DYSHIMET RRETH BESIMIT

DYSHIMET RRETH BESIMIT

0 1468

Hisham ibn Urveh, përcjell nga babai i tij të ketë thënë:  i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Vërtetë shejtani i vije ndonjërit prej jush dhe e pyet: Kush e krijoi qiellin? Ai përgjigjet: Allahu! Pastaj e pyet: Kush krijoi tokën? E ai përgjigjet: Allahu! E pastaj e pyet: Kush krijoi Allahun? Nëse has në këtë pyetje le të thotë: Kam besuar në Allahun dhe të dërguarin e Tij, tri herë.” Shënon Muslimi.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

Shejtani nuk ndalet nga cytjet e tija drejtuar njeriut, duke e vënë atë në dyshime rreth imanit deri sa ta nxjerr atë në kufër, Allahu na ruajt. Gjëja e parë që shejtani i cyt njerëzit është rreth ekzistimit të Allahut, kështu që nis me një seri pyetjesh, që në fillim duken shumë të logjikshme. E pyet njeriun se kush krijoi qiellin e tokën? I pyeturi përgjigjet se Allahu është krijues i tyre. E shejtani e pyet herën e dytë; e kush e krijoi Allahun? Që është një pyetje naive, por që në vete përmban shumë ligësi, ana naive është në atë se pajtohet në çështjen se Allahu është Krijues, e më pas pyet se kush e krijoi Atë? Që janë dy gjëra të kundërta njëra prej tjetrës, për atë se pasi që Allahu është Krijues, nuk mundet që Ai të jetë edhe i krijuar, e nëse është i krijuar nuk mund të jetë krijues, pra një gjë nuk mund të cilësohet me të kundërtën e saj, sikur të thuhet për gurin; është i ngurtë i butë.

Qoftë edhe nëse i pyeturi përgjigjet se e ka krijuar një zot tjetër? Do parashtrohej pyetja e njejtë nga shejtani, se kush e krijoi atë zot tjetër? Kështu që përsëriten pyetjet e njejta, e përsëriten përgjigjet, e mbesim para dy mundësive; ose të shoqërojmë shejtanin në pyetjet e tija, e të mbesim duker përsëritur të njejtën përgjigje, të cilat nuk kanë fund, gjë e cila shpien në ateizëm të qartë; ose të ndërpresim cytjet që në fillim duke u mbështetur në besimin në Allahun, kështu na udhëzoi edhe vet i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, i cili referoi që muslimani kur të dëgjon sofizmat e shejtanit të thotë: Besova në Allahun! E ta përsëritë atë tri herë, që t’ia bën me dije shejtanit se pyetja e tij shpien në mohim të Allahut, ndërsa ai beson në Të dhe e njeh ekzistimin e Tij; se pyetjet e shejtanit shpiejnë në anulimin e të gjitha provave logjikore, fetare, shqisore, e natyrshmërisë së pastër që aludojnë në ekzistimin e Allahut, të cilat shejtani nuk mund që me pyetjet e tija naive t’i mohon ato. Kështu që thënia e muslimanit : Besova në Allahun! Nuk është ikje nga pyetja e shejtanit, por, është një përgjigje shumë precize për atë që kupton thelbin e saj.

Dobi nga hadithi

  1. Allahu është krijues i gjithçkaje.
  2. Allahu është i Pari, Ai krijoi gjëra nga asgjëja.
  3. Pyetjet e shejtanit janë të kota dhe jo korrekte.
  4. Kujdesi i shejtanit për të përhapur mosbesimin, dhe thirrje në të.
  5. Gjatë ballafaqimit me kësisoj pyetjesh muslimani thotë: Besoj në Allahun.
  6. Kur muslimanit i vijnë cytje të tilla duhet të kërkon mbrojtjen e Allahut, siç përmendet në transmetimin tjetër të Muslimit “le të kërkon mborjtje nga Allahu”.

HADITHI I DYMBËDHJETË

DYZET HADITHE RRETH BESIMIT (AKIDES)

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM