. Esenca e gjitha veprave të mira është besimi në Allahun, subhanehu ue teala, dhe besimi në Pejgamberët. Për këtë shkak Allahu nuk i pranon veprat e njeriut i cili tregohet kryelart dhe mohues ndaj Krijuesit, qoftë i lartësuar Ai. Bamirësia e vërtetë është besimi në Allahu.

Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. (El Bekare, 220)

Ata thonë: Ne jemi vetëm përmirësues! Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.” (El Bekare 11-12)

Përmirësuesi i vërtetë është ai i cili beson në Allahu, subhanehu ue teala, në pejgamberin e Tij dhe i thërret njerëzit të pasojnë rrugën e Islamit. Për këto njerëz Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Ne nuk humbim shpërblimin mirëbërësve.” (El A’raf, 170).

Vepra e cila nuk është në pajtim më ligjin e Allahut dhe nuk bëhet sinqerisht për Të nuk është vepër e mirë dhe ai që i bën këto vepra pa besim në Allahun nuk do të hyj në xhenet sepse nuk e ka zbatuar obligimin e parë për të cilin është krijuar, besimin në Allahun.

Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56)

Allahun e lusim që të na ndihmon. Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

GJITHASHTU NË ALBISLAM