Emrat e Allahut, subhanehu ue teala, a kanë numër të kufizuar?

Emrat e Allahut, subhanehu ue teala, a kanë numër të kufizuar?

0 2450

Hoxhë i nderuar mbasi i mësova 99 emrat e ALLAHUT që i mora prej internetit dëgjova prej një hoxhe se 24 prej tyre janë të gabuar. A ka mundësi me mi dhënë emrat e vërtetë të Allahut që t’i mësoj? Allahu të shpërbleftë, amin!

Përgjigje:

Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Emrat e Allahut nuk janë 99, e vërteta është se ato nuk kanë numër të kufizuar. Shumë nga ato i dimë por edhe shumë të tjerë nuk i dimë. Më gjerësisht për këtë po të sjell përgjigjen e dijetarit të madh Muhamed ibën Uthejmin, të cilit kur iu parashtrua pyetja: Emrat e Allahut, subhanehu ue teala, a kanë numër të kufizuar?

Ai dha këtë përgjigje shumë të dobishme: Ato nuk kanë numër të caktuar, argument për këtë është fjala e Resulullahut, sal-lallahu alejhi ue selem, në hadithin e vërtetë: “O Zot, unë jam robi yt, i biri i robit dhe robëreshës tënde… të lutem me çdo emër Tëndin që e ke emërtuar Veten, apo e ke zbritur në Librin Tënd, ose ia ke mësuar ndonjërit prej robërve të tu apo që është në diturinë Tënde të gajbit të pakufishme”.

Ai emër që gjendet në diturinë e gajbit të pakufishëm të Allahut, nuk mund ta dimë ne atë, atëherë d.m.th. emrat e Tij janë të pakufizuar.

Ndërsa fjalën që ka thënë Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, kush i numëron ato, do të hyjë në xhennet”.  Nuk është për qëllim këtu se Ai ka vetëm këto emra, por kuptimi është se kush i numëron këto emra do të hyjë në xhennet.

Fjala e tij: “..kush i numëron ato..” është plotësim i fjalisë së parë dhe nuk është fjali në vete.

Kjo fjali i ngjan fjalisë: “I kam njëqind kuaj, të gatshëm për xhihad në rrugë të Allahut”, nuk do të thotë kjo se ai nuk ka më shumë kuaj, por do të thotë se këto njëqind i ka të gatshëm për këtë gjë.

Shejhul Islami Ibën Tejmijje ka përmendur pajtimin e dijetarëve të shkencës së hadithit se hadithi në të cilin përmenden në numër të kufizuar emrat e Allahut nuk është i vërtetë –dhe kjo është e vërtetë për shkak të mospajtimit të madh që ekziston për këtë çështje.

Ata që mundohen të thonë se ai hadith është i vërtetë thonë: Kjo çështje është me rëndësi të madhe, sepse ajo ta mundëson hyrjen në Xhennet, e shokët e Resulullahut, sal-lallahu alejhi ue selem, me siguri e kanë pyetur se cilat janë ato emra, kështu që ai ua ka treguar emrat e Allahut, subhanehu ue teala.

Por ne iu përgjigjemi atyre duke u thënë se nuk është ashtu, për shkak se po të kishte qenë ashtu, atëherë këto emra do të ishin edhe më të njohur sesa drita e Diellit, si dhe do të transmetoheshin edhe në dy Sahihët e njohur, sepse kjo është shumë me rëndësi, e ne po shohim se ky hadith nuk na ka arritur përveç nëpërmjet disa rrugëve të dobëta dhe mënyra të llojllojshme.

E Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk i ka treguar ato emra për shkak të një urtësie të madhe, e ajo është që njerëzit t’i kërkojnë ato emra dhe të hulumtojnë në Kur’an dhe Sunnet, e në këtë mënyrë dallohet i interesuari për këtë çështje nga i painteresuari.

Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, me fjalën e tij “kush i numëron ato” nuk ka pasur për qëllim që ato emra të shkruhen në ndonjë fletë dhe të përsëriten derisa të mësohen përmendësh, por kuptimi i asaj fjale është:

Në fillim: Mësimi i tyre,

Pastaj: Kuptimi i domethënies së tyre dhe

Së treti: Ta adhurosh Allahun ashtu si aludojnë ato emra, e kjo në dy mënyra:

E para: Ta lutësh Allahun me ato emra, sepse Ai ka thënë: “Dhe luteni Allahun me ato emra”. (el-A’raf 180).

Kështu që i bën ato si mjet për kërkesën tënde që ke, duke zgjedhur emrin e përshtatshëm për atë që kërkon. Kur kërkon falje nga Allahu, i drejtohesh me emrin: “O Falës, më fal mua”, e assesi nuk do të thuash: “O Dënues i Fortë, më fal mua”, sepse kjo mund të llogaritet si tallje, e me këtë emër mund ta lusësh “…më shpëto nga dënimi Yt”.

E dyta: Të mundohesh t`i transformosh aludimet e këtyre emrave në adhurimin dhe sjelljen tënde. Emri i Tij ‘Rahim’ aludon në mëshirë, pra, punoje punën e mirë, e cila ta sjell këtë cilësi të çmuar.

Ky është kuptimi i fjalës “kush i numëron ato”. Ai që do të punojë në këtë mënyrë, meriton si shpërblim të ketë Xhennetin.

përktheu: Omer B.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com