FËMIJËT TANË DHE NAMAZI

FËMIJËT TANË DHE NAMAZI

0 1267

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtet s’ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet përveç Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju robërit e Allahut,

Fëmijët janë bukuria dhe shkëlqimi i kësaj bote, ndërsa ecja e tyre në rrugë të drejtë është dritë dhe kënaqësi e vërtet për sytë e prindërve.

Për të qajtur është gjendja në xhamitë tona të cilat janë boshe pa prezencën e të rinjve. Të rralla janë ato xhami ku përveç pleqve falen edhe të rinj. Kjo pasha Allahun nuk është mirë për neve dhe tregon se ka devijime në edukatë fetare dhe se kjo është dobësi e prindërve. Në rast se nuk falen sot, kur do të falen ata të rinj në xhemat me muslimanët!?

Pasi që mëkati më i madh dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi prindërit, atëherë së pari e rikujtoj veten e pastaj të gjithë përgjegjësit e familjeve të cilët e morën mbi supe amanetin, me fjalët e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për shtëpinë e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj.”

Allahu, azze ue xhel, na njofton në Kuran dhe thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” Tehrim 6.

“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” Taha 132.

Në një hadith të qartë të cilin e rrëfen i dërguari i këtij Umeti Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, i porosit të gjithë prindërit:“Urdhërojini fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatë vjeçare dhe qëllojini (rrihni) që të falen kur të mbushin dhjetë vjeç dhe ndajini nga njëri-tjetri në shtrat.”

O ju vëllezër musliman,

Prej këtij udhëzimi profetik dhe fisnik mësojmë se edukimi i fëmijës për namaz duhet të jetë shkallë-shkallë dhe serioz. Fëmija thirret në moshën shtatë vjeçare ta falë namazin, mirëpo nuk rrihet përveçse atëherë kur i mbushë dhjetë të plota. Periudha tre vjeçare duhet të jetë e mjaftueshme që t’i ngulitet në zemër dashuria ndaj namazit dhe brenda kësaj periudhe ai thërritet mbi pesëmijë herë për faljen e namazit! Ai që i përgjigjet kësaj thirrjeje vazhdimisht brenda tri viteve, a ka nevojë që ta rrahësh pas pesëmijë namazeve!? Të paktë janë ata prindër që e praktikojnë porosinë profetike dhe kanë nevojë për edukim pasi t’i mbushë fëmija i tij dhjetë vite. Numri i shumtë i namazeve dhe shkuarja e tij e shpeshtë në xhami brenda këtyre viteve, do të jenë shkak për bërjen e namazit si pjesë të programi të tij ditor.

Sot shumica e njerëzve i rrahin fëmijët e tyre për çështje të kota dhe banale të cilat nuk e arrin në vlerë gradën e namazit. Kush e mendon gjendjen e namazit të sabahut dhe sa prej fëmijëve dhe të rinjve prezantojnë në faljen e tij, do të mërzitet për gjendjen e Umetit Islam!

Ku janë prindërit të cilët janë të detyruar t’i zgjojnë fëmijët e tyre?

Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, na rrëfen se kishte shkuar te tezja e tij Mejmuneh, radijallahu anha, dhe pasi që u errësua erdhi i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i pyeti: “A u fal djaloshi?” – I thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut u fal.”

Ibën Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Fëmijës i mësohet namazi atëherë kur e dallon të djathtën e tij prej të majtës.”

Të parët tanë i vështronin me vëmendje fëmijët e tyre se a e falnin namazin dhe i pyesnin rreth saj.

Nga Aisha, radijallahu anha, na përcillet të ketë thënë: “Sahabët i merrnin fëmijët e tyre në xhami, që të falen me ta. Njëkohësisht u jepnin ushqime të shijshme vetëm e vetëm që t’i inkurajojnë ata të vijnë në xhami e të falen me ta.

Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, na njofton se njëri prej sahabëve e kishte pyetur birin e tij: “A u fale me ne? A e arrite tekbirin fillestar? – Iu përgjigj: “Jo”  -Atëherë i tha: “Biri im je privuar prej një mirësie të madhe sa njëqind deve të gjitha syzezë.”

O ju prindër,

Mos lejoni që nesër të dalin prej duarve të juaja fëmijë që nuk falen dhe të bëheni mëkatar për nxjerrjen e tij në këtë Ummet si jobesimtar prej prindërve muslimanë edhe atë me pakujdesi dhe mëshirë përmbysëse.

I frikoheni ftohtit dhe nuk e zgjoni prej gjumi për namazin e sabahut, i frikoheni nxehtit dhe nuk e lejoni të shkon në namazin e ikindisë! Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” Teube 81.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e neglizhon edukimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, ai i ka bërë padrejtësi. Shumica e fëmijëve kanë devijuar në besim dhe moral, si rezultat i neglizhencës së prindërve për t’ua mësuar atyre fenë dhe rregullat e saj. Prandaj, i humbën dhe i shkatërruan  kur ishin të vegjël, dhe kështu si bënë dobi as vetes së tyre e as prindërve kur u rritën të mëdhenj.”

O ju prindër,

Kujdesia për faljen e fëmijëve në xhami ka shumë dobi, prej tyre:

– Largimi i përgjegjësisë para Allahut, azze ue xhel, dhe mbrojtja prej mëkatit pas ngulitjes së dashurisë ndaj namazit dhe urdhrit për faljen e tij.

Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush është përgjegjës i fëmijës apo jetimit apo robit dhe nuk e urdhëron në faljen e namazit, atëherë përgjegjësi dënohet dhe i tërhiqet vërejtja me rrahje të rëndë për shkak se i ka bërë mëkat Allahut dhe Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem.”

– Shpresa për shpërblim për atë që e vepron fëmija i tij.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kush thërret në udhëzim, ai do të ketë shpërblimin e tij dhe shpërblimin e atyre që do e veprojnë pas tij, duke mos e pakësuar aspak shpërblimin e tyre.”

– Ndjenja se i biri është nën mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut, azze ue xhel, tërë ditën.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat është nën mbrojtjen e Allahut.”

– Largimi i fëmijës kur të rritet prej rrethit të jobesimtarëve dhe munafikëve.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Marrëveshja mes nesh dhe atyre është namazi, kush e len atë ai ka ba kufër.”

Nuk ka namaz më të vështirë për munafikët se namazi i sabahut dhe jacisë. Po ta dinin se çfarë vlere dhe të mirash ka në to, do të vinin po qe nevoja edhe duke u zvarritur.”

– Rritja e fëmijës në mirësi dhe në rrugë të drejtë që të bëhet thesar për të dy prindërit pas vdekjes së tyre.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, mirësinë dhe drejtësinë e fëmijës e bëri kusht për t’i bërë dobi prindërve: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të.”

“Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” Ibrahim 40.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ti prind musliman, 

Këto janë disa shkaqe të cilat ndihmojnë që fëmija jot ta fal namazin:

  1. Së pari ti o prind duhet të jesh shëmbëlltyrë për fëmijën tënd duke qenë prej atyre që e falin namazin dhe kujdesen për të. Fëmija kur t’i mbush të shtatat dhe fillon t’i dallon gjërat merre me vete në xhami për faljen e namazit, se fëmija rritet ashtu si e mëson prindi i tij.
  2. Jepi përparësi çështjeve të ahiretit para atyre të dynjasë dhe ngulite këtë besim në mendjen dhe zemrën e fëmijës tënd. Mos të bëhen provimet shkollore më të rëndësishme se falja e namazit, dhe mos të bëhet përsëritja për në shkollë më e rëndësishme se shkuarja në xhami. Nuk është krenari që fëmija jot të bëhet njeri me pozitë dhe me famë ndërsa ai është prej munafikëve ose jobesimtarëve që nuk prezantojnë në faljen e namazit. Mjafton të jesh krenar kur e di se i biri ushqehet prej asaj çka e fiton dora e tij dhe ai e fal namazin, kurse bashkimi i dy çështjeve padyshim se është më e mira.
  3. Bëhu durimtar dhe këmbëngulës se kjo çështje është e rëndë dhe lodhëse: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Taha 132, dhe në fund përgëzohu se: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69.
  4. Lexoja dhe mësoja fëmijës tënd hadithet që flasin mbi namazin. Sqaroja dispozitat e sheriatit për atë që nuk e fal namazin dhe çfarë dënimi e pret në dynja dhe ahiret. Tregoi se ai që e fal dhe kujdeset për të është prej atyre që Allahu i do dhe i mbron dhe shpërblimi i tij është xheneti. Mos i thuaj se ti je ende i vogël dhe se ka kohë për ty kur do të falesh, por mësoja formën e faljes, dispozitat e saj dhe dobitë e saj se ajo i ndihmon në formimin e personalitetit.
  5. Nxitni ata me shpërblime dhe dhurata të ndryshme për çdo namaz që e falin. Më kujtohet një prind i cili fëmijëve të tij për çdo namaz të sabahut të cilin e falnin në xhami u dhuronte të holla dhe si fryt i kësaj metode njëri prej fëmijëve iu bë një prej dijetarëve më të mëdhenj. Po ashtu më kujtohet një plakë e cila dilte me birin e saj në namazin e sabahut çdo ditë, dhe Allahu e fisnikëroi plakën me birin e saj dhe ia bëri prej hafizave të Kuranit dhe një prej imamëve të njohur dhe e bëri njeriun që më së shumti e respekton nënën e tij.

Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thoshte: “Kujdesuni që fëmijëve mos t’u ikë koha e namazit. Pastaj bëjani atyre shprehi të mirën, sepse e mira duhet të bëhet traditë”

  1. Lutu për fëmijën tënd në çdo kohë dhe tento që ndonjëherë ai t’i dëgjon lutjet e tua për namaz dhe udhëzim dhe begati. Prej lutjeve të profetëve dhe njerëzve të mirë ishte lutja: “Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” Ibrahim 40.
  2. Shoqëro fëmijën tënd me njerëz të mirë besimtarë që e lexojnë Kuranin dhe e falin namazin me xhemat.
  3. Mendo çdo herë kur dëshiron të blesh shtëpi që ajo të jetë afër xhamisë se ajo të ndihmon shumë në nënshtrim ndaj Allahut, dhe posaçërisht i ndihmon fëmijës tënd në faljen e namazit.
  4. Mendo ndonjëherë se fëmija jot të cilin e do mund të bëhet lëndë djegëse në rast se nuk falet: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” Tehrim 6.
  5. Bëhu serioz dhe këmbëngulës në urdhërimin e tyre për faljen e namazit. Kujdesu që t’i zgjosh prej gjumi në namazin e sabahut dhe merri të gjitha sebepet e mundshme, se fëmija kur e sheh se prindi ka seriozitet në këtë çështje atëherë edhe ai do ta merr çështjen me seriozitet. Bashkëpuno me imamin e xhamisë që ta nxit fëmijën tënd dhe të tjerëve në faljen e namazit dhe t’i përcjellë ata se a prezantojnë rregullisht në xhami.

O ju prindër musliman, kjo rrugë është e rëndë dhe e lodhshme, por më e lodhshme dhe më e mërzitshme është kur ta shohësh fëmijën tënd të devijuar, me alkool dhe me drogë ne duart e tij, prandaj lufto se mundi jot në fund do të shpërblehet: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!”Ankebut 69.

E lus Allahun, azze ue xhel, që t’i përmirësojë dhe drejtojë familjet dhe pasardhësit tanë dhe t’i bëjë kënaqësia dhe drita e syve të prindërve.

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM